Demokracia në Shqipëri, është demokraci apo komunizëm modern !?

Nga Skënder S.KAPITI

S.Kapiti-02Mosndëshkimi i krimeve të komunizmit, mospengimi dhe lejimi për 25 vite i dominimit dhe i sundimit të politikes, pushtetit dhe i drejtësisë nga ishklasa dhe elita ishkomuniste duke i dhënë edhe kësaj elite të “re”, trashëgimtare e asaj të vjetër  guximin e vazhdimesine për të bërë krime të reja me korrupsionin, trafikimet e paligjshme, hajdutërinë dhe vjedhjen e pronave e të pasurive kombëtare dhe të qytetarëve të Shqipërisë, të ankandit të shtetit dhe të koncesioneve për një euro, ashtu si komunizmi ideologjik që kishte Partinë, interesin e nomenklaturës komuniste mbi atdheun dhe kombin, pra mbi Shqipërinë, gjë të cilën e dëgjuam edhe publikisht nga deputetë dhe ministra aktualë shqiptarë.

Fatkeqësisht faji për këtë është edhe i shteteve demokratike perëndimore që e lejuan për 25 vite këtë neokomunizëm në Shqipëri, dhe përsëri mirë, pasi më mirë vonë se kurrë që ata këmbëngulin sot fort për dekriminalizimin e politikës shqiptare dhe për reformën në drejtësi si shumë të rëndësishme dhe jetike për Shqipërinë njëlloj të rëndësishme sa ajo e vetërënies së komunizmit diktatorial të viteve 1990, gjë e cila më jep të drejtën edhe vertetësinë e këtij titulli për shkrimin e sotëm, pasi qëndrimi i botës demokratike për këto dy reforma plotëson kuadrin e asaj që është shumë sa domethënëse dhe më shumë e domosdoshme: ndarjen me të shkuarën komuniste por edhe me të renë moderne komuniste të këtyre 25 viteve të trannzicionit. Ndëshkimi i krimeve të komunizmit si dhe i politikës së kriminalizuar, Reforma në Drejtësi dhe zbatimi i saj ndoshta i japin fund të ashtuquajturit tranzicin demokratik në Shqipëri.

U bënë 25 vite apo një çerek shekulli nga vetërënia e komunizmit në Shqipëri dhe akoma flitet për moskryejen e tranzicionit të sistemit, të kalimit nga socializëm në kapitalizëm ose nga komunizëm në demokraci. Kjo vonesë spjegohet me faktin se në Shqipëri nuk ka pasur përmbysje të komunizmit dhe as revolucion demokratik. Revolucioni demokratik që pretendohet se u bë në vitet 1990 është një përrallë politike, është si një kult që e bënte dhe e ngriti Sali Berisha dhe një sërë partiakësh ishkomunistë për të përjetësuar ata pushtetin e  “Ri” të paskomunizmit diktatorial. Këtë përvojë ata si pasardhësit e rinj dhe trashëgimtarë të PPSH e kishim mësuar nga kulti që komunizmi i ngriti për 50 vite Luftës çlirimtare, me qëllimin e vetëm: atë të frikësimit të popullit me revolucionin “çlirimtar” dhe me revolucionin e pandërprerë proletar 50 vjeçar të dhunës.

Pothuajse e njëjta situatë dhe në Kosovën e pas luftës dhe të demokracisë, ku po ata ishët e ishpolitikës së socializmit jugosllav, por edhe admiruesit e fanatikët e ishkomunizmit stalinist shqiptar së bashku me injorancën janë montuar kudo në krye të jetës politike, ekonomike, diplomatike dhe në atë juridike e “patriotike”.  Ky është në të dy vëndet një sistem komunizmi modern autokracie shumëpartiake,  një  hibrid gjysmëdiktature apo gjysmëdemokracie që ka montuar korrupsionin institucional dhe imunitetin e tij  në politikë, pushtet dhe në drejtësi kryesisht  dhe  të pandëshkueshëm akoma.

Morali i ishpushtetit komunist dhe i pushtetit të ri të pas tij është kultura politike e mosmirënjohjes dhe e mosrespektit për atdheun dhe kombin dhe e padhimbshurisë shoqërore si dhe më minimalja: mungesa e kodit të kërkimit falje dhe e dorëheqjes nga  politika  e  politikanëve dhe e pushtetarëve shqiptarë kudo si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni  edhe kur nga krimi, papërgjegjshmëria, korrupsioni dhe tradhëtia e tyre i shkaktohen trauma, tragjedi e fatkeqësi publike e kombëtare shoqërisë dhe shtetit.

Paskomunizmi në Shqipëri realisht ishte dhe vazhdon të jetë trasferim i monopolit ekonomik, politik, financiar  dhe atij të bizneseve nga monopoli njëpartiako-shtetëror të komunizmit klasiko-stalinist dhe enverist në monopole parciale të partive politike sidomos e dy partive më të mëdha në Shqipëri të cilat sulmojnë njëra tjetrën në emër të demokracisë por në fakt ato funksionojnë dhe sillen si autoritariste dhe neokomuniste në praktikë dhe tolerojnë në heshtje korrupsionin e njëra-tjetrës, dhe prandaj  nuk janë të interesuara as për standartet demokratike dhe sidomos as për Reformën në Drejtësi pasi konsolidimi i demokracisë dhe Reforma në Drejtësi do të ishte dhe ndëshkimi për këtë elitë politike. Revolucion demokratik antikomunist as nuk pati dhe as nuk u krye sepse elita politike polipartiake në Shqipëri  ishte paracaktuar dhe e projektuar nga regjimi i diktaturës komuniste .

Fasada demokratike dhe spekulimi me “revolucionit demokratik” të  viteve 1990 mbuloi qarkullimin apo zëvëndësimin e elitës së vjetër politike të xhaketave të vjetra me atë të elitës së re të pardesyve të bardha, ose të atyre të kuqe me ato blu, pra u bë zëvëndësimi i të vjetërve prej të rinjve të komunizmit, pra u krye një zëvëndësim i komunizmit të vjetër me një komunizëm më të moderuar.

Pse them se në Shqipëri sot kemi të instaluar një komunizëm moder? Sepse: Po ta shohim hollë problemin vërehet se kemi pasur vetëm qarkullim në politikë dhe në pushtet të elitave politike komuniste justifikuar e maskuar edhe pas terminologjisë jo vetëm demokratike por edhe me fjalët Rilindje, si të asaj demokratike te viteve 1990 ashtu dhe të kësaj Ririlindjeje socialiste të vitit 2013. Në komunizmin diktatorial enveristo-stalinist elita politike ishte klasa e nomenklaturës ideologjike dhe e pronës shtetërore të cilën e kishte dhe e përdorte si një kastë feudalo-bastarde, ku detyra apo posti politiko-shtetëror ishte dhe mjeti i fitimit dhe i investimit për këtë nomenklaturën e klasës komuniste. Ndërsa sot kemi këtë komunizmin modern dhe liberal  të superkorrupsionit i cili ndryshon nga ai diktatorial pasi elita politiko-ekonomike komuniste është bërë sot monopoliste indvidi dhe grupacioni e klani e pajisur me tapi, prona e para, elitë e cila nëpërmjet investimit të posteve të tyre politike dhe të pushtetit është kthyer nga një ish-elitë e feudalizmit bastard në një elitë e kapitalizmit bastard. Ndërsa në diktaturën komuniste kishim një klasë politiko-ideologjike partiake të privilegjuar dhe një masivitet popullor të varfer, edhe ky komunizmi modern i sotëm e ka ndarë shoqërinë në dy pjesë: në një pakicë politikanësh, biznesesh politike, gjyqtarësh dhe aventurierësh të pasurish  dhe një shumicë të varfërish duke e asgjësuar fare shtresën e mesme të popullsisë.

Ky konstatim nuk vlen vetëm për elitën politike shqiptare por vlen edhe për shoqërinë civile dhe intelektualizmin shqiptar në përgjithësi të cilët edhe ato nuk janë shkëputur nga mendësia e së kaluarës akoma, nuk veprojnë dhe nuk reagojnë sa dhe si duhet kundër kësaj elite politike, elitë e cila punon dhe i shërben vetëm interesave të ngushta për veten e saj pa asnjë seriozitet, përkushtim dhe aspak për interesin publik dhe kombëtar, por vetëm pushtetit dhe për pushtetin e vet ashtu si dhe ishregjimi i diktaturës komuniste që e synonte pushtetin në përjetësi edhe sikur populli të ushqehej me bar.

Akoma shoqëria shqiptare nuk reagon për ndryshimin dhe për përmirësimin e gjëndjes së vet, por ndryshimin e pret nga lart. Nga “të lartët” që populli i ngre në kulte dhe që u beson  këtyre elitarëve politikë të cilët nuk kanë dhe nuk i lidh gjë as me interesin dhe përgjegjesinë publike, as me moralin dhe ndjeshmërinë shoqërore, as me patriotizmin dhe as nuk kanë largpamësi dhe as vision për progresin dhe integrimin, por kanë dhe shohin vetëm interesin privat dhe parcialo-partiak, ashtu si ish-elita politike e komunizmit që si interes, moral dhe vizion kishte interesin politiko-ideologjik dhe materialist per vetëm veten e saj.  Është pra dëshpërues dhe fatkeqësi fakti edhe i kësaj  elite intelektuale pasive, e trëmbur dhe e frikësuar që madje nuk guxon të luajë edhe një rol të vogël të paktën që i takon, atë të opozitës kritike, vetëm me ca përjashtime shumë të rralla.

Pra, ashtu si dhe shoqëria civile edhe intelektualizmi shqiptar, ashtu si pothuajse tërë intelektualët e kohës së diktaturës me pasivitetin e tyre dhe me pritjen se gjithçka do të vijë nga lart  nga kjo elitë politike, në fakt me këtë sjellje dhe me këtë kulturë politike jodemokratike të tyre i japin oksigjenin e nevojshëm jetëgjatësise së kesaj elite politike dhe përvuejtshmërisë së shoqërisë dhe mosrealizimeve të objektivave të vendosjes e konsolidimit të demokracisë dhe të integrimit europian.

Mosndërtimi i shtetit ligjor dhe moszbatimi i ligjit; pandëshkueshmëria e ish-elitës komuniste të djeshme për krimet e komunizmit dhe superkorrupsioni, vjedhja, grabitja, tradhëtia dhe krimet e elitës politike të re, trashëgimtare e asaj të vjetër; moskryerja dhe mosrealizimi i standarteve demokratike dhe pengimi dhe mosdëshira për të bërë Reformën në Drejtësi dhe mosintegrimi që vijnë si rezultate dhe si pasoja  të kësaj  elite  politike paskomuniste sunduese, janë ato që vertetojnë se demokracia apo tranzicioni në Shqipëri është një komunizëm modern i cili ka penguar dhe bllokuar sistemin demokratik, progresin dhe integrimin e vendit ne BE.