Diasporë: GËZUAR DHE PËR SHUMË VJET FESTAT E NËNTORIT!

Mirela Duka-Xoxi

Sot, në ambjentet e shkollës sonë organizuam një pasdite festive në nder të Festave të Nëntorit. Nëntori është një muaj i shenjtë për ne shqiptarët. Me 14-22 Nëntor 1908 u mbajt Kongresi i Manastirit ose ndryshe Kongresi i Alfabetit.

Me 28 Nëntor 1443 Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ngriti Flamurin Arbëror në Krujë. Po në këtë datë të vitit 1912 Shqipëria u shpall vend i pavarur. 29 Nëntori i vitit 1944 është gjithashtu një ditë e shënuar, pasi pikërisht në këtë ditë Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazi-fashistë.

Për të kujtuar këto festa nxënësit me cicërimat e tyre, si zogjtë në pranverë recituan e kënduan në gjuhën e nënës, në gjuhën e shpirtit mu në zemër të Zvicrës. Sa kënaqësi e lumturi ndjenin ata kur i recitonin Atdheut, Kombit, Flamurit, gjuhës sonë të ëmbël shqipe. Sa mall e nostalgji për ta lexoje në fytyrat e tyre engjëllore. Ata sot, më shumë se kurrë mendonin si e si të nderonin sa më shumë Atdheun, Flamurin tonë kombëtar, si t‘i ngrinin në piedestal ata. Unë si mësuese do t‘ju thoja nxënës të dashur, se nderi më i madh që mund t‘i bëjmë Atdheut e Flamurit tonë është që ju nxënës të mësoni sa më shumë, të arsimoheni e të bëheni të dobishëm si për Atdheun tonë ashtu edhe për vendin e shoqërinë ku ne tashmë po jetojmë. Unë jam e bindur dhe kam shumë besim, se ju të gjithë do të bëheni të tillë.

Dua të falenderoj nga zemra të gjithë prindërit për bashkëpunimin, dhe në veçanti të gjitha nënat, të cilat me duart e tyre të arta kishin gatuar shumë ushqime tradicionale tonat.

Të gjitha këto që përmenda më lart tregojnë se edhe larg Atdheut e në dhe të huaj ne i ruajmë me fanatizëm të madh gjuhën, që na e trashëguan gjyshërit e stërgjyshërit tanë, kulturën e traditat tona të mrekullueshme.

GËZUAR DHE PËR SHUMË VJET FESTAT E NËNTORIT!

Nga mësuesja, Mirela Duka-Xoxi.

L’image contient peut-être : une personne ou plus, personnes assises, table et intérieur

L’image contient peut-être : 11 personnes, personnes souriantes, personnes assises et intérieur