Deçani me kushte të volitshme klimatike për zhvillim të turizmit malor

Mr.Adem LushajMr. Adem Lushaj

Zhvillimi ekonomik i një vendi varet shumë edhe nga resurset natyrore që posedon ai vend, qofshin nëntokësore apo mbi tokësore. Në këtë aspekt hynë edhe zhvillimi i Turizmit, si një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë, gjë që është një nga sektorët me rritjen më të shpejtë ekonomike në nivel global. Mirëpo, ndër faktorët e rëndësishëm të zhvillimit të turizmit, qoftë veror apo dimëror, janë edhe faktorët klimatik. Në këtë aspekt është e përfshirë edhe Kosova, me potencialet e saja zhvillimore që disponon. Ndër komunat që posedon resurse të shumta natyrore e që janë të favorshme për zhvillimin e turizmit, sidomos resurset që janë në masivin e Bjeshkëve të Nemuna, është edhe Komuna e Deçanit. Zhvillimi i qëndrueshëm, gjatë zhvillimit të vet integron tre faktorë të qëndrueshmërisë: problemet ekonomike, sociale dhe mjedisore. Turizmi mund të ketë ndikime ekonomike, sociale, kulturore dhe mjedisore në komunitetet lokale dhe rajonale. Ai stimulon dhe diversifikon ekonominë, kur ajo mbështetet në një bazë relativisht të kufizuar dhe mundëson përmirësimin e infrastrukturës. Prandaj, sfida është të gjejmë mjete për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Siç është demonstruar nga Programi i Bashkësisë Ndërkombëtare për Mjedis (United Nations Environment Programme) dhe Organizatës Botërore për Turizëm (The World Tourism Organization-UNWTO) , investimet në turizmin e gjelbër dhe të qëndrueshëm janë mjet për të krijuar vende pune dhe për të zvogëluar varfërinë, duke përmirësuar njëkohësisht rezultatet mjedisore.

Kosova ka mundësi të mira për zhvillim të turizmit, sepse disponon me atraksionet natyrore të begatshme, me lokacione gjeografike të volitshme. Disa prej përparësive të saj turistike të veçanta janë veçoritë e dallueshme morfologjike, hidro-grafike, klimatike dhe elemente të tjera atraktive të cilat e bëjnë Kosovën një ndër hapësirat turistike më tërheqëse në rajon. Pra, Ndër faktorët e rëndësishëm për zhvillimin e turizmit janë edhe faktorët natyror, e ku në këtë mes hynë edhe Klima.

 Shtrirja gjeografike e Deçanit

Deçani apo Ulëza e dikurshme është vend i banuar, që nga kohërat e lashta nga fiset Ilire, gjegjësisht fisi Dardan. Komuna e Deçanit ka një pozitë mjaft të mirë gjeografike dhe ndodhet në pjesën perëndimore të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. Deçani gjendet pothuajse në qendër të Ballkanit, ndërsa ka vijën ajrore nga Deti Adriatik 90 km, kurse 220 km, larg nga Deti Egje.

Drejtimi i shtrirjes së territorit të Komunës së Deçanit është veri-perëndim-jug-lindje, në mes gjatësisë lindore: 20º 5′ e 20″ dhe 20º 32′ e 8″ dhe gjatësisë veriore: 42º 33′ e 30″ dhe 42º 26′ e 3″, ndërkaq, sipas Sistemit Global të Pozicionimit: Veri – 47º 00′ dhe 47º 20′ dhe Lindje-20º 52′ dhe 20º 06[1]’. Deçani, në perëndim kufizohet me Republikën e Shqipërisë, që shtrihet prej Paraleles së Terrenit(PT), –2539 deri- 2366, në gjatësi prej 5.5 km. Në veri-perëndim, kufizohet më Malin e Zi, PT-2366 deri 2424, më gjatësi 12.5 km. Në veri kufizohet më Komunën e Pejës, PT-2424 deri 460 (Maznik), më gjatësi prej 38.5 km. Në jug-lindje kufizohet me Komunën e Gjakovës nga PT-460 deri te Gunga e Hereqit, ndërsa në Jug, nga PT 489 me gjatësi prej 24.05 km. Në jug dhe perëndim kufizohet me Komunën e Junikut 24.35m.

Karakteristikat klimatike të Deçanit

Karakteristikat klimatike të Deçanit, janë të njëjta, sikurse me komunat tjera të Rrafshit të Dukagjinit. Deçani ka klimë kontinentale me ndikim të asaj mesdhetare. Gjatë vitit në Deçan ka 1.975 orë me diell. Viset e ulëta të Deçanit karakterizohen me temperatura relativisht të larta, me vlerë mesatare vjetore mbi 110C, me muajt më të nxehtë Gushtin dhe Korrikun, 21,70 C dhe 21,680 C dhe muajt më të ftohtë, Janarin -0,5 0 C. Në këtë klimë ndikon shumë, afërsia Bjeshkëve të Nemuna dhe rrymat e tjera të ajrit, si: në viset e ulëta karakterizohen me vera të nxehta dhe të thata, dimrat relativisht të ftohtë dhe me lagështi. Temperaturat ekstreme gjatë periudhës së verës, vijnë nga ndikimi i lëvizjes dhe presionit të lartë të ajrit, nga zonat subtropike, në drejtim të veriut, si ndikime të aktivitetit të ciklonit nga Oqeanit Atlantik dhe Deti Mesdhe, si dhe, gjatë dimrit nën ndikimin e anticiklonit Siberian. Lagështia mesatare e ajrit gjatë vitit është, 70,2 %, me rritje të dukshëm, prej verës kah dimri, për 17,5 %, se sa zvogëlimi prej dimrit në drejtim të verës. Zgjatja mesatare vjetore e zënies së diellit për shkak të ndikimeve orografike është më e vogël se sa mesatarja për Kosovën dhe është 1.972 orë nga e cila në Korrik 293, 6 orë ose 72,1% diell në vit. Sasitë e të reshurave janë ndër më të mëdha të Kosovë. Në viset e ulëta është 724,6 mm, në viset malore sasitë mesatare të reshurave arrijnë më tepër se 1.300 mm. Gjatë dimrit trashësia e borës në viset kodrinoro-malore arrin deri më 50 cm, kurse në viset më të larta (bjeshkë), është mbi 1m, kurse ne lartësitë e mëdha malore (alpine) qëndron gjatë tërë vitit. Andaj, kushtet e këtilla klimatike mundësojnë zhvillimin e aktiviteteve rekreative sportive (skijimit ) gjatë sezonës së dimrit. Shi bie më së shumti në pranverë dhe vjeshtë, edhe atë mesatarisht, 900-1500mm. Shpejtësia mesatare e erës gjatë vitit është 16 m/sek., ndërsa ajo maksimale arrin deri më 26,5 m/sek. Më së shpeshti era fryn nga veriu dhe veriperëndimi. Elementet kryesore klimatike që i përkasin komunës sonë janë: moti i kthjelltë, lartësia e lartë mbidetare e kompleksit të bjeshkëve, temperatura të freskëta gjatë verës dhe mjaft të ftohta gjatë dimrit, reshjet atmosferike (dëborë) të bollshme, të ujërave në sasi të mjaftueshme. Në lartësinë e bjeshkëve ekziston një numër madh i liqeneve me origjinë glaciale të njohur në gjuhën popullore si “sytë e maleve”. Këta liqenjë janë burimet kryesore të vlerave mjedisore, turistike dhe ekonomike për komunën tonë. Liqenjtë natyror që gjenden në masivin e Bjeshkëve të Nemuna, prapa majës së Gjeravicës, paraqesin interes të veçantë për zhvillimin e turizmit, por nuk janë aq shumë të hulumtuar.

 Pyjet e Deçanit-Bjeshkët e Nemuna

Ndër pasuritë natyrore të Deçanit, pyjet zënë vend me rëndësi dhe kanë vlerë të çmueshme. Përveç rëndësisë ekonomike, pyjet kanë rëndësi dhe ndikim të madh, edhe në funksionin natyrorë mbrojtës: klimë, ajër, ujë, tokë konservim të trashëgimisë biologjike dhe funksionin socialo-kultural, siç janë: turizmi, rekreacioni dhe shumë funksione të tjera. Sipërfaqet pyjore në Komunën e Deçanit janë si vijon: sipërfaqja e përgjithshme 14420 ha, prej tyre pyje shoqërore/shtetërore 10903 ha, dhe private është 3517 ha. Kushtet agroekologjike janë shumë të favorshme për një blegtori intensive me perspektivë të gjatë të zhvillimit. Këtë e mundësojnë edhe resurset e mëdha natyrore, që disponon Komuna e Deçani. Sipërfaqe të mëdha më kullosa natyrale (mbi 7,000.00 ha); tokë punuese prej 8940.4 ha, dhe resurse ujore në të gjithë territorin e komunës bëjnë të mundur zhvillimin e blegtorisë. Zhvillimi i blegtorisë mund të zhvillohet në pjesën e ultësirave, por edhe në pjesën kodrinore-malore, duke shfrytëzuar sipërfaqet e konsiderueshme të kullosave dhe livadheve, për prodhimin biologjik të prodhimeve blegtorale.

Foto e Bjeshkëve të Nemuna

D-1D-2

Turizmi veror

Majat e disave prej këtyre bjeshkëve janë shkëmbore dhe pa vegjetacion, por nga pasuria dhe llojllojshmëria me elemente estetike-dekorative siç janë: pyjet, kullosat, liqenet etj. Këto karakterizohen me pamje të mrekullueshme nga majat e larta, e që veçohen për shembull: Gjeravica, Bjeshka e Belegut, Maja e Rupes, Maja e Marjashit, Bjeshka e Madhe, Kurvalla, etj. Këto pjesë karakterizohen me peizazhe shumë kontrastore, me forma karakteristike, me lugina shpesh herë të thelluara dhe me maje shumë të pjerrëta dhe të mprehta. Pjesët e Bjeshkëve të Nemuna që i përkasin Komunës së Deçanit, janë të përbëra prej një rrjeti të lugjeve, luginave lumore, cirqeve, etj., që janë atraksion i vërtetë natyrorë.

Kushtet klimatike të kompleksit të Bjeshkëve të Nemuna, mund të vlerësohen nga aspekti i pozitës klimatike, vlerave mesatare dhe ekstreme të elementëve klimatik, formësimi i peizazheve autentike, si komponent të ekosistemeve, dukurive dhe hapësirave me vlera të veçanta si nga rëndësia rekreative-turistike ashtu edhe në aspektin bio-medicinal.

Në Bjeshkët e Nemuna është ruajtur flora dhe vegjetacioni sub-polarë, duke e renditur atë në provincë të veçantë, alpiko-nordiko, fito-gjeografike dhe ekologji të lartë. Pyjet si tip i zhvilluar i vegjetacionit, janë rezultat i kushteve specifike të klimës, por njëherësh ato ndikojnë në ndryshimin e kushteve klimatike dhe mikro-klimatike të rrethinës në përgjithësi, të pasura edhe me kullota të lëngshme, të pasura edhe me reshje të mëdha të shirave dhe të borës. Elementet kryesore klimatike të bjeshkëve të Nemuna që i përkasin komunës sonë, kanë këto vlera: moti i kthjellët me diell, lartësia e lartë mbidetare e kompleksit të këtyre bjeshkëve, temperatura të freskëta gjatë verës dhe mjaft të ftohta gjatë dimrit, reshjet atmosferike (të dëborës) të bollshme, ujërat në sasi të mjaftueshme etj. Karakteristike është sidomos shtrirja e lumit te Deçanit në shtrirje përgjatë rrugës së gjerë te Bjeshkët e Belegut në sasi të mjaftueshme të ujit në të gjitha sezonet e vitit kalendarik. Ujërat që formohen nga gurrat dhe rrjedhat autoktone janë ujëra të freskëta me begati dhe cilësi të lartë.

Pamje të Bjeshkëve të Deçanit

D-3

Në ato bjeshkë ekziston një numër i madh i liqeneve me origjinë glaciale të njohur në gjuhën popullore si “sytë e maleve”, një llojllojshmëri biologjike me gjithë larmin e organizmave të gjallë, flora dhe vegjetacioni, me masivin malorë të mbi 1000 llojeve, gjerë më tani të hulumtuara. Ekziston një mozaik i ndërlikuar dhe kompleks i bashkësive bimore në hapësira të cilat ndryshohen pak a shumë në mënyrë të vazhdueshme në përputhje me ndryshimet e kushteve të ambientit, klimës, mezo dhe mikro klimës, reliefit, përbërjes gjeologjike, përbërjes pedologjike, si dhe kushteve hidrologjike. Të gjitha këto bukuri janë të shtrira në pjesën e ulët malore, të mesëm dhe në pjesën e lartë malore. Pastaj karakterizohet me llojllojshmëri të faunës, të gjitarëve dhe të shpendëve që janë mjaft të rralla në Ballkan, si luqerbullit, ariut të murrmë, kaprollit, dhia e egër, shqiponja e maleve, fajkoi thonj-bardhë, pulë të egra, etj.

Pamje të Liqenit të Gjeravicës dhe vendeve për kullosa

D-5D-6

Turizmi dimëror

Turizmi dimëror zë një vend te rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, duke pasur parasysh terrenet shumta dhe të përshtatshme hapësinore, natyrore e klimatike, për zhvillimin skitarisë, veçanërisht në Bjeshkën e Belegut dhe Bjeshkën e Kurvallës. Sipas një studimi të bërë nga ekspert Kroat, në vitin 1985 se terrenet në Bjeshkën e Belegut dhe Bjeshkën e Kurvallës, kanë një hapësirë të favorshme për zhvillimin e turizmit dimëror. Projekti i hartuar për Bjeshkën e Belegut si: zonë turistike-rekreative sportive, për sportin dimëror, duhet te realizohet, duke pasur parasysh se, nëpërmjet tij prezantohen, vlerat ekologjike, shkencore, edukative-arsimore, sportive, shëndetësore–turistike, me interes të gjerë shoqëror, jo vetëm për komunën e Deçanit, por edhe për regjionin, sepse ka vlera të larta ndërkombëtare. Bjeshka e Belegut ka një potencial te madh për staza të skijimit, sepse ka hapësira të shumta për ngritjen e stazave të shkurtra, të mesme dhe stazat e gjata te skijimit.  Prandaj,  mundësia është shume e  madhe për shkak se, me qindra skitarë  mund te rrëshqasin në këto bjeshke, pa penguar njeri-tjetrin. Kjo është një pasuri e madhe për Deçanin, sepse ia ka dhuruar natyra”.

Pamje nga Bjeshka e Belegut

D-7

Pra, bazuar në resurset ekzistuese ekonomikë dhe faktorët e favorshëm klimatik, komuna e Deçanit ka gjitha mundësit për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit malor. Mirëpo, për të pasur një zhvillim të këtij sektori ekonomik, nevojitet një angazhim dhe përcaktim politik dhe profesional të institucioneve të vendit, qofshin nga ato komunale apo qendrore. Hartimi i një strategjie afatgjate dhe shfrytëzimi racional i resurseve ekonomike, do krijoheshin gjitha mundësitë për shfrytëzim maksimal të kushteve të favorshme klimatike, e që do rrisnin zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë së Deçanit, por edhe të zhvillimit të Kosovës.