Dy javë, dy presidentë të dobët jashtë loje

rmirditaNga Reis Mirdita

Pas dy javë vrapi të së djathtës franceze në garën për t’u zgjedhur kandidat, dy presidentët, paraprijësi Sarkozy dhe i tanishmi François Hollande dolën jashtë “loje” për zgjedhjet e ardhshme. Sarkozy humbi turpshëm që në raundin e parë kurse në këtë fundjave, Hollande deklaroi mos-përfshirjen në garë. Me këtë, Franca numëron nga viti 1945, tre presidentë që nuk u zgjodhën për së dyti; i pari ishte Valéry Giscard d’Estaing, Mandej Sarkozy dhe tani Hollande, kurse Georges Pompidou (1969-1974) vdiq pak kohë para përfundimit të mandatit të vet.

Francois Hollande tërheqjen e tij e bëri publike të enjten 1 dhjetor duke thënë vendosmërisht se nuk do të kandidojë për vazhdimësinë e tij në Élysée në 2017, njoftim ky i paparë në historinë e Republikës së Pestë, dhe kjo, hapën rrugën për kandidatë tjerë të majtës, pas një pesë-vjeçari të shënuar si i dobët dhe jopopullor gjatë tërë kohës.

Personalitete  të djathtës deklarojnë se kjo është një njohje e mossuksesit. Kandidati i presidencialeve François Fillon deklaroi se “Presidenti i Republikës e pranon me kthjelltësi, dështimin e tij të qartë që ia ndalon të shkojë më tutje”.

Në këtë gjendje, mbi tabelën e shahut politik në Francë, ngelën hijet apo dublerët e liderëve të deridjeshëm. Fillon ishte Kryeministër në kohën e Sarko-s kurse me tërheqjen e Hollande-it në shesh hidhet Kryeministri i tij Manuel Valls gjithashtu jo shumë i dashur në popull. Krejt kjo mund të ketë një përfundim jo preferues në BE dhe në Botë sepse i hapën rrugën Front-it Nacional ( e djathta e skajshme), me në krye zonjën Marine Le Pen, vajza e themeluesit Jean-Marie Le Pen që do të ishte (në rast fitorje) një fiasko tragjike për demokracinë në Francë e më gjerë.

Ndoshta nuk është vendi por nuk dua të lë pa thënë se populli francez, po tregon një pjekuri të rrallë politike me eliminimin e Sarkozy-t dhe ngushtimin e veprimit të Hollande-it. Të dytë e përkeqësuan gjendjen e popullit: Papunësi, pa siguri, pa mundësi të mira shkollimi dhe banimi… A s’është kjo një mësim shembullor për votuesin shqiptar?!

Radhën e kemi, të shohim si do të veprojmë!