DUA MË SHUMË LIRINË

Vjollca Tiku Pasku

DUA MË SHUMË LIRINË

Eci me ty ngadalë copëz e qiellit i vjetër,
si një lumë resh që fsheh yllin e pikëllimit,
gjahtar i zemrës sime më kërkon pa reshtur,
‘Kthehu mos nxito të shkelësh fjalën e premtimit’.

Rrezet e bukura të dashurisë janë ç’ngjyrosur,
diamantet e kristalet e bukura janë gurë të pavlerë,
ti harron kur ajrin me ngjyra ma burgose,
më hodhe në prangat e dhimbjes në terr.

Kurrë nuk e këmbej dashurinë me skallvëri,
sepse njeriu është si era e malit të lartë,
sado ta shtëngosh brenda pëllëmbës,
ikën nga hapësira e gishtave në lirinë e artë,

Tani që ndjej dhimbje jetoj në shumë jetë
syve të verbër u është kthyer shikimi i qartë
kush nuk ka liri në jetë nuk ka dritë në ajër,
por plagë të një iluzioni diell që djegjen mbart,

Vjollca Tiku Pasku