ËNDRRAT JANË VRARË NË PRITË?!

Kritikë letrare:

ËNDRRAT JANË VRARË NË PRITË?!

Ajete U. Pavataj, ”MALLI I NGJYRAVE“, poezi, Botime “NACIONAL”,

Tiranë 2016, faqe 84. ISBN 978-9928-220-29-5

Photo de profil de Shefqet Dibrani, L’image contient peut-être : 1 personne, lunettes et gros plan Shkruan: Shefqet DIBRANI

Poezia e Ajete U. Pavatajt, është një lirikë që shprehë ndjenjën dhe përjetimin artistik. Që në titull ”Malli i ngjyrave“, ajo ka përcaktuar konceptin lirik të kësaj poezie, e cila na i “kujton plagët e stinës së verdhë/ dhe plagët e djegies së vetvetes”, faqe 8. Një metaforë e cila shkon edhe përtej atij mallit të ngjyrave që mund ta nxjerrim nga domethënia e pagëzimit të krijimeve të saj poetike.

Natyrisht, poezia është një përjetim, është reflektim i ndjenjës së brendshme që interpreton ndjesi, pa të cilat poezia nuk mund të komunikojë me lexuesin. E përdora shprehjen ndjesi, pasi autorja duket se ka edhe dhembje edhe shqetësime reale, ka edhe breng edhe mall të pashuar, ndjenja dhe përjetime të cilat së bashku bëjnë një ndjesi të veçantë, e cila shpjegon për pamundësinë e sendërtimit të ëndrrës së saj?! E nëse kjo ndjesi mund të shndërrohet në ngjyra, atëherë do të pigmentonte një mozaik figurativ, i cili në mënyrë metaforike shprehet si “mall i ngjyrave”, për të provokuar mendjen e lexuesit në njërën anë, e në anën tjetër ka për qëllim të bëjë nuancim real nga përjetimet e saj jetësore ku shpreson se: “Unë dhe shpirti / do të mbetemi/ përgjithmonë/ Një”, faqe 15.

Sidoqoftë, këto lirika janë të shkruara me kujdes, kanë avancuar për të mirë kulturën e shkrimit krahasuar me librin e parë. Në këto rrethana, kur ndjenjat krijuese përcaktojnë përjetimin real, poezia del e fisnikëruar që paraqet një reflektim të çastit dhe rastit ku me mjaftë kujdes janë përkthyer në vargje: “Jo rrallë herë/ i kujtoj kohët plot ar/ dhe punët nëpër fusha/ kur hidhnim farë// Jo rrallë herë i kujtoj kohët si përroi/ kur etjen e shuanim/ me ujë të ftohtë kroi// Atëbotë mëngjesin/ e lajmëronte gjeli/ ndërsa pranverën/ bilbili e harabeli”, poezia “KUJTIMET I MERR LUMI”, faqe 31.

Poetesha nuk është shkëputur nga drama jetësore, sikurse edhe poezia e saj është një realitet i përjetuar thellë, është poezi që mëton të përshkruaj në hollësi ato përjetime, një dramë reale që shprehë ekzistencializmin në një kohë me rrëmujë e rrëmet.

Përmbledhja poetike “Malli i ngjyrave”, përjetohet si një përballje me valët e detit të cilat përplasen në brigjet shkëmbore, ose si tallaze të lumenjve që lënë pas shkatërrime, tamam jeta e saj në kuptimin ekzistencial me vragë e me dhembje. Edhe në këtë përmbledhje poetike, këto fenomene janë mëkuar me shprehje lakonike, pasi “Zemra ka forcë të inkurajojë/ për ditë më të bukura”, faqe 37. Këto vargje dëshmojnë një lloj stoicizmi i cili nëse nuk ka të bëjë me realitetin e përjetuar, shprehin një imagjinatë të thellë poetike, e cila si metaforë tingëllon mirë, duke i dhënë kuptim esencial elementit lirik: “Dashuria e vuajtja/ paralel udhëtojnë/ Rinia e pleqëria/ bashkë kuvendojnë”, faqe 41.

Ajete U. Pavataj, ka shkruar në kohën e saj të hershme, (diku në vitet e 70-ta), por ajo pamëshirshëm është përplasur nëpër dallgët e jetës, duke e ndarë nga jeta e mirë dhe nga poezia artistike, por rikthimi pas kaq vitesh sikur materializon dhembjen si proces fiziologjik, ndërsa në anën tjetër na kthen te mitologjia për ringjalljen e Konstandinit, ai për të përmbushur mitin mbi “amanetin”, ndërsa poetja për të plotësuar më mirë “Mallin e ngjyrave”, si një sforcim meditativ për ankthin e këputur në mes? Ky fenomen tashmë përjetohet si “rikthim i baladizuar”, legjendë që flet për “mundësinë e ringjalljes”, qoftë vetëm sa për ta përmbushur një amanet ndaj motrës?!

Nga ky perceptim duhet me besuar se poezia, është ajo që rikthen frymën e fundit, pasi është i vetmi balsam shpirtëror për të mbajtur gjallë shpirtin e njeriut: “Ti rini e bukur/ pse ike me shpejtësi?/ Më le kështu të vuajtur/ si majin pa shi”, ndërsa tragjikja përjetohen në fund, “kur e kuptova drejt/ çfarë është dashuria/ ashtu sikur rrufeja/ m’u vërsul pleqëria”, poezia “JETA”, faqe 41.

Hapësira dhe koha janë dy koordinata që projektojnë këtë lirikë poetike e cila në vëmendje e ka Kosovën – Atdheun e saj: “Atdhe – Mëmëdhe/ këtu kemi le/ për ty/ duam të vdesim/ Ne”, faqe 17. Ndërsa në një poezi tjetër ajo shprehet: “Thuamë, Kosovë, a do të vijë një ditë e re?/ Ku të çelë agimi i bardhë/ e shpresë atje të të ketë?”, poezia “DERI KUR”, faqe 51.

Por ajo i ka edhe hallet e saj, i ka njerëzit që ajo i dashuron, e nëse mbi tokë janë ngritur lartë lapidaret, në nëntokën e saj janë varrosur heronjtë epik, të cilëve ajo iu thur vargje reale dhe me përkushtim, siç janë poezitë: “Kujtim i shpirtit të trazuar”, kushtuar Azem Shkrelit, “O Tahir Malësori”, kushtuar Tahir Deskut, “Motër, më je edhe nënë”, kushtuar motrës, etj.

Ky element, të bënë për të kuptuar se autorja nuk i ka harruar ngjarjet dhe bëmat që i kanë dhënë emër këtij vendi, prandaj poezia e Ajete U. Pavatajt, është edhe poezi përkushtimi, ku “kishte mësuar një fjalë prej ashti/ – një fjalë prej guri”, faqe 12, poezi që sublimon përpjekjen për ta parë jetën me ngjyra, për t’i parë e përjetuar vështirësitë që duken herë si dallgë deti, herë si ngjyra ylberi që paraqesin shpresë të re, ndërsa në kuptimin metaforik duket se Ajete U. Pavataj, ka sfiduar vështirësi jetësore, që si fenomen metaforik ngjason në vjeshtën, me retë të bruzta në një mot të lig, shoqëruar nga vetëtima me të reshura atmosferike të ashpra. Ndërsa “Njeriu Poetik”, përkatësisht poetesha, e vetmuar është përballur me ato rrebeshe, me ato furtuna e shtrëngata përpara ardhmërisë së saj poetike.

Më duket se disa nga këto tipare, qofshin vetëm si ndjenja artistike, paskan ardhur të virgjëra edhe në këtë libër. Ndërsa ndjenja lirike përjetohet emocionalisht mirë, kurse përpjekjen  për të krijuar jetën lirike e materializon në vargjet: “Ikin mëngjeset/ sepse fati lazdrak/ në duart e veta/ mban travajimet/ dhe n’intervale të jetës/ me zili/ jetën na e copëton”, poezia “FATI LAZDRAN”, faqe 50.

Sigurisht janë edhe disa elemente rrethanore nga jeta e saj që e bëjnë poezinë e këtij vëllimi të përjetuar më thellë, pasi pothuajse varg për varg është një përjetim faktik kur “vetmia përkëdhelë” dhe “ëndrrat janë vrarë në pritë”, faqe 56. Në këtë plan përpjekja këmbëngulëse e autores për ta pasqyruar faktin përmes vargut, nganjëherë e ka lënduar pjesën artistike e cila, veç me pak kujdes të shtuar do të tingëllonte edhe ma bukur, dhe do të përjetohej poezia edhe më thellë.

Por insistimi i autores për të qenë origjinale, ashtu siç është edhe në jetën reale, më duket si triumfalizëm, andaj kalkulimet teknike e kritike bien poshtë. Andaj është më mirë ta trajtojmë motivin e poezisë pa e implikuar me elementin real nga jeta dhe përditshmëria e saj, sepse poetesha Ajete U. Pavataj e ka thënë poetikisht të vërtetën e ndjenjës shpirtërore, bile herë pas here pa u merakosur fare për anën artistike dhe pa u shqetësuar se si do ta pranojë lexuesi dhe kritika letrare poezinë e saj, gjë që e dëshmonë se poezia është një përjetim individual, i cili po të ishte barishtore, duke se është shartuar e kultivuar me kujdes, për të dhënë këtë kompilim poetik që po shijohet nga të tjerët. Poezia është fruti, është bima e saj, që tashmë është bërë pjesë e shoqërisë dhe e një rrethi më të gjerë lexuesish të pasionuar me fjalën artistike, ngase “Jeta është luftë/ siç është dashuria paqëtim/ siç puna është nevojë/ por gjithnjë në luftim”, përfundimisht ajo mendon se “Jeta është teatër, ne jemi spektatorë”, poezia “JETËN JETOJMË”, faqe 65.

Ky mendim meditativ ka sjell edhe poezinë me tipare të tilla, por esencialisht janë përpjekje për të reflektuar ndjenja të veçanta që lidhen me jetën dhe perceptimin jetësor të poeteshës e cila ngulmon për ta thënë atë që e përjeton, veçse të strukturuar në vargje poetike për të përcjell imazhin meditativ tek lexuesi në mënyrë origjinale, për tu dukur pastaj vetvetja, e cila vazhdimisht “shpreson në mëshirën/ e një të ardhmeje më të mirë”, faqe 71.

Natyrisht, vetvetja është karakteri njerëzor i cili nëpër etapa kohore, nëpër krajatat jetësore është përpunuar, është ndryshuar dhe është emancipuar deri aty sa ka arritur t’i thyej disa botëkuptime e paragjykime që i ka shoqëria njerëzore. Edhe në poezinë e saj manifestohen këto tipare. “Fjalët e mia/ ndëshkimeve/ u bënë ballë”, poezia “FJALËT E MIA”, faqe 76. Kështu, poetesha iu ka qasur me kaq pasion motivit lirik duke ndërtuar tematikën e dashurisë dhe tragjiken bashkë me të, pa të cilën jeta nuk do ta kishte kuptimin e saj real.

Por shtrohet pyetja, a ka jetë vetëm me dashuri, pa pasur pezëm, pa pasur mallkim dhe pa pasur edhe zhgënjime, siç mund të lexohet tek poezitë: “Aspirata për pushtet”, “Pesimisti”, “I lutem errësirës”, “Terri nuk ka hije”, “Nata”, e ndonjë tjetër. Element të kësaj natyre dalin më në pah nëpër poezitë e theksuara më lartë.

Për të përjetuar si duhet poezinë dhe metaforën e saj, e cila është ndërtuar si një relacion në mes dashurisë dhe jetës reale, duket as autoren nuk e paska kursyer?! Edhe ajo i ka sfidat e saj, të cilat shikuar sipas vargjeve duken mjaftë specifike dhe të fituara.

Por pavarësisht realitetit, të zymtë apo të errët të ketë qenë, elementi i ngadhënjimit del si simbolikë e poezisë, mbase një përpjekje sfiduese e vet poeteshës Ajete U. Pavataj, të cilës “Zilja e orës/ dhe rrezet e para të diellit”, vazhdimisht “ia prishën ëndrrat”, faqe 66.