Ëndërr përkujtuese

Tregim

Bedri TAHIRI

Ëndërr përkujtuese

Që në fillim, edhe pse nuk e kam zakon dhe deri sot s’e kam bërë kurrë, meqë nuk kisha nevojë, dua të betohem se kjo është vërtet një ëndërr. Po, po, një ëndërr, pa trillime e zbukurime letrare, edhe pse letërsia, në përgjithësi, merret si ëndërr…

Nata e 27 Janarit 2017 më erdhi disi e rëndë. Kisha kokëdhimbje dhe rashë për të fjetur më herët se netëve të tjera. Por, kot, ore lumë vëllai. Gjumi nuk më vinte dot. Kishte tretur diku në pafundësi, si sëpata pa bisht. Përpëlitjet në shtrat u bënë të bezdishme. Jep e merr, jep e merr, kot se koti. Edhe ora në mur më pengonte, më bëhej si çekan farkëtari mbi kudhrën prej çeliku. Dhe, ashtu, sypërdalë vajti ora tre e një çerek.

Deri diku e gjeja shkakun e kësaj katandisjeje trunore. Ditën, në orët e pasdrekës, me nxënësit e mi, në Gjimnaz, e kishim përpunuar ngeshëm “Komedinë hyjnore” të Dante Aligerit. Bashkë me autorin, me Virgjilin, me Beatriçen e me shumë të tjerë, kishim shëtitur fund e krye Parajsën, Purgatorin dhe Ferrin. Sidomos labirintheve të Ferrit u kishim shkuar deri në fund, kishim zbritur edhe në rrethin e nëntë, ku na u kënaq zemra kur pamë tradhtarët e katranosur tek zhgërryheshin në baltën e llavës përvëluese. Këtu u pajtuam plotësisht me poetin e madh italian, sepse, tradhtarët, pikërisht atë vend meritojnë…

Sakaq, kur po pajtohesha që të gdhija pa bërë as një sy gjumë, disi papritur, ashtu bëftë, m’u rënduan qepallat dhe më erdhi i bekuari. Dhe, fët e fët, një ëndërr krahëhapur, me vellon misterioze, më mbuloi të tërin e më degdisi tej e tej nëpër rrjedhat e historisë. Në fakt, më ktheu në periudhën e fundit të Luftës së Dytë Botërore, në Luftën e Drenicës…

-O burra, rrokni armët e të gjithë tek Kalaja e Qyqavicës!- seç na erdhi një zë vëgues si kushtrim lirie.

Dhe, të gjithë galicasit, armë e pa armë, u turrem andej si vetëtima. U bëmë mbi njëqind veta. Të gjithë të pjekur, asnjëri nën të tridhjetat. Zumë vend në lëndinën bleroshe, në këmbët e ngërçura të fortesës prej guri dhe ia shtruam vençe, për Shkup e për Shkodër, siç i thonë një fjale. Kishim kohë. Prisninim e nuk dinim ç’prisnim. Çdo gjë e mjegulluar. Një errësirë përrallore. Si në ëndërr më! Tej nesh, grumbull, burrat e Dobofcit. Në krahun e mëngjër, ata të Beçiqit, që ishin më të pakët në numër…

Tamam kur u morëm vesh të tri grupet, nuk e di as pse qëndronim ndaras, të ngriheshim e të ecnim tutje, një turmë e madhe, me flamuj kombëtar e me zhurmë shurdhuese, mbërriti andej nga kishim ardhur ne, nga Galica. Në ballë të tyre dy kolosët e një qëndrese titanike: Shaban Polluzha e Mehmet Gradica. Hajde botë, hajde!

-Mirë së rrini trima!

-Mirë se vini burra!

Shabani fliste dhe qeshte, Mehmeti çele guri gojën! Me mashinkën kraheqafe mbante qëndrim burrash mitik. Ashtu ka qenë edhe në jetë, ai fliste përmes grykëhollës, tregonin ata që e kishin njohur nga afër.

-Po kthehemi e po shkojmë për Galicë!- foli Shaban Polluzha.

-Shkojmë,- thamë të gjithë me një gojë, dhe, vargoi i gjatë e i bërë tok, mori tatëpjetën. Tek Lisi trenjakë, në Galicë, aty ku Azem Galica, më 1915, kishte formuar Çetën e vet kreshnike dhe kishte dhënë betimin: Liri a vdekje!, ndaluam. Aty u qetësuam, pushuam dhe zumë të kuvendonim shtruar.

Kërkësës së dy vigajve popullorë, për bashkangjitje në luftë kundër armikut shekullor, iu përgjigjem që të gjithë. Madje, edhe ata që nuk patën armë. Një pushkë për dy veta! U tha, u bë! Mirëpo, ca mërmëritje të përqarta e vesh më vesh të disa të moshuarve, jepnin për të kuptuar se ndonjë pakënaqësi e vockël ndryhej në vetvete. Nuk e di se si unë isha prijësi i tyre! Të gjithë më shikonin e më jepnin shenja për të thënë diçka. Ore, je në vete ti, përse të kemi zgjedhur?!- sikur lexoja në bëbëzat e tyre të zgurdulluara. Dhe, thënë të drejtën, më duhej të flisja patjetër. Dorën në zemër, foli edhe ndonjë tjetër, por jo troq e hapur që ta kuptonin të gjithë.

-O mixha Shaban, të gjithë jemi të gatshëm të vdesim me Ju për mbrojtjen e trojeve tona stërgjyshore. Kështu kemi veprua gjithmonë. Ama, kemi pësuar shumë dhe atë me fajin e udhëheqësve tanë! Kështu ta zëmë, kur mbaroi lufta, tradhtisht na zunë në Tunel e na dërguan për pushkatim…Na thanë të dorëzohemi e na prenë në besë. Na degdisen në Tivar e në Banat…Ata që mbeten maleve i vranë pabesisht apo, edhe kur u dorëzuan, i burgosen e i pushkatuan…

Këta ia numërova si me shpatën e Gjergjit, mu në sy, ashtu më erdhi një lëshuarje goje, bile, paksa me zemërim e me mllefosje. Ai, me qetësi burri katërqind derhemësh, ma ktheu butësisht e bindshëm:

-O burrë, të gjitha këto kanë ngjarë pasi kemi vdekur ne të dy. Juve u kanë mashtruar ata që ishin kundër nesh, ndjekësitë tanë të përbetuar. Të keni kujdes, bijtë e tyre rrojnë e do t’ju dëmtojnë edhe më vonë…

Obobo!  Sa u zura ngushtë. Më erdhi për të plasur. Kisha gabuar rëndë, unë i ziu. Mos po flisja përqartë, ore jahu. I akuzoja për gjëra të pabëra. Pa, pa, pa, sa i marrë që u tregova! Gdhe, fare! Ata kishin vajtur në amshim, kur kishin ngjarë paudhësitë që unë i përmendja! Hajde mendjekrisur, hajde!

-Mirë thua, ore Babëlok, pjellën e atyre pezivengave, diku- diku, edhe sot e kemi në podinë dhe do të  përpiqën të na pengojnë në rrugën tonë të drejtë, në rrugën që ju e trasuat e na e latë amanet,- foli me zë të çjerrë një  mesoburrë trashullak, mbështetur në pushkën e tij të gjatë e të ndryshkuar, që në vend të rripit i kishte vënë një spago të trashë, të leckosur e gati të këputur në disa vende.

-Po ti si kalemxhi, me çka do të na ndihmosh?- m’u drejtua sërish Shaban Polluzha, si vëllai-vëllait, duke ma hedhur në krahë dorën e tij të madhe, sa gati më shembi përtoke.

-Unë do t’ju ndihmojë me penë!- ia ktheva si me gurgule e pa u menduar, duke u ndërlidhur më rolin që kisha pasur  gjatë luftës së fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

-Të lumtë!- më tha, duke me rrahur krahëve. Kjo na ka munguar gjithmonë-PENA. Han e dan betejat i kemi fituar, por humbjet na vinin nëpër tavolina. Edhe Azema Galica ka pas shkuar në atë botë me merakun që nuk pati kush ta shkruajë historinë tonë të vërtetë!…

Dhe, kur më doli gjumi, nga gjithë ajo ëndërr, që, përkundër asaj që dija së ëndrrat zgjasin pak, mua më erdhi tepër e gjatë, arrita të mbajë mend këtë që po ua paraqes në letër edhe ju lexues të nderuar. Kjo po më përkujton dhe po ma përforcon bindjen që kam fituar gjatë leximeve të shumta se krijimtaria letrare ka diçka hyjnore. Ama, këtë nuk e luan as topi. Ajo qenkësh vetë hyjnia! Vetë e madhërishmja!

Vallë, nga ky vëgim, tamam këto ditë të acarta janari, kur po mbushen plot 72 vjet nga Lufta e Drenicës?! Mbase, nuk është krejt rastësi! Ku ta dishë, nuk e besoj. Andaj, pa hezitim, shkrimin e titullova Endërr përkujtuese.

 

Galicë, 28 janar 2017