Fitorja e vonuar e Albin Kurtit, fitore e “Pirros” për Kosovën!

Shkruan: Florim Zeqa                     12.10.2019

Fitorja e vonuar e Albin Kurtit, fitore e “Pirros” për Kosovën!

Dy personalitete të kundërta me analogji të njëjtë

Edhe pse dy personalitete të kundërta, Ibrahim Rugova dhe Albin Kurti janë të vetmit liderë në historinë më të re të Kosovës që nuk u tërhoqën për as një milimetër nga qëndrimet e tyre politike dhe kombëtare.

I pari, Ibrahim Rugova (i dëshmuar në qeverisjen e vendit) edhe përkundër pengesave të shumta, nuk u tërhoq nga përcaktimet e tij, deri në frymën e tij të fundit nuk e hoqi nga goja pavarësimin plotë të Kosovës nga Serbia.

Për asnjë çast të vetëm Ibrahim Rugova nuk u lëkund nga binarët e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së vendit të tij.

Edhe i dyti, Albin Kurti (i pa dëshmuar akoma në qeverisjen qendrore) nuk heqë dorë nga mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit të njohur ndërkombëtarisht.

Sikurse Ibrahim Rugovën, ashtu edhe Albin Kurtin, konsistenca në qëndrime dhe vendosmëria në arritjen e qëllimeve politike, i bën të dallohen prej politikanëve tjerë jo vetëm në Kosovë, por në mbarë trojet etnike shqiptare.

Tani radhën e ka Albin Kurti që të dëshmohet në qeverisjen e vendit për mbrojtjen e shtetit, themelet e të cilit i vuri Ibrahim Rugova tri dekada më parë.

 

“Zajednica” patate e nxehtë në duart e Albin Kurtit

Nëse ju referohemi aspekteve parimore për bërjen e shtetit, premtimeve dhe qëndrimeve të liderit të VV-së, do të ishte fat i madh për vendin sikur Albin Kurti të vinte në pushtet në zgjedhjet e vitit 2007-të, respektivisht para shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008.

Mirëpo, ardhja në pushtet e Albin Kurtit 12 vite më pas, përveqse e vonuar, do të jetë me efekte minimale për kthimin e gjërave në vendin e duhur.

Kur e themë këtë, e kam parasyshë faktin se, jo Kurti, por edhe kush do tjetër nuk mund t’i kthenë Kosovës territorin e humbur me demarkim me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Po ashtu, do të jetë shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që të anulohen marrëveshjet me Serbinë në Bruksel, të nënshkurara nga dy ish kryeministrat e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa për Asociacionin e Komunave Serbe (“Zajednicën”) në veri të vendit.

E vetmja gjë që ka mbetur e hapur akoma për diskutim, është demarkimi i kufirit me Serbinë, gjegjësisht çështja e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës sipas planit serb, të mbështetur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryemistri shqiptar Edi Rama.

Ashtu sikurse ish kryeministri Ramush Haradinaj që nuk mundi ta kthejë ne pikën zero dialogun me Serbinë, as Albin Kurti nuk do mund t’i kthejë mbrapa proceset e avancuara të dialogut Kosovë-Serbi.

Fitorja e VV-së e 6 tetorit 2019-të, më shumë është meritë dhe produkt i lojës me fjalë të Albin Kurtit  sesa kontribut i kësaj organizate politike për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.

 

Përballja e Kurtit me ndërkombëtarët

Se cili do të jetë vizioni i Kurtit në përballje me ndërkombëtarët do ta shohim nga momenti i konstituimit të qeverisë së re. Na mbetët të shohim e dëgjojmë se cila do të jetë gjuha e Albin Kurtit me ndërkombëtarët.

Ndërkombëtarëve nuk ju interesojnë thënjet filozofike me nga dy-tri kuptime, por gjuha e shkurtër dhe e qartë, e prerë dhe pa ekuivoke politike.

Bazuar nga gjuha filozofike dhe konceptet politike, qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti, edhe pse e gatshme, nuk do mund të përballet me ndërkombëtarët për temat që kanë evolvuar nga qeveritë paraprake. E vetmja gjë që mund të bëjë “Qeveria Kurti” për të arsyetuar vendimin historik do jetë “karta” e rrezikshme e bashkimit kombëtar.

Në rrethanat aktuale, pas ndarjes territoriale të Kosovës, “karta” e Kurtit për bashkim kombëtar mund t’i jepë fund tragjik shtetësisë së Kosovës, ku   dështimin në parandalimin e ndarjes së Kosovës, Albin Kurti do t’ia “faturojë” qeverisjes 11 vjeçare, përkatësisht presidentit Thaçi, ish kryeministrit Mustafa dhe kryeministrit paraprak Ramush Hradinaj.

Fitorja e vonuar e Albin Kurtit do të jetë fitore e “Pirros” për Kosovën!

 

Analogjitë e “fitoreve” të mëdha

Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, nga qytetarët e Kosovës po vlerësohet herë si fitore e demokracisë e herë si fitore “çlirimtare”, e krahasuar me çlirimin ndaj Serbisë!

Mbarëvajtja e zgjedhjeve e arsyeton konstatimin e parë, mirëpo konstatimi i dytë lenë shumë për të dëshiruar, për shkak se, sikurse LVV-ja që është e pushtuar nga brenda prej komandantëve, LPK-istëve (PDK-istëve), enveristëve, titistëve dhe ekstremistëve fetarë, ashtu edhe LDK-ja është akoma e pushtuar prej titistëve, strukturave të SHIK-ut famëkeq, klaneve dhe grupeve të interesit, matrapazëve dhe rrahagjokësve politikë.

Prandaj, me të drejtë mund të thuhet se zgjedhjet e 6 tetorit janë fitore e demokracisë, por jo edhe fitore që çliron Kosovën nga kapësit e shtetit, për shkak se kapësit e shtetit janë kudo dhe ngado në të gjitha subjektet politike.

Kosovën nga kapësit dhe uzurpatorët, nga korrupsioni dhe krimi i organizuar e çliron vetëm një proces i monitoruar ndërkombëtar i VETTING-ut, që nuk i nënshtrohet asnjë presioni nga partitë politike dhe nëntokat kriminale të tyre.