Flakët e luftës dhe libri i mbijetuar

Rikujtesë emocionuese

Bedri TAHIRI

Flakët e luftës dhe libri i mbijetuar

Pas ofensivës së shtatorit 1998, e njohur me emrin e koduar “Qyqavica”, e cila qe ndër më të rëndat për UÇK-në dhe popullatën në përgjithësi, u arrit një armëpushim formal. Atë pauzë disamujore unë e shfrytëzova dhe e përgatita dorëshkrimin “Adem Jashari-legjendë e legjendave”. Sakaq, në shkurt 1999, nisi ofensiva e re dhe pas një rezistence disaditore, më 15 mars piromanët karpatianë depërtuan edhe në Galicë. Dogjën e shkatërruan çdo gjë mbi dhe, duke zbatuar planin “tokë e djegur”.

Edhe mua ma dogjën shtëpinë. Por, në bibliotekën time u doli punë më shumë. Zunë t’i shfletonin dokumentet, fotot e shënimet e ndryshme. I përdoruan edhe 3700 librat, duke i hedhur në zjarrin babulak në oborr. Oficeri i nevrikosur një nuk e lëshonte dot nga dora. Ishte libri im i parë “Azem Bejtë Galica”. Nga gjyshi, i cili paskësh qenë pjesëmarrës në rrethimin e vitit 1924, kishte mësuar shumë për këtë trim. Këtë do ta varrosi pranë obeliskut të Azem Galicës,- tha dhe ashtu veproi, pasi më parë kishte prerë me gërsherë foton e autorit…

Këtë të zezë edhe e kisha menduar, por nuk dija ç’të bëja. Gjithë çka mund të bëja qe ruajtja e dorëshkrimit të librit për komandantin legjendar, Adem Jasharin. Kopjen e daktilografuar e mori me vete vajza ime e dytë, Lindita, e cila nëpër flakë lufte arriti ta shpëtoi nga asgjësimi.  Ndërkaq, fletoren e shkruar me dorë, bashkë me makinën e shkrimit, i mbështolla me arna e lecka dhe ashtu tok të futara në një pako i lashë në katin e dytë të shtëpisë së pameremetuar.

Dhe, dreq o punë! Snajperitët serbë zunë pozicion mu në atë dhomë. Natë e ditë qëndruan dhe u ulën mbi pako, pa u shkuar mendja se aty ishte Adem Jashari! Plot 27 ditë! Kur zbrita nga malet (mirë e thotë Kadareja: Liria vjen nga malet!), më 26 maj 1999, fill vajta aty dhe u gëzova kur gjeta dorëshkrimin dhe makinën.

Sot, 18 vjet pas, ndjeva disi nostalgji dhe, makinën e shkrimit dhe ca fragmente nga fletorja me dorëshkrime, që i ruaj me fanatizëm, po ua shpërndajë edhe lexuesve të respektuar, shumë prej të cilëve e kanë lexuar librin “Adem Jashari-legjendë e legjendave”, i cili ka përjetuar nëntë ribotime me mbi 12 mijë kopje.