HEROI QË SFIDOI HISTORINË

Bedri TahiriShkrim me shkas: Në përvjetorin e heroit tanë të parë dhe në vend të reagimit për vendosjen e shtatores së humbësit të asaj beteje, Car Lazarit, në Mitrovicë

Bedri TAHIRI  

HEROI QË SFIDOI  HISTORINË

                                                 Ai qё nuk ёshtё i sigurt nё kujtesёn e tij, nuk duhet tё lёshohet tepёr nё gёnjeshtra.

(Montenj)

Milosh Nikollë Kopiliqi    Trimi i parë drenicas që njeh historia, padyshim, është Millosh Nikollë Kopiliqi. Ishte luftëtar dhe prijës i njohur, si edhe pasanik i madh, i cili posedonte prona të shumta e tё begata në Kopiliq të Drenicës heroike. U martua me vajzën e car Lazarit, dhe kur osmanët u vërsulen këtej Dardaneleve, u lidh me koalicionin e krishterё antiturk.

Zemërimi i princit

Qershor 1389.  Java e dytë. Vapë e madhe, përvëluese. Toka e çarë si pjepëri. Thatësi e paparë dhe e padëgjuar. Nuk e mbanin mend as më të moshuarit. Moti s’kishte rënë asnjë pikë shiu. Edhe dimri i shkuar ishte i pa borë.

Milloshi ishte zgjuar herët. Pasi ua hodhi një sy pronave tё tij të shumta në Kopiliq tё  Drenicës, shkoi edhe poshtë, te mullinjtë. S’punonin të bekuarit, se nuk kishte ujë, kishin shteruar puset. Nuk qëndroi shumë  aty dhe vrik u kthye në shtëpi. U ngjit lart në kullë. Me nga një gllënjke piu radhazi tri kafe pa sheqer. Kjo  nuk i kishte ngjarë moti. Ishte shenjë trazimi e shqetësimi të thellë shpirtëror. Dje e kishte hidhëruar i vjehërri, car Lazari. Kishin biseduar për organizmin e një koalicioni antiturk. Të gjithë do të bëheshin bashkë: shqiptarët, serbët, boshnjakët, vllehtë, hungarezët, bullgarët etj, për t’ia ndalur turrin bishës aziatike, e cila si një masiv përmbysës po rrokullisej drejt tokave të tyre. Do të bëheshin rreth pesëdhjetë mijë veta karshi njëqind mijë trupave pushtuese turke. Mirëpo, tek ky e  kishte shfaqur një mosbesim. Disi të gjithë i druheshin. Dyshonin në   besnikërinë e tij. Mendonin se do t’i tradhtonte. Ende pa i thënë i vjehërri, i kishte kuptuar fare mirë.

Dhe, e gjithë kjo pa asnjë arsye. Vetë Sulltan Murati I Miloshin e njihte si njërin nga  sundimtarët e Dardanisë (Kosovës), gjegjësisht Klopatnikut (Drenicës) dhe si kundërshtarin më të rrezikshëm. Para se të nisej këndej, atij i dërgoi letër, ku i kërkonte “haraçin e shtatë vjetëve” dhe “çelësat e shtatë kullave në Qyqavicë”. Madje i kishte propozuar që të shkëputej nga Koalicioni i krishter, me kusht që të siguronte pushtetin e plotë në Kosovë. “Për këto letra dinte edhe kronisti grek Joan Dukas. Madje, ky kishte konstatuar se Milloshi letrat e mbretit ia kishte treguar vazhdimisht car Lazarit, i cili e kishte këshilluar Milloshin t’i pranonte propozimet e Sulltanit. Por Milloshi ishte i vendosur për fillimin e luftës dhe për sakrificat supreme”.

-Do ta shihni kush është Millosh Nikollë Kopiliqi!- u kishte thënë troç darkën e fundit princërore. Dhe, i nevrikosur në kulm, veçan në të kunatin xheloz, Vuk Brankoviqin, kishte dalë nga Kuvendi. Si me flatra dragoi kaptoi bjeshkën dhe u  kthye në vendlindje, në Drenicë. Kishte ndarë mendje që të mos dukej më andejpari deri në fillimin e betejës. Nuk ia kishin besuar asnjë formacion ushtarak e asnjë krah të fushëbetejës. Luftëtarët e tij, drenicasit, do të radhiteshin përkrah atyre të Gjergj Balshajt të Dytë (sundimtar i Shkodrës), Dhimitër Jonimasë (sundimtar i Verdhanes që përfshinte rrethin e Lezhës dhe Rrëshenit) e të Theodor II Muzakës (sundimtar i Beratit dhe Myzeqesë). Ky i fundit njihet edhe me emrin Musa Arbanasi, gjegjësisht Musa Kesexhia. Ky trim shqiptar i doli përballë princit serb, Kraleviçe Markut, i cili, pas rënies së të atit, Vukashinit, në betejën e Maricës (1371), qe bërë mbret i Maqedonisë. Në fund, pas përpjekjesh të shumta arrin ta mundё kundërshtarin, por tradhtohet prej tij dhe e pëson, mbetet në fushëbetejë.    Emri i tij, me ngjyrime të tjera etnike, zuri vend në të gjitha  shkrimet dhe këngët serbe. Ai është skalitur edhe në Përmendoren e Gazimestanit, të ngritur më 1953.

Pjesëmarrjen e Musa Arbanasit (Theodor II Muzakës) në Betejën e Kosovës nuk e dëshmon vetëm epika popullore serbe, por edhe kronikat mesjetare shqiptare. Nipi i tij, Gjon Muzaka, pos tjerash shkruan: “Teodor Muzaka, biri i dytë i shtëpisë sonë dhe zotërinj të tjerë të Shqipërisë, të lidhur midis tyre shkuan së bashku në betejë, por aty u thyen të krishterët dhe mbeti i vrarë i përmenduri Teodor, i cili kishte marrë me vete reparte të mëdha shqiptarësh“.

      “Sipas Jeraksit, në Betejën e Kosovës, nuk shkuan vetëm sundimtarët arbëresh nga Shqipëria (Gjergj II Balsha, Dhimitër Jonima, Theodor Muzaka etj.), por edhe feudalët shqiptarë nga Kosova: Milosh Nikollë Kopiliqi, sundimtar i Drenicës, Ban Strahinja, sundues i Trepçës, Gjon Kosançi, sundues i Llapit, Musa Arbanasi, sundues i Ibrit të Poshtëm. Po kështu nga Shqipëria morën pjesë edhe Lekë Dukagjini, Gjon Kastrioti etj.

        Marshimi  kobtar

        Se do të  bëhej luftë e madhe merrej vesh nga përgatitjet e palës kundërshtare…

…Fiset endacake të oguzëve turanikë nga Azia Qendrore lëviznin në grupe sa andej sa këndej. Kërkonin dhe zaptonin vende të reja. Një grup i madh zuri vend në rrethin e Anadollit. Ishte shekulli XI. Në mesin e tyre shquhej njëfarë Osman beu, i biri i Ertogrullit. Ai e themeloi edhe emiratin e vet. Me shpatë i zgjeronte kufijtë çdo ditë. Banorёt e këtij emirate u quajtën turq-osmanë ose shkurt osmanlinj. Ata, si fara e keqe, shtoheshin shpejt. Si hithrat, mbinin kudo. Më 1326 e formuan edhe Dinastinë e tyre me qendër në Brusë. Kështu lindi shteti Osman, shtet feudalo-ushtarak e despotik, i cili pas luftërash e betejash të shumta do të zgjerohet në të dy kontinentet.

Në vitin 1355 ata i kaluan Dardanelet dhe iu vërsulen Ballkanit. Pushtetin e vendosёn nё Andreopojë, që e pagëzuan Edrene. Marshimet e tyre nuk  kishin të ndalur. S’kishte forcë që i pengonte. Shkatërronin, digjnin e përmbysnin çdo gjë. Nënshtronin popuj, krahina, principata e shtete. Shkombëtarizonin e asimilonin. Pa pengesa të mëdha arritën deri në Shkup. Dhe, pas tij radhën e kishte Dardania (Kosova).

Trojet Dardane nga të “pafetë” do t’i çlironte vetë Padishahu,  sulltan Murati I. Perëndia sikur e kishte ngarkuar me këtë mision të shenjtë. Përmes ëndrrës i arriti urdhri hyjnor. Dhe, fill u bë gati. Tuboi njësitet nga territoret evropiane e aziatike të Perandorisë. I ftoi edhe të gjithë vasalët (në mesin e tyre edhe princërit serbë; Kraljeviçe Markun e Konstantin Dojakoviçin) dhe i grumbulloi gjeneralët më të shquar të kohës. Me vete i mori edhe dy djemtë: Pajazitin dhe Jakupin.

Edhe viti kishte qëlluar i mbarë. Kështu parashikonin edhe astrologët, edhe shpjeguesit e ëndrrave pranë Pallatit Mbretëror. Këto e gëzonin pa masë Lartmadhërinë, andaj frymëzohej… entuziazmohej…ngazëllehej.

Sa me kënaqësi po nisej drejt fushatës! Fare nuk mëdyshej për fitore. Edhe të tjerët mundohej t’i brumoste me idenë e sakrificës. “Shehitë do të shkonin të gjithë ata që kishin fat të binin në logun e mejdanit! Këtë ua përsëriti shumë herë, derisa filloi zvarritja e tundimshme e lubisë përbindëshe…

Këto u mundonin vazhdimisht trimin drenicas dhe nuk i zihej vendi vend. E torturonin papra. Koka i ziente si zgjua bletësh. Nuk qetësohej dot. T’pfu pjellë e keqe!- mallkoi tërë inat. Nuk i dihej, e kishte me ata që po mësynin këtej apo me këta që ishte zënë dje?!

Zbriti poshtë në bodrum. U vesh mirë e mirë, me përkrenare e me parzmore prej çeliku. E përgatiti edhe kalin e mejdanit, Sharanin jelёgjatё. U  përshëndet me nënëloken, duke e përqafuar fort e përmallshëm. Të shoqes,  Vukosavës, nga inati, nuk i bëri zë fare. I vetëm fillikat doli në Majën e Zezё, në Qyqavicë. Me kujdes e shikoi Rrafshin e Kosovës. Ç’të shihte, o Zot! Mizëri çmendësie!. Çadrat, si kërpudhat pas shiut. Larushi ngjyrash e madhësish. Lëvizje njerëzish  si thneglat. Turmë  amorfe. Paqartësi e plotë…

Sakaq, si dallgë deti, ktheu kalin prapa. Sonte do të buj në Kalanë e Gjytetit  (Dubocit) e nesër do ta dërgoj fjalën në vend. Fjala fjalë e   besa besë. Çudi, as aty s’e zuri gjumi fare. Mendonte e mendonte. Si do të vepronte nesër? A do t’ia dilte mban? Si do të depërtonte deri te sulltani?…

Përleshja fatale

Mëngjesi i 15 qershorit 1389 gdhiu ngjyrë gri. Ditë e martë, ditë ters. Zëri  i thekshëm i myezinëve çallmëkuq  çau heshtjen e agut freskues në Fushën e Mëllenjave. Pas tyre tamtamet e daulleve të mëdha dhe lutjet çoroditëse të dervishëve marroçë. Edhe dy ushtritë ballë për ballë. Në krye kalorësitë me flamujt e ngritur lart. Shqipja dykrenare shikonte vëngër gjysmëhënën e zbehur dyllë. U dha edhe shenja për sulm. Pas kryqëzimit të heshtave dhe shigjetave në qiellin e përloshur, nisi përleshja fyt më fyt. Luftohej me thika, me hanxharë, me sëpata, me kmesa, me shpata. Kokat e prera notonin në rrëketë e gjakut. Kuajt e  tërbuar qëndronin vetëm në këmbët e prapme. Hingëllonin e turfullonin nga frika. Turqit po përparonin dukshëm. Murati në mes e djemtë përanësh. Ai, i kënaqur dhe i dehur nga sukseset, u tërhoq për të pushuar pakëz. Vajti në çadrën e tij ngjyrë qielli. U shtri  mbi minderin e butë kadifeje. Dy vasha të bukura, si shtojzovalle, me gishtërinjtë e hollë e të bardhë dëborë, ia lëmonin mjekrën dhe e gudulisnin ngeshëm. Ai qeshte dhe gajasej me thellësinë e shpirtit. Sytë i vezullonin si të maces në terr, sepse nga beteja i vinin lajme të gëzuara…

Dhe, tamam kur po kotej e lajmëruan se një princ shqiptar po kërkonte të përshëndetej me të.

Lëshojeni, – tha, – por kini kujdes!  Çarmatoseni dhe e përcillni mirë! Nuk u besohet kaurrëve. Të çuditshëm janë ata. Për atdhe bëjnë çmos, edhe vetëflijohen.

I largoi vashat dhe e thirri Sadriazemin. Gjithmonë këshillohej më të, i besonte, sepse kishte lexuar shumë. “Nëse shqiptari ta jap dorën– e mësonte ai, ti zgjatja këmbën, që t’i tregosh së është nën pushtetin tënd…”

Sakaq dera e çadrës u hap. Trimi, përplot krenari, ecte drejt tij. Përanash roje të shumta. Ç’më pandeh mua, mendonte me vete. Tradhtar! Dezertor! Puthakëmbës! Njeri të lig! Frikacak që kam ikur nga fushëbeteja dhe vij për t’ia uruar fitoren! Sigurisht po, ashtu mendon. Shiko si qeshet nën mustak. Jo, jo more plak matuf. Nuk e shes unë vendin tim. Nuk i korisë trojet dardane dhe varret e të parëve. Nuk po vij për urime jo, por për mort. Me thikën që e kam fshehur nën parzmore do të ta marr shpirtin e zi si futa. Ç’kujtove ti,  tashti ke hyrë në vendin e shqipeve. Keq i ke trazuar  ato, ua ke prekur folenë. Ato nuk janë mësuar t’ua zërё diellin askush dhe me thonj do të  shqyejnë e do t’i nxjerrin sytë …

Dhe, afrohej e afrohej. E zgjati dorën ta përshëndesë. Ai nuk luajti nga vendi. Plot qesëndi e zgjati këmbën për t’ia puthur, siç bënin zakonisht të gjithë të tjerët. Ky shpejt e nxori thikën dhe ia nguli thellë në zëmër. O Perëndi! Ai nuk lëvizi fare. I doli shpirti pa arritur mjekët. Rojat u mbërthyen vrasësin. E lidhën këmbë e duar. Shpejt e thirrën Pajazitin, të mbiquajtur „Rrufeja“. Katili, menjëherë urdhëroi ta ekzekutonin trimin, që t’ia lehtësonin shpirtin të porsavrarit.

Milosh Nikollë Kopiliqi2Millosh Kopiliqi njё natё para Betejёs sё Kosovёs, nё darkёn princёrore nё Kryshevc, duke u zotuar se ishte besnik i koalicionit antiturk

        Papritmas i polli mendja e ligë. Duhej siguruar edhe froni mbretëror. E lajmëroj të vëllanë, Jakupin. Po të thërret babai,- i thanë. Me vrap erdhi i gjori. Dhe, posa hyri brenda e ngulfatën. Përdhunshëm ia morën shpirtin, pa zhurmë. Pajzaiti u çlirua. Çdo gjë mbeti në duart e tij. Kufomën e tё atit, pa të brendshmet, e përcolli për në Brusë. Të tjerat i përpiu dheu i zi i qullur me gjak…

Kadiut, që e përcillte kufomën, ia dha edhe një ferman,  ku shkruante: “Me të zhvilluarit e betejës, e cila ndodhi në Fushë-Kosovë, babai im Sulltan Murati, jeta e të cilit ishte e lumtur, vdiq si martir …plotësisht i shëndoshë u kthye nga mejdani, në çadër e vrau një me emër Millosh  Nikollë  Kopiliqi …në vend që t’ia puthë  këmbën nxori hanxharin e fshehtë dhe duke i shkaktuar plagë të rëndë, e lagu me ujë të ëmbël prej martiri, me sherbet. Milloshi, i cili tentoi të ikte, u zu nga rojet dhe u pre copë-copë. Unë s’isha  aty, por më të dëgjuar arrita. Arriti edhe vëllai, Jakupi, por shkoi në amshim…”

Edhe kronisti turk Ashik Zade Pasha e shënoi këtë ngjarje në fletët e zverdhura e të zhubravosura, që mezi lexoheshin. Ai përfundonte: ”Betejën e fituam. Kaurët i thyem keq. Lazari u vra. Dhe, kur po e gëzonim fitoren, nga Qyqavica zbriti një i pabesë, i quajtur Millosh Kopili dhe e  theri Padishahun me hanxhar të helmuar …”.

M N K3Një dorёshkrim i vitit 1531 – ku flitet për Millosh Kopiliqin

Kronisti tjetër osman, Enveriu, këtë trim e quan “Princ” dhe “Ban”. Humanisti raguzan, Feliks Petançi, i thotë “Princ ilir”, ndërsa humanisti ynë, Marin Beçikemi, e pagëzon “Perandor i Mizisë”.

Hakmarrja dhe shtrembërimi i historisë

Heroizmi i princit drenicas mori dheun. Trupin e tij, të bërë copë-copë, ia bartën shokët deri në Rezallë. Aty e varrosen, pranë një bungu njomëzak. Varri i Milloshit është në varrezat e këtij fshati, afër shkollës së sotme. Dallohet me gjatësi mbi dy metra, me gurë karakteristikë dhe një lis bungu shekullor në midis .

Përbindëshi i përtej Dardaneleve nuk u mjaftua me kaq. Ende donte gjak. Dogji dhe shkretoi mbarë vendin. Mllefin hakmarrës e shfreu mbi Drenicën e panënshtruar. Kopiliqin e zhbëri me gjithë ç’kishte. Me javë e muaj e mbajti të mbërthyer në rreth. Jeniçerët e lodhur veç me kunguj të zier mbanin shpirtin gjallë. Shumë prej tyre u bënë ushqim për korbat e uritur. Këtë e dëshmojnë toponimet Kodra e Kungujve dhe Lugu i Korbave, që edhe sot i gjejmë në këtë vendbanim.

Fill pas betejës, i ati, Nikolla, me disa anёtarё tё tjerё tё familjes,  nё mesin e tyre  edhe Vukosava, mёsyen pёr nё Raguzё e disa tё tjerё shkuan e u vendosen nё Elbasan…

Të vëllanё e princit, Hilë Kopiliqin, me gjithë familje i burgosin në kalanë e Vushtrrisë. I kishte dy djem e tri vajza. E shtrënguan, e torturuan dhe e munduan derisa një ditë u bë Hysk…

Sulltani paska thënë: “N’u baftë mysliman, n’i preftë niqin kurbana te tyrbet në Gazimestan, n’e maroftë ni xhami dhe n’shkoftë në Qabe, le të lirohet. Nëse jo, ai në burg të përjetshëm, djemtë në ushtri e çikat në harem”. Hili, në këto rrethana, bahet mysliman. I pret niqin kurbana te tyrbet, e çoi ni bedel n’Qabe, e maroi ni xhami në dyreq, që shpejt zhduket, e ndërroi edhe emrin, prej Hilit në Hysk. Edhe sot, në Kopiliq, është “Mullini i Hyskut” dhe lagjja e Hyskajve- Hyskoviqe”.

Edhe sot nё Vushtrri ekzistojnё disa familje qё veten e konsiderojnё pasardhёs tё Hilё Kopiliqit…

Sidoqoftë, Beteja e Fushë-Kosovës shënon fundin e pavarësisë së shtetit serb”. Serbët pranuan vasalitetin. Milica, gruaja e Lazarit, vajzën e vet trembëdhjetëvjeçare, Oliverën, ia dhuroi “haremit të Pajazitit”.

Historiografia serbe, në përgjithësi, e mohoj vazhdimisht përkatësinë kombëtare shqiptare të këtij trimi, por edhe gjithë pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës (ashtu vepron edhe sot e gjithë ditën).  I vetmi serb që  e përmend realisht është Kostantin Mihajoloviqi nga Ostrovica në librin ”Kujtime jeniçerësh ose kronikë turke”, i shkruar në gjuhën polake.

Megjithatë faktet flasin krejt ndryshe.

Sipas Fahredin beut, i cili mbështetet në një letër të Pajazitit  dërguar fill pas betejës kadiut të Brusës: ”Shqiptarët mbushnin edhe radhët e shigjetarëve të koalicionit dhe qenë të parët që filluan betejën…”

Në anën tjetër, Gjergj Balsha i Dytë ishte njëri nga shtatë krerët kryesorë të Këshillit të Luftës. Bazuar në kronikat osmane ai hodhi poshtë mendimin e Llazarit që turqit të sulmohen natën për terr. “Gjergji i Dytë propozoi që ata të sulmoheshin ditën dhe ky mendim u miratua nga të gjithë”- shkruan Bitlisi.

Në të vërtetë interesimi i serbëve për Milloshin u ngjallë vonë, në fund të shekullit 18, kur koha kishte errësuar tashmë përkatësinë etnike shqiptare të tij, atëherë i ndryshohet edhe emri Kopiliq- Kobiliq- Obiliq”-  konstaton M. Hasluck.

Po ç’bëri epika jonë popullore, përcjellësja më besnike e të gjitha ngjarjeve historike?

Si zakonisht, edhe këtë ngjarje, e përjetësoi në tel të lahutës. Dhe, këngëtari i krishtër e paraqiti shumë realisht nё kёngёn:

Prej Drenice del nji djalё

N’Fushë-Kosovë Murati i Parë,

Kambturqisht rrin fitimtar.

Prej Drenice del një djalë,

Fluturon me kalë të bardhë,

Mes për mes i bjen ushtrisë,

Shkon e i falet Naltmadhnisë:

-Tungjatjeta, Naltmadhni,

jam një arbër, vendali.

E jam ardhë ktu pa vonua,

Me t’puth dorën, me t’nderua.

Zgjatet mbreti, i jep kamёn,

Ngrihet djali, i ban gjamёn,

Mik pa thirrë ke ardhë, dai,

Prej Azie n’Dardani,

Me na marrë magjet e miellit,

Me na zanë hisen e diellit,

Gjithë ushtrinë e paç me shndet,

Kjo Arbni ka bijt e vet,

Ta ven kryet maje kapicës,

Jam Miloshi prej Drenicës..

Mbret e krajla shpesh gabohen,

Bijtë e Arbrit nuk pushtohen,

Një ushrri iu hodh djaloshit.

Zogjtë e malit bajnë çudi,

Kush po ngjitet për njat bri?

Ec një trup me krye n’dorë

Bahet mal i bardhë dëborë!

Mirëpo, sundimi i gjatë turk ndikoi negativisht në evoluimin e këtyre këngëve. Ato, me kalimin e viteve, u zvetënuan, duke e humbur edhe karakterin historik. U mveshen me petkun legjendar dhe mitik. Invadimin turk, tash këngëtari mysliman, e pasqyroi si  marshim të shenjtë për çlirim e pёr përhapjen e islamizmit. Dhe, duke mos i pëlqyer vrasësi i sulltanit të jetë shqiptar, bëri edhe ndërrimin e  emrit. E quajti Millosh Obiliqi!!! Kështu sikur humbëm heroin tonë. Ua falem të tjerëve, që e mirëpritën. Dhe, u gëzuan. Krijuan kulte e mite të rreme.

Çmitizimi

Koha rrodhi lumë. Dhëmbi i saj pamëshirshëm gicte etnosin tonë. Historia jonë, mjerisht, heshti. Çdo heshtje është edhe pajtim. „Studiues të historisë shqiptare nuk e kanë studiuar si duhet dhe sa duhet jetën dhe veprën e Milush Kopiliqit për shumë arsye. Në radhë të parë, historiografia jonë ka filluar të shkruhet pas historisë sllave, serbe, greke e bullgare. Si e tillë ajo ka trashëguar të dhënat nga këto burime, të cilat trimin më të njohur të mesjetës e trajtojnë me përkatësi serbe“.

Por, kot. Faktet janë edhe më kokëforta. Ato flasin ndryshe. As nata pesëqindvjeçare e krra-krrasë, as djallëzitë e ujqërve të stepave, nuk ia dolën mbanё. Heroi ynë mesjetar sfidonte historinë njerkë. Ai frymonte kudo, në mendje, në zemra, në këngë.

Smirëziut, Jovan Cvijiqit, sa nuk i ra pika, kur, pas aq shekujsh, kaloi këndejpari, nëpër Drenicë, ku ndaloi edhe në Kopiliq tё Poshtёm…

– O historian, kjo është Fusha e Sharanit… Ja edhe Livadhi i Milloshit…Ky është Bunari i Milloshit (dallohet nga të tjerët, sepse është murosur në formë katrore)…Kjo Vneshta e Milloshit…Kjo tjetra Kisha e Milloshit… Ato tutje Ara e Milloshit dhe Ara Pa Kry (Sipas legjendës deri aty  trimi  kishte vajtur me kokën nën sqetull. Kur e pa një grua që ishte duke korrur elb, nga habia briti: Që një njeri pa kry!  Ai ia kishte kthyer: Unë pa kry e ti pa sy! Kështu ajo arë u quajt Ara Pa Kry). Ndalo edhe pakёz, shënoje edhe këtë: Themelet e Kullës së Milloshit…

O Zot, po çmendej fare i ziu. Mbretëria e tij, kot se koti, paskësh shkrirë para e florinj për trillime e falsifikime.

        – Të mallkuar! Edhe dreqi është i vonë në këta shkrepa frikësues!- ulëriu me zë, duke ia dhënë vrapit me të katra…

  1. Prof. dr. Qemal Haxhihasani, Beteja e Kosovës (1389), ASHSH, Tiranë, 2005, f. 161.
  2. Nezir Çitaku, Drenica në shekuj, Ulqin, 2007, f. 75.
  3. Dr. Mehmet Rukiqi, Tahir Berisha, Prishtinë, 2008, f. 54.
  4. Dr.Mehmet Rukiqi, Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë, Prishtinë, 1998, f.
    120- 130.
  5. Prof. dr. Luan Malltezi, Beteja e Kosovës, Tiranë, 2005, f. 54.
  6. IAP, Kёngё popullore historike I, Prishtinё, 2007, f. 76- 78.
  7. Ahmet Qeriqi, Milush Kopiliqi, serb apo shqiptar?, Prishtinë, 2003.
  8. Bunari i Milosh Kopiliqit- njё pus i lashtё, nё Kopiliq tё Epёrm, qё bashkёvendasit kur e kanё pastruar, nё fund tё tij e kanё gjetur njё rrasё tё madhe. Kur kanё dashur ta heqin atё rrasё, ka
    shpёrthyer uji dhe e kanё ndёrprreё punёn, kurse pastruesit memzi kanё dalё prej pusit. Tani mё
    ky pus nuk ekziston, porse dihet si gropё ku ka qenё dikur (Dr. Ibrahim Doçi: Onamastika e
    Drenicёs I, Prishtinё, 2005, f.95.).