Edukimi për mjedisin që duam

Opinion për Ditën Ndërkombëtare të Edukimit Mjedisor

Edukimi për mjedisin që duam

Shkruan: Prof. Zeqir Veselaj, ligjërues në UP

Edhe pse origjina dhe nevoja institucionale për futjen e edukimit mjedisor në politikat mjedisore dhe arsimore është shumë më e hershme, lindja e tij lidhet me Konferencën e Stokholmit mbi Mjedisin dhe Zhvillimin (1972). Kështu në Konferencën e UNESCO-s për Rezervatet e Biosferës  me 1968, u bë thirrje për “zhvillimin e kurrikulave për të gjitha klasët, promovimin e trajnimeve, dhe rritjen e ndërgjegjësimit për problemet globale mjedisore”. Njeriu që për herë të parë  futi në përdorim termin e edukimit mjedisor siç e njohim sot, Prof. William Stapp me 1969 shkroi se “edukimi mjedisor ka për qëllim përgatitjen e një qytetari që është i ditur në lidhje me mjedisin dhe problemet e lidhur me të, i vetëdijshëm se si të ndihmoj në zgjidhjen e problemeve, dhe i motivuar për veprim në drejtim të zgjidhjes së tyre”. Pra, Stapp edukimin mjedisor fillimisht e trajton në nivel të individit, dhe që mundet dhe duhet të realizohet përmes rrugëve të arsimit formal por edhe atij joformal.

Ky përkufizim përfshin  brenda vetes tre elemente që në fakt janë edhe qëllimet e edukimit mjedisor. Së pari, përmes edukimit duhet të rriten njohuritë e individëve për mjedisin dhe problemet për tu përballur. Së dyti edukimi duhet t`i edukoj individët mbi zgjidhjet e mundshme të këtyre problemeve. Aspekti i tretë dhe më e rëndësishmi është që të instaloj tek individët dëshirën për të ndërmarrë veprime dhe punuar në drejtim të zgjidhjeve të problemeve mjedisore. Nëse njerëzit kanë njohuri të çështjeve, por nuk janë të motivuar për të punuar në drejtim të zgjidhjes së tyre, atëherë edukimi nuk është plotësisht i suksesshëm.

Në vitin 1972, Cornelius Troost qëllimit të të edukimit mjedisor ia shton edhe atë që “të prodhojë një qytetar aktiv dhe ekologjikisht të orientuar. Qytetar aktiv, në këtë kontekst është ai që individ “është i përfshirë personalisht në vendime dhe praktika në lidhje me mjedisin”. Ndërsa qytetar ekologjikisht i orientuar, është“një person vlerat dhe qëndrimet e të cilit janë dashamirëse në raport me përdorimin dhe menaxhimin e burimeve natyrore”.

Disa vite pas definimeve të para, nevoja dhe qasja e edukimit mjedisor evoluon duke u ngritur  nga niveli i individit në nivelin e shoqërisë. Me 1975 mbahet Konferenca e UNESCO-s dhe miratohet ajo që njihet sot si Karta për Edukimin Mjedisor, e riformaton qëllimin e edukimit mjedisor që “të zhvillojë një botë ku popullsia është e vetëdijshme dhe e shqetësuar rreth mjedisit dhe problemeve të tij, i ka njohuritë, aftësitë, qëndrimet, motivimet, dhe angazhimin për të punuar individualisht dhe kolektivisht drejt zgjidhjes së problemeve aktuale mjedisore dhe parandalimi atyre të reja”.

Ka edhe një numër definimesh që lidhen me përkufizimin dhe rezultatet e edukimit mjedisor.  Stapp në definimin e tij përmend qytetarin e ditur, pra që ka njohuri. Njohuri bazike mjedisore, është në thelb aftësia për të perceptuar dhe interpretuar gjendjen relative të sistemeve të mjedisit dhe për të marrë veprimet e duhura për të ruajtur dhe përmirësuar ato sisteme. Përmes edukimit mejdisor qytetarët duhet të ndërtojnë qëndrimet mjedisore e të cilat i referohen një numri vlerash dhe ndjenjash shqetësuese për mjedisin dhe motivimi për pjesëmarrje aktive në mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit.  Për të pasur qëndrime individi duhet të ndjej atë që po ndodh me mjedisin ku jeton. Ndjeshmëria ndaj mjedisit i referohet një sërë karakteristikash afektive të cilat rezultojnë në një individ që e sheh mjedisin nga një perspektivë prekshmërie. Shqetësim për mjedisin i referohet një këndvështrimi dashamirës të individit dhe shoqërisë drejt mjedisi.

Shpesh edukimi mjedisor ngatërrohet me informimin mjedisor dhe avokimin për mjedisin. Edukimi mjedisor nuk është informacion mjedisor. Informacion mjedisor paraqet mbledhjen dhe shpërndarjen e fakteve për probleme dhe çështje specifike mjedisore dhe kjo mund të realizohet përmes lajmeve në mediat e shkruara ose ato audio-vizuele, broshurave informative, buletineve, video, apo teknikave të tjera mediale. Informacioni mjedisor është i drejtuar shpesh drejt publikut të përgjithshëm në vend të synimeve të dhënësit për një grup ose audiencë të veçantë. Informacioni mjedisor mund të jetë shumë i dobishëm dhe motivuar për individët të cilët janë të shqetësuar në lidhje me një temë të veçantë ose çështje dhe mund të jetë një element kritik i edukimit mjedisor.

Edukimi mjedisor nuk është avokim për mjedisin. Edukimi cilësor mjedisor përqendrohet në procesin arsimor, është i paanshëm dhe shkencërisht i bazuar. Edukatorët mjedisor mund të konsiderojë veten “avokatët mjedisor” vetëm në jetën e tyre personale.

Edukim mjedisor  aktualisht në Kosovë!

Situata e mjedisit e reflekton mungesën e një edukimi mjedisor në Kosovë, duke ndikuar në ndërgjegjen dhe qytetarinë aktive në nivel që lë shumë për të dëshiruar. Përpjekjet e ambientalistëve dhe ekspertëve arsimor, kanë filluar të japin frytet e para në shkolla tek pas dekadës së parë  të pasluftës. Edukimi mjedisor është pjesë e kurrikulës zyrtare arsimore të vendit duke qenë fushë kurrikulare e veçantë (Shoqëria dhe mjedisi). Ka disa tekste të veçanta shkollore për ekologjinë dhe mjedisin, por sipas një hulumtimi që kam kryer me studentë, del se shumë nga tekstet që sot janë në përdorim zyrtar kanë kapituj dhe tema mësimore për mjedisin. Përmbajtja dhe metodologjitë e zbatimit mund të kenë zbrazëtira dhe vend për përmirësime, por edhe si të tilla kanë mbushur një boshllëk në kuadrin e lëndëve të shkencave natyrore, edukatës qytetare etj. E arritura më e madhe mendoj se është përgatitja dhe dërgimin në shkolla i “Paketës së Gjelbër”, një instrument multimedial për nxënësit e shkollës së mesme të ultë (dhe po besoj i vetmi i këtij niveli në kurrikulën arsimore të vendit). Është përgatitur edhe versioni kosovar i “Paketa e Gjelbër Junior” që  si instrument multimedial i dedikohet nxënësve të nivelit fillor. Në programet e përgatitjes së mësimdhënësve pjesë e programit studimor obligativ është edhe edukimi mjedisor.

Pra, Kurrikula, që është kushtetuta arsimore e shtetit e rregullon edukimin mjedisor, resurset didaktike ekzistojnë e të rejat janë në zhvillim, mësimdhënësit e rinj janë duke u pajisur me shkathtësitë e zbatimit të edukimit mjedisor në shkolla. Këto hapa japin shpresë se gjeneratat e reja të mësimdhënësve por edhe nxënësve, do të krijojnë një Kosovë ku popullsia është e vetëdijshme dhe e shqetësuar rreth problemeve të mjedisit, që i ka njohuritë, aftësitë, qëndrimet, motivimet dhe angazhimin për të punuar individualisht dhe kolektivisht drejt zgjidhjes së problemeve aktuale mjedisore dhe parandalimi atyre të reja pritet të shfaqen. Deri sa të arrihet kjo, situate mjedisore dhe trajtimi që po i bëjmë mjedisit nuk do të jetë më i mire nga ai që është sot.