Disiplina si deficit i madh te shqiptarët

Disiplina- si deficit i madh te shqiptarët 

Nga Skëndër Sadri KAPITI

Individin , Shtetin dhe shoqërinë i disiplinon arsimimi i mirë, kultura dhe tradita e mirë e ruajtur dhe e kultivuar mirë; i disiplinon  ligji i mirë kur edhe zbatohet mirë si dhe më kryesori:  individin , Shtetin e shoqërinë  i disiplinon  moraliteti  i lartë njerëzor.

Një disiplinë e tillë e bën popullin dhe kombin të prospereruar e të lavdishëm.

Disiplina është disiplinim:  në themel,  si proces i të mësuarit, kultivuarit dhe të arriturit e vlerave, rregullave, normave dhe parimeve të sjelljes së pranueshme në një shoqëri dhe në një shtet. Disiplinë do të thotë edhe se cfarë është e ndaluar për të mos bërë e për të mos vepruar.

Mungesa e disiplinës për të arritur qëllimin ka mundësuar që shqiptarët në historinë e tyre të mos i çojnë punët kombëtare deri në fund, por janë kënaquar me fitore të vogla personale, familjare, krahinore e partiake. Kjo është edhe arësyeja e fitores së shtetit kombëtar shqiptar me shumë vonesë dhe të asaj se për shqiptarët më shumë kanë vendosur Europa se sa vetë shqiptarët.

Kjo është edhe arsyeja se përse Shqipëria por edhe Kosova janë në prapambetje civile, zhvillimore, juridike, në prapambetje shtetmodernndërimi dhe në mosintegrimin në BE.

Shqiptarët edhe sot janë egoistë, nuk e duan dhe as nuk e respektojnë suksesin e tjetrit dhe si të tillë edhe nuk e durojnë disiplinën dhe rregullin, as ligjin dhe as të vërtetën.Prandaj edhe thuhet se në luftë të gjithë ushtarët  janë komandanta dhe në paqë të gjithë janë prijsa e mbretër, dhe në demokraci dy shqiptarë bëjnë tri parti.

Kur nuk ka disiplinë, nuk ka as konsensus, as marrëveshje, as mirënjohje e as respekt të ndërsjelltë dhe prandaj në Shqipëri gjithmonë duhet të jenë të pranishëm ndërkombëtarët për të mundësuar pajtimin, konsensusin dhe marrëveshjet ndërpolitike e ndërpatiake të shqiptarëve.

Mungesa e disiplinës pozitiviste është tregues edhe për papërgjegjshmërinë publike e kombëtare, si p.sh. mossndëshkimi i krimit, korrupsionit dhe as të tradhtive të shtetarëve, politikanëve dhe pushtetarëve të lartë shqiptarë.

Mungesa e disiplinës shtetërore dhe e përgjegjshmërisë politike në Shqipëri bën të mundur që qeverisjet të bien e të mos funksionojnë një vit para çdo zgjedhje e votimi parlamentar. Mungesa e disiplinës  e kanë vertetuar p.sh. edhe ngjarjet tragjike të vitit 1997 ku shteti shqiptar ra në mënyrë të çuditshme, u shthur ushtria e policia dhe ranë të gjitha institucionet shtetërore Brenda 24 orëve.

Mungesën e disiplinës shtetërore e vertetojnë mosfunksionimi i shtetit ligjor, mosndërtimi  i tij, mosfunksionimi  i shoqërisë demokratike, triumfi i instikteve,  korrupsionit dhe krimit shtetëror , krimit ordiner , vetëgjyqësisë etj.

Disiplina, që do të thotë ndëgjegjsimi për të zbatuar lirinë me humanizëm , me drejtësi dhe pa u bërë dëm të tjerëve.

Disiplinë do të thotë ndërgjegjsim për pjesmarrje në vendimmarrje me rëndësi jetike  si në zgjedhjet e lira e demokratike pa e shitur dhe pa e trafikuar votën dhe vullnetin.

Disiplinë do të thotë që të mos përdoret fjalor e  fjalë të ndyra e të pista imorale dhe amorale në parlament, në rrugë, në lokale, në plazh, në shkolla e universitete, në internet e madje as edhe në familje.

Disiplinë do të thotë të durosh e të respektosh tjetrin kur flet dhe jo të flasin të gjithë përnjëherësh.

Disiplinë do të thotë edhe kur duhen të zbatohen edhe udhëzimet e këshillat për mbrojtjen dhe për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Disiplinë do të thotë vetëpërmbajtje për të mos kaluar në ekstremizëm, për ta mbajtur në fre egoizmin negativ  dhe  fanatizmin urrejtës politik, fetar e racor.

Disiplinë do të thotë që të mos bëhen shpifje dhe  akuza të pavërteta kundër të tjerëve për inate, smirë  e xhelozi.

Mosdisiplina   çon në anarkizëm e tollovi.

Mosdisiplinimi nuk është trimëri e guxim por është injorancë, inferioritet, harbutizëm dhe frikë.

Individët të cilët  kanë frikë vetëm   të fortin,  shtetin dhe ligjin nuk është tipar për njerëzit e dënjë  por është tipar i shpirtligut, keqbërësit dhe frikacakut. I disiplinuari nuk ka frikë sepse ai nuk bën zullum , as padrejtësi, as krim , as tradhti, as imoralitet dhe as hajni, dhe as nuk shpif, nuk trillon e nuk shan.

Shqiptarët nën diktaturën komuniste ishin shumë të “disiplinuar”, të “urtë”, të “sjellshëm”, të dashur dhe respektonin njëri-tjetrin dhe madje tejet të bindur  dhe të gatshëm për të zbatuar urdhërat dhe direktivat e Partisë dhe të shokut Enver; të gatshëm për të spiunur edhe kush flitej ndonjë fjalë kundër Partisë,  e kishin tmerr kryepolicin e fshatit e të lagjes. Ishin të urtë e të edukuar në punë, në shkollë, në autobus e kudo. Mirëpo pas diktaturës,në liri, shpërthyen liritë negative, instiktet, dëshira për pasurim të shpejtë dhe në rrugë të pandershme, mosrespekti dhe largesa nga morali, shthurja dhe gëlimi i instikteve , korrupsioni, mashtrimi, droga, trafikimi i qënieve njerëzoreë etj.

Shëmbullin më negativ të mungesës së kulturës e të disiplinës në Shqipëri e japin sot në demokraci politika, pushteti, drejtësia, administrata pa mbetur pas as akademia të cilët kanë për prioritet vetëm maninë për të zhvatur, vjedhur e korruptruar, e kanë te ryshfeti e paraja, dhe për ta disiplinë do të thotë se atyre u  lejohet për të bërë e toleruar gjithçka mjafton që të pëfitojë interesi i tyre personal.

Disiplina pozitive në Shqipëri është sfiduar nga harbutëria, injoranca, korrupsioni, halabakëria, servilizmi  dhe nga antivlerat.

Pse sot shumica e shqiptarëve e sidomos rinia  bëhen kaq “trima” në liri e demokraci, që vjedhin, grabisin, vrasin, shajnë e  ofendojnë me fjalët më të ulta e të pista, , drogohen,  kundërshtojnë policinë në rrugë dhe garojnë me makina me shpejtësi shumë të madhe, bëjnë zhurmë e flasin me zë të lartë e thërrasin si në pyll.

Pse në Perendim i zbatojnë shumë mirë ligjet e rregullat, janë të disiplinuar e të rregullt,  e ndërsa sa vijnë në Shqipëri bëhen “trima”, të guximshëm dhe mëndjemëdhenj.

Deficiti i disiplinës vjen pasi së pari janë të padisiplinuar politikanët, shtetarët, deputetët, pedagogët;  mediat e televizionet e pornografisë e të lakuriqësisë, drogës  e të alkolit e bixhozit; profesorët,mjeket, gjyqtarët, prokurorët dhe administrata në Shqipëri, pasi që të gjithë kanë të njëjtin qëllim: fitimin dhe pasurimin duke shfrytëzuar pozicionin politik, servilizmin, postin,  detyrën, korrupsionin, antiligjin dhe avantazhin që kanë në administratën publike e shtetërore.