DUHET OPOZITË PËR ZHVILLIM

NEBI DRAGOTI

DUHET OPOZITË PËR ZHVILLIM

Kritikë

Fjala opozitë në shqip, për çudi, ka marrë kuptimin: llafe, llafe, llafe, vetëm llafe, dhe, me llafe e “lloqe” është ngritur uji mullar, është bërë politikë virtuale, politikë që i bën jehonë vetvetes në facebook, që nuk është politikë, politikës që qëndron në distancë e që nuk është aspak e bazës reale jetësore.

  ***

Jo opozitë ( siç është) vetëm për zhurmë, jo opozitë hileqare vetëm për të ardhur në pushtet, jo opozitë pa program e pa vizion të ardhmeje më të mirë se ç’ është gjendja aktuale e vendit. Të tillë opozitë kemi pasur dje dhe të tiillë opozitë aq më keq të çoroditur kemi sot. Jo opozitë që bërtet, ku të bërtiturat janë, thjesht, histerike e qëllimzeza. Jo opozitë që ngre akuza në erë, që nuk di as vetë pse çirret, ku është e çfarë kërkon të bëjë, që ngre akuza edhe për punën e mirë që bën pozita. Jo akuza qesharake për të nxirë suksesin e kundërshtarit, kur suksesi flet qartë dhe është si shprehja:” Dielli nuk zihet me shoshë”, ndërkohë, kur populli sheh shumë mirë punën e pozitës dhe në çdo kohë është në rolin e vëzhguesit dhe barometrit. Qëndrime të tilla e kanë lënë shumë prapa Shqipërinë në këto 27 vite. Kjo panorama e dhënë, sa sipër, tregon fare bukur, se kemi të bëjmë me opozitë fallso që nuk i jep vetes shans dhe nuk merrë asnjë meritë për t’i zënë vendin pozitës që të drejtojë më mirë. Është parë se opozitë e tillë nuk ka as program, as përgatitje politike, nuk ka metoda të domosdoshme organizimi, nuk ka as stafin e nevojshëm drejtues dhe të aftë për të drejtuar alternativën që përfaqëson. Kështu, e gjitha, opozita del me pamje tepër të errët dhe nuk është në shërbim të asaj që kërkon atdheu. Një opozitë e tillë nuk ka ç’i duhet Shqipërisë, se një opozitë e tillë nuk është dhe nuk mendon për Shqipërinë. Atëherë lind pyetja: si duhet të jetë opozita? Opozita duhet të zhvishet nga mentalitete që nuk sjellin produkt, nga mentalitete që frenojnë zhvillimin e vendit dhe të shoqërisë. Konkretisht kjo e keqe, nga të dyja krahët e politikës, është reflektuar dhe është larg nga të bërit opozitë reale. Këtë thënie e analizon edhe më i thjeshti qytetar i vendit.

Opozita duhet ta ketë të qartë misionin e saj, dhe, kur ta thotë fjalën, ta peshojë e t’i zejë vend duke e argumentuar atë. Alternativa e opozitës duhet të jetë bllok solid në përbërjen e figurave të saja dhe filozofia, idetë, që konsumon përballë pozitës të kenë maturinë e gjykimit dhe arsyetimit dhe të mos jenë qesharake e fluide për të kaluar kohë. Opozita në emrues të përbashkët me pozitën duhet të ndihmojë për progresin, sepse ka probleme  që politika e bashkuar duhet t’i zgjidhi si në rang kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Fronti opozitar duhet të udhëhiqet nga figura që kanë shpirt punëtor dhe janë të sakrificës duke dhënë ndryshime konkrete zhvillimi dhe rritje të nivelit të jetesës. Në këtë mënyrë, hera herës, duhet bërë rifreskimi me figura të besueshme dhe serioze në drejtimin e alternativës. Fronti opozitar duhet të tregojë me punë rrugët pë të ndaluar emigracionin dhe kthimin e emigrantëve në atdhe dhe me fikasitet ta shërojë këtë plagë. Kjo është detyra emergjente politike tepër shqetësuese dhe që askush nuk po e vë ujin në zjarr. Fronti opozitar duhet të jetë projektues dhe zbatues edhe i zhvillimit e përpunimit agro-industrial, se resurset për këtë zhvillim i ka të shkëlqyera ky vend. Këtu, si edhe në bujqësi, duhen bërë investime me parametra real zhvillimi e rritje prodhimi. Kjo është fusha e veprimit që duhet të synojë Shqipëria. Kështu, këtu, hapen edhe vende punësimi të qëndrueshme në perspektivë. Arrihet ky objektiv, kur ndryshon opozita karakterin që ka. Për të konkluduar objektivisht çka shtrohet në këtë shkrim duhet patjetër të funksionojë shteti ligjor, tashmë i munguar. Dhe, duhet kuptuar drejt, zbatimi i ligjeve të shtetit me korektësi, kur bëhen ndëshkime të shkelësit, nuk duhet kuptuar, se kemi të bëjmë me diktaturë. Jo, jo, por parimisht, kemi të bëjmë me funksionimin serioz të shtetit demokratik, ku demokracia funksionon realisht. Jeta kërkohet të lëvizi më shpejt, të përparojë suksesshëm në binarët e hekurt duke zbatuar dhe disiplinën shkencore kudo e kurdo. Kjo është kënaqësi dhe nuk duhet lejuar të rritet varfëria dhe shqiptarët të largohen nga vendi. Kjo është e vetmja metodë zhvillimi dhe pikësynimi për realizimin objektiv të nevojave politike dhe ekonomike, që duhet të arrihen. Kështu, me këtë devizë duhet të jetë dhe të punojë opozita e vërtetë.

         Tetor, 2017.