Gjallë e kam Rugovën prapë!

Shkruan: Florim Zeqa 07.04.2018

Gjallë e kam Rugovën prapë!

Ditë më parë, pas një shkrimi autorial, një lexues i rregullt m’u drejtua me fjalët; “Shkrimet i keni të qëlluara, por vetëm zbuti pak kritikat ndaj LDK-së”! Përgjigja ime ishte kjo; “Ndaj atyre që thirren në filozofinë rugoviane dhe e shkelin atë me të dyja këmbët do t’i ashpërsojë akoma më tepër kritikat”.

Afërsisht tre vite më parë, atëherë kur filloi ndarja pa kritere e statusit të veteranit të luftës çlirimtare, përmes një shkrimi autorial me titull: “Veteranomania e patriotizmit folklorik”, reagova rreth parregullësive me rastin e caktimit të listave të veteranëve.
Caktimi i listave të veteranëve të luftës çlirimtare sipas përkatësisë partiake, ideologjike dhe lidhjeve familjare e ka shndërru këtë porces në një “Veteranomani” dhe “Mercenaromani” të vërtetë!
Lënja jashtë listave e veteranëve, komandantët dhe ushtarëve më të spikatur, pjesmarrës në betejat më të lavdishme të luftës çlirimtare në njërën anë dhe përfshirja në lista e atyre që Kosovën e lëshuan të veshur me rroba grash dhe me buzëkuq të nuseve në fytyrë apo edhe të atyre që skishin qenë asnjëherë gjatë luftës në Kosovë , por që u kthyen më pas si “çlirimtarë”, paraqet abuzimin më të keq me vlerat e luftës çlirimtare!
Barazimi me të njëjtin statut, i luftëtarit të lirisë me tradhtarin apo bashkëpuntorin e regjimit pushtues të Serbisë është poshtërimi më i madh për luftëtarët e vërtetë, është shkelja më e rëndë e gjakut të dëshmorëve dhe martirëve të lirisë sonë!

Manipulimi me vlerat e luftës

Po të mos ishte lufta e fundit, akoma njerëzit do të besonin në “fitoret” e mëdha gjatë historisë, për betejat e “lavdishme”, heroizmin e “paparë” të Boro e Ramizit, për bashkim vllazërimin, realizmin socialist,etj.
Historianët atdhetar, pendat e ndritura të kombit që provuan të shkruajnë historinë e vërtetë të popullit të tyre, u anatemuan, u ndjekën dhe përndjekën nga regjimet pushtuese dhe ato antipopullore shqiptare, duke i zavëndësuar ata më vlera sllavo-turke dhe arabo-aziatike.
Tendenca e vazhdueshme e shqiptarëve për marrjen e bajrakut dhe kënaqjen e egos për pushtet ka bërë që shqiptarët shpesh të rrëshqasin nga interesi kombëtar në interesin personal.
Lufta e fundit për çlirimin e Kosovës edhe njëherë na i nxori në pahë dobësitë tona kombëtare! Vrapimi pas marrjes së bajrakut të çlirimtarit, grabitja apo përfitimi nga vlerat e të tjerëve dhe injorimin deri ne eliminim të figurave më markante të luftës dhe paqës, paraqet rrënimin në themel të vlerave kombëtare.
E gjithë kjo u bë përmes lojës së shtrigave, duke inskenuar “tradhtarin” imagjinar dhe “heroin” inekzistent!
Injorimi i betejave të lavdishme të drejtuara nga oficierët e karrierës dhe zavendësimi i tyre më figura të improvizuara të betejave të humbura, ka çuar në tjetërsimin e vlerave të luftës çlirimtare!
Shpirtëligët e pushtuar nga egoja për pushtet e pasurim të paligjshëm rrënuan çdo gjë para vetës, çdo vlerë e pasuri kombëtare!
Pasurimi i paligjshëm i një kaste politike filloj përmes “patriotizmit” folklorik, që nga rënja heroike e komandantit legjendar Adem Jashari me familjën e tij në fillim marsin e ’98-s.
Ishin këngët patriotike, përmes të cilave “patriotët” ngacmuan ndjenjat e qindramijëra bashkatdhetarëve, të cilët dhanë gjithçka patën për lirinë e Kosovës, sa të tjerë shkuan për të luftuar, lanë gjymtyrët e trupit, derdhën gjakun, dhanë më të shtrenjëtën-jetën e tyre.
Nga kjo gadishmëri e bashkatdhetarëve, përfituan disa nga “patriotët” e mbështjellur nën petkun e çlirimtarëve, të cilët jo vetëm që nuk dhanë asgjë nga vetja e tyre për lirinë e vendit, përfituan nga tragjedia e popullit për t’u pasuruar mbi djersën e mërgimtarëve dhe gjakun e dëshmorëve.
Lufta ishte shkaku, ndërsa këngët patriotike motivi për zbrazjën e xhepave të mërgimtarëve, që rezultoi me mbushjën e xhepave të komandantëve dhe emisarëve politik të luftës.

Nuk u dorëzuan në kohë lufte, u nështruan në liri

Edhe pse i kaluam afro dy dekada nga përfundimi i lufës çlirimtare, përfituesit në emrin e saj janë akoma aktiv. Profiterët e luftës si gjithnjë mobilizohen në prag të fushatave zgjedhore apo sa herë që ju rrezikohet pushteti, duke i shantazhuar shtresat më të varfëra dhe më të nëpërkëmbura të shoqërisë me ofrimin e librezës së veteranit në këmbim të votës.
Një dukuri e tillë e shëmtuar ishte më e theksuar në dy palë zgjedhjet e fundit (nacionale dhe lokale), me ç’rast numri i veteranëve të luftës u rrit në mënyrë enorme, saqë askush në Kosovë më nuk e di numrin e sakt të veteranëve!
Cak i gjahut për votë nga ish komandantët në zgjedhjet e fundit ishte elektorati i zhgënjyer i LDK-së, të cilëve ju shpërndanë libreza të veteranëve në këmbim të votes nga partitë e ashtuquajtura të krahut të luftës.
Mirëpo, një këmbim i tiilë i votës nuk ishte aq i thjeshtë dhe i lehtë, madje në disa raste ishte i dhimbshëm dhe tepër sfidues për elektoratin e LDK-së. Mbetët tepër i dhimbshëm fakti i nënshtrimit në paqe i atyre që nuk u dorëzuan në kohë lufte para “çlirimtarëve”!
Ajo që u është thënë disave prej “veteranëve” në prag të zgjedhjeve të fundit me rastin e marrjes së statusit të veteranit është pak më tepër se shantazh, është kërcënim për bukën e gojës.
“Ja ku e ke çerifikatën e veteranit, pranoje me kushtin që nga ky moment për ty ska më Ibrahim Rugovë dhe as LDK”!
Jo të gjithë e kanë pasur guximin dhe mundësinë të refuzojnë dhe të sfidojnë ekzistencën e familjeve të tyre. I pranuan çertifikatat e turpit, me shpirtë të thyer dhe ndërgjegje të vrarë.
Deri në këtë nivel e solli elektoratin e saj udhëheqja e LDK-së post-Rugoviane, duke e tradhtuar elektoratin për pak pushtet dhe interesa biznesore me rivalët politik dhe kundërshtarët e përbetuar të Ibrahim Rugovës!
Jo për të arsyetuar nënshtrimin e një pjese të elektoratit rugovian të cilët qendruan të pamposhtur në luftë, që u dorëzuan në paqe, por për të treguar se, sikur lidershipi i LDK-së post-Rugoviane, duke përfshirë të gjitha strukturat e larta të saj të mos ishin thyer para egos për pushtet, ky elektorat i harruar nga ana e tyre nuk do të ishte dorëzuar kaq lehtë para shantazhuesve, por pa asnjë hezitim ofertave të tyre do t’u përgjigjeshin në këtë mënyrë; “Jo, gjallë e kam Rugovën prapë në çdo shtëpi e çdo konak”,…ose siq ka pasur raste që u janë përgjigjur edhe në këtë mënyrë; “Kam qenë dhe do të mbetëm deri në vdekje ushtarë i Ibrahim Rugovës”.
Ashtu siq e nisa, edhe po e përfundoj shkrimin me kritikat më të ashpra për përgjegjësinë e pafalshme të lidershipit post-Rugovian të LDK-së, që e lejuan të ndodh ky poshtërim kaq i ulët i elektoratit të saj besnik nga uzurpatorët e shtetit.
Përgjegjësia për katandisjen e shtetit bie mbi ata që bashkqeverisen me uzurpatorët e shtetit, lavdia e përjetshme u takon atyre që nuk u dorëzuan në luftë dhe në paqe.
Zoti i bekoftë luftëtarët e lirisë dhe gjakun e derdhur për lirinë e atdheut!
Zoti e bekoftë arkitektin e shtetit tonë, presidentin historik Ibrahim Rugova!
Turpi i mbuloftë “çlirimtarët”, shkelës të gjakut të dëshmorëve dhe lakmitarët e pushtetit, shkelës të vizionit rugovian!