Historia e dytë e plakut Ç. K.

(Metamorfoza në ndikimin e qenieve të errëta –XVI-)

Nga Reis Mirdita

“Nga ura e lashtë mbi lumin e rrëmbyeshëm, një tym i dendur u çua drejt qiellit të murrmë pranveror, morri mandej zbritjen vërdallë drejt mullirit të lënë batall, nga ku u paraqit një bishë me tre krerë e nga të cilat, njëra kishte dukjen e luanit, tjetra të tigrit e në mes koka e një gjarpri leshgjatë që në thelb bënte në vazhdim, trupin e tërë bishës së tmerrshme.

Një fëmijë nëntë vjeçar, i dërguar nga nëna ta hedh hirin e një hajmalie të mbështjellë në shtatë kat dyllë dhe pëlhurë para se ta digjte në krye të 40 ditëve. Hajmali kjo e bërë nga sihirbërësja Dahlije e fshatit pranë Vrellës së Ujit të Madh i njohur gjithashtu për kallëzimet e pa fund për ujkun me dy kokë, me katër sy dhe me katër këmbë të parme, dy nga të cilat ishin të kthyera përpjetë. Ecte ky ujk i trishtueshëm dimër e verë, natë e ditë nëpër fshat, sa herë t’i tekej e askush nuk kishte guximin të merr masa! Fshatarët kishin frikë nga xhindet e ky ujk për ta si dhe për fshatrat rreth ishte i tillë. Dhe ishte pa dyshim i tmerrshëm!
Unë shkova në këtë fshat enkas për të hulumtuar rastin e ujkut në fjalë por deshi puna dhe hasa mbi urë kur vogëlushi hodhi hirin. I frikësuar, ia nisi vajit me zë dhe u hodh në duart e mia. Lugati me tri krerë u zhduk në mjegullat që nisën të derdhin shi e breshër të hatashëm. Murmurimë e vetëtimë e dendur, sikur qiellit i vihej flaka. Recitova pa zë një lutje qetësuese dhe i them çunit të më çon drejt shtëpisë se vet. U ndie i mbrojtur dhe i kapur për dorën time arritëm para derës së oborrit. Thirri me zë babain duke ia bërë me dije se sillte me vete një mik të panjohur. Hyra në dhomën përdhese të pajisur me orendi të thjeshta por me shije dhe u ula mbi një postiqe të vjetër deleje. Pas meje hyri e zonja e shtëpisë, e thatë si krënde dhe me sy thuajse të zhdukur plotësisht nën vetullat e gjata, u përshëndet nga larg dhe u tërhoq në pjesën e magjes, me siguri për të përgatitur kafe. Befas u kthye dhe nisi të qajë me dënesje të thella. Djali po ashtu ia nisi vajit dhe iu hodh në krahë nënës.

-U hidhëruan xhindet e kuçedrat kur u hodh hiri i hajmalisë?!!! Kjo vetëtimë që po mi nxjerr mendtë!!! O Zot merrma shpirtin!

-Zonjë, s’ka asgjë të bëjë me hajmalinë e aq më pak me kuçedra se ata ekzistojnë vetëm në përralla.

Në ndërkohë burri i solli një gotë të trashë qelqi me ujë. Ajo e morri dhe e vendoi para këmbëve mbi hasër  duke i zgurdulluar sytë mbi të! Tërhoqi pak kokën dhe vazhdimisht duke qa, filloi t’i rendis të gjitha që i paraqiteshin në kokë:
-Ja ujku aty, përjarget dhe m’i grinë dhëmbët. Ja edhe dy xhinde… “Ik” i thonë ujkut, “ik se e jona është!”. Përsërita një lutje qetësimi, e morra gotën me ujë dhe e shtera me një fyt.

-Nuk ka më as ujk, as xhinde. Çdo e keqe u largua nga shtëpia e juaj!

Bashkë me djalin nisën të qajnë akoma më me zë; nga gëzimi ndoshta.

-Por ç’pata unë e mjera qe sa vjet po dergj?!

-Sihir, – iu përgjigja dhe u largova me të shpejtë. Duheshe të takoj patjetër ujkun për të zbuluar fshehtësinë që endej në këtë fshat e rrethinë.

“Ishte kohë plot rreziqe”, vazhdoi xha Ç. K, duke aluduar në vitet e para të komunizmit jugosllav; “ende buka ndahej me kuponë e hilet, dajaku, burgosjet e vrasjet nuk ndaleshin. Të hetosh mbi qenie e dukuri të “mbinatyrshme” në këtë jetë ku ndalohej me ndëshkime të rënda çdo aktivitet në këtë drejtim, ishte marrëzi dhe rrezik jete nga ateistët e dhunshëm të këtij sistemi të dhunshëm.

Ajo që më tërhoqi të zbuloj fshehtësinë e ujkut të pamposhtshëm ishte vet fakti se një ujk i ngjashëm ishte vrarë para njëzet e ca vitesh dhe disi u vërtetua se nuk kishte qenë as ujk as xhinde por qen i stërvitur nga xhandarmëria e kralit. Personi që e vrau, ose më shkurt dyshohej mbi të, u zhduk pa nam e nishan vetëm 7 ditë pas ngjarjes me ujkun. Fjala morri dhenë: Xhindet për hakmarrje e kanë varrosur Dedën të gjallë. Disa flitnin se kanë pa tri hije të zeza me sy shtazarakë duke shti në dhe një njeri të gjallë, mu atje nën degët kalavare të shelgut pranë ujit.

Unë që s’i kisha punët mirë me të kuqtë, e as dëshiroja t’i kem mirë, u çova ashtu me 72 vjetët e mia mbi supe, me vendosmëri të zbuloj prapavijën e këtij tmerri se diçka nga thellësia e ime më thoshte që nuk ka të bëjë me ujk-xhinde kjo dukuri… Një javë e tërë kaloi pa gjetur gjë. Dhe troç të shtatën natë, me zgjoi mikpritësi im, Enveri i Mëhallës së Madhe duke pëshpëritur “Ja ujku, aty në *Çilovë”! U çova, vesha teshat dhe dola në hapësirën ku tuboheshin fshatarët në kohë të lirë dhe ku tellalli e postieri shpërndanin lajmet e letrat e arritura… Ujku nuk ishte aspak me dy kokë. Dy këmbët të kthyera lartë ashtu mbi dy natyroret, ishin vetëm ca pesë gishta të gjata. Errësira që i zinte vendin ditës, tashmë mbuloi hapësirën. Iu afrova ngadalë kafshës që terrorizonte fshatarët dhe preras, sikur fëmijës që kishte bërë ndonjë dëm i them të ulet. Më dëgjoi duke më shikuar në sy. Ia preka këmbët me kujdes, ata mbi shpinë pra. Dy pëlhura të qepura, të mbushura me kashtë dhe të mbështjella me lëkurë qeni e të kapura me masha po ashtu të mbështjella me të njëjtin material. Qen i trajnuar me mjeshtri!!! Këlysh qeni dhe ulkonje. Fshehtësia m’ishte e dhënë në pasqyrë. Natën dikush e afronte kafshën pranë shtëpisë që pushteti kishte vendosur ta terrorizoj duke e përsëritur këtë taktikë 2-3 herë dhe mandej shkonin aty një natë, milicë me veshje të kamufluar sikur të ishin xhinde apo qenie të tjera të frikshme por edhe të armatosur dhe nën tytat e revoleve e pushkëve, u lidhnin duart meshkujve, merrnin vajzën që ia kishin vu syrin, e mbanin në milici e ahengje tjera, nganjëherë gjer më 4-5 ditë dhe e lironin natën pranë fshatit të lindjes. Shpesh, me të njëjtën metodë, kidnaponin edhe ndonjë nuse të re…

Në pamundësi tjetër, të pa mbrojtur, të lënë në mjerim, fshatarët kërkonin rrugëdalje në shpërngulje drejt qyteteve ku ishin sa do pak më të mbrojtur ose me njëqind telashe, ia gjenin mundësinë t’i merrnin “vesikat” (vizat) dhe mërgonin në Turqi.

Unë vet e dita por edhe flitej e përflitej më parë se “Hana” që me emër të vërtetë quhej Halim, ishte bashkëpunëtorë, me një fjalë shpiju i milicisë dhe se ai ishte kallauz që i drejtonte për në shtëpitë që vet i zgjidhte.

Një natë kur fshatarët ktheheshin nga pazari, ia mësyna shtëpisë së tij. E hetova në muzg duke hyrë në ndërtesën e milicisë së fshatit të afërm andaj zura vend rreth dyqind hapa larg shtëpisë së tij dhe pritja. Në orët e vogla të pasmesnatës në natë pa hënë, Hana ndaloi të marrë frymë nga thika e një të riu trim që pata me vete dhe i cili e qëlloi në thelbin e zemrës së kalbur.

* * *

-Xha…, i thash, erdha për të mësuar diç mbi ujkun-xhinde, më mësove për xhinde më të pista e më të errëta që kam dëgjuar ndonjë herë! E përqafova me dashuri sikur prindin tim dhe u ndamë me premtime dhe me dëshira për t’u takuar përsëri.

(Vazhdon)

*Çilovë,- Historikisht çilovë quhej vend i gjerë i lënë pas dore, pa mbjellë e përkujdesje. Me kohë e me rritjen e vendbanimeve ky teren pa pronarë, mbështillej me ndërtime të reja për rreth dhe shndërrohej në qendër ku tuboheshin fshatarët në kohë të lirë për biseda e rekreacion. Në vend të kësaj, disa fshatra e huazuan fjalën sllave “zbirallë”.