DËBIMI I ÇAMËVE NGA VITI 1940-1945

Semi HebibiNga Semi Hebibi

Shpërthimi Luftës së Dytë Botërore solli një bashkim të shkurtër (1941-1943) të Kosovës me Shqipërinë dhe mundësinë e bashkimit të rajoneve të tjera të Ballkanit ku banonin shqiptarët. Në gusht 1940 Italia pushtoi Greqinë. Në një përpjekje për ta tërhequr popullin shqiptar në realizimin e synimeve të veta, Italia u premtoi shqiptarëve bashkimin kombëtar. Marrëveshja gjermano-italiane parashikonte krijimin e një “Shqipërie të Bashkuar” ku përfshiheshin zona të gjera të Jugosllavisë dhe në një shkallë më të ulët të Greqisë, të banuara nga shqiptarë. Italianët arritën të shfrytëzonin ndjenjat kombëtare shqiptare, duke insistuar se bashkimi i të gjitha tokave të banuara nga shqiptarë do të varej nga fitorja e Boshtit. Kështu, çamët u armatosën nga italianët dhe bashkëpunuan me ta kundër fshatrave greke, të kontrolluara nga luftëtarët grekë të rezistencës. Megjithatë, pjesa më e madhe e çamëve ishin vetëm bashkëpunëtorë pasivë dhe kishin po aq mosbesim ndaj italianeve, sa edhe ndaj forcës guerile mbretërore greke të Napoleon Zervës.

Në më pak se një vit, forcat greke arritën ti zmbrapsnin forcat italiane në kufirin shqiptar. Midis çamëve u përhap alarmi, sepse fitorja e Boshtit që ata e shpresonin, u kthye në disfatë. Në qershor 1940, afër fshatit Vrinë, në Shqipërinë e Jugut, u gjet trupi pa kokë i udhëheqësit çam Daut Hoxha[1]. Qeveria shqiptare, e kontrolluar nga Italia, aludoi se ai ishte vrarë nga agjentë sekretë grekë. Hoxha ishte një udhëheqës ushtarak i çamëve gjatë viteve të luftës. Qeveria greke pretendonte se ai ishte vetëm një bandit.

ZervaNë tetor 1944, kur gjermanët filluan të tërhiqeshin nga Greqia, disa qindra çamë u larguan bashkë me ta për në Shqipëri. Më pas, shqiptarët myslimanë që mbetën në Greqi konsideroheshin nga grekët si një armik i brëndëshëm.[2] Në përpjekjet për të krijuar një rajon me kufij të pastër etnikisht, çamët u dëbuan nga Greqia e veriut nga forcat guerrile nën komandën e gjeneral Napoleon Zervës, i cili vepronte sipas urdhrave të oficerëve aleatë. Në dritën e kërkimeve të kohëve të fundit, sipas dokumentave të luftës, veprimet greke kundër çamëve mbështeteshin dhe kishin autorizimin e Britanisë. Këto veprime çuan në largimin e rreth 35.000 çamëve për në Shqipëri dhe të tjerëve në Turqi. Kolonel Chris Ëoodhouse, shef i Misionit Ushtarak Britanik në Greqi, raportonte: “Me inkurajimin e Misionit Aleat, që unë drejtoja, Zervas i dëboi çamët nga shtëpitë e tyre më 1944. Pjesa dërrmuese u largua për të gjetur strehë në Shqipëri. Dëbimi i tyre nga Greqia u bë me një gjakderdhje të madhe. Puna e Zervasit (fot sipër)u pasuan në mars 1945 nga masakra e madhe ndaj çamëve të Filatit, gjë që nuk mund të falet. Rezultati ishte dëbimi i popullsisë shqiptare të padëshiruar, nga tokat e saj”.[3]

Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë nga ushtarët grekë të cilët bënin pjesë në formacionet ushtarake. Më 27 qershor 1944, në zonën e Paramithisë, ku forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zervas hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë, burra, gra dhe fëmijë – shumë prej të cilëve u përdhunuan dhe u torturuan para vdekjes. Sipas dëshmitarëve okularë, të nesërmen, një batalion tjetër i EDES hyri në Parga, ku u vranë 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944 u plaçkit qyteti Spatar dhe u vranë 157 vetë. Gra të reja dhe vajza u përdhunuan dhe ata burra që mbetën gjallë u grumbulluan dhe u dërguan në ishujt e Egjeut.[4]

Në bazë të statistikave që jep Shoqata “Çamëria” në Tiranë, gjatë goditjeve që janë bërë në vitet 1944-1945 në fshatrat çamë janë vrarë gjithsej 2.771 civilë shqiptarë dhe konkretisht si më poshtë:

në Filat dhe rrethinë 1.286, në Igumenicë dhe rrethinë, 192 në Paramithia dhe rrethinat, 673 dhe në Parga 620. Janë plaçkitur dhe djegur 5.800 shtëpi në 68 fshatra. Në një listë të hollësishme të humbjeve materiale përfshihen 110.000 dele, 24.000 bagëti të trasha, 250.000 kg. grurë dhe 80.000 l. vaj ushqimor, të cilat arrijnë në 11 milion kg grurë dhe 3 milion l. vaj ushqimor.[5]

Si rezultat i këtyre goditjeve, llogaritet që 28.000 çamë të jenë larguar për në Shqipëri, ku u vendosën në periferi të Vlorës, Durrësit dhe Tiranës. Disa qindra çamë u vendosën përgjatë bregut të Himarës, në prona të lëna nga familjet që u larguan gjatë luftimeve të egra, fillimisht kundër pushtuesve të Boshtit dhe më pas, më 1944, midis Frontit nacionalist grek të Çlirimit të Epirit të Veriut dhe luftëtarëve të Ballit Kombëtar të Shqipërisë. Disa nga çamët u vendosën në fshatrat ekzistuese përgjatë bregdetit, si Borshi, që tradicionalisht ishin myslimanë, duke forcuar karakterin johelenik të zonës. Çamë të tjerë krijuan fshatra krejtësisht të reja, si Vrina afër kufirit grek. Vëzhgues ndërkombëtare kanë konstatuar brutalitetin e përdorur gjatë dëbimeve të çamëve. Joseph Jakobs, Shef i Misionit Amerikan në Shqipëri (1945-1946) shkruan: “Në mars 1945 njësi të forcave të shpërndara të Zervasit kryen një masakër ndaj çamëve në zonën e Filialit dhe praktikisht e spastruan atë nga pakica shqiptare. Sipas të gjitha të dhënave, që janë mundur të mblidhen mbi çështjen çame, në vjeshtën e vitit 1944 dhe gjatë muajve të parë të v. 1945, autoritetet e Greqisë veriperëndimore kryen goditje të egra, duke dëbuar rreth 25.000 banorë- çamë të Krahinës Çame nga shtëpitë e tyre. Ata u ndoqën deri në kufi, mbasi iu grabitën tokat dhe pronat. Qindra meshkuj çamë të moshave 15 deri 70 vjeç u internuan në ishujt e Detit Egje. U dogjën në total 102 xhami”.[6]

Autoritetet greke miratuan më pas një ligj që sanksiononte shpronësimin e pronave të çamëve, duke iu referuar bashkëpunimit të bashkësisë së tyre me forcat pushtuese të Boshtit, si një arsye kryesore për marrjen e këtij vendimi.

Atyre çamëve të besimit ortodoks që mbetën në Greqi pas vitit 1945 iu mohua identiteti shqiptar, si rezultat i politikes tejet represive të asimilimit që pasoi. Që përpara Luftës së Dytë Botërore nuk lejohej që gjuha shqipe të flitej në publik, as të mësohej nëpër shkolla. Struktura demografike e Greqisë veriperëndimore u ndryshua me futjen e kolonistëve nga pjesë të tjera të Greqisë. U inkurajuan në mënyrë të veçantë vllehët për t’u vendosur në fshatrat e braktisura çame, pa të drejtë pronësie. Greqia donte ta ndryshonte strukturën demografike të krahinës, sepse nuk kishte besim te pjesa e mbetur e popullsisë shqiptare edhe pse ajo ishte e besimit të krishterë ortodokse. Meqenëse nuk lejohej që shqipja të flitej në publik, shtrohej çështja e asimilimit të shqiptarëve ortodoksë dhe që prej asaj kohe ata luftojnë për të ruajtur identitetin e tyre.[7]

[1] Ibrahim D. Hoxha, libri “DAUT HOXHA”, Tiranë, 2000, fq. 109.
[2] Po aty.
[3] Po aty, fq. 201.
[4] Po aty.
[5] Po aty, fq. 202.
[6] Po aty, fq. 2007.
[7] Miranda Viskers, gazeta e përditshme”KOHA JONË”, Tiranë, 22 janar 2002, fq. 18