Demarkacioni natyror që bashkon në vend që të ndaj

Demarkacioni natyror që bashkon në vend që të ndaj

Shkruan: Prof. dr. Zeqir Veselaj, Ligjërues i mjedisit në Universitetin e Prishtinës

“Zona e mbrojtur ndërkufitare përfshin kufijtë e më shumë se një shteti, ku seksionet e kufirit politik të mbyllura brenda zonës së saj shfuqizohen”( EUROPARC)

Kufijtë në Evropë janë karakterizuar me ndryshime të shpeshta përgjatë shekujve dhe gjithmonë është shoqëruar me konflikte të hapura, konflikte të ngrira disa prej të cilave ende gjenden nëpër gjykata arbitrazhi. Kjo nuk bën përjashtim edhe në rastin e dezintegrimit e përgjakshëm të ish-federatës jugosllave. Vetëm këtë vit përfundoj një nga rastet e arbitrazhit mes Kroacisë dhe Sllovenisë, e disa të tjera janë ende në proces.

Çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, për Kosovën ka hyrë në një rreth vicioz nga i cili vështirë se mund të dilet pa strategji dalëse efikase dhe kreative. Dy shtetet ndajnë një histori të dhimbshme luftërash e konfliktesh shekullore. Por në luftën e vitit 1999 Mali i Zi dha një shembull të shkëlqyer në trajtimin human të popullatës së dëbuar shqiptare nga regjimi serb duke i pranuar, strehuar dhe trajtuar sipas rregullave ndërkombëtare. Kjo ka vlerë edhe më të madhe kur dihet se Mali i Zi kishte ngelur ende pjesë e një federate në shkatërrim me po atë Serbi, e cila synoi t`i zhdukte shqiptarët e Kosovës.

Në vitin 2010 në një libër mbi Bjeshkët e Nemuna, për të cilën më duhej punë terreni dhe kontakte me banorët e zonave, kam ngritur çështjen e “lëvizjes së kufirit” në brendi të Kosovës. Atëbotë nuk i dija proceset, prapavijën dhe arsyet. Më vonë kjo çështje u rrit në një problem i cili supozohej se u zgjidh me marrëveshjen mes dy qeverive në vitin 2015. Marrëveshja e nënshkruar në vend se të zgjidhte problemin, për Kosovën vetëm sa e përkeqësoi. Përderisa Mali i Zi e ratifikoj marrëveshjen duke i dhënë fuqinë kushtetuese, po atë vit në Kosovë kjo marrëveshje nxiti konflikt të rëndë mes pozitës dhe opozitës. Marrëveshja e nënshkrua dhe e paraitifikuar, Kosovën e ka dëmtuar fuqishëm në imazh përmes skenave të gazit lotsjellës në parlament që pushtuan mediat botërore. Po ashtu  Kosova po del joserioze në raport me ato pak marrëveshje ndërkombëtare që ka nënshkruar (dhe nuk i zbaton dot), ndërsa si e kësaj pasojë qytetarët e saj janë të vetmit të izoluar në Evropë. Edhe më komplekse është bërë situata pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2017, kur partitë pro e kontra marrëveshjes, përgjithësisht kanë ndryshuar pozicionet në qeverisje dhe opozitë.

Zonat e mbrojtura ndërkufitare- trend pro-evropian në rritje

Zonat e  mbrojtura ndërkufitare në Evropë paraqesin një mjet efektiv dhe të njohur gjerësisht për të trajtuar ruajtjen e përbashkët të natyrës dhe sfidat e tjera ndërkufitare. Cilësia e bashkëpunimit në këto zona bazohet në kriteret dhe treguesit e EUROPARC-ut, e themeluar me 1973 si rrjetë për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore e kulturore evropiane. Sipas definicionit, zonë e mbrojtur ndërkufitare (Trans-Boundary Protected Area) është “një zonë e mbrojtur që përfshin kufijtë e më shumë se një vendi, ku seksionet e kufirit politik të mbyllura brenda zonës së saj shfuqizohen”. Në Evropë janë në rritje zonat e tilla dhe deri tani nga 23 zona të mbrojtura kombëtare, janë krijuar 10 zona ndërkufitare me një sipërfaqe prej rreth 900,000 ha. Parku Kombëtar Neusiedler See (Austri) dhe ai Fertö-Hanság (Hungari) ishin dy parqet e para të shpallura si zona ndërkufitare të mbrojtura nga Federata EUROPARC në vitin 2003. Ndërkohë, tetë zona tjera të mbrojtura ndërkufitare janë karakterizuar si praktika të mira dhe kanë themeluar rrjetin  evropian të zonave ndërkufitare të njohur si TransParcNet. TransParcNet është platformë e Evropës që synon t`i bashkoj njerëzit dhe ekosistemet përgjatë kufijve shtetëror. Duhet përmendur që parqe të tilla janë krijuar edhe mes shteteve që ndajnë histori edhe me të rënda luftërash se sa Kosova me Malin e Zi siç janë Finlanda dhe Rusia që kanë dy zona të tilla: parku Oulanka National (Finlandë) dhe parku kombëtar Paanajärvi (Rusi) apo edhe tri shteteve siç janë: zona e egërsisë Inari-Vätsäri (Finlandë), parku kombëtar Øvre-Pasvik (Norvegji) dhe  Pasvik Zapovednik (Rusi).

Rrjeti TransParcNet, formon një platformë inovative për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkufitar në Evropë, për ruajtjen e shërbimeve të ekosistemeve ndërkufitare  të biodiversitetit dhe peizazheve kulturore si dhe frymëzues dhe inkurajues që njerëzit në të dy anët të kuptojnë më mirë rendësin e bashkëpunimin ndërkufitar. TransParcNet synon të kuptuarit më të mirë të rëndësisë së bashkëpunimit ndërkufitar midis politikanëve dhe politik-bërësve, por edhe nga publiku i gjerë. Bashkëpunimi i suksesshëm ndërkufitar duhet të bëhet instrument për zbatimin e paqes ndërkufitare, të kuptuarit dhe bashkëpunimit në tërësi për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Për më tepër ekziston edhe nisma e European Green Belt Initiative, e cila synon që murin e ndarjes (kufijtë) ndërmjet bllokut të lindjes dhe perëndimit gjatë luftës së ftohtë, ta kthej në një brez të gjelbër bashkëpunimi për ruajtjen e natyrës. Pra është trend evropian tashmë që natyra të bashkoj kufijtë.

Hapat përpara

Zona problematike e demarkacionit që ndan dy shtete, ndan në dy pjesë edhe parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” në pjesën e Republikës së Kosovës me sipërfaqe prej 62,488 ha dhe atë “Prokletije” në Republikën e Malit të Zi me sipërfaqe 16,630 ha. Vija ndërkufitare mes dy shteteve shtrihet nëpër një zonë të mbrojtur, vlerat e jashtëzakonshme natyrore e kulturore të së cilës dihen shumë më përpara se sa problemi i demarkacionit ka lindur. Edhe më herët, nga ambientalistët është endur nisma për Parkun Ballkanik të Paqes (Balkan Peace Park) mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi por pa ndonjë rezultate konkret.

Një aplikim i përbashkët i dy shteteve për certifikimin e dy parqeve ekzistuese si “zonë e mbrojtur ndërkufitare” sipas kritereve të EUROPARC-ut, do jepte impulse pozitive të shumëfishta të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes dy shteteve dhe do e minimizonte problemin se ku ekziston vija kufitare. Do të ishte kjo zona e parë ndërkufitare e mbrojtur e shpallur dhe e certifikuar në rajonin e Evropës Juglindore. Certifikimi i tillë do të zhbënte problemin e pretendimeve territoriale mes dy shteteve të pranuara reciprokisht e që janë në raporte të mira fqinjësore pasi zona do të menaxhohej dhe mbrohej si një tërësi natyrore nën kritere të njëjta.

Menaxhimi i zonës së mbrojtur ndërkufitare nuk do e pengonte aspak qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mirave materiale për banorët. Në parim më shumë do kishte rëndësi për mbikëqyrje nga autoritetet e dy shteteve kufiri i jashtëm i zonës ndërkufitare të mbrojtur se sa i vijës kufitare brenda zonës. Po ashtu do të rriten mundësitë e projekteve të përbashkëta që do kontribuonin ruajtjes së vlerave natyrore, kulturore dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të zonës dhe një zhvillimi të qëndrueshëm të zonës.

Zona ndërkufitare e mbrojtur  do të bazohej në praktikat e mira në zona të kësaj natyre duke u nisur nga: zhvillimi i vizionit të përbashkët zhvillimor për zonën në të dy shtetet, formalizimi dhe institucionalizimi i bashkëpunimit, sigurimi i financimit të qëndrueshëm dhe investimeve në zonë, vendosja e fushave prioritare për bashkëpunim, shkëmbimi i përvojave dhe njohurive në mes dy shteteve, monitorimi i përbashkët i llojeve të kërcënuara, projekte të përbashkëta hulumtuese, ruajtja e pyjeve të paprekura si një tërësi pyjore, oferta të përbashkëta për vizitorët e zonës etj.

Komisionet për demarkacion mund të ndërrohen, që nuk nënkupton që mund të ndërrohet edhe vija kufitare tashmë e nënshkruar mes dy shteteve. Më mirë se kjo është të krijohet një komision i përbashkët mes Kosovës dhe Malit të Zi, që të fillonte me procedurat e aplikimit për certifikim të zonës së mbrojtur ndërkufitare “Bjeshkët e Nemuna/Prokletije”. Kjo do evitonte fërkimet eventuale për demarkacionin, banorëve do ju jepte orientime zhvillimore ndërsa dy shteteve perspektivë të qartë progresive dhe euro-atlantike.

Prof. dr. Zeqir Veselaj, Ligjërues i mjedisit në Universitetin e Prishtinës