Familja Thaçi: Investuam në shkollë, ngase arsimi është themeli i shoqërisë

Familja Thaçi nga Lluka e Epërme e Deçanit, investon në rregullimin e infrastrukturës në Shkollën fillore “Kuvendi i Verrave të Llukës”, e të njëjtit fshat

Familja Thaçi: Investuam në shkollë, ngase arsimi është themeli i shoqërisë

Adem Lushaj

Duke parë gjendjen fizikë të shkollës së fshatit, si dhe pa mundësitë buxhetore të Komunës, vendosëm që kësaj radhe të investojmë në rregullimin e këtij objekti shkollor, ashtu që nxënësit të kenë kushte më të mira për mësim. Kështu na tregon Isuf Thaçi nga Lluka e Epërme e Deçanit, familja e të cilit njihet për aktivitetet humanitare, edhe jashtë Deçanit. “Ishim së bashku me vëllain, Skënderin dhe kushëririn, Mustafën, për vizitë në shkollën e fshatit tonë, gjë që ishim dëshpëruar me kushtet në të cilat mësonin nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkollë”, ka deklaruar Thaçi, për të cilin humaniteti më i madh do të ishte, rregullimi i dyerve, dritareve dhe molerimi i jashtëm dhe i brendshëm i objektit ku mësonin nxënësit e fshatit Llukë. Gjithnjë sipas tije investimet në infrastrukturën shkollore janë ndër investimet më të rëndësishme që i behën një shoqërie, ngase arsimi konsiderohet si themel i një shoqërie të zhvilluar dhe demokratike. “ Sapo kam kontaktuar edhe më vëllezërit tjerë, u dakorduam që përkrahja e planifikuar për ketë vit të jetë për riparimin e shkollës që mban emrin Verrat e Llukës, ashtu që nxënësit dhe stafi punues të kenë kushte më të favorshme për mësimdhënie dhe mësimnxënie”, ka nënvizuar kryefamiljari Isuf Thaçi duke shprehur mirënjohje për të gjithë bashkëvendësit e tij qe nuk kursejnë një në mënyre apo tjetrën të bëjnë për fshatin e tyre.  Ai, për shkak të modestisë nuk ka dashur të cekë shumën e investuar në ndërrimin e të gjitha dyerve, dritareve dhe lyerjes se brendshme dhe të jashtme, stufave për nxehje dhe punëve të tjera, pasi që për të “me të rëndësishëm janë kushtet në të cilat do mësojnë nxënësit dhe mësimdhënësit, se disa dhjetëra mijëra euro të investuara nga familja e tij”. Përkundër këtyre investimeve të bëra, familja Thaçi premton se nuk do të ndalet vetëm me këto, pasi që në vitin e ardhshëm, do të pajisë ketë shkollë me banka dhe karrige, nëse një gjë të tillë,  nuk do ta bën qeveria komunale apo ajo qendrore.

Për kontributin humanitar të familjes Thaçi flasin edhe mësimdhënësit e shkollës fillore “ Verrat e Llukës“ dhe zyrtaret komunal të arsimit deçanas. Bahri Molliqaj, ushtrues i detyrës së drejtorit të shkollës, pasi është shprehur mirënjohës për kontributin e familjes Thaçi, për investimet e bëra në shkollën e tij, ka thënë se kushtet për punë dhe mësim janë më të mira, edhe pse nevojat janë të shumta, ngase buxheti i shkollës, nuk ua plotëson as më elementaret. “ Nevojat për kushte janë të shumta, deri edhe ato më elementaret, siç janë bankat dhe karriget”, është shprehur Molliqaj dukë thënë së fale përkrahjes së marr nga familja Thaçi, tashmë kushtet për punë janë dukshme me të mira. Gjithnjë sipas tij, mungesa e një objekti përcjellës për vendosjen e druve për ngrohje, por edhe të gjësendeve të tjera, po sjell telashe, ngase janë të detyruar ti vendosin brenda objektit mësimor apo zgjidhje alternative, duke i mbuluar me lëndë plastike. Por, shqetësuese për nxënësit dhe stafin punues të kësaj shkolle, janë mbeturinat e shumta të hedhura në afërsi nga qytetar të pa përgjegjshëm, gjë që rrezikojnë edhe shëndetin e fëmijëve.

Ndërsa, drejtori në detyrë i arsimit në Deçan, Qazim Maloku, ka pranuar se mundësitë buxhetore të komunës për investime në këtë shkollë, ishin të kufizuara, ndaj edhe kushtet e punës nuk janë në nivelin e duhur. “Jemi të  vetëdijshëm për kushtet në të cilat punojnë disa shkolla, ndër to, edhe kjo në Llukë”, ka nënvizuar Maloku, i cili mbështet angazhimin e menaxhmentit të shkollave, por edhe të mësimdhënësve dhe nxënësve, për të arriturat në mësimnxënie dhe mësimdhënie. “Gjesti i familjes Thaçi, e cila ka bërë investime të mëdha në objektin e shkollës “Kuvendi i Verrave të Llukës”, është për çdo respekt, ngase janë plotësuar disa nga kushtet më elementare për mësim”, ka thënë drejtori i Drejtorisë komunale për arsim, i cili ka shprehur falënderim të veçante për familjen Thaçi, sikurse edhe për gjithë ata, që kanë ndihmuar arsimin në Deçan.