Filozofi
     dhe
letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

Ballina

Letërsi

Filozofi

Histori

Opinione

Intervista

Citate

Kritikë

 

Portal Kumtesë

Bedri TAHIRI:

        Lapidar përjetësie për kryeheroin Azem Galica

Bedriu

 (Dr. Mehmet Rukiqi, AZEM GALICA, IAP Prishtinë, 3013)

 
G:\DCIM\100_FUJI\DSCF3462.JPG 

           I nderuari autor i librit që sot po e përurojmë, z. Mehmet Rukiqi!

          Të respektuar familjarë të Azem Galicës e të bashkëluftëtarëve të tij!

Të respektuar të pranishëm!

Para së t’i them ca fjalë për librin, në emër të Galicës dhe Arbërisë së Vogël, bërthamës së parë të shtetësisë sonë, dua ta përgëzoj autorin për këtë punë kaq të madhe, kaq të vyer e kaq  të shkëlqyer.

     Kryetrimi i Drenicës dhe mbarë shqiptarisë, që edhe për të gjallë qe shndërruar në legjendë, në vazhdimësi frymëzoi telat e çiftelisë, muzat poetike dhe pushkët çlirimtare. Kështu, komandanti legjendar i UÇK- së, Adem Jashari,  dhe të gjithë trimat e lirisë, Azem Galicën e patën udhërrëfyes shpirtëror e jetësor dhe betejat i zhvillonin e i fitonin nën thirrjen “O prite, prite, Azem Galicën!”. Dhe, për të u thurën këngë, anekdota e tregime, u hartuan poezi, novela e romane, u shkruan monografi, biografi e punime shkencore, u luajtën drama e u xhiruan filma.

Mirëpo, studiuesi i zellshëm e i palodhshëm, dr. Mehmet Rukiqi, me librin që kemi përpara “Azem Galica në traditën popullore”, në mënyrë përmbledhëse e sintetizuese kurorëzon suksesshëm gjithë botën shpirtërore, luftarake, strategjike, njerëzore, familjare, edukative, filozofike, psikologjike, zakonore, emancipuese e emocionale të kryetrimit.

      Me një fjalë, figura e Azem Galicës dhe heroizmi i tij 12 vjeçar në luftë kundër pushtuesve të ndryshëm, që pamëshirshëm u vërsulën mbi trojet tona stërgjyshore, këtu del më e kompletuar se kudo tjetër. Personaliteti i tij është unikat: luftëtar e trim i pashoq, strateg e komandant i pagabuar, orator e kuvendar meritor, humanist e përparimtar i dalluar, udhëheqës i drejtë e urtak i përmbajtur, iluminist e psikolog i logjikshëm, arsimdashës e edukator shpirtëror, projektues e zbatues i përpiktë i rregullave të luftës. Autori, Mehmet Rukiqi e cilëson si ikonë e moralit njerëzor e kombëtar, ndërkaq sipas enciklopedisë ushtarake  shqiptare “Azem Galica ishte gjeneral i vërtetë në ndërgjegjen dhe dashurinë që ushqente populli për të dhe ai për popullin dhe atdheun e tij”.

      Libri, me 630 faqe, me 13 kapituj e me një aparaturë të përsosur shkencore-hulumtuese, paraqet një mal me fakte e dëshmi jetësore origjinale të shprehura nga vetë përjetuesit e atyre ngjarjeve, nga bashkëluftëtarët e bashkëkohanikët e kryekomandantit të çetave të lirisë, andaj me plot gojën edhe mund ta quajmë Lapidar përjetësie për kryeheroin Azem Galica.

        Origjinaliteti i rrëfimeve të shënuara drejtpërdrejt nga pjesëmarrësit e atyre betejave fitimtare, i japin librit një rëndësi të veçantë dhe e bëjnë burim të pashtershëm për të gjithë ata që mendojnë të shkruajnë e të punojnë diçka për Azem Galicën dhe për heroizmin e atyre trimave që i dhanë jetë lirisë së sotme.

      Autori, me një akribi të pashoqe studimore, qëmton thellë nëpër arkivin POPULL, deri në imtësitë më të vogla, duke shënuar besnikërisht gjithë veprimtarinë e kryeheroit, që nga ardhja e tij në këtë botë, më 5 dhjetor 1889 e derisa vajti në përjetësi, më 25 korrik 1924. Një shembull i  rrallë në botë, 33 vjet jetë e prej tyre 12 në logun e mejdanit, më mbi  60 beteja fitimtare.  Trimërinë, që e kishte trashëguar nga i ati, Bejtë Galica, luftëtar i shquar që ra heroikisht në betejën kundër Shemsi Pashës në malet e Deviçit, më 1907, e ngriti në ideal të pashuar jetësor. Edhe pse shumë i ri,  shkëlqeu si meteor në betejën e Merdarit, në tetor të vitit 1912. Këtë e ka dëshmuar Hamëz Shtrubullova, pjesëmarrës i  asaj beteje, kur thoshte: ”Trimi më  i madh në luftë të Merdarit ishte djaloshi  21 vjeçar Azem Bejta,  i biri i Bejtë Galicës...”.

       Dhe, luftërat e betejat e tij, s’kishin të ndalur. Luftoi kundër turqve të rinj, kundër Serbisë së Parë, kundër austro hungarezëve e bullgarëve dhe kundër Serbisë së Dytë, siç e quajti populli mbretërinë SKS.

      E veçanta e librit që sot po e përurojmë është se autori Mehmet Rukiqi, trimin Azem Galica, gjithmonë e ka trajtuar në bashkëveprim me bashkëlutëtarët e tij besnik dhe me popullin e etur për liri, i cili përherë i pati dyert e hapura për trimat e lirisë. Ai shumë herë thoshte:“Më trima janë këta që po na mbajnë se ne që po luftojmë”. Kështu, brenda faqeve të librit, vend të rëndësishëm zënë: Hasan Prishtina, që ishte ideologu dhe truri i Lëvizjes, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hoxhë Kadri Prishtina e sidomos Komiteti i Shkodrës, i cili, në tetor të vitit 1918, Azem Galicën e emëroi Komandant suprem të të gjitha grupeve luftarake në gjithë Trojet Etnike Shqiptare.

      Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet Epopesë së Arbërisë së Vogël, zhvilluar më 15 korrik 1924. Aty, krahas tragjikes, vriten e masakrohen mbi 80 pleq, gra e fëmijë nga fshatrat Galicë, Lubovec e Mikushnicë, spikatet edhe heroizmi madhështor i liridashësve të pavdekshëm.  Kështu, përkrah Azem e Shotë Galicës, atë ditë shkëlqyen edhe: Halit Bajrami, Bajram e Xhemë Tërnafci, Shaban Manxholli, Xheladin Luboveci, Hys Popova, Bekë Galica, Hazir Rama, Qerim Shashi, Vesel Haxha, Zenel Ujkani etj.

      Tradita popullore, sipas autorit Mehmet Rukiqi, i ka portretizuar mjaft bukur edhe luftëtarët tjerë të Azem Galicës, si: Ahmet Delinë, Shaqir Smakën, Isa Boletinin, Mursel Ahmetin, Fazli Baranin, Emin Latin, Mehmet Konjuhin, Halit e Sali Bajqinovcin, Mehmet Delinë, Sadik Ramën, Kamer Loshin, Ramadan Shabanin, Nak Berishën, Dan Derovcin, Rifat Banjskën etj.

       Mirëpo, ajo që i jep jetë gjithë Lëvizjes sonë çlirimtare dhe ishte dorë e djathtë e Azem Galicës, qe Nusja e Maleve, heroina Shotë Galica. Një çift luftarak e bashkëshortor i papërsëritshëm në historinë tonë e më  gjerë. Dhe, jo vetëm në fushën luftarake, por edhe në atë të edukimit, të shkollimit e të emancipimit shoqëror. Në këtë aspekt mbase u kemi ngelur borxh këtyre dy bashkëluftëtarëve, sepse nuk i kemi trajtuar sa e si  duhet dhe aq më keq, ende nuk arritëm t’i bashkojmë aty ku e kanë vendin, në oborrin e kullës në Galicë, që tash e dhjetë vjet e pret varri i zbrazët. Në të tilla raste duhet të ruhemi nga mallkimi i historisë, siç na këshillon i  madhi Hasan Prishtina.

       Kësaj here, pa e zgjatur më shumë, autorit i dëshirojmë jetë të gjatë, shëndet të mirë e suksese në realizimin e projekteve të tjera studimore, ndërkaq librit jetëgjatësi në shtëpitë dhe në bibliotekat tona.

       Ju falemi nderit për pjesëmarrje dhe për vëmendje!   

       Mitrovicë, 30 shtator 2014

Kulturë

Art

 

Filozofi
 
dhe
letërsi

histori
tradita
vështrime
debat

citate
intervista
letra hapura
botime reja
 
 

 
 
 

Filozofi
         dhe letërsi

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve| |"Xhevahire" nga Reis Mirdita|

Altruizmi-Egoizmi Dashuria Edukata Gruaja Mali Natyra Qesëndi
Arsimimi Dashuria (II) Ëndërrat Humori Mëdyshja Ndryshimi Rrena
Art-Dhunti Dashuria (III) Fëmijët Imagjinata Miqësia Nga-fëmijët Skamja
Besimi Dashuria (IV) Filozofia Inteligjenca Mosha Nga-Vizitorët Vetitë
  Dituria Fjalëbutësia Jeta Motivimi Optimizmi Vjedhja
  Drejtësia Frymëzimi Lakmia Muzika Paqa Xhelozia
      Lotët   Paragjykimi Të-pandara
      Lumturia      
____histori kombëtare, vështrime, debat, politikë, letra të hapura____ © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .