Filozofi
 
 dhe letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

 

 

 

...

 

 

Ballina   Pozi dhe prozë - NË HIJEN E ALPEVE

Brahim Avdyli

„NË HIJEN E ALPEVE”

Libër poetik, Rilindja, Prishtinë, 1983

 

*OPINGAVE TË MIA*

Poetët e mëdhenj do të qeshin

me këto vargje për ju

do të neveriten nga era e djersës

dhe era e baltës.

S’ka gjë,

 

ata kanë tema të mëdha-

fjalori i tyre s’na përmban,

le të na pranojë kjo tokë

 

ku hapin e lëshojmë pa drojë

me estetikën tonë kryeneçe-

 

poetët

le të kërkojnë nëpër libra

fjalë të mëdha!

______

**) Me këtë poezi programatike fillon botimi i poezive të fillimit të viteve ‘80.
Ajo shpreh programin e poetit për ngjarjet e mëdha.*

 

*TORZO E SHPIRTIT TIM*

A mund të komunikoni gjë me njerëzit
unë dhe koha ju gjymtojmë nga pak-
pjesët e copëtuara veç unë ua njoh. 

Sa mëkat
ju lindi dhe ju rris të gjymta
për ta bartur tërë jetën
brengën e fjalës së pathënë
peshën e fajit që më përvëlon.

Kështu siç ju shoh
vetëm mua më lëndoni në shpirt
pse s’ua fala bukurinë-
e vërteta është e hidhur si vetë ju!
 
Lindja juaj lindje e vështirë
vargje të mia-
torzo e shpirtit tim!

 

*YLLI PIKONTE GJAK*

E kam hapur kopertinën
e historisë në muzeume-

në bebëza dyshimi
rrënjët m’i ka mbjellë 

dikush në daulle
hidhte vallen e çoroditur

në sofrën e shekujve
zogut
helm i përgaditej!

Qiellit me re të trembura
ylli pikonte gjak…. 

 

*E VETEN E MADHËRON ME FJALË*

Kur shqetësimi i detit
përplasej idhshëm brigjeve të kohës
dikush mbillte farën e dështimit 

deti përkundte
valët e mllefit

stuhitë pillnin diçka të re në kohë
stërkalat kaltërorin qiellin…

Kush i vodhi pra
pranverat e mia-

djalli në mes të njerëzve
maskën e ëngullit mbanë në fytyrë,

morden e shkep me lule
e veten e madhëron me fjalë !

 

*PËR AGUN E NJË ËNDËRRE*

Në ç’breg do të përplasen
dallgët e këtij vërshimi
 
yllit tim sa rudha
do t’i shtohen në ballë

shumë herë më ke thënë
me zjarr mos luaj
e thonjtë ke fshehur
për agun e një ëndërre

një ditë do të çmendem
me marrëzinë e sendeve

dhe s’do të jem tjetër
pos një pikëquditëse e ngrirë! 

 

*PJESËT E EMRIT*

*1. (Te ishuli i sirenave)*

 

Kah deti rrodha
me lumin e dëshirave
dashurinë si barkë - ëndërrat vela
grushtat plot rreze t’i sjellë në Itakë

Polifemi përtypte pogaçen e diellit
te Ishulli i Sireneve këndonte vdekja! 

E dallgët e dhembjes së përgjakur
rrëmbyen lopët e diellit-
Popsekdoni e zgjoi detin në stuhi,

në sytë e mi
ëndërrash shterrur
Nimfa Kalipso mbolli mashtrimin-

pjesët e emrit humbën nëpër rërë.

 

*2. (Bishti i cigares)*

Krejt çka më ka mbetur
nuk mjafton për vargjet,

nëse rastësisht u desh të gjendem
në mes valëve të turbullta
s’është e thënë të fundosem…

Sa keq
gjishtat duhet t’i djeg
për ta kuptuar rëndësinë e gjërave të mia !

 

*3. (Gota)*

E shterre burimin tim
për etjet e huaja
pjesa ime e mallkuar!

Tash ke për të pëlcitur
prej zbraztësisë
si buzët e mia do të bjezgohesh!

E shterre burimin tim
gjithmonë në duar të huaja!

 

*4. (Guri i mullirit)*

Si su lodhe duke përtypur
rruzat e bardha të jetës
mëkatar i rëndë,

kur s’do të kem asgjë
do të hash vetveten pa tjetër!

 

*5. (Gurra)* 

Hullive rrjedh
damar i kthjelltë i trollit 

rrjedhën tënde
nata s’e përgjum

freskinë ta xhelosojnë
djajtë dhe hyjnitë!

 

*6. (Pasqyra)*

Para teje
në maje të flokut
më lulëzonte çmendia

sytë më ngjanin
në varreza të pa mbuluara ! 

E mbaj mend-
të goditja
si Moisiu ndërgjegjen
me shpatë të zhveshur.

 

*7. (Shporta e grisur)*

Në barkun tënd të plasur
hija e natës shkujdesur fle

damarëve të një filli të mundur jete
ylli fiket përvujatshëm e ngadalë
si dhembja e gjërave që s’janë më

e asgjë në dorëzën e brejtur harrese

asgjë në boshllëkun tënd
pos viteve
që rrodhën ndër plagë !

 

*8. (Kërruta**)*

Thinjat e mia
i bart mbi supe

nganjëherë
dridhesh në ngashërim
për rininë e ikur djerrinave

peshën e viteve
ma bart mbi supe,

hapat e fundit m’i numëron.

 

*FLETË TË SHKËPUTIRA*

Në sallën e ambullancës doganore
Rezultatet e shikimit mjekësor presim
Spanja unë dhe Italia,

grupuar sipas valigjeve të dhembjes.

Sa të ngjarë ka kjo sallë
me fytyrat tona-
historira të shkruara ndër rrudha,

Sytë-
fletë të shkëputura ndarjesh!

Rentgeni
nuk i lexon si unë zemrat tuaja
as mushkëritë e grisura
s’ua sheh dot rentgeni!

 

*(Chiasso, 1980)*

*BREGUT TË LIQENIT*

Shëtis bregut të liqenit
më i quditshmi unë e vetmia,
dielli varet pas kodre
puhia fryen: vërdallë ma sjell
përfytyrimin e vendlindjes.
Qe një pëllumb në qiell
qe një korb-zi pas
qielli mbushet krrokamë përgjakjesh
një barkë e zbrazët lëkundet mbi valë!
…Në këtë shëtitje mbrëmjeje buzë liqenit
brigjet e ëndërres dhembja ime i rrah!

*(Locarno, 1980)*

 

*ZOGJTË NË IKJE I PUSHTOJNË LARGËSITË*

Zogjtë në ikje pushtojnë largësitë
ndarja
jehonë trishtimi
binarëve të kujtimit
shpërdanë dhembje

zgjas duart të të mbërrij-
gishtave të mi
pikon vetmia
heshtja vret fjalën e pathënë mbi buzë-
zogjtë në ikje pushtojnë largësitë…

 

*KUR DUA TË FLAS, MBETEM I PAGOJË*

Sa herë i ndez qirinjtë në shpirt
filloj përvuajtëshmërisht të digjem

 
vjen shtërgatë e zezë atëbotë
e piramidat e së vërtetës m’i rrëzon.

Sa herë i zgjoj damarët e gjakut në këngë
e zjarre në zemër i ndez
për ata që ngrihen në hije

vjen fantazmë e mjerë
e më lidhet në dorë…

Dhe kur dua të flas
mbetem i pagojë. 

 

*SHTIGJEVE KAH DO TË VIJE TI*

Pres
shtigjeve kah do të vije ti
shpesat çelin
shikimet drejtohen si lutje
si përgëdhelje
diku në male bien lodrat!

E pse të mos mendoj
se në çdo çast
mund ti dëgjoj hapat e tu mbi barë
lules në dorë aroma m’i zbehet ngadalë! 

…Shtigjeve kah do të vije ti
borë po bie, borë po bie-

Diku në male ulërijnë ujqit!

 

*TË MERR E NUK TË KTHEN*

Nuk mund të pajtohesha
me vrimat e qiellit-
frymëmarrjen e grisur

dhe kaptova male
prej humnere në humnerë.

Tash bulevardeve endem
në këtë ferr neoni
e s’di cili shteg
lul-ëndërrën e kuqe ma rrit.

Një gjë e di-
ka rrugë në botë
që të merr e nuk të kthen

ka diell në botë
që ndrit e nuk të nxen…

*(Sursee, 1982)*

 

*ERDHA PËR FJALËN TËNDE*

 

Erdha për fjalën tënde

tokë me plis të bardhë,

 

sa mall kam ndier për pllugun

hullive të dhembjes

 

po ngjitem shkallëve të gjakut

me historinë e fjalës së kuqe-

baladën e dashurisë së zhuritur

 

për shkepëtimin e rrezes në ballë

shpalosjen e bardhësive në bebëza

 

për fluturimin e papenguar të zogut

sofrën plot këngë: “bukë, kripë e zemër”…

 

Erdha për fjalën tënde

tokë me plis të bardhë !

 

*(Morinë, 1982)*

 

     Nga poema *“BUKA E KUQE”*

 

"Atdheu", Zürich, 1990 

 

*BRUMI I LIRISË*

 

*(Poemë )*

*-Protestës gjithëpopullore shqiptare

kundër politikës nacionaliste, hegje-*

*moniste dhe diskriminuese të Serbisë,*

*kundër terrorit shtetëror, dhunës dhe*

*krimeve të pafalshme të Jugosllavisë*

*mbi popullin tim-*

*posaçërisht të rënëve dëshmorë-*

* *

*me rrespekt e nderim të thellë,*

*Autori.*

 

*1.*

 

Kosovë,

në brumin e ditëve tua

shlligat vjellin helmin e urrejtjes

 

gatuajnë kohën në ty

            si bukë pelini

 

shlligat e rritura

enkas për këto çaste...

 

Larat

e shpluara mbi shpinë

janë alarmet e fundit

të një drame, apokalipse

                 që të pret...

 

*2*.

 

Helmi i tyre

terapi e pazakontë-

 

sa më shumë t`a shtuan dozën

në palcën e durimit

rezistenca, qëndresa të rritej,

 

e mbete bimë që s`vyshket

as me fletë as pa fletë

 

e mbete trung që s`thahet

as me pipa as pa degë...

 

megjithate,

fjalë e pathënë gjer në fund !

 

 

*3.*

 

Kush në botë

pat në magjen e fatit

kaq shumë tartull në miell

 

gërshërë nëpër gishta

shpata mbi kokë

 

kaq shumë dhembje në këngë

kaq ushujza në ballë

e kaq plagë,

 

kaq kinzla në ujë

gas kimik-helmik në hapësirë...

 

Kush në botë

Kosovë

pat kaq mjegull rreth sysh

 

e kaq Diell në zemër !?

 

*4.*

 

Unë t`i njoh moj

të gjitha përgjakimet tua,

 

t`i njoh se të janë puthja e parë

e çdo dite të re në ballin tënd

 

jetë i thënçin !

 

Se nëpër to prore kemi rrjedhur

shtegut të xhungllës, shtegut të ferrit

 

shteg i thënçin !

 

*5.*

 

Tash kalojmë nëpër Luciferr

nyja e fundit-

i nënti shpirt në trupin e së qenmes

 

është tel i hollë

mbi magmat e ndezura të mallkimeve

që ndanë të kaluarën e të ardhmen

 

sa fija e flokut larg flakës

sa fija e flokut larg hirit

sa fija e flokut

larg portës së bardhë

të shpëtimit

 

purgatori pastron-

pastroftë të zezat e fatit Kosovë

                 përgjithmonë !...

 

*6*.

 

Shlligat përreth teje

janë mendimet barbare për ty

 

të gjitha ligësitë

e fshehura e të pafshehura!

 

Nga hullitë e qelbura të nëntokës

Megera i ka mbledhur

me helmin e etjes së tyre

nga epshi, ankthi, mëria

të tharmë brumin e kohrave-

 

aq sa edhe shekujt

të sëmurën nga urrejtja !

 

*7*.

 

I ligu përligj ligësinë

e ligësia është shpirti i xhungllës.

 

Kur ringjallet ajo

çdo gjë thyen përmasat,

konceptet,

e parashikimet humbin

nga dendësia e botës së egër,

 

mishngrënësit gëlltisin jetën,

bari rritet për t`i fshehur gjurmët,

sytë e tokës kalben ngadalë,

demonët kthejnë ujrat në qelb...

 

Oh, Megera është Zot i Lig !

Hiqeni, hiqeni Megerën !

 

* *

*8*.

Ajo kohërat do t`i çmendë

tartull duke u dhënë

 

Zot i prapësirave-

bukën e gënjeshtrave gatoi

me brumin e besimit të verbër,

dhe dushk për gogla shet.

 

Nëntoka e saj dhe Kosova

janë antinome,

 

Kosova mban Plis të Bardhë,

s`i duron fëlliqësirat, katranet

mbi horizontet e bardha të shpirtit,

 

Kosova

është pasqyre e përgjakur dashurishë

për të mbetur gjallë !

 

 

*9*.

 

Ajo

në sofrën e Zemrës

shtronte pogaçen e shpirtit

kuq si Diellin e ëndërrave të veta,

 

u lutej Zotrave

të mos ia hidhnin plafin e muzgut

pa një mik,

pa një yll në qivurin e bjeshkëve

për t`u bërë dritë,

 

shtronte raki rrushi

nga rrushi i zi

i syve të buzëqeshur

edhe në mjerim...

 

Kosova-

bujari e tepruar !

 

*10*.

 

E tash

hallemadhja nënë

ngjyen ditët në shëllirë,

 

mbledh fëmijët

me zemër të cfilitur,

ua ndan nga pak misërnike

nga një copë qepë

nga një kokërr djath...

 

Fëmijët e hallit pyesin

për tollat e kuqe të gishtërinjëve

për lotët e përgjakur

që i rrjedhin ,

 

ndaj lënë mënjanë

koret e përgjakura

e bredhin të pangrënë, të etur,

 

dalin nëpër dritaret e durimit,

lëshohen prej katesh

të dhembjes së tyre të pastërt

mbi tokën e ndotur

mbi tokën e gërvishtur thellë

nga dhëmbëzorët-

 

bredhin

me një fitil të hollë frymëmarrjesh-

gazi kimik përditë ua sos

nga pak mushkëritë

 

ngrehin gishtërinjtë lart

duke thonë:

- Ti ngrehim të dy duart,

Qielli të mos bie !

 

*11*.

 

Eh, fëmijët e Kosovës !

Janë zogj të përndjekur.

 

Asnjë pip të qetë s`ua lënë korbat

asnjë kënd të ngrohtë s`ua lënë retë

asnjë rrobe të pagrisur

s`ua lënë drizat e fatit

asnjë fushë me lule kosat s`ua lënë,

po po,

fëmijët e Kosovës

janë të predestinuar !

 

*12*.

 

Fëmijë të pa lodra janë ata,

 

vetëm në lozshin me gazin e fikur

vetëm në lozshin me emra të përbuzur

me të cilët i thërrasin,

me shpullat e ngjeshura,

me rafalet e kobshme

që i godasin,

 

me flamujt e melankolisë

duke paramenduar

pak gëzim në mënyrën fëmijërore,

 

po, ata s`kanë asnjë lodër

pos prindërve të përjashtuar nga puna,

 

ashtu janë vetë lodra

në duart e egra të viteve !

 

*13*.

 

Sidoqoftë,

a s`është privilegj kosovar

të kesh prindin në shtëpi,

 

sa kush është nisur nga shtëpia

e s`është kthyer me të gjitha gjymtyrët,

sa kush është nisur

e s`ka mbërrirë të kthehet në këmbë,

sa kush ka humbur rrugën

ditën për drekë

e ka mbërrirë në qendër të listave

nga të cilat kurrë s`ka dalur

i vërtetë,

 

sa kush...sa qindra mijë ?!

 

*14*.

 

Shumë të tjerë

u shtruan në sofrën e dhembjes,

ata s`janë më

për të ndarë bukën e idhtë të jetës,

 

të përcjellurit, të ndjekurit,

të privuarit nga kjo hapësirë fryme,

 

ata me nekrologjinë

e frymëmarrjeve të pëlcitura

në kush e di cilin çast të kobshëm

mbi truall,

 

qirinjtë e ndezur të rrugëve

dishepujt e dritës së rrugëve

apo shënjtorët e rrugëve të Dritës-

 

Ata, Lavdi Paçin !

 

* *

* *

*15*.

 

Ranë të puthin Tokën

një grusht dhe të shtrenjtë

për një buzëqeshje fëmijërore,

 

furtunave të krisura

gozhufin e shpirtit ua kthyen

hodhën rrufe klithmat

drejt shtëllungave të mnerit

e bulëzuan në çdo pip

nëpër çdo degë

nëpër çdo rimë të ndrydhur

këngësh,

 

ata e shkrinë

ngjyrën e gjakut

me brumin e ditëve që do vinë

që të gatuajnë

me tërë qenien

Buken e Kuqe të Lirisë !

 

*16*.

 

Se Kosova e thotë fjalën

pa iu dridhur buza

 

dhe vdes

te këmbët e mendimit të vet

si para lterit,

 

nuk pranoi kurrë

baltën e fjalëve

që s`ia deshi zemra-

 

Kosova

është tempull i flijimit

për të vërtetën !

 

*17*.

 

Më kot çirren

fantomët e natës

 

pështymën e mykur të shekujve

më kot e gjuajnë

mbi fytyrën e Diellit,

 

fantomët e vdekjes-

të mbështjellurit

në hekur e pancir,

në mjegullnajën e mizorisë-

 

Kosova

flet e vdes burrërisht !

 

*18*.

 

Pranë secilës pikë gjaku

ndizet një Kujtim

 

pranë secilës pikë gjaku

ndizet një Dritë

 

dhe me të gjitha

v e t ë   D I E L L I !

 

*(Prill, 1990)*

 

 

 

 

 

Nga libri poetik

 

*„KUR ZGJOHET DODONA”*

 

* *

Rilindja, Prishtinë, 1992

 

 

 

*NË VEND TË PARATHËNIES*

 

 

Qe shtatë vjet

zemrën e shtrydhë mbi ty:

 

Herë më dukesh pak, aq pak

sa fytyrën e zë me duar!

 

Herë më dukesh shumë, aq shumë

sa s’di se ku të të lë!

 

Qe shtatë shekuj shtoj e heq

të njëjtën Dhembje, Shpresë

 

E botës për aq kohë

i paska ikur zemra-

s’paska se ku ta vë dorën!

 

Bota! Fjalë absurde bota!

Shpesh herë më doli si dredhë

për ty-

 

Athua,

pas sa dredhash do të dalësh në dritë!

 

 

 

*KUPË E HIDHUR*

 

 

I dua njerëzit

dhe gjëra të bukura

te ta kërkoj

 

Ata flasin për të kaluarën

për ëndërrat e së ardhmes

 

Midis ekstremiteteve

e tashmja përvidhet e tallet me ne.

 

I zemëruar kthehem te ti, poezi

se gjëra të ëmbla

të të dhuroj s’ kam

 

Ato që i kisha t’i dhurova

përgjithmonë,

por mirë u bëftë-

 

Unë

qe po e ngre

deri në fund kupën tënde!

 

 

*A DO T’I MJAFTOJMË TË VËRTETËS*

 

 

Kurrë nuk lindët ashtu si desha

Kurrë s’u rritët ashtu si duhej

 

Jeta më vuri herët nën këmbë

disa u lindët para kohe

nga pesha e rëndë

disa pas kohe

 

Dhe mbetët shpesh bonjake e të braktisura

përderisa mund të ngrija sërish

kurrizin e thyer

 

Vargjet e mia

kurrë s’e thatë tërë atë që desha

kurrë se mbrujttë tërë atë që e thashë

 

A do ta shprehim…

A do t’i mjaftojmë së vërtetës!?

 

 

*INTIMË*

 

 

*-I kushtohet Sh. (Shqipërisë) *)*

 

 

Vazhdimisht mendoj për Ty

 

Më e zjarrta fjalë më je

më e djeguara fjalë jam unë

 

Larg ndodhem

aty ku lugu i mallit

lëviz gurët e masbesimit

e zemrën bluan përditë

 

Po ndër ëndërra

Unë dhe Vegimi yt!

 

E ëndërra…

Kush mund t’i ndalë ato?!

 

Së paku aty

përmallshëm bashkohemi!

 

 

______

 

**) Përkushtimi nuk doli në libër dhe dy vargjet e fundit u ndryshuan me tëpadrejtë nga redaksia.*

 

 

*FËMIJËT E MI*

 

 

1.

Portreti juaj

e rrah babin kudo nëpër botë-

 

sytë tuaj

me pritjen e stpepur

e hapësirat e uritura nën qepalla…

 

2.

Në çdo mendim

në çdo hap më lidhet

molisja fëmijërore e përcjelljeve

dhe lëmshi i qindra pyetjeve

të papërgjigje!

 

Ore fëmijë!

Kur pat babi aq kohë

                       t’u përgëdhelë

 

Do të vijë dita

e do të më mbledhni cukla-cukla

nëpër rima nëpër shtigje-

 

dhëntë fati e të mbërrijmë *)

në ishullin e buzëqeshjeve tuaja!

 

 

______

**) Edhe këtu me të padrejtë është ndërruar koha nga redaksia.*

 

 

*MEGERA*

 

 

Mbi maje të fronit

është ulur Megera

 

Me tis mjegullash

i mbulon epshet

me kurora lulesh

                        Zilinë,

 

Me njëren dorë rrah

karvanin e viteve

me tjetrën lëmon vithet

 

E Olimpi dridhet

shembet përditë

nga ngërdheshjet e saj

 

Ajo pa pra

fshikullon pa pra

karvanin e zotërave!

 

 

*QIELLIT TË FËMIJËRISË*

 

 

Qiellit të fëmijërisë

kuçedra kulloste

tufën e reve

 

Nëna prore tirrte

shtëllungat e fantazisë

dhe zgjaste perin e rrëfimeve për te

 

Lëkundej vendit me ta zënë në gojë

pështyente anash në fund të rrëfimit:

-Pfu ! E hëngërt ujku të mallkuarën!

 

Unë stukesha në dhomë

sa herë e mallkuara gjuante

ushtat e vetëtimave

 

Mezi kam pritur Dragoin

të zbrazë mbi të

topin monstruoz të murmurimave!

 

 

 

*KUAJT E HAZDISUR*

 

 

Me zgjebën e turpit

e pak kaltërsi të imagjinuar

mbi lëkurë

hazdisen rrugëve

 

Nga një yll i zverdhur

rremat e thyer

mbi kablosh u lëvar

e kobin e egërsisë

troklodhjne mbi dhe…

 

Kujdes thnegla, lule, bimë

kaujt e hazdisur po vijnë! *)

 

____

 

*) Kjo poezi, sikurse ajo para kësaj, në mënyrë klasike e simbolizojnë dhunën serbo-sllave mbi shqiptarët. Ajo shpjegon ardhjen e shpejtë të milicisë sebo-sllave për të zhvilluar fushatën e gjenocidit të madh antishqiptar, për çka autori i lut thneglat, lulet e bimët të ruhen nga “kuajt e hazdisur”, që do të vinin...

 

 

 

*KORNIZAT E BUZËQESHJES*

 

1.

 

Vij në ty kohë

me kthejtësinë e vesës mbi fjalë

dhe të sjell

buqeta frymëmarrjesh të pastërta

majemalesh

 

Vij në ty

me etjen e lules për Diell

e mugulloj

në përqafimin e parë të rrezes

 

Ti ma nxjerr

gjuhën e palarë

dhe fjalët i vë

në një sintaksë të çuditshme

                                   ngërdheshjesh!

 

2.

 

Në plantacionin e dhembjeve

këpus bimët më të zgjedhura

e i thur kurorat

më tipike

 

Të ndjek e të ndjek

derisa venitem

shkretëtirave të përbuzjes

 

Të ndjek e të ndjek

e të gjëj

në llumin e instikteve

duke shitur shpirtin

e duke përkdhellur

këlyshët e vesit!

 

3.

 

Pastaj

më kot i ndërron

kornizat e buzëqeshjes

e ua reklamohesh ditëve të vrara

me pelerinën e zhubravitur

                        të ëngjujve

 

Më kot i mbledhë

thërmijat e nënqiejve të përmbysur

copat e nëntokave të gremisura

e përpiqesh

të rikrijosh ëndërrën time

për të Bukurën

dhe iluzionin e rremë

për vetveten…! *)

 

______

 

**) Nga kjo pozi redaktori Ali Podrimja tenton t’ia ndërrojë emërtimin e përmbledhjes “Kur zgjohet Dodona”. Në revistë kishte një titull të përbashkët “Buzëqeshja në kornizë”. Më vonë, Ali Podrimja doli me titullim e vet “Buzëqeshja në kafaz”, që nuk është në rregull.*

 

 

*PASQYRA MITIKE*

 

 

Njeriu është pasqyrë

në të cilë shikohet

Jeta,

 

e jeta një pasqyrë

ku shikohet bota…

 

Imzot,

kur s’është pamja e bukur

kush i ka fajet?!

 

 

*ORA QË NUK MË DUHET*

 

 

Uria ime

paska vënë orën në provë

nga dëshprimi

akrepat po i çmenden

 

E dhembja e paska lodhur

të ecë me kohën s’mundet

të pushojë nuk bën

 

Dita, e zezë dita

është e ndalur edhe ajo e dridhet…

 

Këtë orë

kush e blen pesë para, këtë orë!

 

 

*DITA NË ÇËRNOMELJ*

 

 

Dymbëdhjetë orët i thyem

me çekanin e durimit të pashterrë

e dëshprimin e përtypëm

në mëngjes e në drekë

kanaleve të Çërnomelit. *)

 

Në mbrëmje

u kthyem me nga një ditë të mundur

lamë nga duart pluhurin e mospajtimit

e ngjyem

për darkë kafshoret e shikimit

në vezët e fërguara të hënes…

 

Sa e gjatë dita në Çënomel!

 

                       Cernomelj, 1986) ______

 

*) Ky është qytet në Slloveni ku ka punuar fizikisht poeti.
Për herë të parë poeti dërgoi një cikël poezish në shtyp dhe në libër, me titullin “Këmbanat e pikëllimit”, që hapi temën e emigracionit politik të shqiptarëve brenda Jugosllavisë. Në libër ato u sakatuan në tri poezi të gjymtuara.

 

 

*NJË LETËR E PAZAKONSHME*

 

I.

 

E shkruaj këtë letër

Në mënyrë të pazakonshme:

 

Në vend të fletës

faqet e zhubravitura të fatit

 

Në vend të lapsit

            kazma e lodhur

 

Në vend të shkronjave

            gufimet e gjakut

 

Në vend të shenjave

            barrierat e jetës!

 

II.

 

Dramën time të përditshme

s’ta dëshiroj biro,

 

Se ëndërrat që mbolla per ty

s’u rritën

 

Me dritare të mbylluara

në vazon e ditëve…!

 

                       (Crnomelj, 1986)

 

 

*METROPOLI*

 

 

Jam pjesa jote më e përbuzur!

 

Çdo gjë që më jep

është një buzëqeshje e zhytur

në falsitet.

 

Duke u zhvarritur trotuareve

të besdis kur nuk mund t’i ndryj

të gjitha dufet

 

që m’i grumbullon

herë pas here përroi i jetës së ndrydhur.

 

Në xhamat e vitrinave tua fytyra ime

më përqesh

më shikon ftohtë sa të gjithë dimrat e fatit

 

ja si fryn

            përshëndetjeve tona të përditshme!

 

E më jep një numër të rremë ditësh

mbi njëzet është teprica e numrave

 

Të duhen për të ngritur mbi mua

katet e dhembjes.

 

Më kupton si gjeth të rënë

nën fshikujt e vjeshtave njerëzore

e pa mua s’jeton, e di-

 

të duhet pak dhe i shkrifët

shtojë e mbulojë për t’ia hedhur farës

                                               së ditëve të gastarta.

 

Bërllogku dhe plehërat

herët mëngjeseve i dëllir dita të mos i gjëjë

 

s’u dashka të shoh gjithë atë që vjell terri

para se të fillojë dramën e vet,

 

Unë pyes, lejomë,

a vjen në ty dita, a e di ç ‘është mëngjesi?

 

Më mirë të hesht-

Damë e rëndë blloqesh!

 

*(Zürich, 1989)*

 

 

*KUR ZGJOHET DODONA*

 

I.

 

Fryu rrugëve të Dodonës

erë e marrë,

baltë e dhe hodhi mbi lulekuqe

 

Orës së qytetit

ia kurdisi kahun e vet

e qorrsokakët i zgjoi

si krahë të oktapodit

ta gllabëronin Dodonën e heshtur

                                               një ditë

Njerëzit

ndërruan emra ndërruan kahet

ndërruan ëndërrat

 

Se ora

maste kohën gabimisht!

 

II.

 

Njerëzit

iknin nga qyteti

njerëzit vdisnin të vetmuar

 

Urat e gurit

përditë nga pak i shembeshin

                                   në gji

nën karvanet e dhembjes

 

Atje tej

malet rrisnin thellësitë

 

e në magmat e palcës së globit

ushqenin damarët e Dodonës.

 

III.

 

Kur zgjohet Dodona

nga gjumi shekullor

 

shatërvanet shpërthejnë

në gejzerë të valë

 

Qytetit

ia lajnë fytyrën

 

e monumentet rriten

me shkëlqimin e bronztë!…

 

 

*(Gjakovë, 1978)*

* *

* *

*NOSTALGJIA PËR DRITË*

 

 

Lisat e jetës po shkundin gjethet

e dallgët e dhembjeve tronditin liqenin

në fund të shpirtit

 

E sa trishtueshëm

e shoh diellin rrëzë plepave

me kokën e kthyer teposhtë si fëmijët kur lozin

Më buzëqesh dhunshëm

larg, përtej shtatë kodrave

prej kah nuk më zgjon tjetër pos nostallgjinë

për dritë

 

S’jam për lojëra të largëta e pakuptim o diell

lisat e mendimeve të mia

po i shkundin gjethet e iluzioneve të zverdhura

 

sa m’u deshe e s’ma zgjate dorën

më le të thahem përdritjeve të hënës

me le të përlcas ulurimave të territ

 

E u desh në kaltërsinë e fjalëve të vëmë

shëmbëllimin tënd

për të mos na zënë trishtimi

 

Prandaj s’do të vdesim-

zemra jonë

është diell për stinët kur ti mungon !

 

*(Zürich, 1989)*

 

 

*FLAMUR QË S’PËRKULET*

 

            *-J. Gëvallës*

*dhe K. Zekës *)*

 

Kam ca vëllezër

që më ranë rrugës

për ty Kosovë,

 

Varret në zemër na i lanë

dhe ca fjalë të fundme-

ca themele që s’tunden!

 

Në një pishë ëndërrat i shkrinë

E na i lanë peng të perjetshëm

drejt Diellit të ecim,

 

Ndaj

po qe se do të më djegë

nesër Flaka e Shpirtit

 

merrni nga kënga

amanetet e tyre-

 

atë flamur që s’përkulet!

 

_____

**) Rekaksia e hoqi përkushtimin* *dhe rrumbullaksoi vargjet.*

 

 

*KUR BIE NATA*

 

 

Kur bie nata

bota mblidhet kruspull

me lecka të dhembjes

            mbullon gjunjët e tharë.

 

Kur bie nata një ditë e vret veten

në një mendim të prishur

e mbyllet kopertina e qiejve

për t’u rrokullisur bebzat e dritës

e për ta parë veten lakuriq.

 

Kur bie nata

bota rrudhet

bota tendoset nga pesha e heshtjes, dhunës

dhe qindra pyetjeve që lind terri !

 

Nëse mund të të falem o natë

atëherë, për vorbullen e mërisë që më zien,

dhe dashurinë e përtrirë

për agun e një dite që s’përëndon-

 

Lum ata

që do ti shpëtojnë verbërimit tënd!!

 

 

*XIXËLLIMË E SHKELUR*

 

 

Fluturoj mbi ty Kosovë

e të shoh për së shtriri

 

Të lash

poshtë aq poshtë

sa s’njiheshe

 

nën këmbët e stuhive

dhe jorganit frymëzënës

të mjegullave !

 

Kështu,

kurrë s’të kam lënë-

 

Xixellimë e shkelur…!

 

 

*(Charter, 1989)*

 

 

*PËRSËRI PËR NËNËN*

 

            *-Triptik *)*

 

Je mblakur nga Dhembjet

Përtërirë nga Lindjet

 

Por kurrë s’të shterri Dashuria !

 

____

 

**) Redaksia e hoqi titullin e vet dhe e bëri “Triptikun” titull, që nuk shkonte.*

 

 

*DRITË E NDEZUR *)*

 

Kur do t’ju shoh ashtu siç dua

o fushat e helmit tim

kur, se plasa duke shpënë

dheun tuaj

gjyqeve të botës

 

duke jua thithur helmin

nëntorëve të vrarë mbi ju

 

duke jua njomur

kokrrat e plasura

me nga një currill fjalësh…

 

Po kur moj do të vijë festë maji

e të çelë hapësirave tua

dhe të mbetet

Dritë e Ndezur

 

tash o kurrë,

tash o kurrë, heu…!!

 

_____

 

**) Kjo poezi është marrë nga botimet në Kosovë dhe është botuar në Nëntori, 10, 1990. Në libër, ajo është botuar e rrumbullaksuar.*

 

* *

 

 

Nga libri poetik

 

*“PASQYRË E PËRGJAKUR”*

 

Marin Barleti,

Tirane, 1994.

 

 

 

*(Një nga njëmijë letrat*

*e një kurbetçari*

*dërguar Atdheut**)*

 

Na shterrën ëndërrat,

               durimi dhe pritja,

ty lëngu i kthjellët të trashet në sofër

 

misërnikja ftohet

mungojnë qepët e kripa

dhe leckat e vrragët e gjakut shtohen...

 

Sa më ka marrë malli

as të fle nuk mundem

po ashtu të shtypur, të llangosur në lot

ashtu nuk bëj ballë, ashtu s`të shoh dot

 

ndaj rri dhe tretem, digjem përsëri

vij apo nuk vij-

të kam e më ke në gji !...

 

*RIKTHIM NË FILLIMIN E NJË DRAME*

 

Në horizontet e shpirtit tim

Kosova digjet për një fitil drite,

koha kthehet në fillin e një drame.

* *

Si mund ta quaj rikthimin në ty Tiçino,

rrugëve të tua lash rininë e djegur

për një këngë,

kam mbledhur trotuareve të tua

duçat e cigareve,

kam ngrënë mollë të verdha

për të mbajtur frymën, për të kënduar përsëri,

e i kam lexuar të gjitha mendimet

që jeta shtroi në tryezën e ditëve...

po, s`kemi kohë të merremi me veten-

brezat duhet të ngjallen në Këngë,

koha të kthehet në fundin e një drame,

 

se në horizontet e shekujve përsëri

 

Kosova digjet për një Fitil Drite !

 

 

*HALLI I POETIT NË NJË MESJETË TË VONUAR*

 

Kur dua të shkruaj

dikush më çirret pranë,

kur dua të shkruaj anash më përqeshin,

 

kur dua të shkruaj

për të ardhmen tënde Kosovë,

një qen leh në mua,

më ndjek e s`më ndahet,

 

kur dua të shkruaj

më flasin rëndë që të më thyejnë,

m`i lidhin duart, këmbët,

më detyrojnë të mos ulem

që mos të prekë Fjala mbi Letër !

 

Kur dua të shkruaj,

ulurinë nata çmendurisht...

 

E po ku mund të hesht

me kaq llavë fjalësh në zemër !?

 

 

*REQUIEM PËR TË DREJTËN E FJALËS*

 

Vija me mall për të folur

duke synuar

drejtpeshimin e dashurisë

 

flisja nga zemra e plasur për drejtësi

që të pakësohej trishtimi i vegjëlisë,

 

po idetë mi ndrydhnin sapo filloja

e s`linin t`më lulëzonte fjala-

petalet ia shkundnin, fletët ia prisnin

me mëri...

 

Dreq o punë,

ç`kurora mund të thuren

me kaq therra ndër lule !

 

 

*DETI I FJALËVE*

 

Gjithë jeta më rodhi

rrugëve të mendimit për të nesërmen,

duke bluar fjalët

duke bluar ëndërrat,

 

dikush gatuan brumërat e ditëve

dikush do t`i pjekë-

e nesërmja duhet të piqet si buka !

 

Buka e fjalëve deshi një det prej lotësh-

Fjalët e Burrave Det u bënë...

 

Tash nuk ka çka flitet

duhet thyer, përmbysur,

hedhur nga kurrizi i valëve-

 

barrën e një jete që s`durohet !

 

 

*DUKE PRITUR DALJEN E LIBRIT TË DYTË NË PRISHTINË*

 

Vinin e shkonin stinët dhe vitet

ndërroheshin kohërat, cenzuarat, qeveritë,

edhe rrobet e lisave ndërroheshin

edhe mosha e poezisë,

u rritën e u zbrazën ujërat

ulluqet dualën nga shtrati me kutërbim

dikush bile folka për ditën e re,

për demokracinë...

po ti sërish u mbylle, o fjalë e sinqertë

në kthinat e shtypit për t`u grisur nga minjtë,

 

sikur pret të zgjohet vetë Dodona një ditë

Dodona e heshtur,

e rrënuar nga smirëzinjtë !...*)

 

 

______

 

**) Shtatë vite me radhë qëndroj në procedurë botimi përmbledhja e dytë e autorit, "Kur zgjohet Dodona", e cila, mezi pa dritën e botimit, më 1992.

Edhe pas botimit, administrata e dhunshme serbomadhe u përpoq për ta mbyllur në Depo.*

 

* *

 

*Në botim u përfshinë kryesisht poezitë e verzionit të fundit (1989), duke lënë anash vargje të tëra të dorëzuara në verzionin e vitit 1986.

Persona të ndryshëm të cilët ishin në kontakt me dorëshkrimin shfrytëzuan konstrukte të ndryshme figurative.*

 

 

 

*EKUACION ME DY TË PANJOHURA DHE KATËR VARGJE*

 

Ç`personalitete të mëdha

ç`atdhetarë qenkan vallë ky soj

që çirren për mendimin e lirë

e hapësirat m`i vjedhin nëpër duar ?!...

 

 

*PIRAMIDA*

 

Mbi dhe

themelet e përgjakura,

kockat e thyera të njeriut

 

lart i madhërishmi

me shikimet e gastarta

gazin despotik

drejtpeshimin dhe peshën prej piramide.

 

Hiq një palë rrobe

vish një palë të tjera

nga tempulli i shekujve

ai botën shtron nën zgjedhë...

 

Themelet do të dridhën

do të dridhen përsëri nga urrejtja !

 

 

*DREKA IME FAMOZE*

 

Marr një copë buke e një bratwurst *)-

dreka ime famoze para Sant Antoninos:

 

një kafshore e një mendim,

një kafshore e një dhembje më shumë,

një dhembje e një det hapsire...!

 

Marr një copë buke e një bratwurst breg rrugës

rruga zgjatet gjer në Kosovë-

udhëtim i tmerrshëm kafshoresh

 

gjer te fëmijët e mi,

e unë kam dy milionë fëmijë

dy milionë thika në mushkëri,

 

ndaj bëhem vetë fëmijë para syve të botës

nga qepallat më rigon shi...

 

as ta përtyp as ta vjell dhembjen e pafund !!

 

____

** ushqim i lirë dore.*

 

 

*DIFERENCIMI I TË DIFERENCUARVE NË KUPTIM PRAKTIK*

 

E privuan nga e drejta për të folur

sepse ishte shqiptar,

e privuan nga e drejta për të punuar

sepse ishte shqiptar,

e privuan nga e drejta për të dalur në rrugë

sepse ishte shqiptar,

e privuan edhe nga e drejta

për të menduar me kokën e vet

për të materializuar ekzistencën, frymimin e vet

sepse ishte shqiptar,

prandaj, prandaj

e privuan edhe nga e drejta për të qenë

me duar të zgjidhura

sepse ishte shqiptar...

 

o burra,

e çka mbeti tjetër pos për të vdekur për Liri !

 

 

*PORTRET I DEMAGOGUT NË KOHËN E TASHME*

 

E ka qethur gjuhën nga hithrat

                     nga drizat

që dje i drizonin në çdo fjalë,

pardesynë prej poltroni e ka zhveshur,

kurrizit i ka vënë shtyllë platine

importuar me kredi nga Washingtoni,

pështyn idhshëm gjith ç`ka ngrënë

me larot e tjerë

             në maje të Babilonit,

e sytë i mban të qeshur përherë

të mos i vizëllijnë pa dashur

gjarpërinjt e mendimit që helmon,

ndaj qetas dhe durueshëm fik

 

qirinjt e ndezur të fjalëve

aty ku mundet-

 

ende ka frikë se mos ndriqohet prapaskena

dhe duket dora e huaj në xhepat e kohës sonë !

 

*MJER AI QË VDES PA LIRINË TËNDE*

 

Asnjë varg pa shkelur dheun tënd

nuk lind i bukur,

asnjë metaforë pa ujin e gurrave tua,

asnjë flutur vargjesh

pa lulet e egra të luadheve,

pa erën e lule-çajit rogave të malit,

 

heu larg teje Kosovë,

zemra digjet si eshka mbi gur,

mjer ai që i largohet hijes së lisave tu,

që s`e ndien erën e barit tënd,

që s`di për buzëqeshjet e rralla

të hënës mbi mal,

e që s`e mat dheun

me trupin, me këmbën, me gjakun e vet-

 

mjer ai që vdes pa lirinë tënde !

 

 

*GOZHUFI I TURPIT*

 

E kemi veshur

kur muarëm valigjet në duar

e tjetër shteg s`na mbet

pos botës në sy,

 

kur dola te pragu e mallkova veten

kurrë s`na u kënaq zemra-

kurr s`u qetësuam jashta tij

 

se jashta pragut as Zoti s`të njeh

jashta pragut-jashta nderit,...

 

o Gurë të Dheut,

shtërngoni zemrat e mos luani vendit !

 

 

*LIRIKË NGA BURGU IM*

 

As vajzë as grua s`të hy brenda

as lule s`të sjellin, as stoli

as kohë të ëndërroj

as vend të shtrihem në ty-

 

dhoma ime Goliotok a Siberi !

 

Njëherë në muaj

guxoj të fshij dyshemenë

një herë në vit pluhurin

e dhembjen, dëshprimin asnjëherë

ndonëse në zemër të botës

je ti-

dhoma ime Goliotok a Siberi !

(Zürich, 1990)

 

*LOJA E FUNDIT* *ARTISTIKE*

Buzë liqerit
Një tufë fëmijë
e një tufë pëllumbash
përplasin flatrat e bardha .

Barkat e mendimeve të mia
nisen sërish mbi liqe
me ëndërrën e hapësirave të lira.

Sakaq
zemra më bëhet pëllumb
e do të shpërthejë kafazin -

s`i mban dot më
këngë e vaj përbrenda !...

  *(Zürich, 1992)*

 

*ZGJODHI DHE PREGATITI:SHABAN CAKOLLI*


Brahim Avdyli



 


 
 
Filozofi
         dhe letërsi

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve| |"Xhevahire" nga Reis Mirdita|

Altruizmi-Egoizmi Dashuria Edukata Gruaja Mali Natyra Qesëndi
Arsimimi Dashuria (II) Ëndërrat Humori Mëdyshja Ndryshimi Rrena
Art-Dhunti Dashuria (III) Fëmijët Imagjinata Miqësia Nga-fëmijët Skamja
Besimi Dashuria (IV) Filozofia Inteligjenca Mosha Nga-Vizitorët Vetitë
  Dituria Fjalëbutësia Jeta Motivimi Optimizmi Vjedhja
  Drejtësia Frymëzimi Lakmia Muzika Paqa Xhelozia
      Lotët   Paragjykimi Të-pandara
      Lumturia      
____histori kombëtare, vështrime, debat, politikë, letra të hapura____ © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .