Faik Konica në pendën e Nolit

Nga Fan Noli

F. Konica“… E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja një mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare. Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave.

Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.

Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën.

Veshja e Konicës nuk ishte e vetmja gjë që më habiti. Thjesht mbeta pa mend, kur ai nisi të më “mësonte” për çdo gjë në botë. Ishte njeri me kulturë të lartë. Gijom Apoliner, një shkrimtar dhe mik i tij, e ka quajtur “enciklopedi shëtitëse” që e fliste frëngjishten si një francez. Një shkrimtar tjetër, Zhyl lë Metrë, ka shkruar për të: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”.

Si studiues i pasionuar i muzikës, Konica e adhuronte shumë Vagnerin. Një nga gjërat e para që bëri ai pasi u takuam, ishte të më tregonte për Vagnerin dhe operat e tij. Me këshillën e tij e pashë përherë të parë Parisfalin, kur u dha më 1910 në Boston. Në varrimin e tij, tridhjetë vjet më vonë, duke e ditur se sa shumë e donte Vagnerin, iu luta organistit të luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në fund.

Ka disa fakte që mungojnë në librin e papërfunduar të Konicës, fakte për Shqipërinë, që i kam mësuar prej tij.

Për shembull, Konica flet për krenarinë e malësorëve shqiptarë. Zonja Durham e pranon këtë në librin e saj “Brenga e Ballkanit”. Kur përshkruan shpërndarjen e ndihmave në Maqedoni gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, ajo na tregon se si gratë fshatare e rrethonin ditë e natë, duke i kërkuar ushqime dhe rroba. Ata vendoseshin rrotull shtëpisë ku banonte ajo dhe nuk largoheshin derisa të merrnin diçka. Edhe kur u shpjegoi se nuk kishte më asgjë për t’u dhënë, ato nuk shkuleshin. Kur zonja Durham vajti në Shqipëri, priste që t’i ndodhte njësoj. Për habinë e saj, askush nuk iu afrua për t’i kërkuar ndihmë.

Konica përmend edhe faktin se zonja Durham ka qenë një adhuruese e madhe e amvisës shqiptare. Ajo mendonte se vetëm amvisa holandeze mund të krahasohej me të për pastërtinë. Zonja Durham kishte të drejtë. Mjafton të shkosh për vizitë në shtëpitë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe mund ta shohësh dallimin ndërmjet amvisës shqiptare dhe shumë prej fqinjëve të saj që nuk janë shqiptare.

Një gjë që e ka lënë jashtë Konica është fakti që fqinjët ballkanas e italianë kanë shpifur se shqiptarët janë të egër e të pamëshirshëm. Zonja Durham na thotë se kjo nuk është e vërtetë. Ajo kishte parë fshatarët siçilianë se si i rrihnin pa mëshirë kuajt dhe gomerët, por kurrë nuk kishte qenë dëshmitare se si një shqiptar rrihte një kafshë. Unë e kam vënë re edhe vetë kur kam udhëtuar me kalë në Shqipëri. Sa herë vinim te ndonjë copë rrugë e vështirë, ishim të detyruar të zbrisnim dhe kafsharët gjithnjë përdornin fjalët përkëdhelëse për t’u dhënë zemër kafshëve, si për shembull: “Hajde, vëlla. Ec, or bir; Nuk është dhe kaq e vështirë. Do ta kalojmë”.

Një shpifje tjetër e përhapur nga fqinjët tanë, është se shqiptarët qenkan njerëz që nuk u shtrohen ligjeve. E vërteta është krejt e kundërt. Ata u shumë më tepër se gjithë fqinjët e tyre. Statistikat e rajoneve të policisë në qytetet amerikane ku ka shqiptarë, dëshmojnë qartë se ata janë nga grupet më të mira ndër të gjithë të ardhurit e huaj. Përvoja ime e gjatë më ka vërtetuar se shqiptarët u binden ligjeve në Shqipëri po ashtu siç u binden në Shtetet e Bashkuara. E keqja është se, kur fqinjët e Shqipërisë përpiqen të shkelin tërësinë e saj tokësore, atëherë shqiptarët “e paligj” ngrenë krye.

Kur përshkruan pamjet e bukura të Shqipërisë, Konica përmend shumë turistë të huaj që e kanë admiruar këtë vend. Një emër, që megjithatë mungon, është ai i prozatorit, dramaturgut dhe kritikut muzikor francez, Roman Rolanit, i cili në njërin nga librat e vet flet për “kodrat e bukura të valëzuara të Shqipërisë”. Unë për vete i kam soditur nga maja e malit Tomor dhe nga kështjella e Krujës, kryeqyteti i vjetër i Skënderbeut. Nuk kam parë gjithë jetën time gjë më të bukur.

Mjaft shtesa mund t’i bëhen kapitullit të Konicës për vetitë luftarake të shqiptarëve. Për shembull, kalorësit shqiptarë u bënë proverbialë në gjithë Europën pas vdekjes së Skënderbeut. Gjithë mbretërit dhe sundimtarët e Italisë, Francës, Britanisë së Madhe kanë marrë kalorës të lehtë shqiptarë për ushtritë e tyre. Konica më ka thënë një herë se në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur francezët kërkonin të lavdëronin një kalorës, shpreheshin: “E nget kalin si një shqiptar”.

Kemi disa dokumente italiane, që flasin për kalorësinë shqiptare dhe që na shpjegojnë se si Skënderbeu e shpëtoi mbretin Ferdinand të Napolit me kalorësinë e vet të lehtë. Sipas dëshmisë së historianëve bashkëkohës, Ferdinandi e kishte humbur davanë kur e braktisën banorët feudalë dhe u bashkuan me Rene Anzhuanë, që ishte rivali i tij francez dhe që pretendonte fronin e Napolit.

Dihet mirë se ushtritë mercenare të Rilindjes asnjëherë nuk bënë ndonjë betejë të vërtetë. Ata kujdeseshin jo për lavdinë ushtarake, por për pagat. Zakonisht krijohej një komitet i përbashkët i të dy ushtrive rivale dhe vendoste kush do të shpërblehej me fitoren. Për shembull, kur njëra nga ushtritë kundërshtare kishte epërsi të padyshimtë si numër, asaj i jepej fitorja pa e zgjatur shumë. Kur ushtritë ishin të barabarta nga numri dhe komiteti nuk mund të merrte vesh se cila palë mund të fitonte, atëherë kurdisej një betejë e shtirë, në të cilën nuk dëmtohej ose nuk vritej askush, me përjashtim të ndonjë aksidenti. Por kjo manovër shërbente për të ndihmuar komitetin e përbashkët që të merrte një vendim.

Diçka e ngjashme ndodhi kur Skënderbeu zbriti në Itali me kalorësinë e vet të lehtë. Komandanti i ushtrisë kundërshtare konti Piçinino dhe Skënderbeu rregulluan një betejë të tillë të shtirë për të parë se cila nga të dy ushtritë do të kishte më shumë shanse për të marrë fitoren. Dy reparte të zgjedhura nga ushtria shqiptare dhe italiane bënë një paraqitje të kalorësisë dhe të aftësisë luftarake. Shqiptarët e fituan ndeshjen dhe kështu u mbyll gjithë kjo histori. Italianët asnjëherë më nuk e kundërshtuan epërsinë e kalorësisë shqiptare. Natyrisht, me turret ishte një punë krejt tjetër. Atëherë Skënderbeut i duhej të bënte beteja reale dhe të arrinte fitore reale. Turqve nuk u bënte përshtypje asnjë paradë.

Skënderbeu ka qenë, padyshim, një gjeneral i madh dhe ai meriton nderime të mëdha për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve. Por ne nuk duhet të harrojmë se edhe ushtarët e tij meritojnë pjesën e tyre të nderit. Kryengritja shqiptare e viteve 1910 – 1912 kundër turqve tregoi se luftëtarët e çetave shqiptare ende e ruanin trimërinë dhe forcën e gjallë që kishin dëshmuar në kohët e vjetra në Skënderbeun. Vetëm për vetëm ata i mundën turqit, marshuan në Selanik dhe e detyruan qeverinë turke t’u jepte autonominë. Pas disa muajsh iu desh gjithë kombeve të Ballkanit që të bashkoheshin për t’i mundur po ata turq. Më 1920 atje u përsërit po ajo histori e përjetshme. Shqipërinë e kërcënonte copëtimi. Italia kishte pushtuar Vlorën dhe prapatokën e saj deri në Gjirokastër. Fqinjët e tjerë kërkonin copat e tyre sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915. Vetëm një zë u ngrit për të kundërshtuar, ai i president Ëilson. Por ai mjaftoi për të ngritur kombin. Malësorët shqiptarë të bregdetit jugor qenë të parët që u ngritën, pastaj i ndoqën edhe të tjerët. Brenda pak muajve italianët u hodhën në det dhe u detyruan ta linin Vlorën dhe rrethin e saj. Rreth njëzetë vjet më vonë, më 1940 grekët, pothuaj shtatë herë më të shumtë si numër sesa shqiptarët, nuk mundën ta përsëritnin këte marifet, ndonëse kishin mbështetjen e flotës angleze dhe të forcave ajrore angleze, që i penguan italianët të sillnin përforcime.

Tani disa fjalë për vendin e Konicës në historinë e Shqipërisë së sotme. Si mysliman dhe si përkrahës i një familjeje të vjetër aristokratësh nga Shqipëria e jugut, Konica kishte të gjitha mundësitë që të fitonte poste të larta në Perandorinë Turke, ku Shqipëria bënte pjesë, që pas vdekjes së Skënderbeut. Në të vërtetë, shumë shqiptarë të tjerë gjatë shekujve ishin ngjitur në postet më të larta të Perandorisë Turke. Për shembull, kur Konica ishte i ri, Vezir i madh ose kryeministri i Perandorisë Turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora.

Por kjo karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë e Shqipërisë. Nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqiptare, që dolën jashtë: “Albania” dhe “Drita” përkatësisht.

Gjatë sundimit turk shqiptarët kishin harruar gjithçka për lavdinë e tyre të kaluar nën Skënderbeun. Konica ka qenë njeriu që e rizbuloi dhe e popullarizoi Skënderbeun e flamurin e tij, shqipen e zezë dy krenare në një fushë të kuqe. Ky flamur u bë simbol i pavarësisë kombëtare dhe më në fund u ngrit në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Konica është quajtur si krijuesi i prozës moderne shqipe. Kur unë vendosa të bashkohesha me kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, e para gjë që më bëri përshtypje ishte mungesa e plotë e veprave letrare shqipe me vlera artistike. Por kur vajta në Egjipt më 1903, një atdhetar shqiptar, Spiro Dineja, më dha vëllimet e revistës “Albania” nga viti 1897 deri më 1903. I lexova të gjitha nga faqja e parë deri tek e fundit dhe atëherë e mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe. Për më tepër, Konica zbuloi dhe popullarizoi shqiptarë të veprimtarisë letrare si Kristofordhi, Mitkoja, Fishta dhe Zako Çajupi. Me këshillën dhe udhëzimet e tij unë përktheva disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poeja dhe Don Kishotin e Servantesit. Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve.”