Dhia e egër, dhia e butë

Reis Mirdita

XIII

(Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta)

Familja tjetër për të cilën do të bëhet fjalë këtu, u vendos në qytet menjëherë pas LDB. Edhe kësaj herë sikur pas Luftës së Parë Botërore, shqiptarët u detyruan të lëshojnë trojet e veta dhe përsëri drejt Turqisë dhe botës tjetër. Nga të tëra anët u turrën njerëzia për t’u vendosur në qytet se mendonin që do gjenin kuleç varur të gatshëm për t’i ngrënë. Në këtë lagje kësaj here pjesa e të parëve gjeti gati pa para shtëpi në rrugët qendrore dhe vetëm pas viteve të pesëdhjeta të shpërngulurit që arrinin, vendoseshin krejt në periferi ku riga më e vogël e shiut e bënte lloçin “gjer në gjunjë”.

Rruga kryesore, njëherit më atraktivja e lagjes ndryshoi në themele. Kafshë shtëpiake nga të gjitha llojet u sollën dhe u vendosën nëpër shtëpia. Imazh fshati në mes të qytetit, por kjo nuk ishte me dramatikja e asgjë e keqe në vetvete edhe pse ngrinte nga pak tensione në mes qytetarëve dhe fshatarëve. E keqja ishte një familje me ca fëmijë të vegjël që sikur edhe ajo e Fytaçit, blenë shtëpi njëdhomëshe se dhoma e dytë ishte e tjetrit vëlla që nuk u shpërngul për Turqi. Mandej ishin shtriga me gjithë të dy prindërit! Akoma më zi, i treti nga fëmijët ishte nën urdhrat e xhindeve që i kishte në bark.

Nuk do të shtjelloj të bëmat e të përdalurës Shiribane që vazhdonte edhe pas pesë fëmijëve të sorollatet poshtë lartë dhe të bëjë emër turpi në këtë qytet të traditave dhe bujarisë, qytet që nuk pat njohur kurrë një të pacipë të tillë. Do të merrem me kryesisht me dy djemtë e fundit të cilët hyjnë në radhët e shtrigave të përsosura, pra të shoqëruar me xhinde të cilat u larguan nga nëna e tyre për shkak të komoditetit se u bënë shumë në barkun e saj dhe gjetën vend te fëmijët tash më të rritur.

Më i vogli që dukej disi i ngrohte nga logjika, në thelb ishte dredharak i rryer dhe krejt normal kjo nga që udhëhiqej nga çifti i xhindeve me përvojë në këtë familje. I njohur me nofkën Xhekli, dukej dhe ishte “i ngrohtë” kur bëhet fjalë për gruan e tij sepse ajo ishte lënë e lirë në zgjedhjen e jatakëve dhe nuk i bëhej vonë për asgjë tjetër. Hamshorët e saj ishin kryekëput nga grazhdi komunist i qytetit dhe mysafirëve të tyre nga hierarkia më e lartë të cilët po ashtu nuk e kishin dert nëse ngjiznin gruan e bukur të një bythë lëpirësi injorant. Dhe nuk dihet jashtë qarkut të ngushtë nëse që të tre fëmijët kishin po aq baballarë. Një gjë ishte e sigurt, ata nuk ishin të Xheklit! Ai ishte steril!

I takova të dy në shtëpizën e tyre që patën ndërtuar në një mera me leje të komunistëve komunës të cilët ndihmuan edhe me material ndërtimor. Në pyetjen time si ia bëjnë për jetesë ngaqë asnjëri nuk punojnë dhe risin e shkollojnë fëmijët që kishin arritur adoleshencën, U përgjigj Xhekli me një buzëqeshje xhindore:

-He-he, gruaja e ime është gjithmonë në shërbim të dërzhavës. Na nuk ngelim kurrë pa para. Mandej na kanë sigurua se do t’i japin pension të majmë posa t’i mbushë 45 vjet e kjo për merita të veçanta ndaj partisë dhe popullit, e kreu fjalën dhe iku pa asnjë paralajmërim. Edhe unë ika menjëherë. Zonja provoi të më ndal por i thash se nuk mundem të rij; nuk jam komunist.

Pas dy vitesh, ajo mori pensionin e merituar “invalidor” për “…shërbime të jashtëzakonshme atdheut” dhe u nda nga i shoqi i cili jetoi edhe një vit pas shkurorëzimit dhe ndërroi jetë i vetmuar, ose më saktë, i shoqëruar nga dy xhinde që e tërhiqnin zvarrë duke e shti të bëjë mynafik atje ku donin të mbjellin përçarje për arsye të veta ose të dirigjuara nga sihirbëset që u shërbenin klientëve të tyre të pasuruar me haram dhe që paguanin për t’i bërë keq ndonjë konkurrenti, komshiu, familjari…

Jam takuar edhe një herë me këtë grua (me emrin Hane) në vitin 2013; e plakur dhe disi e shëmtuar gjithë duke e ruajtur buzëqeshjen prej nazelieje e dredhake të shoqërisë elitë-komuniste. Më zbuloi disa fshehtësi dhe më kërkoi që të shihemi më shpesh për të më dhënë disa shënime të evidentuara gjatë jetës së vet…  Shënime këto marramendëse, me emra e me data, për të cilat do të flas në një kaptinë të veçantë ku do të bëhet fjalë veçmas për njeriun-xhinde. Përkujtoj lexuesit se të gjitha të dhënat që m’i dha, janë gojore dhe në dorëshkrim.

* * *

Vëllai i Xheklit, dy vjet më i moshuar, njihej në tërë qytetin me dy nofka: Dhia e Egër dhe Dhia e Butë. Askush nuk e thërriste kështu por sa të dëgjonin nofkën Noki të cilën vet ia pat ngjitur vetes çdo kujt i shkonte mendja te “dhia”. Për këtë Noki gjithashtu vet ia rriti namin vetes. Ai në një moment në një prej bufe-të e shumta ku pihej alkooli me përmasa e çmendura, u fliste shokëve të tavolinës e të rakisë se pas mesnate shëtiste hipur herë në shpinë të një dhie të egër, herë në shpinë të një dhie të butë. Shëtiste aty pari por edhe në vende të largëta. Pijanecët nuk e besuan e kjo e hidhëroi Nokin andaj ai nisi të çartet me britma imituese dhish dhe nuk vonoi ca sekonda, një dhi u gjind para derës së hapur të kafenesë! Noki i hipi mbi shpinë dhe fluturoi dika. Njëri nga pijanecët humbi vetëdijen dhe ra në trotuar. Të tjerët ikën duke u luhatur si lecka në erë. As dy minuta pas kësaj skene në trotuarin e dërmuar, Noki u kthye brenda, pagoi të gjitha pijet dhe u largua me hap korrekt në drejtim të shtëpisë se vet.

Mbrëmjen e nesërme përsëri pijanecët nuk u besonin veshëve…, pronari i cili nuk ishte përjashta në momentin e ngjarjes, u tregonte se Noki pagoi pijet e të gjithëve vetëm “dy minuta” pasi të gjithë ikën në mënyrë mjerane!

-Si bëhet?!!!, -klithën shoqëria në tavolinë dhe ashtu të tronditur, iu dhanë pijes gjer në mesnatë kur edhe mbyllej kafeneja.

Një dëshmi tjetër vjen nga familja G. e cila në qerre me kalë, një ditë vere të vitit 1961 duke u kthyer nga ara, burrë e grua, me djalin njëmbëdhjetë vjeçar dhe vajzën 15 vjeçe takojnë një bujk me shatin në krahë dhe me dy dhi për kërpeshi, disi të rraskapitur ecnin drejt qytetit. Njeriu i panjohur pyeti se a mund t’i lidh dhite pas qerres dhe vet të ulej në fund kështu nuk ngushtonte aspak familjen dhe i kishte dhitë nën kontroll. Kryefamiljari  V.G. e ndaloi kalin dhe pasi udhëtari i rehatoi kafshët dhe u ul, i bërtiti kalit me një “hajde Dorì” dhe Doria nisi me ngadalë dhe disi me vështirësi dhe pas disa hapave filloi të djersitej tmerrshëm. Një dyshim frikshëm e kaploi V.G. Gruaja dhe fëmijët filluan të piskasin në kupë të qiellit. Dy dhitë e udhëtarit ishin rritur si lopë dhe tërhiqnin qerren mbrapshtë! Andej përpara kali ra për tokë duke thyer të dy okët dhe një shkumë ngjyrë pelini ia zinte frymëmarrjen. Noki me dhëmbë shtazarakë zgërdhihej dhe pa frike e kapi vajzën e re për flokësh dhe me forcë të pandalshme e tërhoqi nga qerrja për ta ngarkuar mbi dhi. Fati i madh ndihmoi këtë familje se zhurma e madhe nxitoi shumë bujq e punëtorë krahu të afrohen vrap. Disa filluan të këndonin lutje me zë të lartë e Noki nuk i duronte dot aspak lutjet e vërteta Zotit; iku si vetëtima me dy dhitë për kërpeshi dhe u humb nga fusha e të pamurit.

Një dëshmi e re se Noki ishte shtrigë me xhinde në bark ndodh një ditë pazari. Shumë njerëz e panë të alivanosur në breg trotuari kur në të njëjtin moment, disa të rinj nga mëhalla e njëjtë vinin prej nga qendra duke komentuar ngjarjen që panë pranë shatërvanit: Noki thonin, pa fije turpi përqafohej me një vajzë të mëhallës së Tabhanës. Më e pa turpshme ishte se vajza rridhte nga një familje e moralshme qytetare! Dhe o Zot! Çfarë befasie! Noki ishte i shtrirë si i vdekur para këmbëve të tyre 10 minuta rrugë larg nga shatërvani! “Fatamorganë apo të luajtur mendsh jemi na!!!?”- klithi njëri mes të rinjve që ktheheshin nga qendra e qytetit. Për pak kohë u mblodh turmë e madhe për të pa ç’po ndodhte. Shumica nuk panë gjë. Ato në afërsi sikur humbnin vetëdijen, por panë qartas dy dhi nga të cilat njëra me bri të trasha ia ngarkoi shoqes së vet Nokin mbi shpinë dhe u zhdukën pa nam e pa nishan!

Nokin edhe e burgosën disa muaj por dhitë nuk u ndalën duke i shkuar në vizitë. Disa të burgosur por edhe rojet e natës kishin vu re një lloj vizite si hije por askush nuk mund të shpjegonte fenomenin realisht. Pas disa muaj, Noki doli dhe menjëherë sistemi e inkuadroi vëzhgues nate të çarshisë dhe objekteve komunale por detyra e vërtetë e tij ishte spiunimi për lëvizjet e njerëzve të cilët ia kishin dhënë emrat si dhe personave të tjerë që vet atij i dukeshin të dyshimtë. Shumë njerëz plotësisht të pafajshëm, dergjën nëpër burgje…

(Vazhdon)