Dinjiteti dhe guackat

Fatmir Minguli-Durrës

Dinjiteti dhe guackat

Përsiatje për librin “Diferencimi” të Bedri Tahirit

I pari dhe besoj jo i vetmi libër me tregime i publicistit të mirënjohur kosovar Bedri Tahiri, i titulluar “Diferencimi” është një risi krejt e veçantë në letërsinë shqiptare që krijohet në Kosovë. Një buqetë me tregime të bukura, ku secili ka emër  si “Vetmia”, “Dinjiteti”, “Asnjanësia”, “Diferencimi”, “Nusja e praruar”, “Orekse të sëmura”, “Gulçimi”, Tjetërsimi” dhe “Plisi”. Buqeta ka erë të ndryshme, por të bashkuara në dorën e Bedri Tahirit, kundërmimi i tyre është krejt tjetër e shpërthen që andej nëpër malet e Kosovës, luginat e lumenjtë e saj, në kohët e historive të shkuara dhe pse jo dhe në hapësirat e së ardhmes. Është një buqetë popullore dhe atdhetare, një buqetë njerëzore, por më damarë zemërimi.

Zotëri Prend Buzhala, në pasthënien e këtij libri me tregime, me një përkujdesje plot sqimë letrare, arrin të përçojë tek lexuesi idetë themelore, ato më baziket që ngërthehen në çdo tregim të librit “Diferencimi”. Megjithatë, ndryshe do doja të nxirrja në pah disa aspekte që çuditërisht Bedri Tahiri i prek,  por nuk i përshkëndrit.

Tregimi i parë “Vetmia” nuk është thjesht vetia e një burri që do të jetë i vetmuar, i papërzjerë me të tjerët. Kjo është se është. Por, Sokol Guri është Sokol dhe fluturon vetmitar, duke e ndërtuar jetën e tij privatisht dhe këtë veprim të stërgjatur për gjithë jetën ai heshtazi e ka të segmentuar. Nuk është thjesht shprehje popullore: A moj punë, punë e mirë që s’të bëri dora ime.

Përkundrazi ai është fantast. Ai parashikon se bashkëveprimi me të tjerët do ta sillte te keqkuptimi dhe te ngatërrimi i këmbëve të karavidheve. Ai arrin shkurt të jetë një personazh pak a shumë i Alber Kamysë apo pak a shumë i Kafkës, që gjithsesi i kishin dhënë jetës së tyre kuptim.

Sokol Guri nuk ka guackë, ndryshe nuk është i futur në guackë. Guacka vjen e merr kuptim më të zjarrtë e më të vrullshëm në tregimin “Dinjiteti”. Edhe këtu kritika letrare normale ka folur mirë. Por, ajo që shqetëson, që thumbon trurin e Bedri Tahirit është një gjë më e fortë. Është pikërisht forma e guackës ku duan ta futin partitë e ndryshme shkrimtarin e që t’i shërbente interesave të tyre, se më pas do vinin tek botime të sponsorizuara, promovime me troftë e më verë Rahoveci etj.

Shkrimtari nuk i  njohu këto guacka. E vetmja parti që nuk  ka guackë në Kosovë është Kosova vetë. E për atë shkruan Bedriu.

Te tregimi tepër alegorik “Asnjanësia” Bedri Tahiri nëpërmjet një ngjarje fluorente sjell para lexuesit krahët e pemëve të Rilindjes Kombëtare, duke parashikuar gjithçka njëlloj si tregimi “Dinjiteti” kurrfarë guacke nuk mund ta futësh në shpinën  e drejtësisë.

A janë guackat pjesë të forta të rrëshqanoreve? Janë metaforikisht a mund të rrëshqanohet një burrë i moshuar me plis borë të bardhë në kokë. A ka dinjitet? Po guacka s’ka.

Tek lexon tregimin e jashtëzakonshëm “Plisi”, që për mua është një ese e mrekullueshme me nivel ndërkombëtar, më kujtohet fotografia që kam bërë përpara godinës së Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës. Ato kupetë e bardha, plisa të mendjeve të ndritura e  trimave të tejgjithkohëve më tronditin në shpirt. A ka simbolizëm më të madh se plisi. Dhe ata arkitektë që i zbatuan ato plise të bukur duhen kujtuar e nderuar.

Ndërsa inersektimi i Bedri Tahirit me autorë të mëdhenj të rilindjes europiane si me Eduardo De Amiçis, apo disa autorë të tjerë italianë e francezë, na çon të mendojmë se Bedri Tahiri del tej përte idesë së thjeshtë të të shkruarit tregim. Kjo nuk ndodh vetëm me tregimin tronditës “Diferencimi” por dhe me “Orekse të sëmura”.

Një aspekt modern të denjë për literaturën e sotme intelektuale europiane na jep tregimi “Gulçimi”. Nuk është vetëm lufta e plakut për t’u kthyer në fshat, pra lufta e pleqve të Kosovës që i bien djemtë e tyre në fshat. Ky është problem europian e ndoshta më tej. Fenomenet e ambjentalizmit të ngërthyera nga ato globaliste po çojnë drejt kërkimit të shtigjeve të jeshilta, drejt hapësirave me ajër të pastër etj etj.

Kështu, kushdo që mendon se Bedri Tahiri ka bërë thjesht një libër me tregime, sepse ashtu i erdhën radhë, nuk më duket i vërtetë.

Tetëmbëdhjetë libra  nuk janë thjesht numra librash, por ndryshe janë qëmtime portretesh të heronjve realë, nga të cilët publicisti i specializuar Bedri Tahiri ka ditur të marrë pjesë njëlloj si ai piktori i madh që merrte porcione nga fytyrat e njerëzve e krijonte veprën e vet të padiskutueshme.

A nuk veproi kështu piktori ynë i madh Ibrahim Kodra që futi në masivitet në pikturat e tij trekëndëshin e plisit të bardhë.

Libri “Diferencimi” i Bedri Tahirit kërkon më shumë diskutim. Kurrësesi nuk duhet mbetur në hullitë e promovimeve me buzëqeshje  e vetëm buzëqeshje.