E ZEZA, SHIU I VJESHTES, SHTËPITË E DJEGURA DHE VDEKJA MISTERIOZE

E ZEZA, SHIU I VJESHTES, SHTËPITË E DJEGURA DHE VDEKJA MISTERIOZE

– Pikturat nudo të Lisit, nuk ishin epsh, ato ishin lakuriqësia e jetës ndaj edhe ngjyra e zezë zinte pjesën dominuese tek to. Ajo e zezë pushtonte gjithçka në këtë jetë, pushtonte edhe shpirtin, duke dashur ta nxinte atë. E zeza, ishin shokët e Lisit, ishin ata që kishin kryer krime apo kishin ndihmuar në kryerjen e tyre dhe me frikë përgjonin çdo fjalë, çdo hap duke trembur jetën me karriget që kishin zënë, apo me pistoletat që mbanin me vete. –

Nga : Bukurie Bushati

Fjala e parë e romanit është varrmihësit dhe të jep atë përshtypjen e vdekjes dhe ti mendon se gjatë romanit do të të ndjekë ajo hije vdekje, që punëson varrmihësit. Dhe intuita nuk më gaboi. Ishte pikërisht, një vdekje enigme, që do të përshkonte si shtyllë kurrizore romanin nga fillimi deri në fund. Ishte piktura e pambaruar e një gruaje nudo, që e shoqëronte zgjidhjen e kësaj enigme.
Romani fillon me shi, me zymtësi, me frikë shoqëruar si një ugur i keq nga ngjyra e tepruar e zezë e hedhur në pikturat e piktorit Lisi. (mendoj se jo rastësisht autori ka gjetur këtë emër për këtë piktor. Lisi, me trupin e tij të drejtë e të lartë, që nuk din të përkulet, edhe pse mundet të preket e të shkretohet nga rrufetë.) Autori, që është edhe personazhi kryesor i këtij romani, niset nga Hamburgu, për në vendlindje, Kosovë, nga një brengë që nuk e len të qetë, vdekja misterioze e mikut të tij. E kemi ndjerë të gjithë ne emigrantët, kur kthehemi në vendlindje, pas shumë viteve ndjehemi të huaj. Kështu ndjehet edhe Sokoli. Në Kosovën pas luftës, përballet ai me zhgënjimin. Kishin pritur shumë, por grija e ka mbërthyer Kosovën. Kaosi ka zgjatur gojën e tij të shthurur kafeneve mbi gotat e alkoolit, kriminelët kanë zënë postet në shtet, thashethemet tregojnë për një shtet që nuk shkon drejtë qytetërimit dhe pasiguria përgjon çdo derë, ndjek çdo hap.
Aucun texte alternatif disponible.Nëpër shiun e vjeshtës dhe të ftohtin që e shoqëron rrugëve që rënkojnë nga djegia e shtëpive për rreth tyre, kërkon ai ish të dashurën e tij, Rudinën. Në fillim të krijohet bindja se do të ketë një vazhdim të atyre ndjenjave të dikurshme mes tyre. Por jo. Rudina, është nyja kyçe nga ai duhet të fillojë të kërkojë autorin e vrasjes. Rudina, një grua për të cilën thashethemet nuk kanë të pushuar, është ajo forca e gruas, që edhe pse e braktisur nga fati, ngrihet dhe ecën me hapin goditës e të sigurt mbi asfalt, me trupin e drejtë, me ato tipare, që Lisi, me të cilin bashkëjetonte, ishte munduar t’i hidhte në pikturën e gruas nudo, që nuk arriti ta mbaronte dhe as iu gjet vendi ku u fsheh. Në atë pikturë, nudo ishte shpirti i saj, shpresa, buzëqeshja, vuajtja që ishin edhe në pikturat e grave e vajzave të tjera nudo të pikturuara prej tij. Pikturat nudo të Lisit, nuk ishin epsh, ato ishin lakuriqësia e jetës ndaj edhe ngjyra e zezë zinte pjesën dominuese tek to. Ajo e zezë pushtonte gjithçka në këtë jetë, pushtonte edhe shpirtin, duke dashur ta nxinte atë. E zeza, ishin shokët e Lisit, ishin ata që kishin kryer krime apo kishin ndihmuar në kryerjen e tyre dhe me frikë përgjonin çdo fjalë, çdo hap duke trembur jetën me karriket që kishin zënë, apo me pistoletat që mbanin me vete.
Në çdo faqe të librit, ndjehesh me pasigurinë, me frikën që mban veshët hapur. Për secilin jeta është e dashur dhe asnjë donë ta humbasë atë. Edhe Rudina, edhe pas gjithë atyre fatkeqësive, e donë jetën, por është diçka më e shtrenjtë se jeta. Është ajo brengë që të mbërthen shpirtin dhe nuk të lejon ta jetosh jetën, pa e nxjerrë atë jashtë. Edhe për ta nxjerrë atë jashtë, të rrezikohet jeta, por shpresa se krimi do të dënohet dhe jeta të pastrohet, zë vend në vendimin e Rudinës. Vetëm kështu pikturat e Lisit, mikut të saj do të lirohen nga ngjyra e zezë. Autori din të përshkruaj mirë, fytyrat e krimineleve, ish shokë të tyre. Frika i ka mbërthyer edhe ato edhe pse me gotat e alkoolit nëpër duar, mendojnë se dëshmitë i mbuloi dheu. PO ashtu, autori ka gjetur detajin e duhur në këtë roman, “vrasjen në kufi”, që përdoret për të çoroditur popullin duke dhënë nga ana tjetër, edhe vrasjen për një jetë tjetër, jashtë kësaj vjeshte me shi. Autori tregon edhe për prostitucionin. Por prostitucion nuk quan atë grua që detyrohet të shtrihet në shtrat me të “fuqishmit”, por janë këto të fundit që janë prostitutë të kësaj kohe, që vrasin lirinë dhe dinjitetin e femrave dhe pastaj i hedhin në koshin e qytetit, duke i quajtur të përdala!
Mbasi i ka shkuar deri në fund, enigmës së vrasjes së Lisi T, Sokoli largohet nga netët e frikshme të qytetit dhe kthehet në Hamburg. Por krimi ka duart e gjata. Ai din të hakmerret për të qenë edhe i sigurt për mbijetesën e tij dhe Sokolit i duhet të kthehet, për të vendosur një shirit të zi, mbi pikturën e papërfunduar dhe të pagjetur të Gruas nudo, të shoh dheun e rëndë që hidhet mbi trupin e saj. Më pëlqeu stili me të cilin është shkruar romani, detajet që janë sinjifikuese, njohja dhe përshkrimi realist i ngjarjeve të atyre viteve. Libri lexohet me kënaqësi, dhe të mban pezull, për të ditur se si përfundojnë personazhet, dhe cila është enigma e vrasjes së Lisit, piktorit që në pikturat e tija e “teproi” me ngjyrën e zezë, me ngjyrën e vdekjes e të pasigurisë që sundonte ajrin që nuk mundet të ndjehej i lirë.

Bukurie Bushati