Çuditë “globale” të politikës, Presidentit dhe të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Çuditë “globale”  të politikës, Presidentit dhe të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

 Nga Skënder S.KAPITI

Kur  bota sot po përballet me pandeminë; kur bota është përqëndruar e gjitha politikisht, ekonomikisht, financiarisht dhe shkencërisht  për ta mposhtur fatkeqësinë globale që po merr jetë njerëzish, në Kosovë ndodhin çudira politike: rrëzohet qeveria nga një puç parlamentar, duke shkaktuar një krizë shtetërore krahas asaj të koronavirusit.Kjo verteton më së miri aë se çfarë është elita politike në Kosovë, ku për interesa të ngushta politike e pushteti ajo  nuk pyet as për rrezikun e madh që i vjen qytetarëve të Kosovës nga pandemia, dhe jo më të presësh e të besosh se kjo elitë politikë   ka punuar ndonjëherë për interesin e përgjithshëm , atë kombëtar , për sigurinë e mirëqënien ekonomike dhe për shtetin e ligjin.

Kujdes ju politikanët e Kosovës , se nuk do t‘ua falë historia dhe as kombi ato se çfarë po bëni me qorrollepsjen, korrupsionin, tradhtinë   dhe me budallakinë tuaj.

Si dhe ku e gjeti logjikën dhe kohën politika kosovare, elita politike  e korruptuar  që në këtë shqetësim e kërcënim botëror nga pandemia, politika kosovare: LDK-ja me llumin e korrupsionit të partive të tjera opozitare të ndëshkuara nga populli me 6 Tetor 2019 bënë mocion puçist dhe rrëzuan Qeverinë Kurti, kur ajo ishte legjitime, në krye të punës dhe të detyrës si model shëmbullor në mirrëqeverisje dhe në betejën për ta mundur pandeminë virusale?!

“Çudia” e parë e madhe e cila habiti jo vetëm opinionin publik shqiptar por edhe atë ndërkombëtar por edhe si akt qesharak e mjeran ishte mocioni i mosbesimit të LDK-së i përkrahur nga elita politike e vjetër parlamentare e Kosovës , që në kushtet e pandemisë dhe me maska antivirusale rrëzuan qeverinë Kurti. Dhe pas kësaj çudie nuk vonoi edhe një çudi tjetër e Presidentiti Thaçi dhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës pro tij.

Presidenti  Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese e saj a janë me këmbë në tokë dhe me mend në kokë,  dhe a e perjetojnë realitetin kërcënues të pandemisë apo janë jashtë këtij realiteti, kur në Shqipëri gjëndja  konsiderohet si kohë lufte dhe në vëndet e  prekura si kriza më e madhe globale që pas Luftës së Dytë Botërore.

Ja si  i justifikon Kancelarja e Gjermanisë znj. Merkel kufizimin e përkohshëm të lëvizjes së qytetarëve,

Merkel: Kufizimet « të pashmangshme, për të shpëtuar jetë »

Kancelarja Angela Merkel iu lut popullsisë për mirëkuptim për masat e kufizimet që janë vendosur. E di sa e prekin këto mbyllje jetën tonë dhe imazhin tonë për demokracinë, për të cilat kanë rënë dakord Qeveria Federale dhe qeveritë e landeve. Janë kufizime që nuk kanë ekzistuar kurrë më parë në Republikën Federale. » Më lejoni t’ju siguroj: « për dikë si unë, për të cilin liria e lëvizjes dhe e udhëtimit ishte një e drejtë e fituar me luftë të mundimshme, kufizime të tilla mund të justifikohen vetëm me domosdoshmërinë absolute. Ato nuk duhet të merren kurrë me lehtësi dhe në një demokraci duhet të jenë vetëm të përkohshme – por në këtë moment ato janë të domosdoshme për të shpëtuar jetë », tha kancelarja.Dhe askush në Gjermani nuk bëri ankesë te Gjykata Kushtetuese.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili thotë se “Jemi në luftë me koronavirusin”, ka bërë publike politikën e mos-daljes nga shtëpia për 15 ditë.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka deklaruar se i gjithë vendi është shpallur zonë e kuqe, me çka masat që janë ndërmarrë kundër koronavirusit të ri (COVID-19) do të zbatohen në të gjithë vendin dhe se do të kufizohet lëzivja e lirë, përveç rasteve të detyrueshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
 Dhe askush në as Gjermani ,as në Francë , as  Itali e askund tjeter nuk bënë  ankesa te Gjykata Kushtetuese, ashtu sikurse veproi presidenti i Kosovës kundër masave të qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit.

 Pra, edhe Albin Kurti dhe qeveria e tij masat kufizuese i ka marrë me qëllimin e mirë dhe human për të shpëtuar jetë njerzore.Qeveria e Kosovës me vendimin e saj per kufizimin e levizjes se qytetarëve me qëllim për parandalimin e përhapjes se koronavirusit, vendim i cili është marrë nga pothuajse të gjitha shtetet e botës të prekur nga pandemia, ai është një vendimmarrje në kushtet kur lëvizja e lirë përbën një kërcënim të jetës së qytetarëve. Pra kufizimi i përkohshëm i lëvizjes së lirë të qytetarëve është plotësisht mëse i duhur dhe i justifikueshëm sepse  shërben si masë mbrojtëse dhe sigurie  të jetës së qytetarëve të kërcënuar nga pandemia.Kjo tregon se Gjykata Kushtetuese është në një linjë politikisht edhe ajo me puçin parlamentar që ndërmorën kualicioni i së keqes me rrëzimin e qeverise të së mirës, qeverisë Kurti.

Si ankesa e Presidentit kundër vendimit të qeverisë ashtu edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese janë të mirëkordinuara dhe kanë si qëllim atë: të sa më shumë të justifikimit dhe në  shërbim të veprimit antilegjitim të komplotit që rrëzuan qeverinë Kurti, me qëllim  për të krijuar edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese një pështjellim dhe huti publike  synimi i së cilës  është  për të helmuar sado pak opinionin kosovar se kinse  ja se :Albini Kurti dhe qeveria  marrin  edhe vendime antikushtetuese.

Ky është edhe qëllimi politik i vendimit të Gjykatës Kushteuese. Kosova në këto kohë pandemie, politika e saj dhe pa lënë menjëanë as  Gjykatën  Kushtetuese treguan dhe çuditën botën me veprimet e sjelljet e tyre duke shkaktuar një krizë politike shtetërore artificiale dhe krejtësisht të panevojshme dhe aq më tepër edhe kunderlegjitime e antipublike.

Tani mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese në lidhje me padinë ngritur kundër Presidentit  nga Ministria e Brëndshme e Kosovës: Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në padi potencohet se “Presidenti përmes deklarimeve të tij dhe thirrjeve për mos-respektim të Vendimit të Qeverisë në datën 23 Mars 2020, përveç që ka shkaktuar paqartësi tek qytetarët, i njëjti gjithashtu ka mundur të ndikojë që përmes këtyre thirrjeve të shkaktojë kaos nëpër rrugë dhe të « kontribuojë » në shpërndarjen më të madhe të Virusit COVID-19”.

Në këtë padi ngriten dyshime se presidenti ka kryer veprën penale « Thirrje për rezistencë » të paraparë në Nenin 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pra ku e gjeti të drejtën Presidenti që t’i bëjë thirrje qytetarëve dhe policisë që të mos i binden vendimit të qeverisë. Ky veprim i tij është tejet antikushtetues e që kërcënon jeten e qytetareve, rendin demokratik dhe sigurinë publike.

Thirrja që bën Presidenti Thaçi qytetarëve kundër vendimeve të qeverisë së Kosovës në këto momente , a mos është thirrje e tij për Serbinë që ajo të ndërhyjë dhe të kujdeset  për serbët e të ashuquajturës “Bashkësi e Komunave Serbe,” pra në ato territore për të cilat Thaçi është dakord që t’i kalojnë Serbisë?!

A nuk është çudi globale fakti që kur i gjithë globi, kur pothuajse të gjitha qeveritë e shteteve e botës kanë  bërë kufizime të lëvizjes së qytetarëve , dhe  kundër kësaj del Gjykata Kushtetuese e Kosovës që shprehet kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për një masë të tillë parandaluese të pandemisë?!

Vendimi edhe në këtë rast i Gjykatës Kushtetuese tregon për kalbjen e sistemit juridik të Kosovës që nga koka lart. Prandaj ky veprim jologjik dhe antiligjor i GJ.K-së do të thotë se ky ishte një bashkëkomplot i saj me politikën e vjetër  dhe Presidentin kundër qeverisë Kurti, pasi Kurti dhe qeveria e tij  kishte në projekt dhe si premtim edhe VETING-un në drejtësi, pastrimin edhe të  saj ashtu sikurse edhe dekriminalizimin e politikës.

Me këtë revansh që kanë marrë Presidenti, “elita”politike e vjetër kosovare  si dhe Gjykata Kushtetuese e emëruar dhe e kapur nga LDK dhe PDK mundet që Kosova të shkojë në një krizë të paparë politike që prej kohës së çlirimit të Kosovës, pasi duket se Presidenti dhe humbësit  e zgjedhjeve legjitime e demokratike të 6 Tetorit 2019  tentojnë formimin e një qeverie tjetër duke anashkaluar fituesin e zgjedhjeve VETEVENDOSJEN, duke kryer kështu edhe një tjetër aventurë antikushtetuese në vazhdën e atyre të mëparshme!

Mustafa dhe Thaçi, si dhe ju të tjerët  që e rrëzuat qeverinë Kurti, këtë nuk ka për t’ua falur historia dhe as memoria kombëtare, pasi në vënd që politika të bëhej bashkë në kushtet e kësaj emergjence kombëtare, në  vend se ju ta mbështetnit qeverinë në luftën e përbashkët kundër armikut të panjohur, COVID-19, ndërsa luftën politike ta linit për më vonë, ju bëtë nxitimthi, tradhtisht dhe amoralisht më të keqen e mundshme dhe të paparashikueshme, rrëzuat qeverinë dhe shkaktuat edhe krizë politike, por që është fat i madh që Kryeministri dhe qeveria në detyrë nuk janë si ju.

Bota nuk është se nuk nuk është njohur edhe më përpara me çudira shqiptare edhe të Shqipërisë si: me vetëizolimin apo vetëkarantimin politiko-ideologjik 50 vjeçar në kohën e komunizmit sipas parullës “ të jetojmë , të punojmë si në rrethim”, “ ne në gojë të ujkut hedhinmm valle” etj.; dhe më pas me ngjarjet katastrofike të viteve 1997 unikale në botë  të rrënimit e shpartallimit të shtetit, si dhe kriza shtetërore e kohëve të fundit ajo parlamentare e konstitucionale të puçit ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe të tentativës për shkarkimin e Presidentit legjitim të Republikës.

Dhe tani në kohën e pandemisë botërore politika e vjetër dhe Presidenti i Kosovës gjejnë kohën për rrëzimin e qeverisë legjitime të Kosovës dhe thirrje qytetarëve për moszbatimin e vendimeve të qeversë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.