DRAMË QË NA KA MUNGUAR

Bedri TAHIRI

DRAMË QË NA KA MUNGUAR

(Ramadan Pllana, PLISI I SHOTË GALICËS, Lena, Prishtinë, 2020)

Sot, në botim të LENA GRAPHIC, pas më shumë se dy dekadash, doli në dritë drama e Ramadan Pllanës PLISI I SHOTË GALICËS, parathënien e së cilës e pata bërë në korrik të vitit 1997, të cilën po e postoj pa asnjë ndryshim, në mënyrë që ta këtë vulën e kohës.

Në letërsi shpesh ngjet që vepra dhe jeta e autorit janë të pleksura aq shumë mes veti saqë s’mund t’i ndash dot, mu si vëllezërit siamezë. I tillë është edhe rasti që e kemi në shqyrtim…

Ramadan Pllana u lind më 6 gusht 1947 në Shtitaricë të Vushtrrisë. Mësimet e para i mori në Pantinë. Të mesmet i vazhdoi me gjeneratën e parë të gjimnazistëve në Vushtrri. Për shkaqe ekonomike nuk i vazhdoi studimet. Për ta mbajtur familjen 12 anëtarëshe u detyrua të emigronte në Francë. Atje, krahas punës, u shqua edhe si aktivist. Në Shoqatën “Miqtë e Shqipërisë”, që tubonte njerëz përparimtarë nga mbarë bota, e bëri të njohur çështjen e pazgjidhur shqiptare. Edhe tek emigrantët shqiptarë, në Francë e në Belgjikë, ndikoi në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Gjatë këtyre viteve (1972-1976), kreu edhe kursin administrativ të gjuhës frënge pranë Universitetit të “LILËS”.

Në verën e vitit 1976 kthehet në vendlindje. Kërkoi punë, por kot. Kudo e largonin si element turbullues. I vazhdoi studimet në Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë frënge. Pos mësimeve, angazhohet në grupet militante që nuk pushonin së vepruari për çështjen kombëtare. Më 14 nëntor 1979 dënohet me 7 vjet burgim, si anëtar i LNÇKSH-së, që e udhëhiqte Jusuf Gërvalla.

Më 1985 lirohet nga burgu. Edhe pasi i mbaroi studimet nuk pranohej në punë askund. As ky, as vëllezërit e tij, sepse ishin bijtë e bashkëluftëtarit legjendar, Shaban Polluzhës. Ditarin, që aq shumë e kishte ëndërruar, për herë të parë e mori në dorë në shkollën fillore “AZEM BEJTA” në Dubofc. Pas pak kaloi në Gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri.

Sërish korbat e zinj e arrestojnë  më 1993 dhe, tashmë, si anëtar i LPRK-së, e dënojnë me katër vjet burgim. Më 1986 lirohet. Përsëri iu kthye punës së shenjtë të arsimit. Jeton në Shtitaricë.

Vetëm nën prizmin e kësaj drame jetësore mund të vështrohet mirë dhe të kuptohet drejt  vepra dramatike “PLISI I SHOTË GALICËS”, që ky autor po ua dhuron lexuesve.

Tema e kësaj drame nuk është as e re, as e panjohur për ne, por përherë aktuale. Emancipimi dhe ngritja e femrës shqiptare gjithmonë ka çaluar. Kjo thembër Akili i ka preokupuar edhe të tjerët. Sami Frashëri thoshte: ”Lumturia e një kombi varet nga edukimi i femrës së tij”. Të tilla ide kishte edhe Ramadan Pllana që nga fëmijëria, kur në oda dëgjonte rrëfimet e pleqve për Nusen e Maleve, Shotën e Azem Galicës. Pranvera e gjakosur studentore e 81-shit, ia thadroi edhe më shumë këtë ideal të pashuar atdhetar. Vërsulja e vajzave shqiptare, mbi tanket serbe, i fanitej edhe në burg. Dhe, aty, në qelitë e errëta, lindi embrioni i kësaj drame. Edhe romani “LINDJA E DYTË”, ende i pambaruar, aty e ka gjenezën. Mendimet e thurura gjatë vetmisë ua shpjegonte shokëve më vonë. Recensent të tyre e pati Muhamet Rugovën.

Ramadan Pllana e kishte të qartë se vetë femra shqiptare duhej angazhuar për të liruar vetveten nga prangat e prapambeturisë. Tipat e Jonuz Rruzjes, të zhytur në injorancë e të mbushur me smirë, përherë do ta mbanin të shtypur. Prandaj, heroina Albjetë Ushta, merr guximin dhe ngihet kundër tyre, duke dalë fitimtare. Ngadhënjimi i së resë mbi të vjetrën, i dritës mbi errësirën, i diturisë mbi injorancën, nuk ishte e lehtë. E vetmuar nuk do t’ia dilte dot as Albjeta (këtë emër e mban edhe vajza  e autorit). Atë e ndihmojnë edhe të tjerët. Atyre u  prinë mësuesi patriot, Naim Drita, i cili haptas e demaskon injorancën e inspektorit demagog e sylesh, Abdurrahman Binzdarit.

Figurë e dashur mbetet edhe plaku i mençur, Isa Madhi. Ai, me qëndrimin e tij burrëror i jep fije zgjidhjes së lëmshit që e kishin ngatërruar intrigantët. Dhe, duke i dhuruar plisin Albjetës, i thotë: “Mësuese, këtë plis e kam pas blerë për Shotë Galicën, por ajo nuk u kthye më nga Shqipëria. Ti sot ma kujtove atë…e ke hak…e trashëgofsh!”.

Në fund, mendoj, se drama “PLISI I SHOTË GALICËS” e autorit Ramadan Pllana do të plotësojë një boshllëk, që moti është ndjerë në dramaturgjinë tonë, edhe ashtu të varfër.

Megjithatë, këtë, më mirë do ta vlerësojnë vetë lexuesit e nderuar.

 

Galicë, më 27 korrik 1997

 

Sqarim:

Dorëshkrimin  e kësaj drame e pata lexuar dhe analizuar në verën e vitit 1997. Atëherë e pata shkruar edhe këtë parathënie, me qëllim që do të botohej bashkë me dramën. Mirëpo, ngjarjet morën rrokullimë. Çdo gjë sikur e përpiu heshtja. Dhe, një ditë, disi si rastësishëm, bisedova me autorin, kolegun tim të nderuar, z. Ramadan Pllana.  Kjo mjaftoi që të rikthehet kujtesa dhe drama ta shohë dritën. Andaj, nuk ndryshuam asgjë, madje as parathënien. I lamë ashtu siç ishin në variantin e vitit 1997! Lë të mbetet dëshmi kohe!