Familja Meçe nga Vlora, harmonia dhe suksesi i tyre në Zvicër

Gazmendi me familjeNjë tentativë e pasuksesshme për të dalur në Greqi. Të riun vlonjat e kthyen nga kufiri me shumë shqiptarë të tjerë të cilët kërkonin një fije mundësie të fitimit në shtetin fqinj e disa të tjerë shpresonin të kalonin në Evropën Perëndimore për të fituar e mbajtur familjen në atdhe.

Por Gazmend Meçe nuk është prej atyre që ngrenë dorë nga qëllimi, për më tepër se donte me punë e me djersë do të mund të përparonte më së miri në një vend me demokraci të kahershme. Donte të siguroj mundësi për jetë më të begatshme. Më 1992, pra ca muaj pas tentativës së parë, ai arriti të kaloj në Itali me një anije të vjetër peshkimi ku i bëri si që thotë vet « njëqind ditët e para të gyrbetit ». Nga aty kaloi në Zvicër ku jeton edhe sot me bashkëshorten Rudinën dhe dy fëmijët, Ewenin dhe Emilien.

Në Zvicër arriti nga mezi i vitit 1992 ku takoi shumë shqiptarë nga të gjitha trojet me përjashtim të Shqipërisë, pasi që thjesht ata mungonin në rrafshnaltën e bukur me emrin Jura. Këtu Gazmendi gjet punë në ndërtimtari dhe brenda një kohe shum të shkurtër u aftësua për vinç dhe punoi për disa vjet rresht e kur kjo firmë mbylli dyert e veta, ai u inkuadrua në uzinën e shkrirjes dhe përpunimit të metalit « Swismetal » që është e njohur në tërë botën ku punoi për disa vite rresht si mekanicien-makinist.

Viti i dytë i qëndrimit në Zvicër qe më i ndërlikuari për këtë të ri. Sidoqoftë ai diti më së miri të dal nga kriza që pat kapluar shumë njerëz dhe bashkatdhetarë. Ai tregoi forcë të jashtëzakonshme dhe njëherë e përgjithmonë i tha lamtumirë ëndrrave të pafrytshme, iu kthye realitetit, dhe nga këtu, fillon ngritja dhe përparimi i tij i hovshëm.

Në të vërtetë, Gazmendi edhe gjatë këtyre muajve të ç‘orientimit ruajti dinjitetin dhe bujarinë cilësore që e bënte shumë të dashur dhe të respektuar nga bashkëkombësit dhe nga vendasit. Atë kurrë nuk e ka dëgjuar njeri të shaj apo të ankohet nga dikush për padrejtësi apo ndonjë dredhi. Me këtë mënyrë sjelljeje të panjollë, ai arriti të përparoj në mes tjerash, në plan profesional që natyrisht ia riti të ardhurat mujore…

Tani Gazmendi vendosi të krijoj familje. Ai njihte që më parë Rudinën dhe që të dytë, vendosën të kalojnë nëpër traditën e bukur shqiptare të fejesës, që do të thotë se familjet e tyre respektive bënë, si që thuhet në shumë troje tona, ndërrimin e unazës apo ndërruan nishan. Më vitin 2002 ata u martuan dhe Rudina e bukur si rreze, iu bashkua të zgjedhurit të saj në Zvicër. Tani them se njeriun e mirë e ndjekin mirësitë. Bashkëshortët e dashuruar iu rrekën me gjallëri punës. Rudina u angazhua në uzinën e orëve luksoze « Rolex » në qytetin e afërt të Biel – Bienne-it si asambliste e orëve dhe aty punoi gjer para disa muajsh. Në ndërkohë lindën fëmijët Ewen-i dhe Emilie që duket të kenë trashëguar buzëqeshjen e mëmës dhe shikimin e babait të tyre. Nga biseda me Gazmendin, nuk mund ta kaloj shkrimin pa i shënuar fjalët e tij plotë dashuri për bashkëshorten, fjalë të cilat janë vet përbërja e jetës së tij:

Familja Meçe në terraco para shtëpisë

« Unë çdo mëngjez e zgjoj gruan time me ledhatime që t’ia nis me lumturi ditës së re. Asnjëherë nuk i flas për gjëra që mund t’ia trazojnë shpirtin e ajo ma kthen me dashuri të pafund. E them gjithnjë: Rudi, Ewen, Emilie, ju jeni jeta ime ». Duket nga kjo se sa Gazmendi e donë familjen e vet dhe andaj, harmonia është shembullore e ku ka harmoni ka lumturi.

Dua patjetër të cek se fëmijët e flasin një shqipe me të vërtetë të bukur, duket më tepër duke falënderuar ndoshta mëmën e cila nuk do të toleronte asnjëherë që gjyshër e nipër e mbesa të mos munden një ditë të kuptojnë njëri tjetrin. Për bashkëshortët Meçe, në pikë të parë është gjuha e nënës e mandej ajo e vendit të adaptimit të cilën gjithë familja e flet poashtu pas asnjë vështirësi. Një mirësjellje të lartë familjare me tradita vlonjate i zbukuron akoma më tepër Emilien dhe Ewenin. Përshëndetjet e tyre me miqtë në shtëpi apo jashtë saj, lënë përshtypjen se jeni duke folur me kryefamiljarë të odave shqiptare…

Ky gërshetim dashurish dhe respekti reciprok si dhe puna me fëmijët, natyrisht se sjell lumturi dhe plotëson dëshirat tjera që shkojnë paralel me jetën. Rudina dhe Gazmendi janë të parët shqiptarë të këtij regjioni që ndërtuan shtëpinë – vilë në Reconvilier, fshat ky, ca 50km nga kryeqyteti zviceran.

Bashkëshortët, meritojnë edhe një admirim më tepër. Ata ju kanë mundësuar prindërve shpesh të kalojnë pushime këtu dhe me këtë rast autori i këtyre rreshtave njohu prindërit e Rudinës, Zonjën dhe Zotëri Liço si dhe vëllain e madh të Gazmendit.

Para se të përfundoj, them se rrallë hasim persona apo familje nga të cilët nuk mund të dëgjoni asnjë ankesë a padi për ndonjë mossukses ose ndonjë pengesë tjetër në jetë.  Kjo veti shumë e lartë e kësaj familje vlonjate më shtyri të përgatis këtë shkrim se edhe shumë bashkatdhetarë më kanë sugjeruar të shkruaj për Gazmendin dhe familjen e tij bujare. Mandej këtu është edhe fakti se bashkëshortët Meçe u treguan edhe afaristë të aftë; sikur thashë më lart, që të dy u larguan nga profesionet e tyre dhe morën në eksploatim një hotel në regjionin piktoresk ku edhe kanë shtëpinë e tyre. Hoteli i quajtur “Central”, me disa dhoma, me restorant dhe terraco të bukur verore, premton shumë, sidomos kur kihet parasysh mikpritja, mirësjellja dhe shërbimi shembullor i mysafirëve që ofrojnë pronarët e ri dhe ekipi i tyre.

Me këtë, regjionit në fjalë, iu shtua edhe një pronar-afarist shqiptar.

Suksese familjes Meçe nga Vlora e ynë e bukur.