Hidrocentralet në Deçan janë për interesa të manastirit, e jo zhvillimit të qëndrueshëm

Mr. Adem Lushaj

Zhvillimi ekonomik i një vendi varet shumë edhe nga resurset natyrore që posedon, qofshin nëntokësore apo mbi tokësore. Ndër komunat që posedon resurse të shumta natyrore e që janë të favorshme për zhvillimin ekonomik, është Komuna e Deçanit, sidomos resurset që janë në masivin e Bjeshkëve të Nemuna. Kjo komunë është e pasur me resurset ujore, gjë që ia kanë lakmi shumë komuna të Kosovës. Lumëbardhi i Deçanit është njëri ndër resursit më të rëndësishme të zhvillimit komunal, qoftë për atraksione turistike apo si burim i energjisë elektrike.

Pa dyshim se resurset natyrore duhet shfrytëzuar për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, sikurse që duhet shfrytëzuar edhe resurset që janë në Deçan, këtë rast edhe Lumëbardhin tonë. Mirëpo, zhvillimi i qëndrueshëm, pos komponentës ekonomike, duhet ngërthyer në vete edhe komponentin social dhe mjedisor.

Asnjë deçanas apo ekspert mjedisor, nuk është kundër shfrytëzimit të resurseve natyrore për qëllime ekonomike, e aq më pak për zhvillimin e Deçanit që ka mbetur ndër komunat më të pa zhvilluara, për arsye politike e të ndikuara nga Manastiri. Investimet që bëhen në ndërtimin e Hidrocentraleve në rrjedhën e Lumëbardhit janë investime me prapavijë jo të mirë, ngase prapa këtyre investimeve qëndron Manastiri i Deçanit (Serbisë), i cili dirigjohet nga politika e Beogradit dhe nuk përfillen parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Në arsyetimin zyrtar të institucioneve komunale dhe qendrore, thuhet se “me ndërtimin e këtyre HC-ve, pos asaj që do investohen rreth 55 milion euro, do kemi edhe shumë të punësuar dhe furnizim më të mirë me energji elektrike”. Këtë arsyetim zyrtar të Komunës së Deçanit dhe Ministrisë së Mjedisit, le ta vlerësojnë qytetarët e kësaj komune, pasi që janë vlerësuesit më të mirë për numrin e të punësuarve dhe si është gjendja me furnizim të energjisë elektrike.

Deçanasit, në vazhdimësi janë ankuar dhe po ankohen për mungesë të ujit për pije, sikurse që kishte raste kur uji ishte i pa përdorshëm, ngase ujësjellësi ishte dëmtuar gjatë kryerjes së punimeve. Pos kësaj duhet të përmendim faktin se gjatë sezonës verore, deçanasit nuk kanë mundësi të shijojnë freskinë e ujit të Lumëbardhit dhe bukuritë natyrore që ofron “Gryka e Deçanit”, ngase mbi 10 km, sasia më e madhe e ujit, futet nëpër tuba që dërgojnë për te “Hidrocentrali i Manastirit”, e më pas kjo sasi e ujit, kalon nëpër pronat e këtij manastiri, ku disa prej këtyre pronave i ka uzurpuar me vendime të dhunshme politike. Futja e ujit nëpër tuba (gypa), duke lënë shtratin e ujit pa “asnjë pikë uji”, e rrezikon biodiversitetin natyror (gjatë verës rrezikohet minimumi biologjik për peshqit dhe shtazët ujore), paraqet krim mjedisor, e që është e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Duhet përmendur edhe një fakt ligjor, kur kemi të bëjmë me rastin e ndërtimit të këtyre hidrocentraleve në Grykën e Deçanit, që nënkupton se ky investim është kryekëput për përfitime të Manastirit, e jo të deçanasve. Me investimet e bëra është bërë shkelje e Ligjit për Zonat e veçanta të mbrojtura, Nr. 03/L-039, i vitit 2008, përkatësisht Neni 5 i këtij Ligji. (Aktivitetet e Ndaluara brenda Zonave të Veçanta të Mbrojtura: a) ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve tranzite në zonat rurale; dhe b) ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit).

Mendimi dhe bindja jonë është se, Investimet për ndërtim të hidrocentraleve, janë investime për favore të manastirit, ndaj nuk është investim për interes kombëtar, që do ishte e pranueshme edhe shkeljet ligjore. Mirëpo, për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, nevojitet një angazhim dhe përcaktim politik dhe profesional të institucioneve të vendit, qofshin nga ato komunale apo qendrore.