EPOPEJA QË NDËRROI RRJEDHAT E HISTORISË

Në 20-Vjetorin e Epopesë së Jasharëve

Bedri TAHIRI

EPOPEJA QË NDËRROI RRJEDHAT E HISTORISË

Drenica! Drenica djep i trimërisë e varr i barbarisë. Flakadan i pashuar lirie. Dymijë vjet beteja e luftëra çlirimtare. Dymijë vjet mbijetesë e gjakime për liri. Drenica e Millosh Kopiliqit, e Ahmet Delisë, e Shaqir Smakës, e Shotës dhe Azem Galicës, e Hasan Prishtinës, e Shaban Polluzhës, e Mehmet Gradicës, e Tahir Mehës…

Dhe, më në fund, edhe mbi tokën e saj agoi ditë e bardhë. Adem  Jashari dhe Jasharët e tjerë lëkunden globin nga vendi. Me ta nisi epoka e re, epoka e madhe e lirisë. Secili që shkeli në truallin e shqipeve u mahnit nga madhështia heroike e atyre që u shkrinë deri në një dhe i dhanë jetë lirisë. Në gjakun e tyre bulbëroi liria.

Bernar Kushner erdhi aty dhe pasi u ul këmbëkryq në odën e burrave me plot gojën tha: “Sikur të kishte çmim Nobel  për Liri, ai me siguri do t’i takonte familjes Jashari“.

Ndërkaq shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, në librin e përshtypjeve shkroi: “Këtu nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që ndriçoi Prekazin, Drenicën e mbarë Kosovën. Ajo  shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë…

Vërtet, sa herë që të vemi në Tempullin e Trimërisë, në Prekaz, do të na fanitën ditët e lavdisë, ditët kur me gjak u skalit Epopeja që ndërroi rrjedhat e historisë…

E enjte, 5 mars 1998. Ora 5 e 30 minuta. Toka u trand në themel. U zgjuam frikshëm. Shkreptinte moti a dridhej toka?! Jo, as njëra, as tjetra. Prekazi po bombardohej nga qielli e nga toka. Në cak familja e madhe atdhetare e Shaban Murat Jasharit. Qielli lotonte në heshtje. Zogjtë ndërprenë këngën e lumthi ngadalësoi rrjedhën. Tymi e flaka mbuluan diellin…

Qyqavica legjendare ngeli e nemitur. Ende nuk iu kishin tharë lotët nga masakra e Qirezit dhe e Likoshanit. Drenica martire sërish në grykën e vullkanit përvëlues. Soldateska e shfrenuar serbe, kishte mbledhur gjithë fuqinë dhe tinëzisht ishte vërsulur drejt Kullës-Kala, ku dy herë më parë kishte lënë brirët. Kësaj radhe puna qëndronte më ndryshe. Ishin dërguar forcat e njësive më speciale, komandosë e xhelatë profesionalë, me arsenalin më modern të armatimit, dhe përnjëherësh ishte bllokuar e paralizuar mbarë Drenica.

Në kullën e qëndresës, ishte dhënë kushtrimi. Plaku Shaban hapi frëngjinë dhe shkrehu pushkën e parë lajmëtare. Edhe nipat, që flinin me të, Besimi e Fitimi, i zunë dy frëngjitë e tjera. Hamza, në kullën tjetër, andej lart, nga ana e Fabrikës së Municionit, i bëri fora të paudhët, që përpiqeshin të zvarriteshin e të afroheshin tinëzisht.

 Po komandant Adem Jashari?!

Ah, trimi i trimave, nuk po ngutej fare. Ai, si përherë, i qetë e fare gjakftohtë. Pasi u përgatit mirë e mirë, drodhi mustakun dhe u sul furishëm drejt dyerve të oborrit. Tanku ngjyrë blu shtangu në vend. Djajtë ranë si gruri në arë përgjatë murit rrethues. Nga zëri i tij lemeritës u tmerruan edhe komandantët gjakpirës që me dylbi të stërgjatura përcillnin aksionin nga pirgu famëkeq. Ushtarëve të rinj u ranë armët nga dora. Lufta mori hov të paparë. Granatat e kalibrave të ndryshëm bënin kërdi. Dita u bë natë nga tymi, e nata u bë ditë nga flaka. Dielli i zymtuar, tri herë lindi e tri herë perëndoi. Beteja e përgjakshme s’kishte të sosur. Kënga e trimave sfidonte krismat e topave. Në gjoksin e Hamzës u shkri granata, por u fik tanku. Plaku, mbetur pa fishekë, rroku flamurin kombëtar, atë me të cilin dikur e kishte mbështjell Ademin, dhe u doli përballë, duke brohoritur me sa zë që kishte: Rroftë Kosova! Rroftë Shqipëria!

Edhe të tjerët, i madh e i vogël, qëndronin heroikisht. Askush nuk i druhej vdekjes, as gratë, as fëmijët. Heroizmi i pashoq. Altruizëm e sakrificë mbinjerëzore, mahnitëse. Zëri kushtrimtar i komandantit kishte tundur edhe dheun. Pas tij shkonin edhe malet, edhe fushat, edhe lumenjtë. Gjurmëve të tij ecnin edhe; Dajë Osman Geci i Llaushës e nip Aliu nga Luboveci…Nënë Sala me të shoqin Hamitin…Sadiku me djalë Ramizin e veçan Qerimi me djemtë sokola: Shahinin e Ukshinin,,,Mbanë  rrugës, pandërprerë gogësinte gacatorja e Smajl Jasharit…

-Po Faiku, Kajtazi, Aliu, Isaku ç’bënin vallë?!

Ata, si me flatra dragoi ngarendnin drejt kraterit përvëlues. Atje, si në ishullin e sirenave, i ftonte pavdekësia. Edhe në shtëpinë e rapsodëve kishte heshtur melodia e çiftelisë. Vendin e saj kishin zënë grykëhollat, që këndonin bukur në duart e Halitit e të Hajzerit. Atyre iu bashkëngjiteshin edhe ato të Halitit, Beqirit, Sherifit, Nazmiut…

-U vra Zenë Jashari! Jo, ai ishte gjallë, por fati e kishte goditur rëndë. Gruan, Bahtijen me djemtë: Avdullahun, Bujarin dhe Blerimin ia vranë katilët. Valdetin ku e kam?- pyeste ai duke e kërkuar kodër më kodër. Nëpër flakë pushkësh e kishte parë që bashkë me Shahinin e Qerimit kapërcenin lumthin.

Po errej edhe dita e tretë e betejës. Një shqipe sogjetonte kujdesshëm nga lartësitë qiellore. Zymtësi mbytëse pllakoste mbi çdo gjë. Krismat kishin pushuar. Kishte pushuar edhe kënga e trimave. Veç tymi ende fjollonte qetë- qetë nga hambarët më grurë, që digjeshin në vete. Nëpër qiellin e përflakur retë e trazuara bartnin acar, shqotë e fërfëllizë. Në kullat gërmadha mbante erë e rëndë shkrumbi e baruti. Gjë e gjallë s’pipëtinte. Një si hije e përhitur kapërcente mbi kufomat e panumërta, në oborr, në lëmë e në rrugë.

– O Zot, ishte zanë mali a fantazmë?

Ah, jo, ishte Besarta e padjallëzuar, që kishte sfiduar vdekjen. Si e nemitur, mezi kalonte midis tyre. Ç’pamje llahtarie, që të shokonte në vend. Lloj-lloj uniformash e lloj- lloj suratësh të ngjyrosura e çoroditëse. Midis tyre gjeti edhe gjyshin e gjyshen, Shabanin e Zahiden. I gjeti edhe prindërit e dashur, Hamzën e Feridën. Babanë Hamzë me gjoksin e groposur, si të Mic Sokolit. Çudi, në ato çaste loti i kishte ngrirë në qepallë. Pak më tej i gjeti edhe tjerët: Zarifen, Hidajeten, Igballen, Igballin, Selveten, Afeten, Besimin, Lirinë, Blerimin, Fatimen, Blerinën, Adilën, Fitimin dhe Kushtrimin…

-Po baca Adem ku ishte vallë, që nuk po e gjente dot?! Deri vonë ia kishte dëgjuar krismat dhe këngën. Pse nuk po qëllonte më?! Po këngën pse e kishte ndalur?! Sërish zuri ta kërkonte…Por, kot, atë nuk mund ta gjente andejpari. Jo, jo. Ai po shëtiste në ballë të protestuesve nëpër rrugët e Prishtinës, të Tetovës, të Tiranës, të Bonit, të Nju-Jorkut…Ishte bërë shpirti i luftës sonë çlirimtare…

Aman, o Madhëri, sa shpejt e paska marrë kënga me vete, për ta mbajtur të gjallë përherë! Ashtu e ka ajo, vetëm të pavdekshmit i pranon në gjirin e vet. Shpirti i tij luftarak shëtiste si me krah dragoi nëpër istikame, duke u dhënë zemër luftëtarëve të lirisë, në Drenicë, në Dukagjin, në Llapushë, në Llap, në Pashtrik, në Shalë… Emri i tij kishte zënë vend nderi në zemrën e madhe të popullit dhe ishte bërë legjendë e legjendave.

Dhe, sërish vjen marsi!

Dhe, sërish, kujtesa jonë shënon, nderon, përkujton…