DISKURSI SHUMËDIMENSIONAL I SHKRIMIT

Bedri TAHIRI

 DISKURSI SHUMËDIMENSIONAL I SHKRIMIT

(Prend BUZHALA, Sfidat estetike të letërsisë për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2018)

 

“Të shkruash për fëmijë është lehtë ose e pamundur”.

(Klod  Avlin)

 Të gjithë ata që mendojnë së të shkruash për fëmijë është punë e lehtë, e kanë gabim. Përkundrazi, të shkruash për fëmijë, është punë e vështirë dhe mjaft e ndërlikuar, ngase, siç thoshte studiuesi dhe shkrimtari i njohur i kësaj fushe, Agim Deva, autori për fëmijë, në rend të parë duhet të jetë edhe mësues, edhe edukator, edhe pedagog, edhe shok, edhe udhërrëfyes. Pra, veprat e tyre, pos tjerash, duhet t’i plotësojë edhe tri kushte të domosdoshme: të jenë edukative, arsimore dhe zbavitëse.[1]

Të gjitha këto, më mirë se të tjerët, i kanë parasysh ata që provojnë të hyjnë në botën delikate të padjallëzisë së fëmijëve. Mbase, këto elemente i kanë në konsideratë edhe studiuesit e këtyre veprave.

Vetë libri që e kemi në shqyrtim, “Sfidat estetike të letërsisë për fëmijë”, është mjaft specifik. Këtu kemi një mozaik të shkëlqyer shkrimesh analitike, kritike, studimore  e  publicistike, të studiuesit të kësaj fushe deficitare të letrave shqipe, Prend Buzhalës. Prandaj, të flasësh për këtë libër do të thotë të flasësh njëherësh edhe për atë se çka ka thënë ky autor për të tjerët, por edhe të flasësh, pak a shumë, për autorët dhe veprat që i ka përzgjedhur për t’i vlerësuar. Një gjë thuajse e pamundur. Të bësh vlerësimin e vlerësimeve është sikur të provosh ka kapësh diellin me dorë.

Profili krijues i PrendBuzhalës del i kompletuar në çdo aspekt. Ai, me akribi fanatiku çemtonthuajse në të gjitha gjinitë, llojet dhe zhanret letrare (poezi, tregime, romane, publicistikë), por, në fushën studimore e kritike është më i specializuar dhe më i frytshëm. Këtu, tashmë, ka bërë emër prej korifeu me botimet: Metafora e vendlindjes, Përqasje estetike, Exlibris, Shkrimtari pranë buzëqeshjes, Muza e zemrës, Temë dhe tekst, Muza e Kujtesës, Aty ku krizat i besohen engjëllit, Res Publica e shkrimtarit, Kode poetike të mbijetesës shqiptare, Gjenetivi i lirikës, Të folurit e kryqëzimit shqip, Amëza e rrëfimit, Dëshmi për plagën e ftohtë, Klasiku modern i tekstit, Në mbrojtje të imagjinatës, Gjakimi i bukurisë, Me sibilën e esesë, Muza e dhjetë, Trilogji e letrave shqipe, Triumfi në anën e shkrimtarit, Shtegtime me magjinë e së bukurës, Në aktin e leximit (në dhjetë vëllime), Gojëtaria, mbretëresha e fjalës së shqiptuar, Në herodiumin modern, Shenja figurative e amësisë, e që përbëjnë mbi 40 vëllime në gushën e kritikës e eseistikës, dhe rreth 30 të tjera në poezi, prozë, publicistikë etj.

Sidoqoftë, libri Sfidat estetike të letërsisë për fëmijë” bashkë meShkrimtari pranë buzëqeshjes” dhe “Në mbrojtje të imagjinatëstë studiuesit Prend Buzhala, janë margaritarë të çmuar për kulturën tonë shkrimore-kritike në fushën e letërsisë për fëmijë. Një praktikë e tillë është për t’u tumirë, sepse lexuesit kureshtarë do ta kenë më të lehtë shijimin e përnjëhershëm të një varg veprash të autorëve të përzgjedhur për fëmijë.

Shkrimet e larmishme të këtij vëllimi, të futura nën çatinë e përbashkët me emrin Sfidat estetike të letërsisë për fëmijë”,të publikuara më parë gjithandej nëpër gazetat, revistat dhe periodikun shqiptar, janë konceptuar si të grupuara në disa kapituj:

  1. Shkrimtarë dhe vepra (Mark Krasniqi, Agim Deva, Gani Xhafolli, Ali A. Ahmetidhe Gjon Dulaj),
  2. Në profil(Hajro Ulqinaku, Avdi Shala, Ibrahim Kadriu, Sazan Galiku, XhevatSyla, JonuzFetahaj, HasanHasani, Riza Greiçevci, AvdushCanaj, HalilXani.
  3. Letërsia për fëmijë ose diskursi homologjik( Ramadan Mehmeti),
  4. Harpa e Eolit(Gjon Gjergjaj),
  5. Në aktin e leximit (Astrit Bishçemi dhe Migena Arllati, Mikel Gojani, Hysen Berisha, Frrok Kristaj, Rrahim Sadiku, Ismet Krasniqi, Jehona Gashi, Maxhun Osmanaj, Ardita M. Dushi, Merita Berisha, Erjon Hadergjonaj, Drita Prenaj, Hysen Imeri, Yll Imeri, Brikena Prenaj, Islam Balaj, Erinë Rrahmani, Venera Maloku), dhe
  6. Vitrina e librit(Besnik Avdijaj, Ajet Rr. Berisha, Dafina Grabanica, Diellëza Shala, Agjelina Hamza, Merita Berisha, Albana Raci dhe Kaltrina Kërhanaj).

Diskursi shumëdimensional i këtyre shkrimeve, me premisa të veçanta vrojtimi, natyrisht që kërkon edhe gjuhë specifike, gjë që autori ia ka dalë mbanë me sukses, duke bërë për vete lexuesin e kujdesshëm, për t’i lexuar me kureshtje e me një frymë, siç i thonë një fjale. Edhe përzgjedhja e autorëve dhe e veprave të tyre është bërë me shijen dhe kriteret e duhura, që përmbushin kërkesat e dashamirëve të shumtë të kësaj letërsie, pra të letërsisë për fëmijë. Vepra e mirë, autori i mirë, vlerësimi i mirë, natyrisht që edhe lexuesit patjetër duhet të jenë të mirë. Këta autorë e këto vepra, sikur mëtojnë me t’i përmbushin ato tri kushtet e parashtruara në fillim: të gjithë, përveçse shkrimtarë, janë edhe edukatorë, edhe mësimdhënës, edhe udhërrëfyes, edhe zbavitës të shkëlqyer.

Duke shkruar për një autor, në brendi të librit, vetë studiuesi Buzhala thekson: “Tekefundit, ku ka letërsi pa imagjinatë, pa gjuhë të figurshme dhe pa komunikim artistik?

Dhe kush më shumë e kush më mirë se sa letërsia për fëmijë do ta mbrojë këtë vlerë të jashtëzakonshme të artit përballë sfidave të antiartit, që na rrethojnë në çdo hap?” meqenëse në ballë të librit qëndron togfjalëshi vlerësues, studimor e interpretues “sfidat estetike”, gjithnjë fjala është për krijuesin që gjendet përballë kësaj sfide: “si do të krijosh sa më shumë vlera artistike apo si do të botosh libër, kur nuk e ke më përballë as cenzurën as vlerësimin jashtëletrar të artit?

Dhe, tashmë përgjegjësia i bie barrë më së shumti vetë krijuesit, përballë shumë fenomeneve tjera që do të shfaqen gjatë këtyre viteve”- thekson autori te një shkrim i tij. Kështu, shkrimet e përfshira këtu, vijnë pas leximeve të autorit prej viteve ’90 e këndej, qoftë si redaktor librash për fëmijë, qoftë si recensues, qoftë dhe si kritik letrar e studiues. Prandaj, nëse letërsia shqipe për fëmijë e viteve ‘90 karakterizohet, siç thotë autori, si letërsi e çlirimit tematik dhe estetik (tematika nacionale ishte e ndaluar në masë të ndjeshme deri më 1990),”atëherë letërsia për fëmijë e para do ta ketë ndjerë këtë ndryshim të horizontit të receptimit (term i H. R. Jausit): do të hiqen ndalesat mbi shkrimtarët e anatemuar, do të shtohet numri i shtëpive botuese dhe i firmave të reja të autorëve, do të botohen artikuj, recensione, monografi studimore e madje edhe libra të tërë historiko-letrarë, do të botohen një numër shumë më madh i veprave të letërsisë për fëmijë, do të bëhen përkthime të reja të veprave të letërsisë për fëmijë të autorëve botërorë, do të përhapet tregu i botimeve, do të formohen klube, shoqata e forma të reja organizimi dhe do të botohen revista të reja e faqe të reja për fëmijë në shtypin ditor.”

Janë të paktë emrat që merren me përkushtim, e shkrime kritiko-letrare e studimore kushtuar letërsisë për fëmijë. informacionin më të plotë e jep vetë autori, kur shkruan për Xhevat Sylën: “Xhevat Syla hyn në radhën e atyre krijuesve të rrallë të letërsisë shqipe për fëmijë, i cili, në të njëjtën kohë, merret edhe me krijimin e letërsisë për të vegjlit, edhe me studimin e kësaj krijimtarie. Të tillë krijues në letërsinë tonë janë Agim Deva, Astrit Bishqemi, Odhise Grillo, Bedri Dedja, Ymer Elshani, kurse sinteza diskurzive për letërsinë shqipe për fëmijë apo leksikone, kanë shkruar edhe Bardhosh Gaqe, Odhise Grillo, Anton N. Berisha, Xhahid Bushati Hasan Hasani, Sabit Jaha, Tasim Gjokutaj, Neshat Sadiku, Nehas Sopaj, Faik Shkodra etj.”

Por duhet të theksojmë se në radhën e emrave të tillë hyn edhe ai i Prend Buzhalës, sespe shfaq prirjen për studime serioze e thellësore kushtuar kësaj letërsie, duke zotëruar një thesar nocionesh e vlerësimesh nga disiplinat moderne teorike-letrare e të rrymimeve kritiko-letrare. Edhe kur përdor terma të natyrës profesionale, shkrimi e ruan komunikimin me lexuesin. “E pra, edhe kritiku, të themi kushtimisht, kritiku i kësaj kohe, e ka parasysh kritikën si një trajtë receptive të angazhimit njerëzor, sepse njeriu është subjekt i vlerësimit mbi bazën e shijes e të përvojave dhe mbi bazën e cilësive të tjera estetike”, pohon autori, duke e konsideruar vlerësimin kritik “si një veprimtari të ndërliqshme shpirtërore ku njeriu është subjekt i gjykimit kritik mbi të bukurën dhe të vërtetën, si do të thoshte Kanti.” Në harmoni gjenden autori, vepra dhe lexuesi (studiuesi, kritiku): “edhe libri, edhe teksti, edhe autori ngërthejnë një harmoni mendimi e zhdrivillimi të qasjeve të shumta e ku ndërkëmbimi dije-art, mençuri-kreacion, sikur nuk pushojnë së qeni Vetëdije për tekstin: kështu, Leximi e Interpretimi si Dije shndërrohen në kreacion, metoda e përzgjedhur studimore e kritike e krijon objektin e vet, e krijon pra Artin e Vet, kurse Kreacioni ta dikton e ta shqipton Nocionin, Vepra artistike ta zbulon Metaforën e Intelektit.”

Duhet ta kemi parasysh edhe konstatimin e autorit: “Secili kritik e ka gjedhen e vet të leximit e të studimit letrar.“

Studiuesi Prend Buzhala, tashmë me një përvojë serioze, bukur e ka kryer detyrën e vet, duke qëndruar bindshëm midis veprës dhe lexuesit, trekëndësh ky, mesë i nevojshëm e që kohëve të fundit sikur nuk po funksionon sa e si duhet, ngase kritika e ka humbur hapin me krijimet letrare. Duke shpërfaqur mendimet e veta për autorët dhe për veprat e tyre, ai, reflekton e rrezaton suksesshëm te lexuesi, duke e orientuar atë  në qasje të drejtë të rrjedhave tona të mirëfillta letrare.

Në të përfunduar, pa u thelluar më tepër në zbërthimin e detajeve të librit, meqë edhe ashtu, përsiatjet dhe vështrimet kritike nuk shpjegohen dot, por përjetohen, autorit aq prodhimtar  të letrave shqipe, me mbi gjashtëdhjetë libra, i dëshirojmë suksese të mëtejme në të gjithë lëmenjtë e jetës, veçan në atë të krijimtarisë diskursive në fushën e letërsisë për fëmijë e librit, për të cilin e kemi fjalën, vend të merituar në bibliotekat tona!

Lexim e përjetim të këndshëm!

 

Galicë, mars 2019

[1]Agim Deva, Romani ynë për fëmijë, Rilindja, 1977, f. 26.