Hasan Zemaj, rrezaton dritë dhe thërret për drejtësi dhe shtet ligjor e demokratik sipas vizionit të Dr. Ibrahim Rugovës

Me rastin e 27 vjetorit të themelimit të degës së Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike në Deçan, përkujtojmë veprën madhore dhe gjakun e personin që një jetë ia kushtoj kauzës sonë kombëtare.

Hasan Zemaj, rrezaton dritë dhe thërret për drejtësi dhe shtet ligjor e demokratik sipas vizionit të Dr. Ibrahim Rugovës

Shkruan: Selmon Shabanhaxhaj

Njëzet e shtatë vite më parë, të rinjtë deçanas, duke u rreshtuar në vizionin për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, kishin themeluar degën e Forumit Rinor të LDK-së. Edhe pas 27 vitesh, ky Forum është shtylla e pa mohueshme e aktiviteteve të LDK-së, jo vetëm në Deçan. Të shënosh këtë ngjarje të madhe historike, e mos të përmendësh protagonistët e kohës, është e pa mundshëm, ngase vet historia jonë do na mallkon. Këtë rast, është e pa mundur të shënosh një datë të tillë, e mos të kujtosh, tashmë të ndjerin, veprimtarin e madh kombëtar dhe të LDK-së, Hasan Zemaj.

Sot kur po kremtohet 27 Vjetori i themelimit të FR të LDK-së së Kosovës, si organizimi më i fuqishëm politik i rinisë në Kosovë, është momenti i duhur për ta kujtuar njërin nga protagonistë më të rëndësishëm të këtij organizimi, që nga dita e parë, pra më 11 Mars l990 e deri në momentin e fundit të jetës së tij, më 04 Janar 2003.

Hasan Zemaj lindi më datë 15.08.1968 në fshatin Strellc i Epërm, komuna Deçan.  Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen  në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.

Periudha e fundvitit ‘89 dhe fillimi i vitit ‘90-të, vite këto kur shqiptarët në Kosovë filluan  të organizoheshin kundër politikës represive të Serbisë, përpjekjet e tyre për t’u mohuar shqiptareve të drejtat e tyre për të vendosur për të ardhmen dhe përcaktimin politik dhe marrjen e autonomisë që kishte Kosova në atë kohë, Hasanin e gjen student në Universitetin e Prishtinës drejtimi Elektroteknik. Studentët në atë kohë ishin shumë të organizuar në mbrojtjen e të drejtave të popullit të Kosovës,  shpesh organizonin protesta dhe aktivitete tjera në përpjekje që çështjen e Kosovës ta ndërkombëtarizojnë sa më shumë, ku Hasani ishte pjesë aktive në ato organizime.

Pas viteve të ’90-ta, Hasani u kyç  në strukturat e LDK-së, fillimisht në FR të LDK-së, nëndega në Strellc të Epërm. Me aktivitetin e palodhshëm dhe përkushtimin maksimal, përgjegjësinë e lartë në punë dhe aktivitet më vonë u zgjodh në kryesinë e FR të LDK-së – Dega në Deçan. Ishte pjesë aktive në të gjitha organizimet e FR të kësaj dege, ku gjatë asaj  kohe të vështirë për aktivitetet, sepse  aktivistët ishin të përcjell, hap pas hapi, nga policia serbe dhe në çdo kohë ishin nën vëzhgim të tyre, kohë ku kërkohej angazhim i madh, sakrificë, përkushtim, gatishmëri e lartë për realizimin e objektivave dhe detyrave të cilat i kërkonte koha.

Hasani nuk hezitonte asnjëherë të angazhohej dhe të merrte përgjegjësi, kishte guxim dhe vullnet, që detyrat dhe përgjegjësitë që i merrte, i kryente me kujdesin më të lartë për shtet- ndërtimin e Kosovës.

Një kontribut të jashtëzakonshëm, Hasani e dha në informimin e drejtë dhe të saktë të rinisë dhe në sensibilizimin e saj, që ishin në vijën institucionale dhe në përkrahje të politikës dhe vizionit të Dr. Ibrahim Rugovës për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Hasan Zemaj ishte pjesëmarrës në të gjitha organizimet e degës në Deçan, shumë herë e kishte përgjegjësinë kryesore në ato organizime. Hasani disa herë u arrestua nga policia serbe u muar në biseda informative nga ta dhe pati presion të madh. Disa herë kanë përdorur  dhunë dhe tortura ndaj tij për ta ndalur së vepruari si aktivist i asaj kohe, por atë nuk e ndali as presioni, as dhuna, as shantazhet e shumta të cilat i vinin nga shumë drejtime.

Vitet 97-98- ta, në Kosovë filloi organizimi i armatosur kundër represionit serb mbi popullin  shqiptar, kohë kjo ku Hasanin e gjen në pozitën e kryetarit të FR LDK-së, dega në Deçan.

Në këtë periudhë, Ai si çdo herë merr përgjegjësi dhe vihet në shërbim të atdheut dhe të çështjes kombëtarë, por tani duke ndërruar formën e organizimit prej asaj paqësore, në atë të rezistencës së armatosur.

Pas fillimit te organizimit të të rinjve për luftën që ishte në prag, Hasani së bashku me të rinjtë e Strellcit dhe nën komandën e Shaban Avdimetajt, u nisën për armatim në Shqipëri.

Hasani në Qershor të vitit ‘ 98 , e bëri apelin për studentët që në atë kohë ishin me studime në Prishtinë  që të bashkohen  dhe të ndihmojnë luftën  çlirimtare, ku tani veq kishte filluar në Dukagjin dhe rrethinë.

Me këtë rast shumë student ju përgjigjën apelit duke i  lënë studimet dhe u  kyçën në luftën çlirimtare në Kosovë. Hyrja e FARK-ut, nën  organizim të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në krye me kom. Tahir  Zemaj u mirëprit në atë kohë dhe  menjëherë u vu në kontakt me te dhe filloi bashkëpunimin dhe koordinimin me te.

Pas luftës Hasani vazhdoi punën aty ku e la në kohën e luftës si kryetar i FR LDK- dega në Deçan dhe në ditët e para të angazhimit të tij pas luftës ishte që t i riaktivizojë të gjitha aktivet dhe nëndegët e FR të LDK-së, pa ju ndarë kurrë edhe Kryesisë së degës së LDK-së, si në organizimin e aktiveve dhe nëndegëve dhe në ri-hapjen e zyrës së LDK-së në Deçan .

Në vitin 2000 në zgjedhjet e para demokratike komunale LDK-ja në Deçan  doli e para me 60,04% të votës së elektoratit, ku një kontribut të veçantë e dha edhe kryetari i FR në Deçan Z. Hasan Zemaj, i cili ishte anëtar i Shtabit zgjedhor. Si kandidat i mundshëm për këshilltar të Asamblesë komunale të Deçanit, i propozuar nga Kryesia e FR të LDK-së, ai fitoi numër të konsiderueshëm të votave. Dhe, përveç kësaj ato ditë dha kontribut mjaft konstruktiv në formimin e qeverisë së atëhershme komunale.

Hasani pas luftës si Kryetar i FR të LDK-së dhe si asamblist, punoi për ndërtimin dhe rindërtimin e vendit që ishte i shkatërruar , pati projekte dhe vizion për rininë dhe qytetarët e komunës së Deçanit e më gjerë.

Në vitin 2001 në zgjedhjet e para Nacionale, Hasani luajti rol të jashtëzakonshëm gjatë fushatës plot pesë mujore , që e organizoi Dega e LDK-së në Deçan e ku Hasani ishte njëri nga nënkryetarët e SHZ, me ç’rast LDK –ja në Deçan prapë doli fituese me 53 % të votave.  Në vitin 2002 në zgjedhjet e dyta lokale, Hasani u nominua, Kryetar i Shtabit zgjedhor të Degës së LDK-së në Deçan.

Gjatë aktivitetit të tij, Hasani ka qenë i angazhuar edhe në fushën e informimit. Ai, ka bashkëpunuar mirë me përfaqësuesit e medieve, të cilat raportonin nga Deçani, posaçërisht ka mbajtur lidhje dhe bashkëpunuar ngushtë me gazetarin e njohur të kombëtares “Bota sot”, Bardhyl Ajeti, i cili u vra në një atentat politik, nga ata që doni ta ngufasnin fjalën e lirë dhe të vërtetën e gjendjes në Kosovën e pasluftës. Hasani, po ashtu nuk iu nda për asnjë moment as Kol. Tahir Zemaj, sado që ai siç e dëshmoi edhe koha ishte i përcjell hap pas hapi nga grupet kriminale të kohës.

Si pasojë e kësaj ata patën dy atentate. Atentati i parë ndodhi më 03 Gusht 2002 në “PEJA CITY”, ku u plagos së bashku me kolonel Tahir Zemaj dhe nënkryetarin e rinisë së asaj kohe Z. Albert Kurtulaj, ndërsa atentati i dytë ndodhi, më 04 Janar 2003 , ku fatkeqësisht kësaj here nuk ia doli. Kjo ishte dita më e rëndë  për familjen dhe bashkëpunëtorët e tij, Hasani në këtë atentat u vra së bashku me kolonel Tahir Zemaj dhe të birin e tij Enis Zemaj.

Hasani dha gjithçka për  Pavarësinë e Shtetit të Republikës së Kosovës. Ai nuk i mbeti borxh asgjë këtij vendi. Tani, kur kanë kaluar më shumë se 14 vite nga dita kur atë e ndanë padrejtësisht nga kjo botë, lindin shumë pyetje, të cilat gjithmonë mbesin pa përgjigje. Natyrisht se brenga dhe shqetësimi kryesor mbetet, mosgatishmëria dhe pafuqia e Institucioneve të drejtësisë, që të sjellin para gjyqit dhe t i dënojnë akterët e këtij akti barbarë, sikurse edhe për vrasjet e tjera të shumta të kësaj natyre, që ndodhën gjatë dha pas luftës. Gjithashtu, shtrohet pyetja se a kanë bërë sa duhet edhe strukturat politike të LDK-së në të gjitha nivelet e organizimit si dhe Institucionet komunale e qendrore për një veprimtar politik dhe për një ushtarë të UÇK-së , i cili luftoi deri në çlirimin definitiv të Kosovës. Fatkeqësisht ndikimi dhe anshmëria politike e një subjekti ose tjetri politik si dhe apetitet e tepruara të individëve për t’u mveshur me sa më shumë pushtet dhe privilegje personale, kanë lënë shpesh në harresë dhe nën hije figurat e përmasave të mëdha, siç ishte Hasan Zemaj dhe jo vetëm ai. Imazhi dhe personaliteti i mikut tim Hasan Zemaj, edhe sot në këtë përvjetor të themelimit të FR të LDK-së, rrezaton dritë dhe thërret për drejtësi dhe shtet ligjor e demokratik sipas vizionit të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.