CIKËL ME POEZI DASHURI DERI NË PËRJETËSI

CIKËL ME POEZI DASHURI DERI NË PËRJETËSI

nga Vjollca Tiku Pasku

KUR TI S’MË THUA TË DUA

Ti kalon pranë meje me një shikim lozonjar,
padashur hyn në një zonë të lirë, të paprekur,
më bën të ëndërroj, si një hënë lindur nga ndjenjat,
por, të ndriçojë e të bëhet e gjallë i duhet dielli yt ndezur.

Ëndrra ime, është si lindja dhe humbja e hënës,
në sfondin e botës rritet, e drita jote iluzione i ndriçon
që lindin imazhin e florinjtë në liqenin e qetë,
ku lëviz zhveshur derisa në një zambak puthjesh qëndron..

Ndoshta ti një dashuri të madhe ëndërron,
kur e ke pranë, pyet veten; ajo është?… çudi!…
Uroj që ndjenja ime, të bëhet lot në sytë e tu,
unë me buzët e mia ta pi, e përjetësisht me ty të rri…

 

MARIONETA

Me daltë punova gjithë trupin tënd,
dora ime me vajra aromash i përshkroi,
flokët e gjatë të një vajze i bëri kaçurrela,
me lule të bardha e diamante i ledhatoi.

Trupin tënd të hijshëm mban toka e ftohtë,
zemra ime prej akulli, ka murosur ndjenjën e artë.
Në botën e vogël brenda dhomës, rrotullohet dalta,
që dhimbjen e dashurisë të nxjerrë jashtë…

Oh, formë e Afërditës hyjnore pa zë,
zjarri im digjet vetëm në botën ëndërr!…
Sikur qielli të shpirtëzonte ty, qoftë dhe për pak
do të dhuroja çdo vit timin, për një ditë zhgjëndër.

Fijet e mekanizmave të tu, lëviz me duart e mia,
si lëviz një degë me nanuritje gjethet e heshtura.
Ti je si lulja e pranverës me bukuri të ngrirë nga dimri acar,
sytë e tu të smeraldtë janë fiksuar si në botët e vdekura.

Sa shpirtra ka në jetë që mbyllin ditën në vetmi,
pa ditur si lind një ndjenjë që zgjon diellin e sezonit,
pa provuar qoftë edhe një herë të vetme dashuri.
por bredhin pas qejfit e arritjes së ereksionit…

O, qiell ma rikthe shpirtin e saj edhe një herë!…

 

DHE NË PËRJETËSI DO TE PRES

Nesër ndoshta s’do jem më,
do udhëtoj thellë në gji të tokës,
e mbarsur me dheun e butë në vetmi,
në turbullirën e errët të ekuacionit të panjohur.

Kur dielli do shëndrisë nëpër qiell,
ti do më presësh me lule buzëqeshjesh të vi,
do pyesësh veten n’agoni “pse po vonohet”…
rënkimi i brengës do të mbjellë në shpirt trishtim.

Lumenjtë veshur në zi do turfullojnë,
retë shami zeza do ndezin flakën e vajtimit,
shiu i hidhur do rrëshqasë në faqet e gjetheve,
do të thonë’të dashurën tënde vdekja ta rrëmbeu’

‘O zemër drite e dashurisë së artë,
mos qaj, mos urre fatin e shkruar,
më lër vetëm një trëndafil të bardhë mbi varr,
si kujtim që vulos me petale dashurinë.

Të lutem i dashur mos vajto!

Vullkanin e dhimbjes mos e ndiz,
kratere lotësh mos ti përzhitin sytë,
magma e zemres mos të digjet vrer,
se unë dhe në përjetësi do të pres.
Të dua!

Vjollca Tiku Pasku