ETËR DHE BIJ

VII

ETËR DHE BIJ

Lasgush Poradeci për babain e tij

Lasgushi s’do ta arrinte këtë kurrë po të mos kish një baba aq mësimdashës. Teneqexhi ishte, po shkollën e kishte për zemër. Në fillim më çoi në Manastir dhe, si mbarova atje semimaturën, u ktheva në Poradec. E kuptonte që mendjen e kisha te shkolla. Unë i dhimbsesha. E ç’të bënte murgu? Veç meje kishte dhe Vanxhelin. Mund të mbajë dhe një fëmijë tjetër në shkollë, duke rrahur teneqe? Po atij i thoshin Sotir Shqiptari.

Kur isha unë fëmijë, në shtëpinë tonë bënim një jetë të thjeshtë familjare, patriarkale. Kështu, ishte jeta atëherë. Kjo jetë u prish në kohën e Luftës së Parë Botërore dhe nuk u ndreq më. Ne ishim tetë fëmijë; katër vëllezër: Vançi (Jovani), Vangjeli, unë (Lazari) dhe Pandeliu. Katër motra: Zografina, Naumka, Aspasia dhe Maria. Pra tetë. Nëna, nëntë. Babai dhjetë. Dhe këta dhjetë shpirt i mbante babai.

Babai kishte dyqan në Poradec. Dyqanin e kishte nja tre minuta rrugë larg shtëpisë. Dyqani ishte me tri të ndara: Njëra ishte depo, tjetra ishte dyqani vetëm dhe një si dhomë ngjitur me dyqanin e kishte që të priste miqtë e dashur. Atje nuk hynte kushdo. Babai ngrihej që pa gdhirë. Nëna ngrihej edhe më përpara. Kur ngrihej babai, nëna e kishte ndezur zjarrin në vatër dhe i kishte vënë kafenë. Babai pinte kafenë dhe shkonte në dyqan.

Ç’nuk mbante babai në dyqan!

Kusi e perusti, mashë e kaci, saç e jastagaç, qereste, hekurishte, pëlhurë, basmë. Të tëra i gjeje atje! Edhe syze mbante. Vije ti i provoje. Po të shikoje mirë, i merrje. Jo? – i lije. Babai mbante me vete gjithnjë kobure, revole. Kur vinte në shtëpi dhe binte të flinte, revolen e mbante atje, pranë jastëkut.

Të mos harrojmë se flasim për kohën kur ishin dy duar për një kokë, dhe kjo kokë kishte një revole në jastëk dhe një pushkë të varur në musandër, prapa derës.

Babai im punonte për Shqipërinë…Babai ka pasur një dashuri të jashtëzakonshme për shkollën. Nuk e lëvdoj sa e kam baba, po them kështu se kështu ka qenë.

Ramiz Kelmendi për babain e tij

Besoj të mos kem qenë asokohe më i madh se, shumë-shumë, 12-13 vjeç. I ndihmoja babait tim, të cilin e gjithë Peja e njihte jo si Jakup Kelmendi, pak-kush si Jakup Brahimi, (Ibrahimi ishte gjyshi im), por kryesisht dhe pothuajse vetëm si Jakup Rugovci. Këtë emër mbajti qëkur u “zhdjerg” nga Drelajt e Rugovës dhe, fillimisht punoi – si hamall (kujto njërin nga tregimet e mia të para – “Sadik Hamalli”!). Punoi një kohë si punëtor krahu, më vonë mbajti një “samar”, me të cilin barte thasët (kujto tregimin tim tjetër – “Rrrëfimi i njeriut me samar”!). Me kohë u “avancua”: bëri një karrocëz me dy rrotë, që e ngarkonte mirë e mirë dhe e tërhiqte. Kulmin e “karrierës” si hamall babai im e arriti kur u bë – “dikush”. Demek, jo hamall krahu, as njeri me samar, as hamall me karrocë dyrrotëshe, por bleu një qerre dhe me të dhe një kalë.

Pos bartjeve të tjera, të rëndomta, të përditshme, Jakup Rugovci, së fundi, gjeti një rugovase të re, Zake Zhuji, të motrën e vëllezërve -dajove të mi-Arif e Shaqir Zhujit, të katundit Haxhaj, dhe u martua me të. Me gjallje të vet, prindërit e mi u bënë-përkundër fukarallakëkut! – jo më pak se me 8 (edhe me shkronja: t e t ë!) fëmijë. gjashtë djem e dy vajza.

Ngritja e tij në “karrierë”, me kohë, u shpërblye me një kontratë që lidhi me Postën e Pejës për të bartur postën, thasët dhe pakot, nga Stacioni i trenit e deri në “Zallë” dhe mbrapa. Punoi e jetoi, më shumë punoi se jetoi, dhe – në një shenjë kohe – e hapi një dyqan të vogël, aty përballë Kasapëve, Furrës së bukës dhe “Pazarit të Vogël” të drithit. Shiste kripë, shqer, gaz, vaj, pezhgëve, sapuna, pasqyra, filxhana, gastare e cikërrima tjera si çdo bakllahane tjetër. Nga hamall, u bë bakall. E dyqani – bakllahane.

Me kohë, duke mos pushuar pothuajse kurrë, mori disa herë rrugën për Shqipëri dhe s’andejmi nisi të sjellë edhe beze, basma, shamia, çorapë dhe gjepura të tjera kësodore.

Pazarin më të madh e bënte Jakup Rugovci ditëve të mërkura, kur Peja kishte t’ashtuquajturin “Pazar të Vogël”. Pa ama tamam “pazar” e “pazarllëk” ai kishte ditët e shtuna, kur bëhej në Pejë – Pazari i Madh. Unë ia mbaja – “kacën”, kështu i thoshte babai arkës me para, që gjendej në krye të “tezgjahut”.

Shtëpinë e kishim “Te Vozi”, ngat “Namazxhahut”. Nga dyqani e deri në shtëpi më qëllonte ta rrahja atë rrugë pale sa e sa herë në ditë. Nga dyqani në “Pazarin e Vogël”, e s’andejmi, nëpër “Okol”, buzë lumit dhe përskaj “Mazxhahit” – në shtëpi.

…Pse po ju tregoj këtë? Sepse, po të mos kish zbritur babai im në Pejë, unë sot do të isha një bari, çoban, në ato bjeshkë duke ruajtur delet e lopët nëpër kodra e shpatije të Drelajve të Rugovës.

Për pandehmën demokleiane

Do të realizohej pandehma demokleiane: kish shumë të ngjarë se do t’i ngjaja tim et, Jakup Rugovcit, të bëhesha edhe unë një – hamall. Si ai dikur. Dhe, do ti, kur humba çdo shpresë, mora vesh se në Prishtinë, në dalje të qytetit, qenkërka hapur një shkollë e mesme, ku nuk u kërkuaka fare “Karakteristika” monstër. Me dy të veçanta, secila më e keqe dhe më e palakuar meje. Shkolla: bujqësore. Mësimi: serbisht!

Trokita, edhe pse pa dëshirë, dhe – më pranuan…

Profesor Hasan Mekuli për babain si personazh letrar

Ndërkaq, qysh në tregimin N j e r i u  me  s a m a r (“Jeta e re”, 1955) Kelmendi dëshmon talentin e tij të jashtëzakonshëm të tregimtarit dhe observatorit social, prirjen për portretizimin psikologjik dhe për një kredhje më të thellë jokonvencionale në psikën e njeriut. Heroi i tij në këtë prozë, Sadik Hamalli është personazh autentik dhe origjinal artistik i prozës në gjuhën shqipe, i jashtëzakonshëm si personifikim i një ideje të caktuar dhe shembull uniteti dhe flijimi të njerëzve tanë në luftë kundër okupatorit. “Ka llojlloj vdekjesh”, thotë Sadiku. Sepse, vërtet, dikush vdes në shtrat, dikush në beteja të rrepta, e dikush prapë, në ndonjë mënyrë tjetër. Sadik Hamalli vdiq në mënyrë të vet të posaçme dhe, duke u rrëfyer “pas vdekjes” shpjegon shkakun dhe filozofinë e vdekjes së vet. E tërë jeta e tij e vogël është, në fakt -vetëm një histori e dhembshme, e përmbushur me pikëllim, me hidhërim të jetës dhe punës së rëndë, me përbuzje dhe jetë sa të gjallojë, sot për nesër. Në Luftën e Parë Botërore ai humbi prindët.  Dikush e mori dhe e rriti si jetim. E pastaj, që nga mosha dymbëdhjetëvjeçare, nisi të punojë, madje edhe punët më të rënda, duke jetuar pa kulm mbi kokë, pa plang e pa shtëpi, hamall dhe lumpenproleter. Tashti ka shkelur të dyzetat, por duket sikur është mëse gjashtëdhjetëvjeçar. Rrëfimi i tij, është pra, një rrëfim “njeriu me samar”, i cili vdiste shumë gjatë e jetoi fare pak. Duke e treguar shkakun pse e vrasin gjermanët, ai rrëfen të vërtetën mbi këtë vdekje të vet të gjatë, mbi fatin e hidhur dhe tragjik të njeriut, mbi eksploatimin, vuajtjet dhe mjerimin, si dhe mbi të drejtën e natyrshme të pa tjetërsuar të njeriut, Sadikut dhe hamajve tjerë si ai e të të varfërve, që në luftë për liri, jo vetëm kundër okupatorit, të japin gjithë ç’kanë dhe që munden. Sadik Hamalli pati vetëm jetën e tij lakuriqe. Dhe – e flijoi, jo rastësisht, madje qëllimisht, pa rezervë. Aq më i gatshëm, sepse me sa duket nisi të kuptojë disa nga caqet, ndjeu një pjesë të vërtetës së madhe se vendi i tij është ngritur i tëri në këmbë, se është ngritur i madh e i vogël. Sadiku, më pastaj, e kuptoi në mënyrë të vet specifike kush dhe pse i rrjep lëkurën, si dhe kush do t’i zgjasë dorën dhe do t’i ndihmojë në luftë kundër fajdexhinjve të ndryshëm, tregtarëve dhe pasanikëve. Mirëpo, në çastin e caktuar, për të ka më shumë rëndësi vetëdija se gjermanët, si okupatorë dhe dhunues, po i vrasin vëllezërit e tij, njerëzit e pafajshëm dhe skamnorët, se këtë e bëjnë me gjakftohtësi dhe pa shumë arsye; se pikërisht ata kanë mbjellë vdekjen dhe mjerimin, dhe se tashmë nuk ka dilema mbi atë se edhe ai, Sadiku, një hamall i varfër dhe i dërmuar nga jeta e vështirë, e ka për borxh të japë kontributin e vet, pikën e vet të gjakut njerëzor dhe liridashës, kundër vdekjes dhe së keqes. Gjermanët, natyrisht, sipas shprehisë dhe zakonit të tyre gjakpirës, pa hetime e gjykim, e vrasin, pasi zbulojnë plot habi, se si edhe një hamall i tillë i shkretë, ka vjedhur, shenjimisht ka rrëmbyer prej tyre municion dhe armë. Sadiku është krenar. Vdes pothuaj gjakftohtë, duke urryer vdekjen. Sepse ai pikërisht tashti, në vdekjen që ka kuptim, pandan jetës që ka qenë vdekje e pakutim, përjeton një rreze lumturie të vet, një çast kënaqësie pse ka jetuar dhe ka mundur të vdes pikërisht ashtu si ka vdekur. Sepse, urrejtja kundër okupatorit, ndjenja e dobishmërisë dhe e njëfarë barabarësie për kontributin dhënë luftës e bëjnë sinqerisht njeri të lumtur, një thërrime të lëvizjes dhe rezistencës kryengritëse.

Ky tregim i shkurtër është, pa dyshim, një nga realizimet më të bukura të këtij shkrimtari në atë periudhë dhe një nga tregimet më karakteristike jokonvencionale me temën e luftës dhe të rezistencës kundër okuptaorit në gjuhën shqipe, një rrëfim interesant edhe si rrëfim i njeriut nga “shtresat e ulta” dhe si portret psikologjik i njërit nga shumë të ashtuquajtur “heronj të panjohur” në luftën kundër së keqes dhe, njëherit, si tregim ku është realizuar me sukses Sadiku si personifikim dhe si figurë e jashtëzakonshme që simbolizon turmën e të shtypurve dhe të varfërve nga odisea jonë e jetesës dhe e përjetimit tonë aq të shpeshtë të ferrit.

Shkrimtari Reshat Sahitaj për babain dhe të birin

Tani në moshën 77-të vjeçare, Ramiz Kelmendi ndjen një krenari për rrugëtimin e tij krijues. Në moshë të thyer Ramiz Kelmendit do t’i kujtohen ditët e vështira të fëmijërisë dhe shkollimi i tij me njëqind vuajtje. Për çdo gjë që kishte vepruar dhe përjetuar gjatë jetës, Ramiz Kelmendi është ballëhapur, por në thellësinë e shpirtit të tij e ka vetëm një zbrazëtirë, në thellësinë e zemrës e mbanë një peshë që e rëndon. Edhe ne terrin e natës kur tjerët bëjnë gjumë të rehatshëm, Ramiz Kelmendi e ka një dëshirë që kurrë nuk arriti ta plotësojë. Ah, vetëm edhe kjo dëshirë të ishte plotësuar dhe Ramiz Kelmendi do ta ndjente vetën njeriun më të lumtur në botë. Dhe, një ditë, më i mërzitur se kurrë, Ramiz Kelmendi pa i treguar askujt do të dali për të ecur i vetmuar. Në vetmi mund të fliste me veten e me tjerët. Ne vetmi mund të komunikonte mbase edhe me shpirtëra të vdekur. Ne ecje e sipër rruga e shpuri në varreza. Nuk e dinte nëse rastësisht u gjend para varrit të babait apo qëllimisht ishte nisur për të komunikuar me prindin që tani bënte gjumin e amshuar. U ndal. U gjunjëzua. I rrodhën dy pika loti Ledhatoi barin mabi varrin dhe ndjeu sikur para tij iu paraqit vetë babai. “Ah,babë! Sa do dëshiroja që të ishe i gjallë e të shihje suksesin e birit tënd.  Babë, unë jam Ramizi që dikur merakoseshe për fatin tim e tani shiko se ku kam arritur. Jo vetëm qe e kam kryer fakultetin por edhe e kam krijuar fakultetin tim”. U ngrit dhe sikur fytyrës ndjeu një përkëdhelje të lehtë. Ishte përkëdhelje e dorës së shpirtit të babait apo ndoshta vetëm një përkëdhelje e erës së lehtë, që përshkoi fusha e bjeshkë, këtë Ramiz Kelmendi kurrë nuk do ta dinte. U nis në drejtim të qytetit, më i lehtësuar dhe më i gëzuar, ngase kishte përshtypjen se fjalët e tij i kishte dëgjuar prindi që aq shumë kishte dëshiruar që fëmijet të kryejnë studimet.

 

VIII

KRONIKË NË GURRË

Jakup Brahimi e Zake Zhuji

JAKUP BRAHIMI

Nëpër vijat dhe vrragat e jetës, shkrimtari Ramiz Kelmendi ka shpalosur kujtimet e thadruara në mendje e në shpirt, që nga fëmijëria e tij, duke kujtuar me krenari dhe nostalgji: “Babën e dojsha ma shumë se çdo gjë në botë.”

“Kafshata e lame me gjak” dhe sfidat e pamëshirshme të një jete e cila me valët e saj premton shumë e ofron pak, siç do të thoshte Ernest Koliqi, bëhen vetvetiu pjesë përbërëse të një jete plot vuajtje e ndeshtrasha.

E në mendjen e shkrimtarit, më tej shfaqej pandehma demokleane se mos vallë fati do të ishte i njëjtë? Pandehma se a do të zbres nga bjeshka njeriu që shëmbëllente në qëndresën e tij me Anteun mitologjik, apo ardhmëria do të varet në një fije peri të hollë: A do të këputet ardhmëria apo do të buzëqeshë fati?

Sakaq, si një ogur i bardhë që di të falë vetëm e bardha e shamive të lokemadheve të Rugovës, një zë i cili sikur vinte nga thellësitë e zemrës, që dilte nga gjiri i bjeshkëve e që bëhej gjithmonë më i qartë e më i thekshëm, do t’i thërriste njeriut që nuk jepej, që nuk dorëzohej në sfidat dhe ndeshtrashat e jetës: Zbrit nga bjeshka!

Dhe Jakup Brahimi zbriti nga bjeshka për t’u ngjitur bjeshkëve dhe majave edhe më të larta që jeta vinte përpara tij: shkollimin e fëmijëve të tij.

Gjashtë djem e dy vajza.

Edhe bjeshka sikur fliste në kujtesën e saj të thellë:

Jeta do dritë.

E ardhmja do dije.

Jakup Brahimi, i cili herë si Jakup Ferri në epikën historike, e herë si Idriz Guri – që hiqte zorrët zvarrë tek Kryengritja Shqiptare e Mihal Gramenos, por që nuk e linte pa e bërë Shqipërinë me hir o me pahir, nuk i la pa i shkolluar fëmijët.

Kjo etje për dritën, kjo dashuri për dijen do të shfaqej edhe kur koha ishte e pamëshirshme, kur netët ishin të gjata e kur herë nën dritën e hënës e herë nën dritën e zbehtë të kandilit, ëndërrohej për më shumë dritë.

Ky gjakim për dritën ishte trashëgimi e brezave, gjakim ky që një ditë në penën e shkrimtarit Ramiz Kelmendi do të bënte thirrje për ta çelur shtegun e dritës, për të heshtur armët e për t’i hapur dritë librit, shkollës dhe arsimimit kombëtar.

Një ditë koha do t’i jipte të drejtë etjes për dritën.

Është thënë me të drejtë se pa Ernest Koliqin vështirë se do të kishim Universitetin e Prishtinës. Pa Jakup Brahimin nuk do të kishim kurrë Fakultetin e Gazetarisë “Faik Konica”. Prandaj edhe zemër-klithja shfaqet si një kronikë në ballin e kohës: “Babën e dojsha më shumë se çdo gjë në botë!…”

I biri ia kishte kthyer borxhin babait të tij: “Njeriut më të dashur e më të shtrenjtë në jetën time.”

Dhe se Jakup Brahimi ishte në gjendje të shiste shtëpi e katandi, vetëm e vetëm që ta shkollonte të birin, që ai të pajisej me dritë e me dituri.

ZAKE ZHUJI

Kujtesa shpaloset më tej, dhe nga kronikat e saj sërish vijat dhe vrragët në ballin e shkrimtarit:

“Nana ishte çue at mëngjes edhe para babës dhe kishte shkue te “Hanmi” në punë. E dijsha se shkon heret atje, mbasi kurr s’e gjejsha në shtëpi, në mëngjes, kur çohesha.

M’u kujtuen fjalët e nji shkrimtari të madh: “Sado të rij që të jemi, atë ditë që e shofim të vdekun nanën tonë fillon – pleqnija”. Atë ditë, pra, t’atij agu mëngjesor, të cilin e shënuen krismat e tmerrshme, nisi edhe pleqnija ime në moshën njimbëdhetëvjeçare…”

Në mënyrë të veçantë, tek ky shkrimtar dashuria për nënën lidhet pashmangshëm edhe me dashurinë e madhe ndaj gjuhës shqipe:

“Ndërkaq, sa i përket shkollimit tim, flet vetë, jo pak dhe jo vetëm për mua, shkollimi im, sepse: edhe u fillorova, edhe u shkollëmesmova, edhe u fakultetova – pa shih ironinë! – fillim e mbarim serbçe! Serbisht! Mbase mu këtu, edhe pse, them, jo vetëm këtu, unë qysh me gji të nënës rugovase dhe me të folmen rugovase të babait, të njeriut më të dashur e më të shtrenjtë në jetën time, u dashurova çmendurisht, rrënjësisht, shpirtërisht dhe moralisht, me gjuhën shqipe, dhe s’e flaka kurrë, derisa të vdes. Më përvetësoi, që të mos them më magjepsi, më i pari Migjeni. Sidomos me prozat e tij. Pastaj Nonda Bulka. Pastaj Naimi. Pastaj Lasgushi. Se më Fishta! E Mjedja. E Ernest Koliqi. E Lumo Skëndo. E Vinçenc Prenushi, vjershën e tij aq të bukur “Am’e bijë” e kam të vetmen që e di përmendësh sot e kësaj dite. E kështu me radhë…Pse, ç’shpjegim i veçantë u dashka për të dëshmuar dashurinë ndaj gjuhës amtare, ndaj gjuhës së nënës?!”

Dashurinë e tij proverbiale për gjuhën e nënës, shkrimtari e ka gjithmonë të gjallë, në mendjen dhe në zemrën e tij:

“Në atë ditë të parë të “çlirimit” nga ai okupim, kur për herë të parë zura të ndjek shkollën në gjuhën e nënës, kur për herë të parë mësova kush jam, nga vij dhe cilët janë të parët e mi, kur për herë të parë dhe me knaqësinë më të madhe mora vesh se atdheu im nuk ishte ai që na kishin mësuar gjatë shkollimit fillor, d. m. th. Jugosllavia, por Shqipëria. Se edhe unë nuk isha pa nënë e pa babë. Kisha mëmëdheun tim. Kisha Atdheun tim. Edhe historinë time. Edhe gjeografinë time. Edhe gramatikën e sintaksën time.”

Rrjedhin vitet. Moti e stina rendin në ritmin e tyre. Koha lë gjurmë e gdhend vija dhe vrragë në ballin e njerëzve tek rendin për në shtegun e dritës. Malli shuan etje. E udhëtari që ndalon për pak në rrugëtimin e tij, pi ujë nga krojet me burimet prej kristali që ka natyra e mahnitshme e Rugovës në gjirin e saj.

Shkrimtari ka gdhendur kronikat e kohës së tij. Në vijat e thella të ballit të tij, koha ka lënë kujtime të pashlyera të një jete gjithë sfida dhe ndeshtrasha. Vija dhe vrragë.

Tek ky shkrimtar shumëçka lidhet me vendlindjen, me dheun e të parëve, me fushat e bukurive të pafund dhe me bjeshkët krenare.

Dashuria për gjuhën, tek ky shkrimtar është dashuria për nënën, për atdheun, për kulturën, për djepin dhe për vatrën stërgjyshore.

Pena e tij shumë shpesh ka shkruar, ashtu siç ia ka ndier zemra e tij:

“Nëna gjithmonë dëshirohet…Nëna, gjithmonë duhet dashur. Këtë nënë, pra këtë atdhe, unë e kam dashur gjithmonë.”

Nëna.

Zake Zhuji dhe bardhësia e shamisë së Rugovës. Shpalosur si një bekim i bardhë drejt qiellit. Herë si zemër-thirrje e herë si zemër-klithje.

Zake Zhuji dhe mermeri monumental i perëndive ilire:

Shamia e bardhë shpalosur si vetë zemra e saj, përmbi Bjeshkët e Rugovës.

Një bekim epik. Pastaj një krua që rrjedh në këngë e ligjërime. Më tej: një penë e bardhë.

Zake Zhuji.

Një thjeshtësi prej shpirtit engjëllor.

Zake Zhuji.

Zemërbardhë e zemërdjegur.

Zake Zhuji dhe bekimi i shamisë së bardhë shpalosur viteve, ardhur moteve.

Marin Barleti na la kronikat për rrethimin e Shkodrës. De Rada na la kronikat për epiqendrën e frymëzimeve të tij: Makin, një fshat i bukur arbëresh. Ndoc Nikaj na la romanet e tij – kronika për Shkodrën.

Po për Pejën? Kush do të shkruante kronikat në kështjellë të kujtesës? Kalldrëmeve të kohës, cila penë do ta shkruante kronikat e një kohe me ngjarje të vrullshme, të stuhishme?

Peja që frymëzuar kishte edhe Jahja bej Dukagjinin, edhe poetin me nam Mehmet Akif Ersojin, edhe poetin patriot Emrush Miftarin (i cili vihej në kërkim të Beatriçes së tij, maleve dhe fushave të Rugovës). Peja e penës dhe Peja e pushkës. E luftës për dritë dhe e luftës për dituri. Për dije dhe për kulturë. Për artin e së bukurës dhe së madhërishmes. Peja dhe Rugova. Lahuta dhe këngët e Arif Zhujit. Pena dhe libri. E në sfond: një retrospektivë e përgjakur. Levendët e lirisë. Zhuj Selmani e Sali Ukella. Pastaj kronika e kujtimeve: “të thadruara në mendje dhe në shpirt”.

Gjithmonë në retrospektivë:

“Të mahnitshme janë kujtimet e Shqipërisë!”

Rugova: zjarri epik i saj. Ndezur herë si eshkë e herë si unor. Ndezur edhe si stralli. Gjithsesi, edhe zjarri që ra prej koncertit dramatik që luajtën kancelaritë e mjekrrave të thinjura në teatrin tragjik të diplomacisë së tyre hijerëndë, një diplomaci sa hileqare po aq dhe ziliqare.

Kronikë kohe e kronikë në gur:

“Letrat janë një burim mrekullie. Ja që gudulisin jo pak kërshërinë tonë.”

Kronikat e një pene “me talentin e vet epik”.

Kronikat që Ramiz Kelmendi na la me “penën e tij të artë”.

Pastaj mendimi i përmallshëm për Jeronim de Radën:

De Rada s’e pa atdheun kurrë me sy-por me zemër.

De Rada, me atë zemë-r-klithjen e tij të njohur:

“Përse të venë nga deti, mendimet? Zemra ime!”

Sërish De Rada: “Ka duvak, qiellin me yje!”

Edhe Rugova, ka duvak, qiellin me yje!

Në sfondin e kohës sërish shkrimtari.

Shkrimtari dhe kronikat e shkruara me shi shpirti.

Shkrimtari që e sheh atdheun, edhe me sy e edhe me zemër.

Shkrimtari që përjetësoi të vërtetat e kohës së tij.

Zake Zhuji.

Nëna dhe Atdheu.

Atdheu një emër me zemër në atentate!

Zake Zhuji.

Edhe një dëshmi se atdheu fillon tek zemra e nënës:

“Nëna gjithmonë dëshirohet…Nëna, gjithmonë duhet dashur. Këtë nënë, pra këtë atdhe, unë e kam dashur gjithmonë.”

Epika legjendare, siç thoshte Lasgushi, ka një prej vargjeve të saj më të bukura: Rënka Diell!

Në një ditë gushti, në një ditë që përcëllonte nga vapa, Rugova hapi arkat ku mbajtur ka gjithmonë thesaret e shekujve si një thesar të trashëguar brez pas brezi.

Rugova!

Rugova e valles së saj të njohur, Rugova e valles e cila shpalos forcën epike të tokës, së bashku me bardhësinë e shpirtit, Rugova e ngritur si një digë e pakalueshme përballë armiqve të pabesë, Rugova e veshur me kostumet e saj më të bukura, nxori nga arka shaminë e saj të bardhë.

Si në mitet dhe në legjendat, edhe Rugova e edhe dita, që të dyja ishin veshur njëlloj, si për të nderuar dy-vargëshin e madh lirik të poetit e të patriotit shqiptar, Pjetër Bodanit:

Veshur me Diell. Mbathur me Hënë!

Rugova, duke shpalosur të bardhën e mermerit të saj monumental, po përcillte poetin e vargut të gjakut:

Lamtumirë Poet! Të qoftë i lehtë dheu! Dhe Paqja: E Amshueshme!

Asnjë mermer nuk do të ishte më monumental. Asnjë ceremoni mortore nuk do të ishte më denjë. Asnjë komb nuk do të ndinte të nderonte më shumë, më bukur:

Një Poet!

Edhe një dëshmi se Rugova është shamibardha jote Shqipëri:

Zake Zhuji.

E bardha e lokemadheve të Rugovës shpaloset përmbi kreshtat, tek u çon mesazhe paqeje, dashurie dhe përjetësie bardhësive të pafundshme të atdheut si dhe hapësirave të pafundshme të universit.

Kronikë në gurrë.

Një krua që rrjedh e nuk shterron kurrë!

Sërish edhe një dëshmi më shumë se Rugova është Shamibardha jote Shqipëri.

Zake Zhuji.

Edhe një dëshmi se: Atdheu fillon tek Zemra e Nënës!

Shqipëria.

Zake Zhuji.

Përjetësia!

IX

NJË FAMILJE EMBLEMË NË GAZETARINË SHQIPTARE

Në historinë e përpjekjeve të parreshtura të popullit shqiptar për liri e pavarësi kombëtare, fletorarizma shqiptare zë një vend ballor. Ishin gazetat shqiptare ato që e shtruan dhe e afirmuan çështjen shqiptare në të drejtën e saj legjitime, prandaj edhe themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemal Vlora, duke e ditur rëndësinë e tillë të shtypit, pat thënë: “Më jepni një gazetë që ta shpallë Pavarësinë e Shqipërisë!”

Nuk do mend se në historinë e gazetarisë shqiptare, dy janë familjet ndër më emblamatiket, familja Qiriazi dhe familja Kelmendi.

Pyetjes së gazetarit Shaqir Foniqi: Megjithatë, ende mbani emrin e të parit të familjes gazetare Kelmendi, ikona e gazetarisë Ramiz Kelmendi, i është përgjigjur duke përmbledhur gjithë  përpjekjet familjare në fushën e gazetarisë:

“Edhe mua më duhet të mendohem. Po, jam unë veterani; Qazimi ishte vëllai im, Migjeni është djali im, Nahirja është vajzë e vëllait tim më të madh, Adriatiku është djalë i vëllait tim më të vogël, Sara dhe Tefta janë bijat e Migjenit, Lumira dhe Arbresha janë bijat e Qazimit…”

X

QAZIM KELMENDI

BABAI IM ËSHTË HEROI IM. Është motivimi im, është jeta ime…

Lumira Kelmendi, 23 gusht 2011

Nga plaga e jetës së re që hap terrin e trazuar dalin shpirtra të zjarrtë si himne që mbushin atmosferën e besimit të tyre, oshëtima e të cilëve gjëmon mjaft kohë edhe pasi të kenë shkuar këta njerëz.

Romen Rolan

Atëherë m’u kujtua Qazimi. Qazimi është vëllai im….Shfletova fjalorin dhe: Qazim. ‘Që fashit pezmin’, ‘që nuk e shpreh hidhërimin’, ‘i qetë’ ‘i matur’. Pikërisht ai…

(Ramiz Kelmendi, Shtatë persona ndjekin autorin, Kapitulli II, fq. 56)

Qazim Kelmendi ishte njeriu fisnik dhe bujar i cili mbahet mend nga ata që kanë punuar me të, për punën, përkrahjen dhe përkushtimin e tij, sepse nuk e kanë thënë kot latinët e moçëm: çka ka në emër ka në zemër!

Emisionet Pasqyra Televizive dhe mëpastaj Bujku, janë dy emisione që në të kaluarën na kanë shoqëruar shpesh dhe që kanë mbetur në mbamendjen tonë. Për aq hapësirë sa kishin aty, gazetarët e atëhershëm të Radio Televizionit të Kosovësës (TVP-ës), mëtonin që ta përçonin mesazhin e tyre dhe fjalën shqipe tek audienca televizive, ndonëse shumëçka shikohej nën thjerrëzat e mbikqyrjes së rreptë.

Një shembull krejtësisht i veçantë në punën dhe në përkushtimin e tij, në prirjen dhe në pasionin e tij, ishte ai i gazetarit shumëvjeçar të RTK-ës, Qazim Kelmendi.

Ai ishte njeriu sa finsik po aq edhe modest, sa profesional po aq edhe parimor, sa i përkushtuar në profesionin e tij, po aq edhe i nderur për punën e tij, i mbrujtur me tipare dhe virtyte për të cilat kujtohet me respekt të thellë dhe admirohet edhe sot, kurdoherë i gatshëm për të ndihmuar e edhe për të këshilluar me përvojën e tij të pasur profesionale.

Nuk është  një koincidencë pse fjala vjen, tek rastisi që në orët e një mëngjesi të hershëm, një roje që dukej sikur po përfundonte ndërrimin e natës, që në fillim të bisedës, sa ra fjala – ndonëse në mënyrë indirekte, sikur kërceu nga gëzimi por edhe nga krenaria se po e kujtonte gazetarin e moçëm: E kam pasur shok! Madje, një gjë e tillë e thënë dhe e shprehur me një ndjenjë të theksuar të krenarisë së ligjshme, por edhe të mallëngjimit (gjë që vërehej qartë në sytë e bashkëbiseduesit, por edhe në fytyrën e tij, pamja e të cilës të linte përshtypjen se gazetarin e kishte aty, mu përpara syve) si për të plotësuar pjesën tjetër të bisedës, e edhe për të përkujtuar se bujaria ishte mbi çdo gjë tipar thelbësor i shumicës së atyre njerëzve, që mbi shpatullat e tyre mbajtën barrën e rëndë të informimit në kushtet e shtetrrethimit të hekurt të falangave serbe, shtonte: A dëshironi ta pimë nga një kafe?

Një njeri aq i thjeshtë por aq zemërbardhë, i cili me sjelljen e tij nuk kishte sesi të mos linte mbresa e të ngjallte emocione….

Shumëçka që definohet si thjeshtësi e lartësive e ka sfiduar përherë madhështinë mospërfillëse. Këta njerëz të thjeshtë, të gazetarisë e të informacionit, të mbrujtur me tiparet dhe virtytet e atyre që punën dhe vlerat i kanë çmuar dhe i çmojnë përherë, me dijen dhe me vullnetin e tyre, ndonëse shumë shpesh në kushtet e një mbikqyrjeje të rreptë, nuk ka sesi të mos na e kujtojnë thënien e njohur se Greqia e pushtuar e mundi pushtuesin e pagdhendur!

Qazim Kelmendi, njeriu fisnik e bujar, me pamjen e një intelektuali të formuar dhe të një gazetari të sprovuar me reportazhin e me kronikat televizive në terren, me një ngrohtësi dhe afri bashkëbisedimi, me një vëmendje të përqëndruar në të biseduar, me një përkushtim të gjithanshëm e me një motivim të posaçëm për ta pasqyruar punën e atyre që tokën e donin mbi çdo gjë, arriti të krijonte afërsinë me teleshikuesit, por edhe të ngjallte kërshërinë me veçantinë e qasjes së tij, madje në përmasat e atilla sa emisioni i udhëhequar prej tij, kërkohej me një ëndje të veçantë, flitej dhe komentohej me pietet dhe me respekt të theksuar.

Ai ishte bërë kështu prej kohësh sinonim i një njeriu, sa fisnik e po aq edhe të dashur për audiencën televizive, sepse i përzgjidhte temat e tij me një shije të theksuar, sepse i përgatiste me një përkushtim të veçantë kronikat e tij; hynte dhe dilte në fushat dhe në vendet e caktuara për ta sjellur të gjallë ambientin e tokës nënë, bukurinë dhe hijeshinë, larminë, madhështinë dhe shumëllojshmërinë e natyrës së Kosovës, e cila po e shoqëronte prej vitesh në sfondin e ekranit televiziv.

Qazim Kelmendi po mishërohej gjithnjë e më shumë me kërkesën e teleshikuesve për ta parë emisionin e udhëhequr nga ai, sepse me punën dhe me përkushtimin e tij, ai ishte bërë kështu pjesë përbërëse e së pritmes që në një orë të caktuar me padurim donte të takohej me shpresën e vet, me aspiratën për diçka të veçantë, shumë më ndryshe se uniformiteti, shumë më ndryshe se ngurtësia dhe stereotipet e imponuara nga politikat redaktuese që vinin nga lart.

Ai ishte bërë kështu një figurë sa e dashur po aq edhe e admiruar, sepse ai ishte njëjtësuar me dëshirat e atyre që në shirat që binin mbi tokën mëmë, shihnin frytet e punës së tyre. Dhe jo vetëm kaq. Sfondi i fushave me grurë, përcëllimi i diellit mbi kallinjtë e grurit, duart që tokës i jepnin gjallëri e i falnin edhe dashurinë e tyre, shpaloste një prizëm të ri, një dritare të re, një hapësirë të re, e cila përkonte aq shumë me ëndrrën për lirinë e shumëpritur.

E përderisa letërsia shërbehej me metafora, emisioni i përgatitur nga gazetari Qazim Kelmendi shërbehej me melodinë baritore të fyellit që ngjallte emocionet por edhe shpresat dhe ëndrrat; shkëlqimi i arave me kallinjtë e grurit dhe hapësirat e pafundshme të fushave, perëndimi i diellit në mbrëmje dhe gishtërinjtë e trëndafiltë të poemave të Naimit po shfletonin palë – palë “fushat e gjëra me lule”, si në një parandjenjë të çuditshme sa dhe të mahnitshme, se nën tingujt magjepsës të fyjeve e në rrjedhën e krojeve me ujin prej kristali – ku bënin hije zanat me shtojzovalle, diçka do të vinte, diçka do të ndodhte, herët a vonë, mu ashtu siç e kishte parathënë Naim Frashëri:

Shkëndijë e Diellit ndaj Manushaqes!…

Në idilën e një jete të thjeshtë por që në vetvete mbarte thelbin e dashurisë për tokën, një metaforë e madhe po shaplosej si një simfoni hyjnore.

Nuk është pra rastësi se tokës në letërsinë dhe në kulturën tonë i është kushtuar një vend i posaçëm. Toka ka frymëzuar poetët, shkrimtarët, intelektualët, gazetarët, kompozitorët, artistët, këngëtarët, studentët, punëtorët, minatorët e thellësive të Trepçës, shtresat e gjëra të popullsisë, por mbi çdo gjë toka shqiptare ka frymëzuar luftëtarët e lirisë, ata të cilët i ka lindur dhe rritur, ata të cilët i ka mbajtur gjithmonë në gjirin e saj të ngrohtë.

E larë shpesh me lot (siç e thotë edhe kënga popullore: Moj Fusha e Korabit…), por edhe me gjak: “Është toka jonë, t’parët na kanë lanë” (siç do të lëshonte kushtrimin Pashko Vasa në obeliskun e tij madhështor O Moj Shqypni), Toka Jonë si dramë dhe si vepër baleti – e Kolë Jakovës, apo edhe klithja e Dritëro Agollit: “Takoj shokët, miqtë dhe farefisin/Menkulasin tim, s’e ndërroj dot, me Romën, as me Parisin!”; Toka dhe dashuria për te, në emisionin Bujku, ishte preludi i një dashurie që nënkuptonte lirinë e saj, dashuri që e kishin ushqyer breza dhe gjenerata të tëra atdhetarësh shqiptarë.

Qazim Kelmendi është njeriu dhe gazetari, i cili më kujton diçka nga thënia e shkrimtarit Ismail Kadare për Lasgush Poradecin, se ai ishte njeriu më modest që kishte ecur ndonjëherë në rrugët e Tiranës!

Modestia në të vërtetë, është shenjë të cilën e shpalos madhështia e njerëzve që me urtësinë e tyre lënë gjurmë të pashlyeshme, që flasin pak e punojnë shumë.

Qazim Kelmendi ishte njeriu i fjalës së urtë e i shembullit të mirë, i përkushtimit por edhe i parimit, i gdhendur në kujtesën e shikuesve me portretin e tij që shpesh mishërohej me sfondet e natyrës dhe horizontet e saj, e ku shquhej figura e një njeriu sa fisnik po aq edhe bujar, me një të folur të qëlluar e të qartë, të rrjedhshëm e tepër të natyrshëm, me supet e drejta e me rrobet e mbajtura me një pedantëri të veçantë, me një lëvizje të shkathët duarsh, të cilat në pëllëmbët e tyre mbanin dashurinë për tokën nënë por edhe që shpalosnin horizontet diellore të natyrës së bukur, gjithsesi si një prelud të atyre horizonteve që doemos do të vinin në shtigjet e së ardhmes.

Përmbi çdo gjë ai ishte njeriu fisnik, dhe se një gjë të tillë sikur ia kishte parathënë ajo që proverbi i lashtë latin e ka përmbledhur aq bukur: çka ka në emër, ka në zemër!

Emri i tij, pa dyshim se zë një vend nderi në familjen emblemë të gazetarisë shqiptare, e ku Ramiz Kelmendi e zë vendin ballor, traditë kjo që vazhdon edhe me brezin më të ri.

Një fjalë e urtë thotë se tradita e njerëzve të mirë është traditë e Perëndisë. E tillë është edhe tradita e atyre që e mbajtën ndezur pishtarin e dritës e të diturisë, pishtarin që i priu lirisë sonë…

QAZIM KELMENDI.

RAMIZ KELMENDI.

DRITË U BËFTË SHPIRTI!

Lum ata që nga breznitë orëmira, kujtohen për të mirë dhe si të tillë nuk harrohen kurrë!

XI

EMISIONI KULT

NJË HIMN PËR LIBRIN

DHE

NJË NESTOR I URTË E MENDJEHOLLË:

RAMIZ KELMENDI

Në një rubrikë të shkurtër televizive të emisionin KULT, të transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës, më datën 17-të janar 2012-të, të premten në mbrëmje, e të udhëhequr nga gazetarja e talentuar sa dhe e përkushtuar Lumira Kelmendi, Ramiz Kelmendi po fliste me shumë pietet dhe gjithë respekt në përkujtim të aktorit të madh Kadri Roshi.

Pamja e tij, më kujtonte Nestorin e urtë e mentarin e hollë, e që në horizontin mendor dhe dituror të kulturës shqiptare shfaqet aq shpesh me flokët e bardha e me moshën biblike.

Bujaria dhe fisnikëria që shfaqej në zërin, e përmbi çdo gjë sfondi i librave të Ramiz Kelmendit prapa krahëve të tij, sfondi i librave që ka gaditur dhe edukuar breza të tërë, më ka kujtuar esenë e famshëm të shkrimtarit të madh Stefan Cvajg: Libri është Porta e Botës, në të cilin ai u ngriste një himn të vërtetë lexuesve, të cilët i quante “banorët e mbretërisë së lashtë të shkrimit”, duke iu drejtuar atyre me thirrjen e vet se “sa më ngusht të jesh i lidhur me librin, aq më e thellë shpaloset jeta”, prandaj e përmbyllte thirrjen e tij duke pohuar se “asnjë burim energjie nuk ka mundur deri më sot të krijojë një dritë të tillë” – si libri.

Ndërkaq, në esenë tjetër Falenderim librave, Cvajg u kushtonte librave një poemë në vete:

“O pjesëza të pafundësisë! Kurdoherë prisni të rreshtuara në raftet e mbështetura pas mureve. Kurdoherë modeste dhe kokulur prisni që të vijnë t’ju marrin. Por me t’ju prekur dora e njeriut, zemra e tij u përpinë dhe ngazëllehet, si qerre e zjarrtë hyjnore e lartësoni shpirtin e njeriut, e nxirrni nga ngushticat e rëndomësisë, e çoni drejt hapësirave të amshuara të përjetësisë.”

Për aq pak minuta të asaj kronike, më është kujtuar edhe eseu i njohur i Faik Konicës, në të cilin ai shkruante se pasi që ishte duke pirë një çaj kinez, kishte vendosur ta shfletonte një libër të rrallë sa edhe të lashtë, Prometheun e lidhur të Eskilit:

“Një libërth i hollë, që e ngre me një gisht, madje edhe me gishtin e vogël të dorës, por që jetonte edhe pas 2500 vitesh!”

Nuk ishte e rastësishme pse Faik Konica e fillonte esenë e tij pikërisht me thënien e poetit francez Stefan Mallarme:

„Jeta është pa gëzim, dhe librat i kam lexuar të gjitha. Me këtë rradhë nisë një nga vjershat më të bukura të poetit frënk Stefan Mallarme. Edhe të rrojturit e edhe këndimit vjen një orë që të lodhin e të mërzitin…Por le të tingëllojë jashtë zëri i një vajze që shkon, gishtërinjtë e fshehtë le të kthejnë fletët e harruara të një libri të dashur, dhe menjëherë muzika e jetës dhe e artit na zgjon zemrën dhe na ngjallë përsëri mendjen.“

Përmbi çdo gjë, ai sfond librash më sillte në mendje, thënien lapidare të atdhetarit dhe të dijetarit të Beratit e të gjithë Shqipërisë, Islam Vrionit:

„Është e vërtetë, bir, që njeriu është një libër i plotë, më me kuptim, më me detaje të ndritshme fenomenale për gjithë misteret e krijimit, është i vetmi libër që na mëson tjetrin, na mëson gjithësinë, e gjithashtu na shpjegon edhe vetë fuqinë supreme hyjnore-superhumane, gjithënjiherit edhe qenien e njeriut’.

Që në vitin 1953, në katër shkrimet e tij të njëpasnjëshme, Ramiz Kelmendi do ta vinte qëllimisht librin në thelb të artkujve të tij: Libri i parë i prozës origjinale te na, Një libër i ri për fëmij, Disa margina tue lexue librin e Sitki Imamit, Një libër i bukur për fëmijët tanë.

Dhe prapë në vitin 2012-të, Ramiz Kelmendi do të dalë në mbrojtje të librit dhe të kulturës ndaj librit: “Ruajuni prej njeriut i cili e ka lexuar vetëm një libër…apo siç thoshte ilirologu Aleksander Stipçeviq: Asgjë nuk e prish njeriun më shumë se libri i keq, prandaj porosiste ai: Armatosne mendjen me arsye.”

Apologjia që Ramiz Kelmendi ia ka bërë në vazhdimësi librit, ma kujton më tej poezinë e nobelistit Çeslav Milosh, me titullin Lexime:

Më pyete ç’të mirë ka t’i lexosh n’origjinal

shkrimet e shejta.

Dije, pra, se është më mirë t’i fërkojmë gishtërinjtë

Përgjatë germave më jetëgjata se ato të gdhendura në  gur,

Dhe se po ta shqiptojmë ngadalë çdo rrokje,

Zbulojmë krenarinë e vërtetë të gjuhës.

Spërdredhjet, shkuma e gojës, mprehja e dhëmbëve

Nuk quheshin dëshmi e dhuntisë.

Të çmendurit nuk i pranonte kush për punë e libra,

Shumë rrallë merreshin me art e letërsi,

Po krahu i fjalës së shenjtë mbetet i fortë:

E kësisoj në çdo shfaqje një lexues punëshumë

I sheh njëzet shekuj si njëzet ditë

Në një botë që dikur do të marrë fund.

Mund të ndodhë që një fjalë, një fjali e vetme e fshehur në trupin e një libri, të jetë për te si një vulë e mistershme, do të shkruante Jean-Louis Jacques.

Dhe se ishte libri ai që e bënte Omar Kajamin ta shijonte jetën më ndryshe sesa njeriu që jeton mes mëkatit dhe pendesës, sepse libri e bënte atë që të shkruante në përmasat e tilla poetike, duke shkruar: “Me devotshmëri, duke shenjtëruar ndërgjegjën time.”

Omar Khajami i falej poezisë, muzikës dhe atronomisë, do me thënë e kishte privilegjin e rrallë që t’i falej tri botëve: botës mendore, botës shpirtërore dhe botës qiellore.

E në gjithë këtë univers ku letërsia është princesha e qytetërimeve, pa dyshim se libri përherë e ka bekimin e vet të veçantë dhe se libri është vetë pavdekësia e shpirtit.

Pra, ja që kishte arsye të mjaftueshme Roman Rolan, kur thoshte:

Të krijosh do të thotë ta mundësh vdekjen!

Nikolla Leonik Tomeu (1456-1531), ky erudit shqiptar i kohës së tij kishte një bibliotekë të veçantë ku i ruante me aq kujdes veprat në origjinal të Plutarkut, si dhe dorëshkrimet e Ciceronit e të Aristotelit, kurse piktori Viktor Karpaçi (1455-1526) , e kishte punuar portretin e dijetarit të shquar ilir të shekullit IV-të, Portretin e Jeronimit me fytyrën e kthyer kah dritarja (çuditërisht profil ky që shëmbëllen aq shumë me pamjen e Jeronim De Radës të kthyer me fytyrë kah Arbëria matanë detit: “Përse të venë nga deti,/mendimet, zemra ime?”) por edhe të rrethuar me libra të shumtë.

Mes librash dhe dorëshkrimesh të shumta e kishte kaluar jetën edhe Ismail Pashë Vlora, i cili do të vritej në vitin 1764 me ferman/urdhërin perandorak.

Në pallatin e tij verues ai kishte pasur një sfond prej 8000 dorëshkrimesh, fati i të cilave nuk dihet, ashtu siç nuk dihet çuditërisht as fati i librave/bibliotekës aq të përzgjedhur të Faik Konicës, ashtu siç nuk dihet se si ka humbur dorëshkrimi i Divanit të poetit Sylejman Naibi, për të cilin thuhet se ka pasur në dorë për herë të fundit studiuesi i zellshëm i letërsisë shqipe, Namik Resuli!

Sami Frashëri ka pasur një sfond prej 20.000 librash, të cilat iu shitën së bashku me shtëpinë për të shlyer borxhet e shumta që kishte pasur -sepse qe dhënë aq shumë pas nxënies së dijes dhe bërjes së Shqipërisë me hir o me pahir.

Mithat Frashëri, thuhet ta ketë pasur një ndër sfondet më të mëdha të librave në Ballkan, shumica e të cilave iu kaluan Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

Mes librave e kishin nxënë dijen edhe Hoxhë Hasan Tahsini e Sami Frashëri.

Librat i pat ruajtur si një theasr tejet të çmuar edhe profesori Hasan Efendi Nahi, madje mes 70-të dorëshkrimeve të vjetra orientale, ai kishte ruajtur edhe një libër të lashtë 754 vjet, e mirësia e familjes së tij e deshti që ato t’i dhurohen Bibliotekës Kombëtare në Kosovë.

Për librat i shpenzonte gjithë ato para që kishte edhe Mustafa Kruja, ndonëse këshillohej nga Imzot Bumçi e Luigj Gurakuqi që t’i kursente të hollat…

Ai sfond librash dhe ajo kronikë e shkurtër e emisionit Kult (sot KultArt), ma kujton sot e mot shkrimin e Ernest Koliqit me titullin tejet domethënës Malli i Atdheut e Librat (një reminishencë me eseun e njohur të Faik Konicës Mallí i Atdheut), ku shkruante:

“Një ditë, qi kishim mbetë vetëm në shtëpi, m’a ndrydhi e m’a shtrydhi zemrën një mall i papritun për Shkodër. E ndjeva veten të mjeruem, të zezuem, të dërrmuem. Shikova librat shqip rrjeshtue në lëpizë si me lypë ndihmë e ngushllim. Zgjata dorën e nxora nga lëpiza nji prej tyne; cilindo, pa i a vu menden titullit. E hapa dhe fillova me lexue. E nji freski e ambël m’a flladiti mallin qi më kishte kapërthye. Jo se ai mall u shue, mun ndoshta e shtue, por tashti at mall e mbëshillte në shpirt nji mallëngjim i kandshëm ku pluskojshin hiret e moshës fmijnore”, për të përfunduar ma mallin e thekshëm se: “Librat shqip m’a sjellin Shqipnin mbrenda banesës s’eme në vis të mërgimit. Bajnë me qarkullue nëpër dhoma të shtëpis s’eme në vend të huej frymën e qiellit dhe të tokës shqiptare dhe përtrijnë rreth meje tingullin e zanave ma të dashuna të vend-lindjes. Nuk e shujenë, kuptohet vetvetiu, krejt dishirin e kthimit, por mallin e atdheut e ambëlsojnë. A je edhe ti i këtij mendimi?“

Gjithsesi, ai sfond librash ma kujton mendimin që vetë Ramiz Kelmendi ka shprehur në mbrojtje të librit dhe nga dashuria e tij e veçantë për librin:

„Them që edhe mjedisi ku lind e rritesh nuk është pa ndikim, s’do mend. Ja që më të madhin NDIKIM unë e kam pasur tërë jetën -LEXIMIN. Shkurt: LIBRIN. Gjithçka që kam arritur në letra është, po, “ndeshja” ime me jetën dhe njerëzit. Por, edhe më shumë se kaq janë librat dhe leximi i tyre. “Sfida” ime me vetveten: pale a di dhe a mundem të shkruaj edhe unë një tregim, se jo më-një roman…Po thonë që digjitalizimi sikur edhe do ta “vrasë” librin. Mbase brezat që vijnë pas meje do të pajtohen edhe me këtë. Unë, hëpërhë, jo.“

XII

THIRRJE

PËR BOTIMIN E PLOTË

TË VEPRËS LETRARE DHE PUBLICISTIKE

TË SHKRIMTARIT RAMIZ KELMENDI

Me përkushtimin e tij të veçantë, Ramiz Kelmendi përveç tjerash, ka përpiluar veprën letrare të Josip Relës – në dy vëllime, veprën letrare të Fran Anton Santorit – në dy vëllime, veprën e Shtjefën Konstantin Gjeçovit – në katër vëllime, veprat e plota të Sterjo Spasses – në tetë vëllime; veprën e Marin Barletit “Historia e Skëndërbeut”, veprën e ilirologut Aleksandër Stipçeviq “Ilirët”, veprën e shkrimtarit Ali Harshova “Bashkëluftëtarët e Skëndërbeut”, serinë e botimeve Biblioteka e Xhepit – në 20 vëllime, serinë Romani Shqiptar – në 10 vëllime, si dhe kompletin e veprave të shkrimtarit të madh anglez Uilliam Shekspirit – në 10 vëllime.

Mjaftojnë këto fakte për të dëshmuar se Ramiz Kelmendit i kemi borxh. Prandaj, BOTIMI I PLOTË i veprës letrare dhe publicistike të Ramiz Kelmendit është domosdoshmëri, sepse kjo vepër paraqet një thesar të madh letrar e kulturor, dhe se duke shpresuar në përkrahjen institucionale për këtë nismë, kjo VEPËR E PLOTË do të mund të botohej, pak a shumë me këtë renditje:

I

Vepra letrare dhe publicsitike e Ramiz Kelmendit

  1. Vija e vrragë & Dy rrëfime
  2. Ahmet Koshutani & Njerëzit dhe kërmijtë
  3. Heshtja e armëve
  4. Shtatë persona ndjekin autorin
  5. Kapuç me mëngë
  6. Letra prej Ulqini & Suzana

& Tregimi ynë humoristiko-satirik

  1. Kokrra kripe
  2. Fytyra dhe turinj (Polemika në letrat shqipe)
  3. Kritikë letrare
  4. Publicistikë & Kolumne
  5. Këshhtu foli Kadareja
  6. Fejtonistikë (Rilindja Kombëtare Shqiptare)
  7. Rrugët
  8. Shtegtimet e mia
  9. Shqipëria e Marie Shllakut
  10. Radiodrama & Drama televizive
  11. Kulturë shkrimi dhe të foluri shqip (I-II)
  12. Antologji (Përkthime, Përpilime, Parathënie)
  13. Intervista
  14. Nga ditari im (Kujtime)

II

Vepra të përkthyera nga Ramiz Kelmendi

Vëllime me tregime

  1. Ernest Heminguej: Plaku e deti dhe tregime të tjera
  2. Tregime moderne amerikane
  3. Xhejms M. Bari: Pjetër Pani
  4. Prezhihov Voranc: Mundqarët
  5. Xhek London: Jehu i egërsisrës
  6. Juri Kazakov: Adami dhe Eva
  7. Danillo Kish: Enciklopedia e të vdekurve

Romane

  1. Franc Kafka: Procesi
  2. Mihail Sadoveanu: Dega e artë
  3. Gabriel Garsia Markes: Njëqind vjet vetmi
  4. Milan Kundera: Shakaja
  5. Xhorxh Oruell: 1984
  6. Gynter Gras: Daullja e llamarintë I-II
  7. Oskar Daviço: Fshehtësitë
  8. Karlos Kastaneda: Dhuntia e shqiponjës
  9. Ernesto Sabato: Mbi heronjtë dhe varrezat
  10. Hana Dalipi: Një fundjavë te nëna
  11. Natali Sarot: Portreti i të panjohuri

Drama

  1. Zhan-Pol Sartër: Duart e ndyta
  2. Zhan-Pol Sartër: Katër drama
  3. Albert Kamy: Kaligula
  4. Domenik Smole: Antigona

Publicistikë

  1. Karlo Shtajner: Kthimi nga Gulagu

Përpilime

  1. Tregime të sotme shqiptare
  2. Femrat shkruajnë
  3. Adelina Mamaqi: Ëndrra vashërie
  4. Ismail Kadare: Qyteti i jugut
  5. Teodor Laço: Tregime
  6. Thoma Kacorri: Tregimet e jugut
  7. Anastas Kondo: Kio
  8. Josip V. Rela: Vepra I-II
  9. Frano Anton Santori: Emira & Lekë Dugagjini

III

Studime për veprën letrare dhe publicistike të Ramiz Kelmendit

  1. Prend Buzhala: Klasiku modern i tekstit

(Letërsia e Ramiz Kelmendit)

  1. Hashim Baftiari: Ramiz Kelmendi (humorist dhe satirik)
  1. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi-Sokol Halili i letrave shqipe
  2. Xhemail Peci: E bukura dhe e madhërishmja në penën e Ramiz Kelmendit
  3. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit
  4. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe porosia e tij e madhe (Faik Konica)
  5. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi për shkrimin dhe shkrimtarët
  6. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe pagëzimi më i bukur në letrat shqipe
  7. Ramiz Kelmendi: Një shekull dije dhe drite
  8. Nga nëntori në nëntor. Një përvjetor arbëror
  9. Ramiz Kelmendi dhe Rugova
  10. Shkrimtari dhe sytë e Mona Lizës
  11. Ahmet Koshutani: (Vështrim krahasimtar: Kelmendi, Kafka, Konica, Kuteli, Kadare, Kavabata. Moravia, Pirandello, Dostojevski, Markezi)
  12. Biografi dhe bibliografi

Qofshim të denjët e asaj dite që do të vijë:

Në 90-të vjetor, në Njëqindvjetor e në çdo Përvjetor të Ramiz Kelmendit!

Qofshim të denjët e asaj dite kur do të kujtojmë për Të, fjalët e shkrimtarit të madh austriak Stefan Cvajg për Volterin:

„Nuk e meritojmë lirinë në qoftë se nuk do të dijmë ta nderojmë si duhet Volterin!“

Qofshim të denjët e asaj dite që do të vijë, ditë për të cilën breznitë orëmira, të cilat do të vijnë pas nesh (sipas porosisë së Balzakut për francezët: “Ruajeni artin dhe gjuhën, sepse, edhe kur të mos jemi gjallë, do të vazhdoni të jetoni me krijimet tuaja, të cilat kurrë nuk vdesin, bile edhe sikur të zhduket vendi ynë, njerëzit do të thonë: këtu ka qenë Franca.”), do të thonë me krenarinë e tyre të ligjshme, sot e mot, se këtu ka qenë, se këtu është e do të jetë gjithmonë Kosova, Kosova e brezave dhe e gjeneratave të shqiptarëve atdhetarë!

Kosova e mendjeve të ndritura dhe e mentarëve të hollë, Kosova e urtive të larta, Kosova e mendjeve dhe e zemrave të bashkuara për qëllimin dhe të mirën e përbashkët, sepse mendja e njeriut është kurora e kombit.

Sepse ky komb, kjo Republikë e Lirisë e ka edhe një emër emblemë, një emër i cili la gjurmë të pashlyeshme në Republikën e Letërsisë.

Ky emër, të cilin e kemi e do ta kemi sot e mot aq shumë për zemër, me jetën e vet dhe me veprën e vet, me shembëlltyrën dhe me porosinë e tij të madhe, përbën NJË SHEKULL DIJE DHE DRITE: RAMIZ KELMENDI.

Londër, 11-15 janar 2017