Ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë

Shqiprim Berisha

Ekstremizmi  i dhunshëm në Kosovë

Pothuajse çdo ditë e dëgjojmë termin ‘’ekstremizëm i dhunshëm’’, por çfarë në të vërtetë është ‘’ekstremizmi i dhunshëm’’? Një term i lindur në dy dekadat e fundit i cili i referohet veprimeve të një numri të vogël njerëzish të cilët kryejnë dhunë dhe sulme të ndryshme në emër të fesë, saktësisht Islamit, dhe menjëherë prek ndjenjat e myslimanëve pasi dikush tjetër e quan ‘’ekstremizëm islamik”, një term që në realitet nuk ka të bëj asgjë me Islamin dhe myslimanët, mirëpo i krijuar nga injoranca dhe mosnjohja e parimeve Islame.

A thua vallë cili është qëndrimi i Islamit rreth këtij fenomeni?

Për ata të cilët lexojnë dhe studiojnë teologjinë Islame është një termë që i është m’veshur Islamit, pasi shumë ajete kuranore dhe porosi të profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi të) bien ndesh me këto veprime, ndërsa për ata të cilët janë larg fesë dhe dijes është një term që ndoshta vetë ata e gjallërojnë me disa veprime të caktuara. Nëse i marrim në konsideratë mësimet Islame asnjëherë nuk do të ketë të tilla veprime të ashpra dhe të dhunshme sepse vetë Islami është paqe dhe Zoti shumë qartë thotë në Kuranin famëlartë: “O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj.”(4:171).  Ndërsa Profeti ka thënë ‘’mallkuar qofshin ekstremistët’’ duke e përsëritur tri herë dhe kur është pyetur se kush janë ekstremistët, ai është përgjigjur ‘’Ata që e teprojnë në fenë e tyre’’, e si ka mundësi një njeri që e praktikon fenë të bie ndesh me këto urdhëresa . Mirëpo edhe për këtë ka një përgjigje, të rinjtë të cilët fillojnë të praktikojnë fenë janë me mungesë të dijes fetare dhe nuk kanë njohuri rreth këtyre ngjarjeve.

Islam do të thotë paqe dhe është e pakuptueshme që kjo fe me një emër kaq të bukur të krijojë pasues që bien ndesh më vetë emrin e saj.  Profetit Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë: “Ruajuni nga ekstremizmi në fe, sepse ata që ishin para jush i shkatërroi ekstremizmi në fe”. Ndërsa Zoti në Kuran na tregon se : “Nuk ka dhunë në fe…” (2: 256), andaj kushdo që bënë sjellje të dhunshme në emër të fesë ka shkelur dhe injoruar urdhrat e Zotit e që është një rrezik i madh për një besimtarë. Nëse shtrohet pyetja se a ka ekstremizëm të dhunshëm në Kosovë? Përgjigjen e marrim nga historia, sepse asnjëherë në vendin tone nuk ka pasur ndonjë dhunë në emër të fesë. Populli shqiptar njihen për tolerancën fetarë të cilën e kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë me lejen e Zotit.

Ngjarjet e dhunshme që bëhen në emër të fesë kanë filluar që nga 20 vitet e fundit, ndërsa religjionet kanë histori mijëravjeçare, kemi shembuj të shumtë sesi popuj të ndryshëm dhe religjione të ndryshme kanë jetuar së bashku duke mos pasur asnjë shqetësim apo problem fetar, dhe shembulli më i mirë për këtë është qyteti im ‘’Klina’’ aty jetojmë së bashku myslimanë dhe të krishterë duke qenë shembull për të tjerët se si respektojmë njëri-tjetrin. Duke u integruar së bashku në institucione shtetërore, duke mësuar së bashku në shkolla, por edhe falë punës së hoxhallarëve dhe priftërinjve, të cilët bëjnë thirrje për harmoni fetare.

Shumë njerëz mendojnë që përmes dhunës të arrijnë paqe, ndërsa kjo është një qasje e gabuar, ajo nuk i ka zgjedhur asnjëherë problemet dhe as nuk do ti zgjedhë, sepse dhuna vetëm shkatërron dhe nuk ndërton asgjë. Mirëpo na shqetëson një gjë si ndodhi që në Kosovë të prodhohen ushtarë të luftërave të huaja, pikërisht në vendet më rurale të Kosovës atje ku mësimet fetare janë të mangëta dhe si pasojë e kësaj mangësie na kushtojë shumë duke i dhënë shtetit tonë një imazh të papëlqyer, kinse Kosova është vend ku prodhohen terroristët, Por a është e drejtë të fajësohen të gjithë myslimanet e Kosovës për veprat e një numri të vogël njerëzish që kryesisht ishin të moshës së re, që shumica prej tyre që u kthyen në Kosovë ishin penduar për rrugën që kishin marrë. Ne duhet të punojmë më shumë për të mos u përsëritur një dukuri e tillë, dhe mënyra më e mirë është duke ua lënë në dorë këtë përgjegjësi udhëheqësve fetarë dhe institucioneve shtetërore.

Pavarësisht që dhuna sot prezantohet nga njerëz të ndryshëm dhe komunitete të ndryshme, me prejardhje të ndryshme fetare, në të gjithë botën moderne aktet e dhunës i lidhin më së shumti me Islamin si fe, sesa me çdo fe tjetër. Është e vërtet se, ngjarjet e dhunshme që kanë ndodhur në këto vitet e fundit i janë referuar fesë Islame dhe  i kanë dhënë peshë të madhe idesë se, Islami është fe që e miraton dhunën e ndoshta edhe e nxit atë. Por sa është e vërtet kjo më së miri mund ta dimë duke ju referuar Kuranit dhe porosive profetike. A nuk e dinë njerëzit që myslimanet përshëndeten me fjalën ‘’Selam alejkum’’ (Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju),  dhe janë të obliguar nga Zoti i tyre të vënë paqe në toke dhe ti ikin ngatërresave sepse Zoti thotë: ‘’Mos shkaktoni ngatërresa në tokë, sepse Zoti nuk i do ngatërrestarët’’(Kasas,77). Për të përmbyllur këtë shkrim nevojitet një porosi nga Zoti i gjithësisë të cilen e ka transmetuar profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të):

“O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes dhe e kam ndaluar edhe ndër ju, prandaj mos i bëni dhunë njëri-tjetrit.