Duhet ndarë kafshatën e bukës, e nuk duhet hequr dorë nga ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë

Musa LimaniBisedë me Prof. Dr. Musa Limani, ekspert i ekonomisë me të cilin biseduam se: Ku është ekonomia e Kosovës, efektet e privatizimit të ndërmarrjeve publike, sa po ndiqen politikat e zhvillimit rajonal, rëndësia e ndërtimit të rrugës që lidh Deçanin me Plavën..

 

Bisedoi: Mr. Adem Lushaj

Pyetja: Profesor Limani, në çfarë niveli të zhvillimit është ekonomia e Kosovës?

Dr. Musa Limani: Zhvillimi ekonomik i Kosovës pas çlirimit, është zhvilluar në kushte specifike politike, shoqërore dhe ekonomike. Siç dihet, në këtë periudhë bartës i vetëm i politikave zhvillimore makroekonomike ishte UNMIK-u, në fillim përmes Këshillit për Politikë Ekonomike, e më vonë përmes Shtyllës IV. Ndërkaq, pas  zgjedhjeve të lira dhe demokratike (2002) dhe formimit të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës, disa kompetenca në fushën ekonomike barten edhe në organet përkatëse vendore. Mirëpo, edhe për rreth kësaj, me Kornizën Kushtetuese, shumë kompetenca të politikave zhvillimore makroekonomike mbeten e drejtë e rezervuar e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) të Kombeve të Bashkuara. Me fjalë të tjera, kjo jep të kuptohet se UNMIK-u kishte kompetenca të pakufizuara, në politikat zhvillimore makroekonomike në Kosovë. Andaj, situata e tillë paraqite dualizëm në bartësit, hartuesit dhe zbatuesit e politikës së zbatuar ekonomike në Kosovë, që shpeshherë nuk ishin të akorduara. Pozita inferiore dhe neglizhenca e organeve vendore (Qeverisë) bëri që edhe ato kompetenca që i kishin organet vendore nuk i zbatuan e as nuk i vënë sa duhet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Proceset ekonomike pas çlirimit në Kosovë kishin trendë kryesisht negative dhe ishin mjaft të ndërlikuara. Zhvillimi ekonomik në këtë periudhë u përball me sfida dhe probleme të shumta. Ndonëse, janë arritur disa rezultate në fushën e zhvillimit ekonomik, si: erdhi deri te riparimi dhe ndërtimi i shtëpive të djegura, riparimi dhe aftësimi i infrastrukturës ekonomike dhe shoqërore, dhënia e ndihmave materiale etj., e cila bëri të mundur rikthimin e jetës në Kosovë pas shkatërrimit të luftës. Madje, bartësit e politikave zhvillimore makroekonomike (UNMIK-u dhe OPVK) krijuan një infrastrukturë juridike dhe ekonomike me të cilën filloi funksionimi i ekonomisë sipas veprimit të ekonomisë së tregut. Në këtë kohë u themeluan shumë ndërmarrje private (të vogla dhe të mesme), u riaktivizuan ndërmarrjet publike, si dhe u vuan bazat e disa nën sistemeve të politikës së zbatuar ekonomike, si: të politikës fiskale, monetare-kreditore dhe të politikës së tregtisë së jashtme. Mirëpo, është për të konstatuar se, edhe përkundër këtyre rezultateve, në këtë fazë zhvillimi ekonomik i Kosovës u përballë me sfida e probleme të shumta. Mos efikasiteti i zhvillimit ekonomik është rezultat i neglizhencës së institucioneve vendimmarrëse (Shtyllës IV dhe Qeverisë së Kosovës) që nuk arritën të hartojnë dhe zbatojnë një politikë konsekuente zhvillimore makroekonomike, e cila do të ishte në funksion të zhvillimit të bizneseve vendore, përkatësisht të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të Kosovës. Bartësit e politikave zhvillimore (as UMNIK-u e as Qeveria e Kosovës) nuk arritën të hartojnë një strategji dhe vizion adekuat, apo të zbatojë një politikë të zhvillimit të përgjithshëm të ekonomisë së Kosovës edhe pse Qeveria e Kosovës tentoi disa herë të hartojë strategjinë zhvillimore, por dështoi. Andaj, mungesa e një dokumenti në të cilën mbështetet zhvillimi ekonomik, siç është strategjia zhvillimore, ndikoi që zhvillimi ekonomik i Kosovës në periudhën e pasçlirimit të jetë ad-hoc dhe parcial, që është në kundërshtim të plotë me teorinë dhe praktikën e zhvillimit ekonomik.

Efektet e politikës së zbatuar ekonomike, shprehen përmes trendëve pozitive të treguesve global makroekonomik, si: të Bruto Produktit Vendor, përmirësimi i strukturës ekonomike, rritja e eksportit, rritja e punësimit e zvogëlimi i papunësisë, zvogëlimi i varfërisë, rritja e standardit jetësor të popullsisë etj. Për shkak të natyrës dhe hapësirës së gazetës, me këtë rast unë po i ceku vetëm disa karakteristika kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës në periudhën e pasçlirimit, siç janë:

– Rritja permanente e deficitit të bilancit të pagesave, i cili tani ka arritur në 2,2 miliardë euro, apo mbi 940 euro për një banor, që paraqet ngarkesë të madhe për ekonominë e Kosovës,

– Rritja e ekonomisë infromale, nga e cila mendojë se krijohet diku 30-40% e Bruto Produktit Vendor, që paraqet një çrregullim dhe konkurrencë jolojale në tregun e brendshëm,

  • Rritja e evazionit fiskal, e cila dëmton buxhetin e Kosovës dhe realizohet përmes ekonomisë informale, kontrabandës ekonomike dhe krimit të organizuar që janë shumë të shprehur në Kosovë,
  • Rritja permanente e papunësisë, norma e papunësisë tani arrin mbi 50,0%, që reflektohet nga niveli i ulët i zhvillimit ekonomik,
  • Rritja permanente e varfërisë dhe rënia permanente e standardit jetësor të popullsisë, e cila po ashtu është rezultat i mos zhvillimit ekonomik,
  • Rritja enormë e korrupsionit dhe prezenca e nepotizmit në të gjitha institucionet shtetërore dhe poret jetësore, të cilat janë bërë kancer i shoqërisë kosovare etj.

Të gjitha elementet e sipërcekura që e karakterizojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës në periudhën e pasçlirimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë shprehin mos efikasitetin e politikës së zbatuar makroekonomike nga ana e Qeverisë së Kosovës, që nga viti 1999, e deri në ditët e sotme.

Pyetja: Si e vlerësoni procesin e privatizimit në Kosovë, sa ka arritur të ndikon në rimëkëmbjen ekonomike. Këtu flas edhe për privatizimin në Deçan, kur dihet se dy ndërmarrje publike, nuk iu janë nënshtruar fare këtij proces, por iu janë dhurua Manastirit të Deçanit?

Dr. Musa Limani: Hallkën kryesore të kalimit të fazës së tranzicionit, në të cilën Kosova kaloi nga viti 1999, e në të cilën gjendet edhe sot, e paraqet procesi i privatizimit. Në kuptimin e plotë të fjalës, privatizimi paraqet reformë ekonomike, e jo vetëm ndryshimin e pronësisë, përkatësisht transformimi i pronës shoqërore (shtetërore) në pronë private. Praktika e zbatimit të procesit të privatizimit në Kosovë, të jep me kuptua se ai nuk u kuptua si reformë, por si ndryshim i pronësisë. Unë që nga formimi i Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit (AKM), kam reaguar dhe isha më i zëshmi, jo kundër procesit të privatizimit, por kundër modelit dhe politikave operative që u zbatuan me rastin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike në Kosovë. Marrë globalisht dhe konkretisht, mund të themi se ashtu si është zbatuar privatizimi në Kosovë është dështim total, për arsyes se me rastin e shitjes së ndërmarrjeve shoqërore dhe atyre publike, jo që nuk erdhi deri te ndryshimi i strukturës ekzistuese ekonomike, por u shkatërrua edhe substanca e saj. Mjetet e fondit që u krijuan me rastin e shitjes së ndërmarrjeve shoqërore dhe publike, nuk dihet se ku gjenden e as nuk dihet destinimi i tyre. Ato janë mjete të ekonomisë së Kosovës, dhe është dashur që të investohen në Kosovë, e jo të mbahen në fondacione të ndryshme jashtë sistemit bankar të Kosovës. Andaj, duke mos lënë anash edhe faktorët e tjerë subjektiv e objektiv, me plotë të drejtë mund të themi se, sfidën kryesore të shkatërrimit dhe të mos zhvillimit ekonomik të Kosovës në periudhën e pasçlirimit, e paraqet procesi i privatizimit, konkretisht modeli (Spinn-Off) i këtij procesi. Lidhur me këtë mund të themi se, procesi i privatizimit ashtu si është zbatuar dhe si po realizohet tani, paraqet burimin kryesor të korrupsionit, të largimit të punëtorëve nga vendet e punës, përkatësisht rritjen e armatës së të papunëve dhe ngadalësimin e zhvillimit ekonomik.

Sa i përket rastit konkret të faljes së ndërmarrjeve shoqërore në Deçan një institucioni fetar, konkretisht Manastirit, është e kundërligjshme dhe nga aspekti juridik e ekonomik e pa justifikueshme dhe e papranueshme. Nuk ka askush të drejtë të falë pronën shoqërore, apo pronën e cila nuk është pronë e tij personale. Atëherë, me çfarë të drejte iu janë falë këto dy ndërmarrje shoqërore Manastirit të Deçanit. Siç dihet, me pronën shoqërore tani në Kosovë udhëheqë vetëm Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP), dhe ky është i vetmi institucion që të bëjë privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore sipas ligjeve në fuqi. Ky akt, është në kundërshtim edhe me të drejtën ndërkombëtare pronësore dhe me konventa ndërkombëtare, sepse prona është gjë e shenjtë, me të cilën disponon vetëm pronari dhe institucioni në emër të të cilit është prona.

Pyetja: Dihet se shtetet më të zhvilluara të botës, si: SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia, kujdes të veçantë i anë kushtuar zhvillimit rajonal. Sa është duke u zbatuar kjo politikë në Kosovë?

Dr. Musa Limani: Kjo është një pyetje shumë me vend, mirëpo tani e pakuptueshme për hartuesit dhe zbatuesit e politikave zhvillimore në Kosovë. Është fakt se nuk ka zhvillim adekuat ekonomik, pa strategji të përgjithshme zhvillimore, në kuadër të së cilës duhet përfshirë: strategjinë sektoriale dhe atë rajonale (territoriale).  Zhvillimi rajonal është pjesë e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të një vendi. Politika e zhvillimit rajonal është pjesë përbërëse dhe e pandarë e politikave zhvillimore makroekonomike. Zhvillimi rajonal në vete kupton marrjen e masave dhe instrumenteve të politikës së zbatuar ekonomike dhe rajonale, për të siguruar zhvillim sa më të barabartë territorial të vendit. Kjo behët për arsye se, diferencat (hendeku) e mëdha zhvillimore rajonale, paraqesin problem dhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Çdo vend, pos politikave të përgjithshme, zbaton dhe politikën e zhvillimit rajonal. Kosova para çlirimit, kishte politikë rajonale të zhvillimit, që paraqite pjesë përbërëse të politikave zhvillimore të kësaj treve. Normalisht, se edhe tani është e nevojshme hartimi dhe zbatimi i politikës rajonale të zhvillimit. Për fat të keq, në Kosovë nuk kemi Strategji e as politikë zhvillimore, e mos të flasim për politikën e zhvillimit rajonal.

Pyetja: Rruga që lidhë komunën e Deçanit me Plavën, konsiderohet si bosht i zhvillimit ekonomik, jo veç të kësaj komune,  por gjithë Kosovës. Cili është mendimi i juaj për mos investime në këtë rrugë, sa ka arsyeshmëri ekonomike ndërtimi i saj?

Dr. Musa Limani: Siç dihet, infrastruktura ekonomike dhe konkretisht ajo rrugore paraqet faktorë limitues të zhvillimit ekonomik, por nuk është bartëse e zhvillimit ekonomik. Investimet në infrastrukturë ekonomike (rrugë, energji etj.) kanë karakter kapitalo-intensiv, sepse absorbojnë vlerë të madhe të investimeve dhe punësojnë numër të vogël të punëtorëve. Mirëpo, konkretisht rruga Deçan-Plavë, është me interes të dyfishtë për ne: Së pari, paraqet rrugë me interes kombëtar, sepse lidhë tokat etnike shqiptare, dhe, së dyti, paraqet rrugë të rendit të parë, sepse lidhë dy vende fqinje Kosovën dhe Malin e Zi. Për mua proceset integruese ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore etj., paraqesin hapin e parë dhe shumë të rëndësishëm të ribashkimit tonë kombëtar, ku rrugët paraqesin një arterie shumë të rëndësishme. Investimet për këtë rrugë janë të arsyeshme dhe efikase, sepse kjo paraqet bosht  të zhvillimit, jo vetëm për ekonominë e komunës së Deçanit, por edhe për ekonominë e Kosovës dhe të Plavës dhe të Malit të Zi. Nga aspekti ekonomik, kjo rrugë ka arsyeshmërinë e vetë, sepse do të mundësojë rritjen e tregjeve ekonomike, si për Deçanin e Kosovën, ashtu edhe për Plavën dhe Malin e Zi. Madje, kjo rrugë do të mundësojë zhvillimin e turizmit, dimëror e veror për këto dy komuna dhe për këto dy vende. Kështu, që nuk bëhet fjalë për arsyeshmërinë ekonomike të kësaj rruge. Ideja për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë e kah mortshme. Që në Planin afatmesëm të zhvillimit ekonomik të Kosovës në periudhën 1971-1975, ka qenë e paraparë që të ndërtohet kjo rrugë, si dhe rruga Prizren-Tetovë dhe Gjilan-Preshevë. Këtë projekt asnjëherë nuk e ka pranuar Serbia, me motivacione politike, se ne nuk duhet ndërtojmë rrugë për t’u lidhur me Shqipërinë. Andaj, si Shqipëria, ashtu dhe Kosova, duhet të ndërtojnë  infrastrukturën rrugore drejtë trojeve shqiptare (kah Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova), që mundësojnë lidhjen fizike të trojeve etnike shqiptare, që duhet të jetë edhe strategji e jona gjithëkombëtare. Pra, rruga e kombit që fizikisht lidhi trojet etnike shqiptare, paraqet objektin më madhor gjithëkombëtar, që do të thosha se, edhe rruga Deçan-Plavë ka përafërsisht të njëjtën rëndësi. Për këto objekte nuk duhet të hezitohet dhe të kursehet. Duhet ndarë kafshatën e bukës, e nuk duhet hequr dorë nga ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë.