Femra deçanase nuk kërkon lëmoshë, por marrje të përgjegjësive!

Femra deçanase nuk kërkon lëmoshë, por marrje të përgjegjësive!

Msc. Adem Lushaj

Nëpër gjitha periudhat e historisë sonë kombëtare, femrat çdoherë ishin përkrahë gjinisë së kundërt, përkrah burrave dhe vëllezërve të tyre, qoftë me penë, shpatë apo pushkë. Nënat shqiptare ishin dhe mbesin krenaria e kombit, të cilat pos që lindën dhe rritën bijë dhe bija me të cilët krenohet historia jonë, ato ishin pjesë aktive e gjitha zhvillimeve për liri dhe pavarësi. Një kontribut të tillë kanë dhënë, edhe nënat dhe motrat deçanase. Edhe në luftën e fundit për liri dhe pavarësi të Kosovës, (1998-99), nuk ishin të pakta ato femra deçanase që kishin rrok armët dhe mësy fronte e luftës, duke mos pasur trembje nga plumbi i armikut. Kontributi i tyre nuk ishte vetëm në rrokje të armëve për ta mbrojtur vendin e vet, por ishin ato që me duart e tyre, kishin ushqyer dhe ishin përkujdesur për dhjetëra mijëra ushtar, anekënd Kosovës. Përkundër gjitha angazhimeve dhe vlerave të tyre, gjinia femërore në Deçan nuk vlerësohet në nivelin e merituar, qoftë me dhënie të përgjegjësive në procese vendimmarrëse apo ekzekutive.

Gjinia femërore në komunën e Deçanit, çdo herë ka kërkuar marrje të përgjegjësive dhe trajtim të barabartë, e jo privilegje apo plotësim të kuotave të kushtëzuara ligjore. “Nuk duam lëmoshën e as kuotën e përqindjes, por barazi të plotë dhe marrje të përgjegjësive në raport me përbërjen e popullatës, qofshin ato legjislative apo ekzekutive”, ishin deklaruar në takime të ndryshme, qofshin të karakterit komunal apo edhe më të gjerë.

Anashkalimi i tyre bëhet në emërimet që bëhen në pozita të rëndësishme vendimmarrëse dhe menaxhuese, ku mund të numërohen me gishtërinj numri i tyre në pozita të rëndësishme qeveritare. Përfaqësimi i gjinisë femërore në institucionin komunal të vendimmarrjes (Asamblenë komunale), është sipas kuotës gjinore të garantuar me Ligj. Ndërsa, përfaqësimi i tyre në organet tjera, është për keqardhje, kur dihet se kjo komunë ka veç dy femra në krye të Drejtorive komunale.

Edhe në pozitat e rëndësishme vendimmarrëse numri i përfaqësimit është i vogël, duke pas parasysh se në Komitetin më të rëndësishëm komunal, atë për Politikë dhe Financa, është vetëm një anëtare, nga shtatë anëtar që ka ky komitet. Ngjashëm është edhe në emërimet në pozita tjera menaxhuese të institucioneve publike komunale.
Një nga anashkalimet e kësaj gjinie është edhe te çështja e marrjes së statusit të veteranit të luftës apo pjesëmarrjes në luftën për çlirim dhe pavarësim të Kosovës, ku një numër i vogël i tyre, është në listën e e marrjes së këtij statusi.

Pra, kontributi gjinisë femërore në Deçan, është aq i madh sa që nuk kanë nevojë të presin lëmosh apo plotësim kuote, por ti marrin meritat dhe pozicionet e duhura në shoqëri.