Haxhuzet dhe sihirbërësit

Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta

XIV

Reis Mirdita

Sihirbërësit janë njerëz të lindur me disa afinitete specifike për hipnozë por duke nisur nga adoleshenca shumë syresh bien nën ndikimin e “mrekullive” të *haxhuzeve e sidomos të sihirbërësve që bashkëpunojnë me xhindet por të cilat këta të rinj nuk i dallojnë akoma në moshën e tyre. Të gjithë nuk bien pre e forcave të errëta. Një numër zhvillojnë talentin e tyre në shkencat  shoqërore, sidomos në psikologji/psikiatri, logjikë, filozofi dhe oratori e politikë por kjo nuk do të thotë aspak se ky grup kanë ikur nga keq bërja; një degë dëmtojnë pa aspak ndërgjegje e tjetra ndihmojnë me zell të madh nevojtarët. Grupi tjetër ndahen gjithashtu në dy taborë: disa, zakonisht mundohen me magjistarinë e tyre të lindur të ndihmojnë nevojtarët e një numër i mirë i rreken ndyrësirave duke u lidhur ngushtë me qeniet negative nga bota e xhindeve.

Haxhuzet janë qenie njerëzore. Profili i tyre qëndron në mes të shtrigave dhe sihirbërësve. Me aftësitë e tyre për intriga dhe punë tjera të këqija, janë në nivel superior nga shtrigat e rëndomta, pra nga ato të cilat nuk kanë në trupin e tyre xhinde.

Sihirbërëset dhe haxhuzet janë në bashkëpunim të përhershëm dhe andaj në trajtimin e të bëmave të tyre, do të ecim pa ndarje edhe pse disa raste specifike do të shihen veçmas ndikimet e njërës dhe tjetrës palë mbi subjekte të njëjta.

Haxhuzet veprojnë me mashtrime e rrena. Merren, sikur edhe motërzat e tyre shtriga, me thash e thëna por fjalët iu kalojnë më me sukses sepse janë shumë të lidhura me vete dhe funksionojnë sipas nevojës edhe në ekip me sistemin sulmues “njëra lëshon, tjetra merr” gjer në tronditje të vetëdijes së viktimës pas së cilës të bëme, nisin t’iu këshillojnë shërim tek sihibërëset që i quajnë nganjëherë **fallxhorë/e, nganjëherë ***xhinxhi/je e nganjëherë tjetër akoma, njerëz të këndueshëm.

Fallxhorët i gjejmë më së shumti në mesin e haxhuzeve. Vetëm një numër i vogël bënë pjesë në gjiun e sihirbërësve. Fjala fallxhor/e vjen nga greqishtja e vjetër: filozofi(m). Kaloi në gjuhët orientale sikur falsafa e që kishte shpesh kuptim fyes. Nga këndej, nëpërmjet turqishtes ku u shkurtua në “fal”,  e morri gjuha shqipe dhe përdoret në të folmen e të gjitha viseve në kuptim jo pranues për ndonjë fjalë të gjatë e të paqenë. (Mos qit fall!; Mjaftë qite fall!). Edhe në kuptimin fallxhore, më së shpeshti ka kuptim negativ, fyes por si që do të shohim në vazhdim, njerëzit në nevojë nuk e përdorin për të keq; sa nga frika aq edhe nga shpresa që i çon te dera e tyre për shërim.

Xhinxhi/je është fjalë po ashtu orientale që vjen nga “xhinn” dhe në gjuhën tonë në formën e gjatë shpjegohet me xhinde-xhi, ai që merret me xhindet, ai që i gjen xhindet; dhe kështu vijmë te forma definitive xhinxhi/je. Të përfundoj me këtë duke sqaruar se ky grup, është pjesë dhe veti e pandashme e sihirbërësve. Dallimi i vetëm është se xhinxhitë bëjnë vetëm keq kurse te sihirbërësit kemi edhe raste kur bëjnë mirë duke pasur prioritet përfitime të majme materiale nga subjektet në vështirësi.

Ekzistenca e haxhuzeve dhe sihirbërësve është evidente në kuptimin fizik. Ata janë qenie njerëzore pa dyshim por këtu bëhet fjalë se sa janë të njerëzishëm. Vlerat e tyre sikur edhe veprat e tyre, a kanë fije njerëzimi ose jo. Morali human a ekziston në shpirtin e tyre?

A ka shenja dalluese specifike nga të cilat mund t’i njohim sihirbërësit dhe haxhuzet?

Asnjë distinktiv nga pamja e fizike. Të gjitha besimet dhe gojëdhënat si: “Tullac një gisht mbi laprën e veshëve dhe dy gishta mbi palë të qafës, është haxhuze!” Nëse po, atëherë si do ta dallojmë një grua?! Nuk ka tullace të tilla në mes të grave. Pak tullac ose kryekëput tullac, nuk lidh aspak punë kjo, me asnjë qenie johumane. Natyrisht nuk përjashtohet mundësia që njerëz të tillë të jenë pjesë e qenieve të errëta por në të njëjtën masë sikur edhe ata që nuk kanë distinktiv fizik.

Thënia tjetër e pa bazë është: “Dy qose, një shejtan!”. As kjo nuk qëndron. Është vetëm një metaforë që përdoret në raste kur dikush ndoshta mund të ketë pësuar ndonjë të keqe nga një njeri pa qime fytyrës por kjo nuk vërteton as po-në, as jo-në për ndonjë eventualitet mbi cilësinë e personit në fjalë. Më së fundi, ç’do të themi për femrën që nuk ka mjekër, apo ndoshta do t’i qasemi nga e mbrapshta; paska ca qime në fytyrë, qenka xhinde!

Duhet përcjellje me vëmendje dhe analizë të thukët aktivitetet dhe frekuentimeve që bënë një person si dhe vlerësimet, përjetimet dhe përvojat e më shumë njerëzve që kanë pasur të bëjnë me profile të tilla, mandej mund të flitet konkretisht për tipare karakteriale jashtë kornizave humane, troç thënë për vese dhe vepra ç’njerëzore. Personalisht nuk jam ndalur vetëm në mbledhjen e fakteve nga të tjerë por kam kontaktuar një numër të konsiderueshëm të këtyre “çudibërësve” gjithë duke ndenjur maksimalisht  larg gjykimeve personale.

Gjatë viteve kam vërejtur se haxhuzet janë nga të gjitha qeniet e errëta, me shpërndarje më të madhe në kuptimin e vendit të tyre në shoqëri, i gjejmë në radhët e të papunësuarve, punëtorë me fshesë, njerëz të shkolluar, zyrtarë të ndryshëm e politikanë të të gjitha niveleve.

Çdo të dhënë në vijim të kësaj vepre është e marrë nga njerëz që pësuan si dhe disa raste të rralla që u shëruan nga këta individë.

*Ocuze, (oxhuze) shtrigë plakë, shtrigë nga më të këqijat që ndryshe do të thonim: më shtrigë se shtriga. Në shqip hyn nëpërmjet turqishtes duke marrë nismëtaren h që lehtëson prononcimin.

(Vazhdon)