Demarkacioni me Malin e Zi dhe Pronat publike të Deçanit, “pak me hatër e krejt me zortë”

Mr.Adem LushajShkruan: Mr. Adem Lushaj

“Bashkësia ndërkombëtare ka ndihmuar shumë në çështjen e Kosovës, ndaj duhet zbatuar Vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Duhet bartur pronat në regjistrin kadastral në emër të Manastirit të Deçanit. Vendimin e Dhomës së Posaçme do ta njeh edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës”. Komentime dhe diskutime të tilla, kisha fatin të dëgjoj drejtpërsëdrejti nga ndërkombëtarët, sa herë që kishim takime ku në fokus ishte Vendimi i Qeverisë së Serbisë për faljen e pronave publike, e që ishte përkrahur edhe nga Gjykata Supreme dhe ajo Kushtetueses.

Diskutime dhe konstatime të ngjashme nga ndërkombëtaret, kemi dëgjuar vazhdimisht përmes medieve, (për më shumë se një vit), kur kemi të bëjmë me vijën kufitare me Malin e Zi, sikurse që dolën edhe në ditën kur mbahej “Tryeza e madhe” për demarkacionin, (nga ambasadorët e dy shteteve mike, i SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe).

Sipas kësaj logjike, pronat po i falën Serbisë (Manastirit të Deçanit) dhe Malit të Zi, në të njëjtën mënyrë, “pak me hatër e krejt me zortë”. Demarkacioni me Malin e Zi, po del të jetë çështje e njëjtë me Vendimin e Kushtetueses për pronat e Deçanit.

Bazuar në deklaratat e ambasadorëve miq, të cilët tregohen edhe të mllefosur ndaj kundërshtimeve që bëhen për mos aprovim të Raportit të Komisionit shtetëror, “Vendimi për demarkacionin është punë e kryer, aq sa është edhe Vendimi mbi faljet e pronave publike, Manastirit të Deçanit”.

Reagimet e deçanasve për ti kundërshtuar Vendimet politike e të dëmshme për Deçanin, besa për gjithë Kosovën, kishin ra në vesh të shurdhër të institucioneve të vendit (përjashto reagimet e disa deputetëve të kësaj ane), si atyre qendrore, ashtu edhe atyre komunale. Si, Presidenca, ashtu edhe Qeveria, por edhe shumë e shumë institucione tjera shtetërore, jo vetëm që nuk guxonin të nxjerrnin së paku një fjalë, por, pa u bërë publik Vendimi i Kushtetueses, ia bëjnë “përhajr”, duke treguar se janë të “pushtetshmit” e Kosovës.

Pra, nëse ka përfunduar çdo gjë me pronat e Deçanit, ashtu është edhe për vijën kufitare me Malin e Zi, sikurse që do jetë edhe me Serbinë. Kështu kanë vendosur “miqtë ndërkombëtar”, ndaj edhe pranohet nga të “pushtetshmit tanë”.