Flet Policja e Kosovës: Ndjehem krenare që jam pjesëtare e policisë së Kosovës, e jam në shërbim të vendit tim!

Ndjehem krenare që jam pjesëtare e policisë së Kosovës, e jam në shërbim të vendit tim!

(Bashkëbisedim me Lirije Podrimaj-Beçiraj, udhëheqëse e Zyrës për informim dhe komunikim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë)

Intervistoi: Adem Lushaj

Pyetje: Znj. Beçiraj! Jeni udhëheqëse e Zyrës për informim dhe marrëdhënie me publikun në nivel të Drejtorisë Rajonale në Gjakovë. Cilat janë detyrat dhe synimet tuaja nga pozita që ushtroni? E konsideroni këtë, si privilegj apo përgjegjësi?

Lirije Podrimaj-Beçiraj: Po, e ushtroj këtë pozitë dhe njëkohësisht e ushtroj edhe detyrën e asistentit profesional të drejtorit të Drejtorisë Rajonale. Ndaj, mund të themi se me përkushtim, përgjegjësi dhe vullnet, i kryej të gjitha detyrat që rrjedhin nga këto pozita. Natyrisht është përgjegjësi, mirëpo është edhe privilegj të jesh në stafin e një Drejtorie, siç është DRP-Gjakovë, ku ke mundësinë të kontribuosh në informim të drejtë të qytetarëve për angazhimet dhe synimet e policisë së Kosovës, në nivel rajonal. Një ndër vlerat e PK-së është edhe parimi i transparencës, prandaj jemi transparent dhe kjo sipas Parimeve dhe Procedurave, gjë që bëhet përmes kësaj Zyre. Personalisht ndihem e privilegjuar që jam pjesëtare e Policisë së Kosovës edhe përkundër përgjegjësive që rrjedhin nga pozita që mbajë. Sfidat dhe vështirësitë që kam në kryerje të detyrës, i tejkalojë me ndihmën e kolegëve të punës, me të cilët kam raporte shumë të mira kolegiale. Sot, në rajonin tonë, kemi femra me uniformë në të gjitha njësitë, me grada të ndryshme dhe në pozita menaxheriale, të cilat në mënyrë profesionale i kryejnë detyrat dhe obligimet në punë. Jemi të respektuara, si nga kolegët, ashtu edhe nga qytetarët. Është e vërtetë se femrat kanë edhe vështirësitë e tyre, nga fakti se janë të lidhura me familje. Janë nëna dhe kanë obligime të tjera, por nuk mungon përkrahja dhe mirëkuptimi nga kolegët. Përfundimisht jemi të lumtura që iu shërbejmë qytetarëve me uniformen e PK-ës.

Pyetje: Drejtoria Rajonale e Gjakovës, mund të thuhet se është Drejtori “e re”, ngase më parë ishte nën përgjegjësi të Drejtorisë së Pejës. Sa keni mundur të konsolidohi në aspektin organizativ, respektivisht në funksionalizimin e gjitha njësiteve që kërkohen të jenë në Zonën e juaj të përgjegjësisë?
Lirije Podrimaj-Beçiraj: Që nga data 01.01.2015 me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, jemi Drejtori me përgjegjësi të plota, si të gjitha Drejtoritë në rajonet tjera, ndaj i kemi të gjitha njësitë që i përkasin Drejtorisë, sipas strukturës organizative të PK-së. Zona e përgjegjësisë së kësaj Drejtorie (sipas ligjit të Policisë dhe është ndarje e njëjtë me gjyqësorin)), shtrihet në tri komuna: Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë, me shtrirje territoriale prej 1109 km², me një popullsi prej 205.377 banorë, në tri qytete dhe 165 fshatra.

Pyetje: Cilat mund të jenë disa nga rezultatet dhe sfidat e punës suaj, gjatë këtij viti (2017)?
Policia në këtë rajon angazhohet në implementimin e detyrave të rregullta: të mbrojë jetën dhe pronën; të ofrojë siguri për qytetarët; t’i parandalojë dhe zbuloj veprat penale; hetoj veprat penale dhe arrestoi kryerësit e tyre; mbikëqyrë dhe kontrolloi sigurinë në komunikacionin rrugor dhe të kryejë detyra tjera të parapara me ligj. Drejtoria jonë, ka hartuar dhe realizuar shumë plane operative, ka dhënë asistime institucioneve të ndryshme, dhe nga gjithë ky angazhim rezulton se situata e përgjithshme e sigurisë është e qetë dhe stabile. Planet janë të shumta, por çdo plan ka qëllimet dhe specifikat e veta dhe bazuar në këtë, planifikohen edhe veprimet konkrete të njësive të ndryshme policore. Me këtë rast, do të veçoja planin operativ “Sezoni veror”, që është një plan më voluminoz nga aspekti i veprimeve të shumta që ngërthen në vete. Po ashtu, do përmend edhe planin operativ “Siguria në shkolla”; planet operative për zgjedhjet nacionale dhe lokale, e që këtë vit kemi pasur tri herë radhazi, e që të gjitha këto janë realizuar me sukses, e natyrisht që ka ndikuar në situatën e sigurisë në vend.

Pyetje: Kohët e fundit prezenca e Policisë në afërsi të objekteve shkollore ka qenë më e madhe, si e shpjegoni ju këtë?
Lirije Podrimaj-Beçiraj: Prezenca jonë në shkolla është e vazhdueshme dhe natyrisht për shkak të rëndësisë që i japim këtij institucioni. Në vazhdimësi hartojmë plane të ndryshme me qëllim të ngritjes së sigurisë në këto objekte. Që nga fundi i muajit shtator, kemi në implementim planin operativ “Stop drogës në shkollë”, e ku janë ndërmarr veprime konkrete. Në bashkëpunim edhe me qendrën e mjekësisë familjare, kemi organizuar ligjërata me nxënës, për çka i jemi mirënjohës Dr. Luan Nagavcit, për mbështetje profesionale të vazhdueshme. Pos kësaj, kemi mbajtur takime të përbashkëta me personelin arsimor të shkollave, DKA-të dhe partnerët tjerë me të cilët kemi bashkëpunim shumë të mirë, e që këtë bashkëpunim do vazhdojmë edhe në të ardhmen.

Pyetje: A do të thotë që ky plan është realizuar për shkak se situata është alarmante në shkollat tona?
Lirije Podrimaj-Beçiraj: Nuk konsideroj që situata është alarmante apo e rëndë, veçanërisht në rajonin tonë. Por, qëllimi ynë është parandalimi, në një anë, dhe indikacionet tjera, se droga është prezent në shoqërinë tonë. Kjo dukuri negative, nuk kursen as shkollat, prandaj i gjithë ky angazhim është në parandalim. Por, kemi pasur edhe masa tjera represive në disa raste, tek disa persona në afërsi të objekteve shkollore. Mendoj se angazhimet tona kanë qenë të pëlqyera, si nga komuniteti, ashtu edhe nga personeli arsimor, të cilët i falënderojmë për bashkëpunim.

Pyetje: Sa keni mbështetje nga qendra e juaj apo instancat më të larta. Në çfarë niveli është bashkëpunimi juaj, me institucionet tjera?
Lirije Podrimaj-Beçiraj: Policia e Kosovës është unike, pa marr parasysh nivelet organizative. Për angazhimet e mia të palodhshme, natyrisht se kemi mbështetjen e pa rezervë të Drejtorisë së Përgjithshme dhe Departamentet e saja, e mbi gjitha të drejtorit të DRP-së së Gjakovës. Ne, jemi të përkushtuar në ngritje të nivelit të bashkëpunimit me të gjitha institucionet, dhe ky bashkëpunim është kultivuar, si në nivel lokal, ashtu edhe në nivelet tjera. Vlen të ceket bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me Prokurorinë Themelore dhe Gjykatën, për shkak edhe të natyrës së punëve që i kemi. Bashkëpunim të mirë kemi edhe me komunat dhe drejtoritë e tyre, gjë që iu jemi mirënjohës për gatishmërinë e tyre për bashkëpunim.

Pyetje: Në disa raste potencohet shprehja “Policimi në bashkësi dhe partneriteti me të tjerët” çka mund të na thoni për këtë?
Lirije Podrimaj-Beçiraj: Policimi në bashkësi, është një filozofi dhe strategji e organizimit, që promovon veprime të bazuara në partneritet dhe në bashkëpunim, ndërmjet Policisë dhe komunitetit, me qëllim të arritjes së efikasitetit dhe efektivitetit në identifikimin, parandalimin dhe zgjedhjen e problemeve, dukurive negative, për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë. Bazuar në këtë strategji, janë formuar Këshillat Komunal për Siguri në Bashkësi, Këshillat lokale për siguri publike, ekipet vepruese për siguri në bashkësi. Pos këtyre, kemi një bashkëpunim të ngushtë edhe me OJQ të ndryshme, dhe falë këtij bashkëpunimi, nuk mungojnë as rezultatet. Pos asaj se bashkëpunim i sinqertë, është çelësi i suksesit në çdo punë, është edhe një edukatë apo kulturë institucionale, e që tek policia është një domosdoshmëri.

Pyetje: Në zonën tuaj të përgjegjësisë, pikërisht të komunës së Gjakovës, keni dy pika kufitare. A e ngarkon kjo punën e juaj dhe gjendjen e sigurisë?
Lirije Podrimaj-Beçiraj: Janë dy pika kufitare me Shqipërinë. Por, në Gjakovë kemi edhe Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare. Kjo drejtori me njësitet e veta, përkujdeset për çështje të kufirit, ndaj edhe bashkëpunojmë ngushtë me këtë Drejtori. Nuk mendojmë se brezi kufitar në këtë pjesë, paraqet shqetësim absolut për siguri, nga fakti se kemi kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e situatës.

Pyetje: Shihet se çdo ditë kemi ndryshime të ligjeve, ngase jeta ka një dinamizëm. Sa janë zyrtarët e juaj të informuar për këto ndryshime?
Lirije Podrimaj-Beçiraj: Me çdo ndryshim, qoftë të ligjeve apo akteve tjera nën ligjore, jemi shumë të kujdesshëm për informimin me kohë, të çdo zyrtari policor. Sa për njoftimin tua, në vazhdimësi mbajmë trajnime të ndryshme, me qëllim të ngritjes së profesionalizmit, tek zyrtarët policor, në çdo lëmi. Nga zyra për trajnime në nivel të Drejtorisë së Përgjithshme, organizohen edhe trajnime me tema të veçanta (trajnime që mbahen jashtë shtetit), me qëllim të marrjes së praktikave më të mira nga vendet më të zhvilluara.

Pyetje: Zonja Beçiraj! Ju falënderojmë për kohën tuaj. Ndonjë mesazh për qytetaret?
Lirije Podrimaj-Beçiraj: Ju falënderoj për mundësinë që na keni dhënë, që ti njoftojmë qytetarët, për punën e PK-së në Drejtorinë Rajonale të Gjakovës, sikurse që falënderojmë edhe mediat tjera, për bashkëpunim në plasim të lajmit dhe të vërtetës.
Pasi që jemi në fund të vitit, shfrytëzoj rastin që juve, dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, tu uroj festat e fund vitit, duke ju dëshiruar, gjitha të mirat e jetës. Njëkohësisht, kemi një lutje për qytetarët, që gjatë festave, të largohen nga përdorimi i mjeteve piroteknike e armëve tjera, ashtu që festat, mos të na kthehen në atë që nuk e dëshirojmë. Dhe, krejt në fund. Ne, policia e Kosovës, do të jemi çdoherë, me juve, e për ju!