DEDË GJON LULI (1840-1915)

DEDË GJON LULI

(1840-1915)

Kryengritja antiosmane e Malësisë së Madhe

Në vazhdën e kryengritjeve të shumta për çlirim e bashkim kombëtarë, pa dyshim së meriton të veçohet kryengritja e Malësisë së Madhe e cila shpërtheu me 23 mars 1911. Kryengritja e Malësisë së Madhe, pati një shtrirje gjithëpërfshirëse si: në veri, duke përfshirë Hotin, Grudën, Kelmendin, Shkodrën dhe Vermoshin, në verilindje atë të Shalës, Kastratit dhe Kuçit, në jugperëndim, kryengritja u shtri deri tek qafa e Pejës me rrethinë.

Karakteri çlirimtar i kryengritjes, ishte kundër regjimit Otoman xhonturk. Me këtë kryengritje, popullata shqiptare tronditi përfundimisht themelet e dhunshme të Perandorisë Otomane, që po jepte gërhimat e fundit. Pikërisht nga goditjet e pa ndërprera të kryengritjeve shqiptare, vet Shefqet Pasha, ishte detyruar të pohonte para eprorëve të vet, se:
“Edhe përkundër ashpërsisë sonë më të vrazhdët, për të mbytur zërin e kryengritësve shqiptar, ata i kanë dalë zot çdo shtëpie e çdo shkëmbi. Ata, po na habisin për ditë e më shumë me gatishmërinë e tyre për të rënë kurban për lirinë e vatanit të tyre!”…

Me fitoren e xhonturqve, disa nga krerët shqiptarë, sikur kishin shpresuar se politika antishqiptare e Otomanëve do të pushonte! Por jo, xhonturqit vetëm sa thelluan masat e egra kundër shqiptarëve, prandaj, mbi këtë bazë u shtua pakënaqësia jonë kombëtare, dhe u rritë gatishmëria jonë për mobilizim e sakrificë për liri.
Veprimet e hapura antishqiptare të xhonturqve, duke i ndaluar të gjitha klubet politike shqiptare, duke e futur forcërisht në përdorim alfabetin arab, duke mbyllur të gjitha shkollat shqipe, duke kërkuar tatime më të larta, duke shpallur ligjin mbi regjimin e ri ushtarak e shumë masa të tjera shtrënguese, bënë që jeta e shqiptarëve të rëndohej edhe më. Shtypja dhe vullneti për liri, bëri që pashmangshëm të bashkohen komitetet e fshehta të cilat vepronin brenda dhe jashtë tokave shqiptare në një udhëheqje të vetme. Kryengritjes së Malësisë së madhe u caktuan t’i prijnë: Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Nikë Gjelosh Luli, Marash Gjeloshi, Dedë Luli etj. Kryengritja e Malësisë së madhe në gjirin e vet kishte gati 10 mijë luftëtarë, të cilët kishin çliruar Tuzin, Koplikun dhe po ofroheshin drejt Shkodrës.

Pas rezistencës disa mujore të kryengritëseve, kishte filluar që të mungonte municioni. Xhonturqit, kishin dërguar Shefqet Turgut Pashën me rreth 45 mijë trupa për të shuar kryengritjen. Luftëtarët shqiptarë, mbajtën pozitat e zëna përgjatë lumit Cem dhe majat e Selcës, për muaj me radhë, këtë luftë e karakterizon edhe pjesëmarrja e gruas shqiptare në luftime, krahas burrave me armë në dorë. Malësoret e kryengritjes shqiptare të prira nga Tringa e Grudës dhe Nora e Hotit, fuqishëm po dëshmonin vullnetin shekullor të popullit tonë për liri nga pushtuesi barbarë xhonoturk.  

Përballë një situate të tillë, përfaqësuesit e kryengritësve u mblodhën në Gerçë me 23 qershor 1911, ku miratuan memorandumin e Gerçës më kërkesat për njohjen e Shqipërisë autonome. Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, hartuan memorandumin të cilin ia paraqiten qeverisë xhonturke dhe fuqive të mëdha, madje e shtypën si broshurë në vete të cilën e quajtën: ”libri i kuq!”. Memorandumi përfshinte 12 kërkesa të hartuara mirë, që shqiptarët kërkonin që të plotësoheshin si: Autonomi autoriale dhe administrative të Shqipërisë, njohja e plotë e kombit shqiptarë, bashkimi i të gjitha viseve shqiptare në shkallë vendi, shkolla, administrata, shërbimi ushtarak, gjyqet etj. Të lejohen shqip dhe të ushtrohen nga vet shqiptarët e kërkesa tjera. Mirëpo Porta e lartë Turke as që denjoi t’i marrë parasysh kërkesat e shqiptarëve. Prandaj kryengritësit shqiptarë ishin të shtanguar, që të vazhdonin kryengritjen dhe ta zgjeronin atë në Vlorë, Drashovicë, në Qafë të Sinjës, madje deri në Korçë. Xhonturqit, duke e vërejtur pamundësinë e tyre për të rezistuar luftëtarët shqiptarë, u detyruan që të rinisnin bisedimet me shqiptarë, por si gjithmonë, edhe kësaj radhe me dinakëri, duke biseduar veç e veç me jugun dhe me veriun, respektivisht me përfaqësuesit e kryengritjes, me prapavijën e shmangies së plotësimit të kërkesave të kryengritësve, pa dyshim edhe me qëllimin që të krijojnë përçarje tek radhët e kryengritësve. Veç me forcat xhonturke, kryengritësit shqiptarë u përballën edhe me shantazhet dhe intrigat e Austro- Hungarisë, si dhe të monarkëve fqinjë Serbo-malazez. Shtetet fqinjë të cilat zbatonin një politikë të hapur anti-shqiptare, tani më ishin të njohura.

Me 1910, përmes Kral Nikollës, qeveria e Malit të Zi i bëri thirrje Dedë Gjo Lulit me kërkesën, që të futeshin në flamurin serbo-malazias dhe gjoja, bashkërisht ta sulmonin Turqinë! Mirëpo, fati ishte në anën tonë, ngase krerët Shqiptare e njihnin me kohë politikën gllabëruese të shteteve fqinje. Kësaj thirrje Dedë Gjo Luli iu përgjigj qartë:
“Jo besa, pa ju e kemi fillua luftën dhe pa ju do ta mbarojmë, se nuk duam që lirinë të ia kemi borxh kërkujt, duam me e fitua me gjak e me e gëzua vet besa!”…

Qeveria malazeze (në rrugë kontrabande), kishte marrë nga Italia armatime të ndryshme, të holla dhe me këtë mundohej që t’i korruptoi edhe shqiptarët. Kjo hile, kishte mbështetjen prapa krahëve edhe nga vet ministri Italian i luftës, ku për mes agjentëve të tij, po bënte plane për hedhjen e hapave të parë në Shqipëri, pa dyshim edhe më gjerë në rajon, duke kaluar përmes Malit t Zi. Ku, rivalitetit italiane-austro-hungarez dhe Greko- serbo-malazez, do të vepronin me shpejtësi për të vënë thikat e gjakut dhe të mizorisë për copëtimin e tokave shqiptare! Natyrisht, këto intriga të këtyre shteteve gllabëruese, kishin bërë mirë llogaritë e një diplomacie lavire e cila, pas shumë tmerri e dhimbje që do t’i sillte popullit shqiptarë, së fundi do të vinte një ditë, ku gjoja në emër të paqes, do të nguleshin edhe kufijtë e rinj të një marrëveshjes, pa diskutueshëm në dëm të tokave shqiptare! Nga ana tjetër, Qeveria e Serbisë, mbante qëndrim edhe më të ashpër, e cila- sipas  Milanoviqit thotë:
“…Ne do të mbajmë një qëndrim të rezervuar, por ne jemi që moti kohë të përgatitur për çdo eventualitet. Ne jemi kundër një Shqipërie të bashkuar dhe autonome, kjo do të ishte fatale për shtetin Serb. Shteti Serbë ushqen pretendimet e kahershme, që popullin shqiptarë ta shkatërrojmë, ta zhvendosi e ta përzë nga tokat e veta dhe më pas tokat e shqiptarëve t’i uzurpoi vet!”…

Kjo ishte pak a shumë, në dukjet dhe fshehtësitë e saja, politika e shteteve monarke fqinje të cilat synonin, që duke eliminuar ndikimin dhe fuqinë fizike të Perandorisë Osmane në rajon të eliminojnë edhe çështjen shqiptare, duke ia mbytur asaj kërkesën e kahershme për një Shqipëri autonome. Zbatimi i dhunës dhe tmerrit, por edhe ai i presionit të paparë politik mbi popullatën shqiptare, nga shtetet shoviniste fqinj, në veçanti mbi krerët e saj i detyroi ata, që të nënshkruajnë një marrëveshje e cila u bë në gusht të vitit 1911 në Podgoricë dhe Tepelenë e cila do të pasonte me njohjen e disa të drejtave të kufizuara shqiptarëve. Me gjithë përpjekjet, sakrificat, punën dhe mundin që ishte bërë nga organizatorët, kryengritja nuk arriti majat e një organizimi ku do të kishte një shtrirje gjithëkombëtare, për të cilën pareshtur kishin bërë plan organizatorët e saj.

Megjithatë, kjo kryengritje bëri një hap më shumë në drejtim të realizimit të aspiratave të popullit shqiptarë, ku pasoi kryengritja e përgjithshme në vitin 1912 e kështu në vazhdimësi, kryengritje pas kryengritjeve e luftë pas lufte, deri tek ditët e sotme!
Mendoi se nuk duhet të harrojmë as edhe një herë se: as edhe sot shteti shqiptar nuk është autonom!, përpjekjet vazhdojnë, fati i atdheut është, ka qenë dhe gjithherë do të jetë në duar të brezit të ri, e atyre që do ta jetojnë më gjatë, e organizimeve të reja çlirimtare, siç ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si përfundim:
kryengritja e Malësisë së madhe, ishte dhe mbeti një nder kryengritjet më të fuqishme të kohës, me tërë madhështinë e saj, me tërë përmasat e saja të pa diskutueshme historike!

24-03-2021
Mehmet Bislimi