Deçani viktimë e politikës së “fëlliqur” të ndikuar nga Manastiri

Adem LushajMr. Adem Lushaj, drejtor i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” Deçan

Komuna e Deçanit me Vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, po bëhet viktimë e radhës e politikës që zhvillohet në Kosovë. Anëtarët e Kushtetueses (përjashtuar gjyqtarin Sejdiu), me vendimin e tyre të fundit, ku i pranohet pronësia e manastirit të Deçanit mbi 23 hektar prona publike, kanë ra në lajthitje (me vetëdije apo pa vetëdije) dhe nuk mundën ti rezistojnë presioneve politike ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e së keqes dhe përgjegjës para qytetarëve, jo vetëm të Deçanit. Vendimi i marr nga Gjykata Kushtetuese, duke u bazuar në të pa vërtetat e thëna nga Sava Janjiq, është vendim i cili nuk i kontribuon tolerancës ndër etnike dhe përafrimin e këtij institucioni me banorët e këtushëm. Me këtë Vendim, Kushtetuesja dhe Politika ndërkombëtare e ndikuar nga ajo e manastirit, po vazhdon të pengon zhvillimin e turizmit në Deçan, si njëra nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik. Pengesat që janë duke u bërë për shumë vite, qoftë në shfrytëzimin e resurseve hoteliere-turistike, apo edhe në investimet infrastrukturore në zonën turistike të Bjeshkëve të Deçanit, janë duke na kushtuar me humbje të mëdha.

Uzurpimet arbitrare të kompleksit më atraktiv turistik të Deçanit, atë të Pushimores së fëmijëve “Pishat e Deçanit” dhe Kompleksin “ILIRIA”, po bën që Deçani të ketë humbje të pa llogaritshme, kur dihet se këto dy objekte gjigante, dikur ishin të stërmbushura me mysafirë, edhe jashtë Kosove. Prania e paqeruajtësve dhe politika e imponuar, qoftë edhe përmes institucioneve të cilat do duhej të ndanin drejtësinë, ka penguar investimet në këto objekte, përkundër  interesimit të madh të investitorëve, jo vetëm në nivel vendi, por edhe ndërkombëtare. Oferta turistike e Deçanit, paraqet kulmin e mundësive të mëdha për zhvillimin e komunës dhe të vendit, por fatkeqësisht, politizimi është bërë “armiku” kryesor i cili ka vënë bllokadë totale në zhvillimin e kësaj hapësire, e cila me insistimin e  Manastirit të Deçanit dhe vendimit për zonën me rëndësi të veçantë, është shndërruar në “zonë të ndaluar” edhe për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, por edhe të objekteve hoteliere-turistike.

Çelësin e zhvillimit të kësaj komune po e mbajnë “peng”, klerikët e Manastirit dhe njerëzit e politikës së “fëlliqtë kosovare”, të cilët vazhdimisht kanë kundërshtuar ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, që vlerësohet si bosht i zhvillimit dhe integrimit rajonal e ndërshtetëror.

Deçanasit çdoherë kanë treguar se janë në përfillje të çdo vendimi që vjen nga institucioni i drejtësisë së Republikës së Kosovës, por assesi Vendime të imponuara politike dhe të dëmshme për zhvillimin ekonomik të komunës. Me vendimin e marr nga Kushtetuesja, sërish u tregua “fytyra” e vërtetë e atyre që mundohen me çdo kusht të përvetësojnë pronat publike dhe të pengojnë zhvillimin ekonomik të Deçanit. Sava Janjiq dhe klika e tij, tashmë është i njohur me të “vjellat” dhe qëndrimin aspak miqësor ndaj institucioneve të shtetit tonë, sërish tregoj pafytyrësinë e tij ndaj institucioneve të Deçanit.

Një gjë duhet të kuptojnë gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare, e para se gjithash kleriku i nderuar Sava Janjiq dhe klika e tij, se banorët e kësaj Komune, ASNJËHERË nuk do ti pranojnë, e as të përfillin VENDIMET e ndikuara politikisht dhe të dëmshme për zhvillimin e Deçanit, gjë që u konfirmua edhe me Deklaratën e përbashkët kundërshtuese të nxjerr nga Kuvendi Komunal dhe e përkrahur nga kreu i kësaj komune dhe shoqëria civile.