Hasan Prishtina, Ibrahim Rugova , Adem Jashari dhe Pavarësia e Kosovës

Hasan Prishtina, Ibrahim Rugova , Adem Jashari dhe Pavarësia e Kosovës

Nga Skënder Sadri KAPITI

 Me 17 Shkurt 2020 mbushen 12 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Kjo ngjarje me rëndësi jetike të jashtëzakonshme për shqiptarët erdhi si kurorëzim i qëndresës, sakrificave dhe sfidës mbinjerëzore të popullit shqiptar të Kosovës kreshnike kundër barbarisë kriminale e genocidiale sllavo-serbe në shekuj.

Historia e Kosovës dhe e popullit martir të saj është rast unikal në botë për qëndresë dhe rezistencë vitale për mbijetesë dhe për liri e pavarësi kombëtare.Asnjë populli dhe asnjë kombi në Europë nuk i janë bërë padrejtësi se sa shqiptarëve , dhe veçanërisht kundër shqiptarëve të Kosovës.

E gjithë periudha e shekullit të 19-të dhe të 20-të është periudhë kohore e pandërprerë krimi, pastrimi etnik, vrasjesh, dëbimesh dhe lloj-lloj metodash kriminale e genocidiste që kanë ushtruar sllavo-serbët, politika, shteti kriminal ushtarako-policor, kisha dhe akademia sllavo-serbe  kundër shqiptarëve të Kosovës me miratimin dhe përkrahjen jo vetëm të Rusisë por edhe të  Europës.

Por nga ana tjetër historia shënon një qëndresë heroike të pashëmbullt në historinë botërore të një populli, i cili,  i vetëm dhe kundër të gjithëve , me luftë e me sakrifica arriti që të mbijetojë e të fitojë shtetin e vet të lirë e të pavarur me 17 Shkurt 1999.Është e vërtetë se Pavarësia e Kosovës erdhi edhe në sajë të ndihmës së SHBA-ve, gjë e cila kurrë nuk mund të mohohet, por ama, kryesor është fakti i qëndresës dhe rezistencës kombëtare shqiptare e popullit të Kosovës në shekuj kundër asgjësimit dhe asimilimit sllavo-serb. Duke studiuar me detaje tërë këto shekuj heroizmi e kombëtarizmi mendoj se mes shume e shumë heronjve  personazheve, personaliteteve të cilët kanë kontribuar dhe që meritojnë si më kryesorët dhe më të spikaturit  janë Hasan Prishtina, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari.

Hasan Prishtina për kontributin e tij të jashtëzakonshëm  si truri i lëvizjes kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, i cili ka shkëlqyer e kontribuar  jo vetëm si strateg luftarak  por edhe si vizionar,  ideolog, politikan dhe  diplomat i madh e që gjatë gjithë jetës së tij i është përkushtuar kombit, Shqipërisë, çlirimit të Kosovës dhe bashkimit të saj me Shqipërinë.Është personaliteti më i kompletuar dhe më i merituar që mishëron virtytet më të larta të një atdhetarizmi, patriotizmi dhe kontributori të pashoq në shërbim të kombit e të atdheut; është shëmbulli dhe frymëzuesi i vazhdimësisë së brezave pasardhës për lirinë, pavarësinë e Kosovës dhe Bashkimin Kombëtar; projektuesi dhe  strategu i Pavarësisë së Shqipërisë etnike.

Ibrahim Rugova është personaliteti dhe vizionari  politik e diplomatik  shqiptar më i shquar i periudhës moderne të fundshekullit të 20-të në përballje me politikën dhe me shtetin shovinst serb dhe me regjimin ultrashovinist të regjimit të Millosheviçit për lirinë, shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Adem Jashari, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , për  veprën  e tij dhe të  gjithë familjes së tij;për  qëndresën  heroike dhe për atë se  shëmbulli i Jasharajve ishim forca dhe frymëzimi i luftës së madhe heroike te popullit shqiptar dhe  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; si dhe   rast unikal në historinë botërore të qëndresës dhe të sakrificës njerëzore për liri kombëtare.

Me 17 Shkurt 2008 Kosova shpalli Pavarësinë, gjë e cila pra shënoi krijimin e Shtetit të Ri shqiptar të Kosovës të njohur edhe ndërkombëtarisht pas përpjekjesh, mundimesh e sakrificash mbinjerëzore të popullit martir të saj. Pra, Shqiptarët e Kosovës qëndruan, sfiduan dhe sakrifikuan për shtetin, për atdheun dhe për Kombin për të siguruar, garantuar dhe zhvilluar liritë dhe të drejtat kombëtare, progesin qytetar, progresin arsimor, kulturor, ekonomik dhe mirëqënien. Shqiptarët e Kosovës luftuan  për dinjitetin kombëtar,për  lirinë, për drejtësinë dhe për lumturinë kundër padrejtësive, jolirisë dhe kundër barbarisë sllavo-serbe.Por mjerisht ky 12 Vjetor i shpalljes së Pavarësisë, Kosovën e gjen të “okupuar”, të rrezikuar dhe të  kërcënuar e të plagosur  nga korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia, varfëria dhe nga eksodi, të cilat Kosovës dhe popullit të saj i vijnë nga politika, pushteti dhe nga sistemi i drejtësisë, nga mafiooligarkia e cila ka kapur shtetin dhe ligjin, dhe ka bllokuar patriotizmin, demokracinë, zhvillimin, drejtësinë e integrimin.Nuk e meritonte populli shqiptar i Kosovës keqqeverisjen  dhe tradhtinë që atij i ka bërë në këto vite klasa politike, elita politike e saj.

Prandaj është koha për reflektim dhe ndryshim për të çuar në vënd amanetin dhe sakrificat e popullit shqiptar, amanetin e Hasan Prishtinës, Ibrahim Rugovës, të Adem Jasharit dhe të  qindra e mira heronjve e dëshmorëve të kombit për një Kosovë të lirë, të fortë politikisht, ekonomikisht, demokratikisht, të mirëqënë dhe të  emancipuar në rrugën e qytetërimit europian me dinjitet ashtu sikurse edhe kombet e tjera të Europës.

Urime gjithë shqiptareve 12 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Urime kryeministrit Kurti; Urime Kryetares së Parlamentit, Vjosa Osmani; Urime Qeverisë së Kualicionit LVV-LDK, dhe suksese në drejtimin e shoqërisë  për forcimin dhe konsolidimin e Pavarësisë, të ligjit, drejtësisë dhe në rrugën e shtetndërtimit të shtetit modern  demokratik e ligjor për të cilat kanë sakrifikuar patriotizmi dhe kombi shqiptar.

Durrës. Nga  Skënder Sadri KAPITI, Veteran i UÇK-së