Fokusin medial shkaku i Dhomave të Specializuara ta përdorim si mundësi për rifreskim të historisë

Fokusin medial shkaku i Dhomave të Specializuara ta përdorim si mundësi për rifreskim të historisë

Nuk përfitojmë asgjë nëse e identifikojmë fajtorin, pa patur një ide si ta zgjidhim një problem. Politika duhet të ofrojë zgjidhje, jo konstatime. Politikanët tanë janë të zgjedhur nga qytetarët për të zgjidhur problemet, jo për të folur për to.

Shkruan: Luljeta Aliu

Dje isha e ftuar në kuvend si pjesëmarrëse në një tryezë rreth temës së Dhomave të Specializuara, ku të pranishëm ishin edhe shumë profesorë të nderuar, analistë e shoqëri civile.

Dhomat e Specializuara janë realitet, sado që nuk na konvenon. Ligji për Dhomat e Specializuara është miratuar nga kuvendi në vitin 2015 nën një presion të jashtëzakonshëm. Natyrisht se nuk është e drejtë të krijohet një Gjykatë, e cila do të hetojë vetëm krimet e kryera nga shqiptarët, sepse në botë krijohet përshtypja se ne kemi qenë agresorët e luftës, pra shpërqendrohet vëmendja nga kryesja e veprës që ishte Serbia dhe krijohen shtigje për shtrembërimin e historisë. Natyrisht se nuk është e drejtë që nuk janë dënuar pjesëtarët e ushtrisë serbe për përdhunimet e kryera në Kosovë. Ndikim rus dhe serb atëherë dhe tani për krijimin e Dhomave të Specializuara nuk duhet të na befasojë apo inatosë. Ata po e ndjekin interesin e tyre. Ne është dashur të ndjekim interesat tona.

Thelbi i çështjes është pikërisht këtu, që shteti ynë nuk ka arritur as deri më sot të përcaktojë interesat e veta afatgjate dhe t’i zbërthejë ato në veprime strategjike e politike. Kosova në veprimet e saj ka qenë çdoherë në defensivë, duke i ndjekur agjendat e huaja, të cilat kanë ditur me çfarë veprimesh konkrete i arrijnë qëllimet e tyre strategjike. Ne duhet të kemi një politikë të jashtme proaktive, e cila i zbaton synimet e interesave shtetërore afatgjata. Kosova deri më tani ka zhvilluar politikë të jashtme të bazuar nga ato çfarë na servohen nga jashtë, nga Serbia, Rusia etj. Përgjegjësinë për këtë duhet ta kërkojmë tek ne. Jo të bëjmë me gisht, sepse nuk na sjell dobi as kjo. Nuk përfitojmë asgjë nëse e identifikojmë fajtorin, pa patur një ide si ta zgjidhim një problem. Politika duhet të ofrojë zgjidhje, jo konstatime. Politikanët tanë janë të zgjedhur nga qytetarët për të zgjidhur problemet, jo për të folur për to.

Prandaj, çfarë unë e kisha këshilluar qeverinë dhe politikanët tanë në përgjithësi është kjo. Meqë Dhomat e Specializuara janë realitet, i cili nuk mund të zhbëhet shkaku i rrënjosjes së tyre në Kushtetutë, atëherë nga situata e sikletshme e krijuar që prej 22 dhjetorit të dilet me sa më pak dëme kolaterale. Kosova ka zënë hapësirë nëpër mediat më me renome ndërkombëtare shkaku i nismës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Fokusin e kemi të drejtuar në drejtim tonin. Ky momentum duhet të shfrytëzohet para se të kalojë. Nëse keni për t’i thënë botës diçka, atëherë tani! Tani duhet të themi që drejtësia ndërkombëtare të mos jetë selektive dhe të dënojë edhe përdhunuesit. Tani duhet të themi me zë sa më të lartë se Williamson nuk ka gjetur prova për trafikim organesh. Tani duhet të kërkojmë ndjekjen e krimeve të serbëve në Kosovë dhe të akuzojmë për gjenocid. Tani duhet të tregojmë se Serbia ende po nxitë urrejtje dhe po organizon vrasje të politikanëve të moderuar si Ivanoviq në Kosovë dhe që ende nuk është larguar nga Kosova, sepse në Mitrovicë po investon për një klimë kriminale. Dhe për këto të angazhojmë gazetarë të fortë, me kontakte me mediat botërorë, shkrimet të botohen tani sa është e hapur kjo dritare. Për këto duhet të lobojmë dhe të investojmë buxhet. E jo për imazhin e presidentit. Se fundja presidentët vijnë e shkojnë. Ndërsa ardhmëria e Kosovës vie dhe mbetet ashtu siç po e diktojnë të tjerët.

Pra, meqë është bërë gabimi duke kërkuar shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ndonëse Dhomat e Specializuara garantohen me Kushtetutë dhe nuk mund të shfuqizohen duke e shfuqizuar ligjin, atëherë këtë gabim duhet ta shndërrojmë në favor tonin politik duke treguar çfarë kërkojmë ne si shoqëri. Mirëpo pa e drejtuar gishtin kah politikanët tanë aq shumë sepse kjo vetëm dëshmon se jemi shtet i dobët dhe i paaftë. Pa e drejtuar gishtin kah partnerët ndërkombëtar me akuza, por më shumë duke ju rikujtuar të vërtetën. Nëse kemi kundërshtarë, ata janë politikanët e tanishëm serbë në Serbi (jo të qytetarët serbë!) Nuk duam të krijojmë armiq, por edhe ata që janë kundër nesh t’i bindim në favor tonin. Duke thënë të vërtetën. Duke ju treguar se ndaj Kosovës janë bërë krime gjenocidale. Duke shfrytëzuar rastin t’ia rifreskojmë memorien botës, sepse kanë kaluar disa vite dhe të tjerëve nuk ju intereson aq shumë Kosova dhe harrojnë. Të mos lejojmë që historia e luftës së Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës të rishkruhet tani në favor të të tjerëve, por ta ngrejmë zërin jo vetëm këtu në Kosovë, por nëpër mediat botërore nuk shkruar dhe folur për këtë dhjetëvjetor të pavarësisë për krimet e kryera në Kosovë nga regjimet serbe deri më 1999.

Dje në tryezë për të pranishmit u shtjellua kronologjia e themelimit të Dhomave të Specializuara që nga viti 2008, kur ideator i kësaj nisme ishte një anëtar rus në Këshillin e Evropës, i cili bëri kërkesë për hetime në Kosovë. Kërkesa e tij bazohej në pretendimet e librit të Carla del Pontes, e cila kishte qenë në krye të Tribunalit të Hagës dhe kishte shkruar për krimet e luftës në Kosovë. Më pastaj, me emërim nga Këshilli i Evropës, Dick Marty e kishte shkruar raportin e tij rreth këtyre akuzave. Dhomat e Specializuara janë krijuar për shkak të këtyre ngjarjeve.

p.s. Autorja politologe dhe duke doktoruar në Gjermani në temën „Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë të SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Anglisë në raport me Kosovën“