
Nga e majta: N.Selmani e M.Gecaj
1.
Ka shumë kohë,
që njihem me kolegun dhe mikun e letrave, Namik Selmani. Ai ka
profesion të parë mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë
shqipe, lëndë të cilën e jep me pasion e profesionalizëm.
Por, po aq e dashur për të, është edhe krijimtaria letrare.
Numri 26 (nga të cilët 9 vëllime poetike), i veprave të
tij, sigurisht, nuk është i vogël. Por, kryesorja, duhet nënvizuar
se, në to, ai ka derdhur fjalën e ëmbël shqipe, aty rrahë
pulsi i një atdhetari të flaktë e krijuesi të talentuar. Jo
vetëm në vëllimet me poezi, por edhe në ato me prozë,
shquhet për ndjenja të fuqishme dhe për shpirtin shpërthyes.
Në këto çaste,
ndërsa shfletoj librin më të ri të Namikut, sjell në kujtesë
udhëtimin e përbashkët, në përbërje të një grupi të vogël
të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër
në Tiranë. Atë e kryem, në pranverën e vitit 2011, me
nismën e të ndjerit Dr.Ibrahim Gashi. Ndërmjet nesh, Namiku u
shqua për shkathtësinë e veprimeve, por dhe se krijoi e
recitoi poezi të reja, gjatë vizitave në Shkup, Preshëvë,
Prishtinë e Ulqin. Ato i përshkonin ndjenjat e forta
atdhetare, dashuria për trojet amtare shqiptare stërgjyshore
dhe dëshira e pashuar për t’i parë ato të bashkuara, sa më
shpejt. Se atë e thërriste dhe e thërret përherë zëri i Çamërisë
martire, bir i denjë i të cilës është.
Përmbledhje
e shkrimeve, me përshtypje nga ato vizita tonat, ishte
libri im publicistik, “Rrahin zemrat arbërore”(Tiranë,
2011). Në faqet e fundit, me kërkesën time dhe pëlqimin
e atij, botova poezitë e Namikut: “Zëri i Atdheut”,
“Anës lumit të Vardarit” , “Kalaja e gjuhës shqipe”
dhe “O,sa mirë, të jeshë në Preshevë!”

Kopertinat e librit të ri…
2.
Për
ato, që shkrova më sipër, bëhesh dëshmitar, që në poezinë
e faqes së parë të vëllimit të ri poetik, me titullin
shprehës, “Bëj të zë, po të merr era!” Cikli,
me të cilin hapet ky libër, është: “Atdheu, brenda
vetes”. Pra, në një farë mënyre, e vërteton më së
miri edhe mendimin e thënë më lart. Duke shprehur një
realitet të hidhur të së shkuarës, ai nisë të ligjërojë:
“E donim Atdheun/ edhe kur tratë e doganës na ndalën
ëndrrën…”. Dhe më tej: “E donim Atdheun/ edhe
kur shkronjat shqipërore na i gjakosën e na i vranë!”(“Zëri
i Atdheut”). Me frymëzim e pasion dhe po në këtë
linjë, ai shkruan edhe te poezitë: “Aromë Çamërie”
e “Këngë e ngrohtë, që vjen nga Joni”, te
“Magjia e Beratit”, “Festa e plisit”, “Mani i mëhallës”,
“Lulet e Gostivarit”, “Në Shkodër”, “Për ty,
Malishevë” (recituar atje, me rastin e “Ditës së Kulturës
Çame”) ose “Fjongoja e një libri për Atdheun” etj.
Ndjenja
e dashurisë për vendlindjen, për tokën stërgjyshore, është
më fisnikja dhe më e madhja për çdo shiptar. Për atë “u
shkrinë si qiriri” dhjetëra e qindra atdhetarë, duke
mos kursyer mendjen, zemrën as shëndetin e tyre. Njëri nga
ata ishte edhe Hasan Tahsini, të cilit poeti ynë i drejtohet
me fjalë nderimi e krenarie: “Me fjalën e ëmbël, ligjëruar
dikur te djepi,/ti flisje me shekuj si ushtarë të venë në
radhë,/ju flisnje djemëve frashërllinj me fjalë të forta
lisnajash,/ të stisura në Kalanë e pathyeshme të shpirtit
arbëror” (“Trëndafil i diturisë”). Ndërsa për përhapësin
e palodhur të shkronjave shqipe, Josif Bagerin, mirënjohja
e brezave nuk shterron: “Një
hambar me shkronja shqipe paske hedhur/ e Reka, Nistrova, të
kanë dhënë një shall flladi,/e Gostivari nxjerr nga sepetet
kujtesën dritëndezur…”.
Po,
ky poet, i shprehë fjalë nderimi e falënderimi të veçanta
edhe kapedanit popullor, Isë Boletinit, i cili u bë gardë mbështetëse
e fuqishme, në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,
mbi 100 vjet më parë, pra më 28 Nëntor 1912. Kryetrimi përbetohej,
se ndër breza do ta ruajmë këtë akt të shenjtë dhe këtë
fitore historike, të arritur me dituri, djersë e gjak shqiptarësh:
“Kur t’i humbë diellit rrezja dhe kur hana të
mos ndrisë,/ do na gjeni në bedena, në shërbim të Pavarësisë!”
(“Balada e Princit të Pavarësisë”). Ndërsa
Flamurin tonë Kombëtar do ta mbajmë kurdoherë lart e më
lart, sepse: “Pikën e syrit të patëm, pikën e dritës së
shpirtit…”. E bukur është edhe balada për Çelo
Mezanin (“Moj martinë, që vrave trimin!”), si dhe
ajo kushtuar poetit Din Mehmeti (“Ugari i fjalës”)
dhe tjetra për Ali Podrimjen, për të cilin shprehet me fjalë
zemre: “Të donim kapiten të
patutur, në Anijen arbërore të Fjalës…”.
Si
çdo autor tjetër, vargjet më të bukur të shpirtit të tij
poetik, N.Selmani i derdhë në kujtim të Nënës, me të cilën:
“Në ditënetët kalëruam bashkë, mes borës e prushit/ e
kurrë nuk na munguan sytë e saj, ndër mote” (“Kur thehet
kroi i jetës”). Po me kaq dhimbje e mall të pashuar i
thurë vargje edhe babait, mbetur larg tij, të cilit i
drejtohet: “Ti, engjëll krahëhapur, atje ku humbë dhe
kufiri…”. Por autori i këtij libri i përjeton edhe
mendimet e ndjenjat e trishta të njerëzve me aftësi të
kufizuara shëndetësore. Për këtë, ai shprehet në poezinë “Karroca
e poetes”. Me gjithë fatkeqësinë, qa ajo ka, dashurinë
për jetën e shfaqë, duke shkruar vargje optimiste dhe prandaj
shprehet për të: “Oo, gjeni xixëllonja
për Zanën, që jetën e sfidoka!”
3.
Në
ciklin e dytë të këtij vëllimi, “Gurgullima e
shpirtit”, janë 50 poezi, nga gjithësej 86, që ka ai.
Gjithashtu, autori e vazhdon aty ritmin e zhdërvjelltë të
krijimeve të tij poetike, duke prekur tema të ndryshme jetësore.
Ato janë si një ujëvarë mali, që hyjnë thellë në
shpirtin e lexuesit dhe ngjallin ndjenja të bukura, të freskëta.
Duke e kuptuar mirë shpirtin e ndjeshëm të kolegut poet, me “një
trastë ëndrrash”, i drejtohet atij, se ka ditur t’ia
lexojë mirë “kodin sekret” (“Ah, poeti im!”).
Ndërsa në poezinë “Motiv popullor” shprehet: “Prita,
prita shtiza syri,/ sa njëmijë gjyle të nxehta…”.
Prej saj e ka marrë emrin tërë vëllimi poetik, ku janë edhe
këto radhë të frymëzuara: “Bëj të zë, por të merr
era,/ të bën lule dhe polen,/ përmbi buzë çelë
luleshqerra,/ përmbi ball një diell zbret”. Por dhe e
vijon më tej këtë mendim, te poezia tjetër, “Bëj të zë,
me vrap prej ere”. Një vajzë, me sinqeritetin e moshës,
i drejtohet mikut të saj: “Sot
jam bërë e tëra një pulëbardhë, me krahë të brishtë
ëndrre…” (“Besomë, miku im!”).
Pastaj,
poezi pas poezie, autori na “zbërthehet” me ndjenjat e
natyrshme të dashurisë njerëzore, e cila ia rrëmben mendjen
dhe zemrën cilitdo. Të tilla mund të përmendim këtu: “Ç’po
ndodhë kështu?”, “Duke të pritur ty”, “Eja”,
“Erashka e shpirtit”ose “Këngë pas kënge, zgjova natën”(motiv
çam), ku autori i përmbyllë vargjet e tij: “I derdhë
rrezet varg te shtrati,/për ty digjem e ringjallem,/ në
qerpikun dritë behari”. E pastaj vijojnë poezi tjera “të
grunjta”, duke na u paraqitur Namiku një poet lirik, me
ndjenjat shpirtërore të një djaloshi (ha,ha). Prandaj nuk
ndalet e thurë vrullshëm vargje të kësaj natyre, si te
poezia “Mjalti”, ku lexojmë: “Të dy, qenkemi
kthyer në hoje mjalti pranvere…”. Duke vazhduar me
poezitë: “Moj e bukura, luleshqerrë”(motiv popullor),
“Molla, që na bëri të gjithëve, Adamë e Eva”, “Muzeu
i përkëdheljeve”…Te poezia “Në flatrat e
flaturuara”, shprehë një dëshirë, e cila i pëlqen
gjithësecilit: “Dua të shlodhem në lëndinën e
gjoksit të zjarrmuar,/ të më këndosh disa ninulla, që
vetëm ti ua di burimin e etur…”. Ndërsa te poezia tjetër,
“Serenata e pakënduar”, na flet për një ëndërr të
plotësuar: “Ooo, sonte jam
mbret, me thesare mbushur,/ teksa buzët e përvëluara i zbres
gushes…”.
Lexuesi
ndjen kënaqësi, duke e vazhduar leximin e poezive me temë
dashurie, disa nga të cilat janë përsëri me motive nga Çamëria
(“Trëndafil, me gjemba mbushur”), por dhe nga
Shkodra (“Eja, eja, luleborë!”). E, si me një himn
të bukur për ndjenjën mbarënjerëzore, autori e ka renditur
në fund poezinë, “Sot, preka dashurinë”.
Aty janë edhe këto radhë të frymëzuara: “Isha
bërë pjergull, rreth trupit tënd të lisnajtë,/kishte humbur
vetë koha, kur emrin ta pëshpërita!…”.
…Në
mbyllje të këtyre radhëve, e përgëzojmë kolegun e mikun
Namik Selmani, për vëllimit e ri poetik, “Bëj të
zë, po të merr era…” dhe i urojmë shëndet të plotë,
krijimtari të frytshme, arritje në detyrën e edukatorit e mësimdhënësit
dhe lumturi, vetjake e familjare!
Tiranë,
3 qershor 2013
E.N
/ Botimet
shqiptare |