Dëshmori i parë i UÇK-së në Artakoll

Përvjetor lavdie: 19-vjetori i rënies së dëshmorit Jeton Tërstena

Bedri TAHIRI

Dëshmori i parë i UÇK-së në Artakoll

Shala e Bajgorës, më tridhjetë e ca katundet e saj, të cilat në thellësi të zemrës ruajnë thesare të praruara, gjatë rravgimeve shekullore la gjurmë të pashlyera në historinë tonë të dhimbshme e krenare njëkohësisht. Në këtë vazhdë qëndron edhe Tërstena heroike, ky lokalitet i banuar që nga ilirodardanët e lashtë e që  shtrihet midis malesh e kodrash të rrëpinjta, me kokën tej në qiell. Këtu, çdo pushtues lakmiçar, që provoi të ngulte këmbë e pagoi shtrenjtë, me lëkurë e me kokë. Me një fjalë, ore lumë vëllai, këtu lindet dhe vdiset me pushkë në dorë…

Nga gjithë kjo odise, mjafton të përkujtohet legjenda e trimërisë që vulosi emrin e këtij vendbanimi, Sherif Tërstena. Ai, gjatë viteve 1942- 49, bëri kërdi mbi hordhitë e egra serboçetnike dhe më në fund, kur UDB-ja u mashtrua se po e kapte të gjallë, u iku nga dora. Vajti në Kavajë dhe krijoi familje. Pas pesëdhjetë vjetësh, në verën e vitit 1999, kthehet në Kosovën e lirë. O Zot, sa u gëzua trimi, që më në fund ëndrra e tij ishte bërë realitet! Me pietet të lartë e me lot malli u përkul para atyre që me gjak e sakrificë sollën ditën e bardhë, lirinë. U përkul edhe në Prekaz, para Komandant Adem Jasharit, të cilin disa herë e kishte takuar në Shqipëri dhe i entuziazmuar tha: Si Adem Jasharin s’kam takuar njeri! Ai kishte bindje të thellë për të luftuar deri në fund: për liri a vdekje! Dhe, nëse është nevoja do të vdesim i madh e i vogël,- i kishte thënë atëbotë legjendari.

I kësaj rrënje ishte edhe filizi i ri, dëshmori i parë i UÇK-së në Artakoll, Jeton Avdyl Tërstena- TOTA ( 8.I. 1974- 6. 8. 1998).

Sportist i dalluar

Në qytetin e lashtë të Vushtrrisë, në lagjen e rrugës “Skënderbeu”, jetonte mjeshtri Avdyl Tërstena me të shoqen Nazmijen nga Llapashtica. Familja e tij, që në kohën e kralit, pra më 1934, kishte zbritur nga majat e Shalës, nga Tërstena dhe me vete kishte bartur gjithë madhështinë e malësorëve: besën, burrërinë, bujarinë, besnikërinë, ndërshmërinë, trimërinë. Këtyre dy bashkëshortëve, që jetonin dhe gjallonin me djersën e ballit, me punën e tij si inxhinier i makinerisë në Fafos dhe në punëtorin e tij të vockël, u lindën tre fëmijë, që të tre djem: Dritoni, Jetoni dhe Agroni.

Jetoni u lind në Vushtrri, më 8 janar 1974. Ishte fëmija i dytë me radhë. Mësimet e para i mori në shkollën fillore “Ali Kelmendi” me sukses të shkëlqyeshëm. Me dëshirë që ta ushtronte zejën e të atit, u regjistrua në shkollën e mesme teknik “Arkitekt Sinani”- dega e Makinerisë, në Mitrovicë. Mirëpo, pas dy vjetësh, barbaria serbe u lëshua me plumb e hekur mbi arsimin shqip dhe ua vuri dryrin të gjitha shkollave shqipe. Djaloshi kureshtar u detyrua, si gjithë të tjerët, të rrezikonte e t’i ndiqte mësimet nëpër bodrume e shtëpi private. Edhe Fakultetin e Makinerisë në Prishtinë e regjistroi me vullnet të papërshkruar, por nuk arriti ta përfundonte.

Dhuna e shfrenuar serbe po shtohej vazhdimisht. Gjendja në Kosovë ishte acaruar dhe veçsa nuk kishte shpërthyer. Studenti entuziast çdo ditë ballafaqohej me zezonën marramendëse. Ndjekjet, maltretimet, burgosjet dhe vrasjet e shqiptarëve, veçan të të rinjve, ishin bërë të padurueshme. Zemra e tij e dëlirë, mbushej e mbushej. Edhe ashtu, ai kishte qenë i brumosur me iden se pa luftë të armatosur  nuk mund të vinte dot liria. Mbase për këtë kishte ndikuar edhe i ati me ato rrëfimet e tij për të bëmat dhe heroizmat e të parëve të vet. Stërgjyshi i tij, Ferizi, kishte tretur si gjynli diku larg e larg në Galici…Shumë të tjerë, të fisit të tij, kishin luftuar kundër gjakatarëve vendas të Shlivovicës. Më i zëshmi kishte qenë Meta me kushërinjtë; Sinanin, Hamitin e ndonjë tjetër. Më vonë, ata i mashtruan dhe i dënuan; Meten e pushkatuan në Bair, te Vorri i Kanxhallozit, Sinanin e mitur e dërguan në Idrizovë…

Djaloshi, me ata sy të kaftë e flokëprerë, më shumë së të tjerët, e plotësonte mendimin e latinëve të mençur se shpirti i shëndoshë, në trup të shëndoshë! Bota e tij e pasur shpirtërore; i urtë, zemërmirë, i dhimbshëm, i zgjuar, i dashur dhe mbi të gjithë i guximshëm, harmonizohej plotësisht me trupin e gjatë, të bëshëm, të zhdërvjellët e shumë të fuqishëm. E gjithë kjo nuk qe një rastësi. Ai, që nga fëmijëria e hershme, e kishte dashur sportin. Sa shpejt u bë edhe sportisti më i dalluar në klubin hendbollistik “Kosova” të Vushtrrisë.

Ushtari shembullor

Marsi i vitit 1998, në Kosovë erdhi me tërsëllimë të madhe. Adem Jashari dhe Jasharët e tjerë u shkrinë deri në një dhe i dhanë jetë lirisë së shumëpritur. Zjarri i ndezur në Drenicë shpejt e shpejt u përhap në të gjitha trojet shqiptare.

Jeton Tërstena, i përgatitur shpirtërisht dhe fizikisht, mezi kishte pritur të bëhej pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë e kishte ëndërruar kaherë, edhe atëherë kur grumbullonte dhe shpërndante barna për të plagosurit në frontet e luftës dhe organizonte protesta e demonstrata nëpër rrugët e qytetit të lindjes, të Mitrovicës, të Prishtinës, të… Qysh atëherë, kur edhe kishte vënë kontaktet e para me ilegalen, kishte thënë se ky popull i përvujatur një ditë do ta humb durimin dhe do të organizohet ndryshe…

Stërvitjet e para taktike dhe ushatarke i bëri në Ashlan, te komandant Brahim Gjaka. Edhe aty ishte më i disiplinuari, më i përgatituri, më i suksesshmi, më i miri. Në maj të vitit 1998 bëhet ushtar i Togut III, i Kompanisë I, të Batalionit II, që vepronte në kuadër të Brigadës 142, të Zonës Operative të Shalës. Ah, ç’ushtar shembullor që ishte! Kudo i pari: në hapjen dhe përgatitjen e istikameve, në roje dhe në vëzhgimin e terrenit, në frontet e luftës.

Puna e suksesshme e këtyre djelmoshave sypatrembur, që me zemër ishin betuar për t’u dalë zot trojeve stërgjyshore dhe për ta mbrojtur nderin e nëpërkëmbur, ua vriste syrin djajve smirzinj. Sidomos i pengonte paramilitarët vendas, të Frashërit, të Pantinës, të Bukoshit…Zaten këta gjithmonë kishin qenë të tillë, nxitës të tarzirave dhe të konflikteve.

Më 25 qershor të atij viti u zhvillua një betejë e përgjakshme në Pantinë. Vërtet, ditë më parë, serbët e Frashërit ishin egërsuar në kulm dhe u vërsulen mbi shqiptarët fqinjë, ua dogjën shtëpitë dhe i përzunë nga vatrat e tyre. Një gjë të tillë  provuan edhe këtu, por këtë ditë, UÇK-ja vendore, arriti t’i largojë serbët nga Pantina. Në atë përleshje plagosen dy pantinas: Xhemail Mehmeti (Kema) dhe Xhevat Mehmeti.

Edhe këtu shkëlqeu trimi shtathedhur, që tashmë më shumë njihej me emrin luftarak TOTA.

Sy më sy me vdekjen

Atë verë, toka e Kosovës përcëllohej sa nga vapa aq edhe nga zjarri i luftës, që s’kishte të ndalur. Agoi edhe e enjtja e 6 gushtit 1998. Dielli, sikur ta ndjente kobin, nuk po ngutej të hidhte çapin e parë. Luftëtarët e lirisë kishin gdhirë pa vënë gjumë në sy. Lajmësit e natës nuk sillnin kumte të mira. Istikamet në Kodër të Shulemajve (sot Kodra e Trimave) kishin bërë bënë: o sot, o kurrë! Trimat: Jeton Tërstena, vëllezërit Ferki e Ruzhdi Aliu, Muhamet Selaci, Rrahman Aliu, Shefqet Dobërlluka, Shefqet Kurti, Bastri Sejdiu, Tahir Salihu, Bastri Nuredini, Bekim Mehana…. i kishin vu pritë lubisë shumëkrerëshe dhe e pritnin gjakftohtë. Anash tyre, ua mbanin krahet edhe Brahim Gjaka, Osman Aliu, Adem Shyti, Avni Shyti, Shaip Hyseni e Vehbi Rexhepi.

Sakaq, në rrugën gjarpërore, të shtruar me kalldrem, hapëronte si sombnabul miop, kolona mortore: shtatë autoblinda, dy dajca, një xhip dhe një tank.

Obobo! Në pesëdhjetë metra largësi, gjendje e tendosur, akull fare! Jeta e vdekja sy më sy! Andej terri, këtëj drita. Andej skëterra, këtej parajsa. Andej barbarët, këtej çlirimtarët. Andej robëria, këtej liria…

-Ta-ta-ta!- gogësiu Gulinovi i Jetonit dhe heshtja mbytëse u varros shtatë pashë nën dhe. Edhe mortaja 500-she e Shefqet Kurtit e ndezi flakë tankun që uturinte si dem i tërbuar. Dhe, krisma… britma…bubullima…lëmeritje. Jetonit i bëhej zemra mal kur shihte tek rrëxoheshin, si duajt në arë, bishat e harlisura e të vërbuara nga lavdia e rreme e krerëve të tyre… Dhe, qëndronte pip në këmbë e qëllonte si rrufeja për së kthjellti…Edhe gjaku i lirisë rodhi rrëke. Një predhë e mallkuar qëlloi edhe trimin e paepur. E qëlloi mu në lule të ballit, ashtu siç edhe e kërkonte amaneti brezave. Gulinovit të  tij i pushuan krismat. Pushuan edhe tiktaket e zemrës së tij. Shpirti i bardhë dëborë u ngjit lart në qiell, fluturoi drejt përjetësisë…Fare pranë edhe dy të plagosur; Ferki Aliu, udhëheqësi i njësitit, dhe Bastri Sejdiu…

Varrimi, nderimi, rivarrimi

Rënia heroike e këtij trimi njëzet e katërvjeçar qe një humbje e madhe për forcën tonë çlirimtare. Trupi i tij i pajetë, po atë ditë, nëpër flakë pushkësh, me nderime të larta ushtarake, varroset në Ashlan. Aty, edhe pse me vonesë, ngase rrugës i dolën pengesa nga policët serbë, erdhi edhe e ëma, nënë Nazmija, e cila  kur e pa djalin, ashtu, të bukur e në të buzëqeshur,  nxori nga gjiri shaminë e qëndisur për nusen e tij dhe pasi ia vuri mbi fytyrë, ia lëmoi shtatin e mbështjellë me flamurin kuqezi dhe tha: Ah, sa të paska hije bir, e ruaja për nusen tënde, por merre me vete se  qenke bërë nuse e shkuar nuseje! Qenke bërë nuse lirie!

Më vonë, më 1 shtator 1999, trupi i tij, i bardhë dëborë, nxirret dhe rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë. Gjaku i tij e ka nderuar kombin, por edhe ai është nderuar me titullin Dëshmor i lirisë.

Në shtëpinë e tyre mirënjohjet dhe dekoratat kanë mbushur muret dhe vitrinat. Ato vijnë nga Ministria e Mbrojtjes, nga SHIL të UÇK-së, nga SHFD, nga KK i Vushtrrisë, nga DAKS-i i Vushtrrisë, nga Federata e Hendbollit të Kosovës etj. Edhe rruga e lagjes së tij mban emrin “Jeton Tërstena”. Por, më mirë së gjetkë, tiparet e tij reflektohen në sytë e voglushit trevjeçar, Jetonit të vogël, djalit te Agronit., i cili ndjehet krenar që ka trashëguar emrin e xhaxhit DËSHMOR!