Gratë (Poemë)

Nebi Dragoti

GRATË

Poemë

Gratë, gratë

të bukurat,

të urtat,

të thjeshtat,

të dashurat,

duarshkathtat,

shqiptarkat,

gratë tona.

 

Gratë, gratë

vetullbiskajë

e trup selvi,

e bel unazë,

të butat, të shtrenjtat,

buzëburbuqet,

syledhatonjset,

nikoqiret tona.

 

Gratë “lanë”

“burrat nën hije”

tek Çajupi vjershëtor,

tek Çajupi satirik

e ngarkuan mbi shpatulla

hallet e shtëpisë:

Ah, “burrave

pika që s’u bie”…

 

Gratë, gratë

sokoleshat

e bëjnë jetën

Bota të qeshet.

Pret Bota

lindje petritash,

lindje sorkadhash,

prej grave pret.

 

Në politikë gratë:

gratë ministre,

deputete gratë,

gratë në ara,

gratë të sinqerta,

gratë serioze,

figura të mbara,

figura të pastra.

 

Grave respekt,

dashuri për gratë,

për gratë urime,

mbarësi në drejtime,

në punë mbarësi.

Gratë pa konflikte:

dialog, mirëkuptim

me gratë, me gratë.

 

Gratë paqësore,

fjalën e kanë dritë;

ooo, fjala e grave,

fjalë e florinjtë,

vend u zë fjala

grave në kuvend,

fjala llamburit,

plot sinqeritet.

 

Gratë janë të punës,

lartësojnë familjen,

si drenusha janë,

si flutura lehtë-lehtë

gushë trëndelinat,

thëllëza në korije,

bletë përmbi lule,

qënia ç’u ka hije…