GAZETAT SI POLITIKA, POLITIKA SI GAZETAT

NEBI DRAGOTI

Kritikë

Punët e Shqipërisë, me këtë fokusim dritëshkurtër e të varfër si gazetat, si politika, nuk i kapin gjithë problematikat, që ka mbarë vendi; ka probleme nga më të shumtat e më të ndryshmet për më shpejt dhe drejtzgjidhje. Papunësia, varfëria, emigrimi, vënia në efiçencë të plotë e bujqësisë, e industrisë për prodhime ushqimore e të mira materiale, e cila hap edhe vende pune, nuk është fare në kujtesë të politikës, ku, në këtë aspekt si nxitëse për veprim duhet të jetë media.Por kjo është e çoroditur nga politika dhe nuk e luan si duhet rolin e vet.

***

Vëren nëpër gazeta kënd të ngushtë dhe tepër të njëanshëm. Kjo është dukuri negative e sotme në shkrimet që pasqyrojnë ato. Trajtohet po e njëjta temë e servirur nga gojtarët politikanë të mazhorancës dhe opozitës. Ky material partiak i njërit apo tjetrit krah është bërë avaz tepër i mërzitshëm, dhe aq më keq, kur ka si subjekt akuza- kundërakuza të pabaza, ireale që stonojnë me atë çka kërkon realiteti. Të tilla, veçse reflektojnë ngjyrime mashtrimi përballë elektoratit shqiptar; pra, bëhen për qëllime përfitimi sa më shumë vota për të marrë në zgjedhjet pasuese. Kjo nuk është punë, por lojë kukafshehtas.Duke e gjykuar e vëzhguar në prizmin psikollogjik nuk sjellë asgjë të re si politika, po ashtu edhe shtypi. Shkurt, shkurt është si puna e gjelit që nuk bën vezë. Mirëpo si politika, si gazetat, meqë vazhdojnë kështu, secila për hesap të vet mendojnë: populli e ha këtë kokër vezë…Vezë nga gjelat e politikës?!Për gazetat, kjo shfaqe, është varfëri, është rutina më e keqe, është sugjestionimi i pakontrolluar nga stafet drejtuese të gazetave. Shkruajnë e nuk dinë ç’ objektivitet social kanë këto shkrime që dalin në publik. Sigurisht, të tilla, janë sensacione, thjesht, vetëm për komercializëm. Edhe pse numri i shitblerjes të gazetave ka rënë në minimum, vazhdohet kështu, nuk analizohet pse-ja e shkakut për të rrokur risi në pushtetin e katërt, që këto risi të nxisin në zgjidhjen e problematikave konkrete që ka shoqëria. Ja, pra , pse shprehesh plotësisht drejt: gazetat si politika, politika si gazetat. Kështu, në këtë mënyrë, ky “stan” jo vetëm që s’ka bulmet, por nuk ka as hirrë. Ka gazeta, që në mënyrë të stërholluar, mbështesin partinë që kanë përzemër. Në këtë drejtim, shtypi , që mbështet opozitën është më bythzbuluar, saqë trajton material e ide përsëritëse në mënyrën më absurde, tamam si kori i bretkosave në vende moçalore. Guak-guaket e tyre janë vetëm sharje, vetëm nxirje të realitetit. Kjo është ndihma që jep pushteti i katërt?! Këtë pasqyrim duke e gjykuar në prizmin social shprehesh, se, kështu aspak nuk reflektohet kultura në gjirin sa më të gjërë të mbarë shoqërisë. Ja, këto janë minuset më të mëdhaja të shtypit të tillë, që përdorin keq frenat…madje, për të mbajtur gjallë edhe luftën e klasave. Ky është gabimi i rëndë poliitk i pakontrolluar dhe ecje si nëpër tym pa pikë orientimi e vizioni. Politika kërkon të ketë sa më shumë mbështetje nga mediat dhe nuk e kupton se këto janë paterica dhe, se kështu, i bihet fyllit me një vrimë. Pavarësia e shtypit ka humbur. Nocioni i pavarësisë së medias është tepër fallso.Gama e gjithë problematikave që ka vendi nuk kapet prej brirësh për zgjidhje e mbarëvajtje pune. Edhe politika , edhe gazetat nuk e pyesin veten ç’ detyrë kanë, ku janë, çfarë bëjnë dhe si e bëjnë punën përpara popullit. Gjithë politika shqiptare, në fundin e vitit 2016, është shumë e acaruar, është në revansh që as vetë nuk e di, se ku do të dalë. Në gjirin e alternativave, lumi i turbulluar i secilës sjellë kërcunj, ferra e driza, përmbytje dhe harbon si kali hamshor e i pafre që vrapon e nuk di për ku vrapon duke hingëllitur si i droguar.