Studim gjuhësor
të mbrojtur para
Qendrës së Studimeve
Albanologjike-QSA.
Gjakova është qytet
në pjesën
perëndimore të
Kosovës.
Edhe pse njëri prej
qyteteve më të rinj
në Kosovë, vetë emri
i qytetit duket se
vjen nga një
gojëdhënë e cila
njëkohësisht
konfirmon edhe
mbiemrin-patronimin
e parë të këtij
vendbanimi.
Sipas gojëdhënës për
emrin e këtij qyteti,
në vendin ku gjendet
sot qyteti, paska
ekzistuar një katund
prej shtatë shtëpish,
të gjithë të një
gjaku me mbiemrin
VULA, ku kryeplak
katundi ishte Jak
Vula.
Hoxha Hadum Aga e
bindi banorin e parë
Jakun që ta dhurojë
tokën për ndërtimin
e një xhamije, e më
pas në atë tokë
filloi të ndërtohet
qyteti, i cili në
fillim u quajt
Jakovë (nga
turqishtja: fusha e
Jakut). Pra
emri i qytetit, vjen
nga emri i Jak Vulës,
i familjes Vula që
ende banon në qytet
dhe që numërohet si
ndër familjet më të
vjetra gjakovare.
Kjo histori i përket
shek. XVI, gjë e
cila tregon se para
kësaj kohe, nuk kemi
asnjë
mbiemër-patronim të
konfirmuar në këtë
zonë. Kjo e dhënë na
detyron të pranojmë
se mbiemri i parë i
konfirmuar në bazë
të të dhënave të
deritanishme në
Gjakovë është
mbiemri VULA.
|
 |
Historia e
mbiemrave |
Migena Arllati |
Zhvillimi i mbiemrave tek
shqiptarët thuhet se është
bërë nga shek. XII-XX. Në
rreth 5-6 shekuj histori,
procesi i vënies së
mbiemrave ka ecur nga lart
poshtë. Kështu, fillimisht
janë pajisur me mbiemra
shtresat e larta, më pas
shtresat e hierarkisë fetare,
ndërsa më vonë ka zbritur
deri në shtresat e ulëta.
Qëllimi fillestar i
mbiemrave ka qenë për të
dalluar njerëzit nga
njëri-tjetri. Çlirim
Bidollari në studimin e tij
“Hulumtime onomastike” thotë
se në periudhën para
formimit të principatave
feudale arbërore në
shekullin e 12-të, vijon
identifikimi i njerëzve
sipas titujve e ofiqeve, veçanërisht
kur bëhet fjalë për
hierarkinë e lartë të kishës.
Por meqë zona jonë e
interesit në këtë studim
është zona e Gjakovës,
atëhere fokusin e
përqëndrimit kohor duhet ta
zhvendosim shumë shekuj më
vonë sepse vetë Gjakova si
vendbanim përmendet për herë
të parë në 1594 kur
përfundon së ndërtuari
xhamia e Hadumit, hani,
hamami dhe dyqanet përreth,
ndërsa në vitet 1605-1606
asaj iu njoh statusi i
Kasabhasë. Me vendosjen e
pushtetit turk dhe me
procesin e islamizimit,
gjithmonë e në një numër më
të madh njerëzish, fillojë
të përhapet mënyra e
identifikimit të vendasve si
myslimanë-nënshtetas të
perandorisë osmane, sipas
formulës identifikuese: X i
biri i Y, ku me kalimin e
dekadave nën pushtim, edhe X
edhe Y paraqiteshin gjithnjë
e më tepër si emra islamikë:
Asllani i biri i Hasanit,
Mustafa i biri i Qerimit. Po
kështu fillojnë të shfaqen
edhe titujt administrativë
fetarë, feudalë ose
ushtarakë si p.sh.: Ali
hoxha, Osman beu, Hysen
spahiu. Nga pikëpamja
gjuhësore lënda që do
trajtohet shfaq një interes
të zgjeruar sepse bëhet
fjalë për patronime të
formuara në mënyra të
ndryshme, të cilat i japin
larmi emrave të
familjeve-mbiemrave të
banorëve të kësaj ane. Duke
u bazuar në klasifikime
patronimesh të përdorura nga
studiues të huaj dhe që po
ashtu janë shfrytëzuar si
model edhe nga studiues
shqiptarë, edhe unë lëndën
time do ta klasifikoj në
katër lloje: a) mbiemra që
lindin nga zona (qyteti a
fshati) e prejardhjes; b)
emra prindërish të kthyer në
mbiemra: c) mbiemra që
tregojnë zanate, profesione,
tituj e ofiqe; d) mbiemra të
formuar në formën e nofkave
e llagapeve etj. Por meqë
këto katër kategori nuk mund
të shpjegojnë një sasi të
mbetur, sado të
konsiderueshme mbiemrash,
atëhere kategoria e pestë do
të duhej të ishte: e)
patronime të pashpjegueshme,
në të cilat do të përfshihen
ato mbiemra për të cilët
sistemi i sotëm gjuhësor nuk
jep shpjegime. Le t’i
trajtojmë të gjitha këto me
rradhë:
Mbiemra që lindin nga
zona (qyteti a fshati) e
prejardhjes.
Në Gjakovë është shumë e
pranishme kjo lloj mënyre e
ndërtimit të mbiemrit i cili
tregon vendin se nga ka
ardhur fisi ose familja në
historinë e saj para disa
gjeneratash. Është një numër
i konsiderueshëm i mbiemrave
që janë formuar në mënyrë të
tillë, pra kanë marrë emrin
nga lokacioni a vendbanimi
të cilit i ka përkitur a
përket familja. Për këtë
arsye ata quhen mbiemra
prejtoponimikë,
si p.sh.: RUGOVA, LIPOVECI,
GËRQINA, GASHI, PONOSHECI,
JUNIKU, SHALA, KORENICA,
GODENI, DUJAKA, KRUMA, HASI,
VOKSHI, LUMA, MATI, KARADAKU,
GLLOGJANI, BELLANICA, DEVA,
BROVINA, MORINA, DOBRUNA,
LETI ose LETAJ, ZHURI,
BYTYQI,
HASI, DOBRUNA, SHKRELI,
KELMENDI, BISHTAZHINI,
RAKOCI, DEMJANI, RADONIQI,
JUNIKU, OSEKU, PONOSHECI,
XËRXA, SHLLAKU, OROSHI,
KAÇINARI etj. Që të gjithë
patronimet e sipërpërmendur
janë mbiemra aktivë tek
gjakovarët e sotëm, dhe
prejardhja e këtyre
mbiemrave nuk është gjë
tjetër veçse
rast i formimit të mbiemrit
nga zona e prejardhjes së
fisit, familjes a individit
të vendosur kohë më parë në
Gjakovë. Përveç
këtyre emrave që i përkasin
zonave të vogla si fshatra a
lokacione të caktuara, janë
të pranishëm edhe pse më
rrallë emrat e qyteteve, si:
PEJA, SHKUPI, GJAKOVA,
KAÇANIKU, PUKA, TROPOJA,
MIRDITA, DIBRA-DIBRANI,
SHALA. Ndodh edhe që
patronimi të shërbejë si
saktësues për emrin vetjak
pra saktësues për
identifikimin e mëtejshëm të
emrit. Në këtë rast
patronimi vjen nga një
etnonim: BOSHNJAKU (familje
emigrantësh nga Bosnja),
MALOKU ( banor i Malësisë,
verior), GEGA ( i trevave
veriore), OSMANI (familje të
lidhura me Turqinë osmane
por jo domosdoshmërisht me
origjinë osmane), MUHAXHIRI
(familje të shpërngulura),
AXHEMI (në arabisht shenjon
të gjithë ata që nuk janë
arabë, pra janë të huaj),
ÇERKEZI (përfaqësues i një
kombi që ka ardhur tek ne si
ushtar dhe ka mbetur aty),
SARAÇINI (që lidhet me
saracenët), MAXHARRI (familje
e lidhur me Hungarinë). Për
këta patronimat e fundit
mbetet e diskutueshme nëse
kanë të bëjnë me kombësinë e
të shenjuarve apo me
apelativët që motivohen nga
emrat e këtyre kombeve. Në
literaturën onomastike ky
tip identifikimi përcaktohet
si një formë përshkruese dhe
në një farë kuptimi ai është
konvencional. Çlirim
Bidollari mban mendimin se
shqiptarët i kanë shtënë në
punë me lehtësinë më të
madhe emrat e vendeve, që
nga atdheu i largët e deri
tek fshatrat më të vegjël.
Megjithatë Bidollari mendon
se ky lloj mbiemrash ka
ardhur duke u tkurrur, pasi
ka përjetuar disa kulme në
shekullin 15-të, 19-të dhe
vitet e para pas Luftës së
dytë Botërore. Pikërisht në
mesin e shekullit XX, ky
lloj patronimi hyri në modë.
Megjithatë në gjendjen e
sotme të sistemit patronimik
shqiptar, ky tip
konsiderohet i mbyllur.
Përdorimi i tij i zgjeruar
vihet re edhe sot e kësaj
dite në Gjakovë.
Emra prindërish të kthyer
në mbiemra.
Në pasurinë e përgjithshme
të patronimeve shqiptare,
mbiemrat e formuar nga emri
i paraardhësit, konkretisht
babës, përbëjnë rreth 40
përqind të numrit të
përgjithshëm, dhe një tablo
e tillë na del e pranishme
edhe tek banorët e Gjakovës.
Mbiemrat me zanafillë nga
atësia kanë një arsye
logjike të lindjes së tyre.
Në këtë nënlloj patronimesh
mund të dallojmë dy areale:
areali katolik që shfaqet me
trajtat karakteristike të
emrave të krishterë; areali
mysliman që përfshin emra
dhe variante të tyre nga
gjuhët orientale. Rastet më
të shpeshtë të emrave të
pararendësve të kthyer në
mbiemra të pasardhësve në
Gjakovë janë: AHMETI, LEKA,
JAKUPI, KAMBERI, GJERGJI,
KOLA, GJOKA, NIKA, DEDA,
MALAJ, (I)BRAHIMI, ISUFI.
Vendi dhe roli i këtij lloji
patronimesh është i
rëndësishëm nga vetë prania
e shtuar gjë e cila
njëkohësisht tregon edhe
dendurinë e përdorimit. Në
të folmen e Gjakovës është
karakteristik fakti i
thirrjes së frymorëve me
emrin personal të cilit i
bashkangjitet edhe mbiemri
ose emri i familjes. Kjo
sigurisht është një formë
jashtë komunikimit formal e
shkrimor, i përdorshëm në
rrethe njerëzish e mjedise
të ngushta. Trajta e
emërores në numrin njëjës
përdoret në gjinore njëjës,
psh: X i Manxhukës, ose Y i
Meqës, ku MANXHUKA e MEQA
nuk janë emrat e prindërve
por mbiemri i familjes.
Tepër e pranishme në Gjakovë
na del edhe ndajshtesa –aj,
e cila në gjuhësinë tonë
është pranuar si ndajshtesë
e specializuar për formim
patronimesh. A. Xhuvani dhe
E. Çabej për ndajshtesën –aj
vlerësonin se me këtë lloj
prapashtese mundësohet
formimi i patronimikave
(KOLË-KOLAJ, LEKË-LEKAJ) dhe
formimi i emrave të viseve a
krahinave të cilat mandej
janë përdorur si material
furnizues për patronime të
reja (BARDHAJ, ZOGAJ). Rruga
e formimit të patronimeve me
–aj mendohet të ketë ardhur
si rezultat i trajtës pas
singularizimit të formës së
shumësit: psh Petriti i
Dedajve > Petrit DEDAJ.
Sipas përdorimit praktik të
patronimeve në Gjakovë,
vërejmë se pjesa më e madhe
e atyre patronimeve që dalin
me –aj rëndom i përkasin
mbiemrave të banorëve në
zonat rurale ndërsa në zonat
urbane gjejmë gjithashtu të
njëjtat patronime por pa
ndajshtesën –aj. Kështu psh,
gjejmë dy variantet
LEKA-LEKAJ, GJOKA-GJOKAJ,
MALA-MALAJ, NIKA-NIKAJ,
MARKU-MARKAJ etj., gjë e
cila jep të kuptohet se
patronimet e krijuar në bazë
të emrit të kryetarit të
familjes janë përdorur pa
dallim në zonat urbane a
rurale por këto të fundit
janë pajisur edhe me
ndajshtimin -j, - aj. Marrë
në tërësi, ky lloj
mbiemërformimi duhet se ka
tendencën e identifikimit sa
më të saktë të subjektit,
duke futur në punë emrin e
të atit, gjë e cila
gradualisht e kthen këtë të
fundit në mbiemër të vetë
individit. Po këtu na dalin
edhe raste të mbiemrave të
përngjitur: GJONKOLAJ,
MARKAGJONAJ, GJONDEDAJ,
NDUELLESHI, PERKOLA, PERDODA,
DEDNIKAJ, MURAKOLA, SYLAFETA(Syl+
Fetah), LEKMARKU etj. Këto
janë patronime dy a më shumë
pjesëshe të cilët nuk
mjaftohen vetëm me emrin e
një paraardhësi por
ndërtohen me emrat e
përfaqësuesve të disa
brezave. Kjo mund të ketë
ndodhur si shkak i ndarjes
nga trungu familjar dhe meqë
ka sunduar familja e madhe
patriarkale
çdo
ndarje duhet të sillte
mbartjen e emrit të familjes
së madhe. Por mund të ketë
ardhur edhe si shkak i
zvogëlimit të fondit të
emrave fetarë kalendarikë.
Kjo dukuri nuk ka ndodhur
vetëm tek popullata e
besimit të krishterë por
edhe tek ajo myslimane. Mund
të përmendim raste si:
BEJTULLAHU, RAMAZANI,
RAMADANI, SHAHSIVARI, AVDIU
etj. Një vend të posaçëm
zënë edhe trajtat e
shkurtëra të patronimizuara,
p.sh.: patronimi HIL-A vjen
nga emri MËHILL, NIK-A nga
NIKOLLË, NDUE ose NDOC-I nga
ANTON, AVDIU ose AVDIAJ nga
ABDULLAH, SULA nga SULEJMAN,
RRUSTA nga RRUSTEM, BRAHUSHI
nga IBRAHIM, SMAJLI nga
ISMAIL, MUSA nga MUSTAFA etj.
Në lidhje me këtë lloj
formimi patronimesh që është
i përhapur tek të gjithë
shqiptarët dhe jo vetëm tek
gjakovarët, Thimi Mitko tek
“Bleta shqiptare” thotë se
këta janë emra sikundër i
kanë përdorur prindërit tanë
që moti, pra duke ruajtur
emrin e pararendësit ka
lindur tendenca e
mbiemërformimit.
Mbiemra që tregojnë
zanate, profesione, tituj e
ofiqe.
Nga të gjitha ndarjet e
onomastikës, më shumë ndikim
nga ndikimi turk ka pësuar
antroponimia, veçanërisht
patronimia për arsye se
procesi i saj nisi dhe
mbaroi brenda sundimit
osman. Për shkak të
përfshirjes në sistemin
feudal-ushtarak,
terminologjia orientale u
shtri gjerë e gjatë në të
gjitha fushat prandaj edhe
sot e kësaj dite ne
trashëgojmë një ngarkesë të
konsiderueshme orientale.
Por është e
çuditshme
se si prapashtesat turke -xhi,-
lli janë fare pak të
pranishme në patronimet e
Gjakovës: RIZVANOLLI,
ÇARKAXHIU. Për këtë tip
patronimesh që tregojnë
zanate e tituj, Bidollari
konsideron se fillimisht ka
shërbyer si karakterizues
shtesë që iu atribuoheshin
njerëzve që ushtronin
profesione të caktuara,
zanate a funksione. Me
kalimin e kohës, duke pasur
prirjen të bëhen të
trashëgueshëm, kur ky
profesion bëhej i
trashëgueshëm nga njëri brez
në tjetrin, ai pasohej nga
pasardhësit duke ‘detyruar’
të njëjtën gjë edhe për
patronimin. Meqë zanatet a
mjeshtëritë monopolizoheshin,
sidomos zanatet fisnike,
atëhere edhe trashëgimi i
mbiemrit konsiderohej si një
vlerë me peshë. Për familje
a anëtarë familjesh që për
një kohë të gjatë ushtruan
një zeje, emri i zanatit u
shndërrua në patronim pasi
filloi të shenjojë familjen
e ushtruesit të zejes, qoftë
edhe kur ai e kishte lënë së
ushtruari atë profesion. Të
tilla janë patronimet:
TERZIU (rrobaqepës), BAKALLI
(shitës i gjësendeve të
ndryshme), TABAKU (lëkurëpunues),
NALLBANI (mbathës i kuajve),
SARAÇI (pajisje për kuaj),
KAZAZI (përpunues i
mëndafshit), KOVAÇI (farkëtar),
SAHATÇIJA (orëndreqës),
ÇARKAXHIJA (për punimin e
armëve), FURRA (bukëpjekës),
KASAPI (me therjen dhe
shitjen e mishit), HARAÇIJA
(taksambledhës), GËRÇARI (baltëpunues),
BERBERI (rrojtar) etj. Meqë
në Gjakovë janë punuar dhe
ushtruar me dhjetëra zeje të
cilat janë trashëguar tek
gjeneratat e reja, prej tyre
kanë mbetur një numër i
konsiderueshëm patronimesh.
Por duhet cekur se jo
çdo zeje a profesion ka lënë
pas në ditët e sotme një
patronim.
Nga pikëpamja gjuhësore, kjo
kategori paraqitet e pasur,
me mbizotërim nga
fjalët-rrënjë orientale. Në
rastet më të shpeshta ato i
takojnë jetës qytetare meqë
zejet u zhvilluan brenda në
qytet ku ishin rangjet e
esnafëve. Po ashtu në qytet
ishte i përqëndruar rendi
administrativ e shtetëror,
ushtarak, fetar. HOXHA,
PRIFTI dhe SHEHU janë tre
patronimet me burim nga
tituj të hierarkisë fetare,
më të përhapura tek
shqiptarët. Prej të treve,
në Gjakovë hasim vetëm dy:
HOXHA dhe SHEHU, që të dy të
motivuar me përkatësinë
fetare të patronimmbajtësit.
Mandej vjen DERVISHI,
MEJZINI, HAXHIU (vizitor i
vendeve të shenjta), BAJRAMI(festë
fetare). Kthimi i emërtimit
të klerikut në emër familjar
ka kaluar nëpër rrugën
tradicionale të formimit të
patronimeve shqiptare:
fillimisht ky emër iu
bashkua emrit vetjak të
klerikut si emër dallues,
për ta evidentuar atë midis
personave që mbanin të
njëjtin antroponim.
Patronimi MEKA mund të ketë
lindur nga praktika islame e
haxhillëkut. Si emra
familjarë u përdorën edhe
fjalë që i takojnë arsimit
dhe jurisprudencës:
MYDERRIZI, MYFTIU, QEHAJA (sekretar,
shkrues). Është për t’u
vërejtur se mes patronimeve
në Gjakovë nuk shënohet
asnjë rast i ekzistencës së
patronimit PRIFTI. Kjo
mbetet e pashpjegueshme për
faktin se në këtë zonë jeton
një përqindje e
konsiderueshme e popullatës
së krishterë, megjithatë
patronimi PRIFTI nuk gjendet
në asnjë rast. Mbiemra të
tjerë me ngjyrim fetar
përmendim edhe: BABALIA,
HAFIZI, DOMI etj. Jo të
rrallë paraqiten mbiemrat që
shprehin një gradë ose
titull ushtarak : SPAHIU,
ÇAUSHI, VEZIRI, PASHA, IMAMI,
AGA(J)-AGANI, GAZIJA,
BEGU-BEGDUSHI (prej: bejlerë),
YVEJSI, SPAHIU (kalorës në
ushtri), ZAJMI (kreu i
spahijve) por edhe EFENDIA –
titull shoqëror, MYFTARI (kryeplak).
Interesant është fakti se
titullin ‘sulltan’ si
shkalla më e lartë e
hierarkisë qeverisëse osmane,
nuk e gjejmë të pranishëm në
Gjakovë, por as në
patroniminë mbarë shqiptare.
Kjo ndoshta për faktin se
shqiptarët asnjëherë nuk u
bënë dot Sulltanë, por
maksimumi Vezirë. Ndaj emri
Sulltan na del vetëm si emër
vetjak femëror: SULLTANE.
Ndërsa fjalët: VEZIR, SHAH i
gjejmë edhe si emra personal
femërorë, edhe si patronime.
Në këtë tip patronimesh,
vërehen raste të shumta të
ndërtimeve kompozitë,
ndërtimi i të cilave
formohet në sajë të
bashkimit të ofiqit me emrin
personal. Ky tip funksionon
sipas skemës: emër fetar +
emër vetjak : HAXHISMAJLI,
HAXHIMIFTARI, HAXHIKADRIJA,
HAXHIBEQIRI, HAXHIAVDYLI,
HAXHISHABANI, HAXHIJONUZI,
MULLAADEMI, MULLAJUSUFI,
MULLAIDRIZI, MULLATAHIRI,
MULLAZENUNI, YMERAGA,
DAUTAGA, HAFIZADEMI,
DERVISHDANA, AXHANELA,
BABALIA, BEGDUSHI, SHEHDADI,
SHEHDANJOLLI. Prania e këtij
fondi në onomastikën e kësaj
treve është dëshmi e rolit
të madh që kanë luajtur këto
besime fetare në jetën
shoqërore të popullatës. Por
po ashtu ajo është shenjë
treguese e respektit të
shqiptarëve për besimet
fetare që ushtrohen nën
frymën e tolerancës.
Identifikohen edhe mënyra të
tërthorta të shenjimit të
zanateve, profesioneve. Ato
i paraqesim të strukturuara
sipas elementit të cilin e
shquajnë: a) Me anë të
lëndës së parë me të cilën
punohet: QARRI, PENI, QYMYRI,
HIMA, BARUTI. b) Me anë të
instrumentit a mjetit të
punës: KOBURJA, PALLASKA,
TULLUMI. c) Dalin edhe disa
raste të patronimeve
metaforike në të cilat
trajtimi merr një natyrë të
dyfishtë frymorësh : DASHI,
DACI, PULA, KNUSI, ZOGU,
BYLBYLI, MAGARI (aktualisht
mbiemër i shuar, i
zëvendësuar me tjetër), por
edhe: MISKU (erëmirë).
Mbiemra të formuar duke
marrë burim nga nofka e
llagapi.
Në lidhje me këto lloje
patronimesh, mund të flasim
qartë rreth kuptimit që kanë
por jo edhe për rrethanat në
të cilat emërtimi është
kthyer në mbiemër të
individit-familjes. Çabej,
që në Konferencën e parë
albanologjike pranon se
parimi i emërtimit të
njerëzve, përgjithësisht
meshkujve, me anë të emrave
të shtazëve, si dhe
prejardhja e emërtimeve prej
ofiqeve, janë një nga
kriteret e emërtimit në
shqipe. Këto lloj mbiemrash
kanë marrë formën e
epiteteve, me ngjyresa
pozitive a negative
të cilat me kalimin e kohës
janë zbehur. Pas Beratit,
mendohet se Gjakova është
një nga qytetet që ka më së
shumti “epitete” apo nofka.
Për këtë arsye, këtë tip
patronimesh e klasifikojmë
në dy lloje: a) Patronime që
vijnë nga fjalë që shenjojnë
vetitë fizike a morale të
njerëzve; b) Patronime që
vijnë nga ofiqe/nofka dhe
emërtime kafshësh. Nga
nënlloji i parë në Gjakovë
hasim në patronime si: QORRI,
QELI (DANQELI), TOPALLI,
SHYTI, KOMTRASHI, KOKA(J),
VOGLI, DHOMI, BUZA, BARKU,
GRUSHTI, PARASHUMTI.
Shënjues me anë të një
ngjyre: KUQI, BARDHI,
KRYEZIU Nga nënlloji i dytë,
përveç
se kemi një prani të
konsiderueshme të këtyre
rasteve, mund të themi
gjithashtu se në to janë të
pranishëm kuptimi i
drejtpërdrejtë dhe ai
metaforik. Dallojmë disa
lloje klasifikimi: a) Nofka
të bazuara në elemente
ushqimore: UFLLA, SHEQERI,
KRYPA, AJRONI, PILAVI, SPECI,
PURRINI, KUMPIRI,
KAKIÇKA,
KOC(K)A. b) Nofka të bazuara
në emra shpendësh a kafshësh:
KËNDUSI, PULA, BYLBYLI,
VREMÇI,
PLESHTI, KLYSHI, KARCYLLI,
HUTI, DASHI,
KINGJI,
MAGARI, BULLI, ABRASHI (kalë
me lara). c)
Nofka nga objekte:
BUNARI, FURRA, QEREPI,
TULLUMI,
BALLONI, KOSHI, KUPA. d)
Nofka me kuptim përbuzës:
HAJNI, LUGATI, KATILI, QYRRI,
PAÇAVRA, BURGIJA,
ZARARI, XHUXHA, QUKI, GUZICA
(srb. - prapanica). Një
pjesë e mirë e patronimeve
të lartshënuara, me kalimin
e kohës janë zëvendësuar me
patronime të rinj, me
arsyetimin se pasardhësit e
këtyre familjeve janë ndjerë
të ofenduar në mentalitetin
e ri të shoqërisë. Myslim
Nagavci tek “E folmja e
Gjakovës” vlerëson se
nuk është e tepërt të
tregojmë se gjakovarët
jetojnë duke i përqeshur të
metat e të tjerëve, duke u
vënë njerëzve ofiqe të
ndryshme sipas prirjeve,
komplekseve. Bile në Gjakovë
vlen thënia: “Më
thuaj çfarë ‘llagapi’ ke, të
të them se kush je”.
Pjesën dërrmuese të këtyre
nofkave, banorët ua kanë
ngjitur njëri-tjetrit për
t’i përqeshur ose fyer, në
sajë të situatave të jetuara.
Në përgjithësi këto emërtime
që me kohë janë kthyer në
llagape, janë fyes e
përqeshës dhe vetëm në
ndonjë rast shumë të rrallë
tregojnë cilësi a tentojnë
të japin informatë të mirë:
MISKU, BYLBYLI, DRENI.
Ja edhe disa nga
mbiemrat-nofka të cilat mund
t’i ndeshni tek banorët e
Gjakovës: ZALLI,
KAMISHI, ARAPI, DUSHMONI,
DUDUFENCI, LUKI, TULI,
SARIÇKA,
JAKA, TODORZA, PRUSHI, LAMA,
GUCI, MICI, XHIBIGJUKI,
GJYJGJYZARI, SEREMI etj. Kjo
nuk do të thotë se qytetet e
tjera nuk kanë mbiemra
karakteristikë por gjithsesi
Gjakova shquhet dhe dallohet
për mbajtjen e nofkave për
mbiemër. Shumëkush e
konsideron këtë si një
pasuri të llojit të vet.
Megjithatë tek gjeneratat e
reja, nga njëzet vitet e
fundit e këtej, vihet re
tendenca për t’i zëvendësuar
nofkat e pahijshme me
patronime më të dinjitetshme.
Mbiemra me ndikim
oriental:
Patronimet me burim prej
gjuhëve orientale të cilat
mund të jenë të ardhura nga
persishtja ose arabishtja,
por që në shqipe kanë hyrë
nëpërmjet turqishtes: HOXHA,
GJYLGJYZARI, BAJRAKTARI,
SPAHIU, RRUSTEMI, ARLLATI,
SHAHINI, KARAKUSHI (kompozitë,
karaj - i zi) etj. Këto lloj
patronimesh i gjejmë në
përdorim të shtuar. Pra
vihet re se ashtu si në
toponimi, edhe në patronimet
e vendasve në Gjakovë kanë
lënë ndikimin e tyre gjuhët
orientale si pasojë e
sundimit të gjatë të
Perandorisë turke ndërsa
prania e ndikimit sllav
vihet re në një masë shumë
më të ulët. Në Gjakovë,
ndikimi sllav është sadopak
i vërejtshëm në toponimi,
por edhe në emërtimet e
familjeve a fiseve. Meqë në
këtë zonë të Kosovës
asnjëherë nuk ka patur më
tepër se dy përqind të
popullatës me përkatësi
sllave, janë mininale rastet
që reflekftohen nga ndikimi
i sllavishtes në patronimi.
Mbiemra me ndikim sllav:
NIKOLIQI, POZHEGU (Slavonska
Pozhega, Uzicka Pozhega,
qytete sllave), DOBRA (sllv.
mirë), MANXHUKA, BËRDONIQI (sllv.
kodër), POZHARI (sllv. zjarr).
Jo më kot e lashë për në
fund edhe një tip
patronimesh të cilat duke u
nisur nga sistemi i sotëm
gjuhësor, mbeten të
pashpjegueshme. Pra këtu do
të përfshij ato mbiemra për
të cilët vetë emërtimi nuk
jep shpjegime: VALLA,
DALLADAKU, FËRDULLI, KATONA,
BUQINCA, ELSHANI, ROKA,
PERJUCI, MILLA, DURAKU, etj.
Sot, sistemi patronimik
funksionon me një larmi
trajtash, duke marrë
përsipër të identifikojë
banorët e Gjakovës, dhe jo
vetëm kaq, por edhe të
tregojë origjinën e
prejardhjes familjare të
tyre. Mbiemrat e sotëm kanë
lindur, ndryshuar e
përshtatur në një rrugë të
gjatë evoluive, duke u
fiksuar në gjendjen e sotme
e cila siç
e pamë na paraqitet me një
shumësi tiparesh dhe
cilësish.
Literatura:
Aleksandër Xhuvani,
Prapashtesat e gjuhës shqipe,
Studime gjuhësore, III,
Prishtinë 1976
Çlirim
Bidollari,
Hulumtime onomastike, Tiranë
2012
Eqrem
Çabej, Studime gjuhësore,
Vëll. I, Prishtinë 1976
Jusuf Shpuza, Përsiatje
onomastike, Shkodër 2008
Myslim Nagavci, Të
folurit e Gjakovës, Revista
kulturore dhe shkencore “Përparimi”,
Prishtinë 1969
Thimi Mitko, Bleta shqiptare,
Mbledhës të hershëm të
folklorit shqiptar, nr. 2,
Tiranë 1961. |