Fitimtari i “Demokracisë” në Shqipëri dhe në Kosovë është korrupsioni

S.Kapiti-02Nga Skënder S.KAPITI

Korrupsioni në Shqipëri dhe në Kosovë e ka degraduar dhe e ka diskredituar demokracinë, pasi mosrealizimi i demokracisë dhe moskonsolidimi i saj dhe i shtetit ligjor akoma në dy shtetet shqiptare   e ka  bërë kështu demokracinë  si diçka të pamundur dhe si një utopi demokratike; si një demokraci të xhveshur nga demokraciteti, nga patriotizmi dhe interesi kombëtar; si një demokraci jolirie dhe të jomirëqënies shoqërore; si një demokraci praktike e një sistemi politik të korrupsionit, tradhëtisë, krimit dhe të mashtrimit e të hipokrizisë. Dhe nëse demokracia poqese është praktikisht e tillë, ajo nuk egziston përveçse si pretendim i asaj se çfarë duhet të ishte.

Nëse demokracia mposhtet dhe sundohet nga korrupsioni kështu  realisht si në Shqipëri dhe në Kosovë, atëhere demokracia shërben dhe përdoret nga politika si dogmë mashtrimi, ashtu si ishte një dogmë edhe komunizmi, si  e pavërteta më e madhe që i bëri hatanë dhe katastrofën gjysmës së njerëzimit. Korrupsioni është armiku më i madh i shoqërisë, sidomos kur shoqëria vuan  edhe nga egoizmi negativ dhe qorrollepsja politike.

Këtu nuk dua të ndalem të them se çfarë është apo nuk është demokracia, se e kanë thënë e stërthënë shumë të tjerë studiues, filozofë, politologë e politikanë të shquar, por me një frazë të shkurtër po e pëmënd demokracinë si një  koncept shumë të  madh dhe autoritativ dhe të respektuar; që thotë e që pretendon se përfshin e realizon shumëgjë të mirë e të vyer për popullin, për interesin dhe të mirën e tij deri duke pretenduar se popullit i takon edhe qeverisja, edhe pushteti, dhe se populli duhet të jetë autoriteti e pushteti  i pasfidueshëm.

Një ditë takova në Gjykatë  një person, pasi pothuaj shumicën e shqiptarëve mund t’i gjesh nëpër dyert e gjykatave që japin padrejtësinë, dhe ai më tha:  “çfarë është demokracia nuk e di, por një gjë të sigurtë e di, që kjo demokracia në Shqipëri vetëm demokraci nuk është”.

Dhe me të vërtetë mënyra se si është aplikuar dhe se si funksionon demokracia në Shqipëri dhe në Kosovë tregon se vetëm demokraci nuk është, pasi atë e administron dhe e sundon korrupsioni, dhe krimi e tradhëtia, që edhe këto janë pjella të korrupsionit. Pra, fitimtari  i demokracisë nuk është populli por ryshfeti dhe korrupsioni , hajnija dhe krimi i politikës prej 25 vitesh në Shqipëri dhe prej 17 vitesh në Kosovë. Fitorja e demokracisë popullore paska qënë mashtrim i madh pasi demokracia nuk është në popull, sepse demokracinë  e sundon korrupsioni, krimi dhe hajnija.

Korrupsioni e ka kapur edhe shoqërinë edhe shtetin si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë; korrupsioni shpërndan ( merr, grabit  e vjedh )  të mira, prona, punë, shërbimet, detyrat, postet, privilegjet, autoritetin dhe pushtetin; korrupsioni fiton tenderat dhe ankandet; korrupsioni fiton mbi ligjin, blen të drejtën, votën dhe pushtetin; korrupsioni qeveris shtetin, shoqërinë, pushtetin, doganat, tatimet etj.; korrupsioni ka uzurpuar dhe e ka prangosur sovranitetin e shtetit dhe të shoqërisë, i ka paralizuar ato si dhe ka përvetësuar edhe prerogativat e moralit e të patriotizmit; korrupsioni është motori dhe lubrifikanti që e lëviz mbrapsht shtetin, që e prish drejtësinë, shoqërinë, që ka montuar krimin në politikë, ekonomi dhe në biznese e kudo duke e falimentuar shtetin; korrupsioni  ka bllokuar zhvillimin, progresin dhe integrimin e shoqërisë dhe të shtetit; korrupsioni e ka dëbuar popullin nga demokracia dhe demokracia është shumë, shumë larg dhe e paarritshme nga populli.

Demokracinë, lirinë dhe drejtësinë i ka fituar korrupsioni dhe korrupsioni i sundon, i qeveris dhe manipulon e spekulon me to por edhe me vetë veten, me gjoja luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni e ka paralizuar demokracinë  dhe shtetin, dhe paralizimi e mosfunksionimi i shtetit dhe i demokracisë e ka perfeksionuar dhe fuqizuar politikisht, materialisht dhe financiarisht korrupsionin dhe e ka bërë të pandëshkueshëm e të pasfidueshëm atë. Pra, fitorja e demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë është vetëm një mashtrim i madh.

Kur korrupsioni mbërthen dhe e mposht demokracinë  siç e ka bërë në dy shtetet shqiptare, atëhere demokracia dështon dhe nga dështimi i demokracisë vijnë pasoja shumë të rënda, probleme, konflikte,  trauma dhe fatkeqësi, paqëndrueshmëri politike ,varfëri, papunësi dhe mosintegrimi i shoqërisë dhe i shtetit. Dhe e nuk janë këto fenomenet më të zakonshme të realitetit në Shqipëri që kanë si shkaktarë dhe autorë: politikën, politikanët, pushtetarët e shtetarët që e kanë instaluar në sistem korrupsionin, antiligjin dhe antishtetin?

Po kjo gjëndje e rëndë edhe në Kosovë. Dhe është fatkeqësi dhe shumë shqetësues fakti se në Kosovë sipas Raportit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, 78% e popullsisë shprehen se janë problem i madh kushtet socio-ekonomike , shkaktare të së cilave janë korrupsioni, papunësia dhe varfëria. Dhe po kaq traumatik dhe i rëndë është dhe fakti tjetër ai i cili u publikua nga UNDP (United Nations Development Programme) në Prishtinë  me 30 Maj 2016 se vetëm 7% e kosovarëve janë të kënaqur nga orientimi i sotëm politik. Dhe pra, kjo do të thotë se të kënaqur me politikën si në Shqipëri dhe në Kosovë janë një kastë, klikë, apo më saktë një grup i ngushtë dhe i vogël interesi që i kanë kapur dhe i sundojnë politikën, biznesin, ligjin, shtetin,shoqërinë dhe demokracinë. Dhe pra a mund të pretendohet se kemi sistem demokratik të vërtetë në dy shtetet tona përderisa është montuar realisht ky sistem politiko-korruptiv i pakëndshëm për pjesëm më të madhe të popullsisë  si në Shqipëri dhe në Kosovë?