Çika, një histori e dhimbshme

(Metamorfoza nën ndikimin e qenieve të errëta XV)

Reis Mirdita

Të paktë janë meshkujt haxhuze të papunësuar. Femrat preferojnë më tepër të jenë të lira nga angazhime të rregullta që iu duken skajshmërish monotone. Ato preferojnë “çil-mshil” derën e shtëpisë por ka edhe sish që janë në moshë të shtyrë e që preferojnë t’i frekuentojnë fqinjët duke gjetur muhabete për t’i bartur nga e djathta në të majtë, nga para, pas dhe anasjelltas duke shijuar mandej grindjet rreth e rrotull që i nxitin me haxhuzellëkun e vet. Fitojnë nganjëherë ca qindarka duke bërë ndonjë pokush të vogël kundër mësyshit dhe nuk konsiderohen më të rrezikshme sikur në vitet pa i kapluar pleqëria e thellë. Megjithatë, është shënuar një rast dramatik në fshatrat që në atë kohë gravitonin drejt fshatit-qytezë dhe komunë në vete. Ngjarje të cilën e mësova nga 90 vjeçari Ç. K, ushtar i dikurshëm i Mbretit ku shërbeu 12 vj. si onbash e jysbash. Me rënien e Turqisë, kthehet në fshatin e lindjes dhe i rreket bujqësisë. I regjur nëpër luftëra, Ç. K. nuk dinte më për frikë. Ja tregimi i tij, me vetëm disa intervenime gjuhësore gjatë redaktimit:

“Ngjarja ka ndodhur shumë vite pasi u ktheva nga ushtria. Isha rreth gjashtëdhjetë vjeç. Në mëhallën tonë, erdh një nuse e bukur me fytyrë si hëna pesëmbëdhjetë. E dashur me të gjithë dhe punëtore e nënë shembullore. Nëse më pyet për emrin, nuk më kujtohet. Që nga femëria prindërit, dhe katër vëllezërit e kanë thirrur Çika, nga dashuria për vajzën e vetme, motrën e plot vëllezërve… Për të gjithë është e njohur me këtë emër, ndoshta edhe të vetët më nuk kujtohen për emrin e vërtetë.

Në mëhallën tonë erdhi nuse si gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Familja e burrit në varfëri të skajshme e martuan djalin me ndërrim. Atje nuk jepnin lehtë se ishte fshat shumë i thellë në malësi dhe jepnin vajza këtu edhe për më të varfër duke kompensuar nga ajo se na ishim më afër qytezës ku kishte një dyqan dhe ambulance më një mjek që vinte dy herë në javë. Por të kaloj në përgjigjen e pyetjes tënde djalosh…  Plaka Zenë, e mbetur vejane, nuk doli nga shpija e burrit, mirë shumë, por i solli njëmijë probleme mëhallës dhe fshatit, i ndjellte djemtë e ri dhe të gjithë të tjerët që ishin njerëz pa burrëri. Shkatërroi qetësinë nëpër familje gjithë duke thurur disi habitshëm famë se shëndoshte të prekurit nga sihiri dhe nga syri i keq. Në të vërtetë, e rrotullonte një çelës duke i bërë paraprakisht ca pyetje lidhur me të sëmurin dhe me PO e me JO, ia jepte do hajmali të cilat duhej pas 40 ditësh me i hedhur në prua. Krejt kjo, jo edhe e dëmshme por shumë njerëz shkonin për të gjetur nuse: beqarët për vete e prindërit për djalë. Pasi vet nuk kishte aq prirje, i këshillonte të shkojnë të Fidahija e fshatit D. me të cilën ishin të lidhura ngushtë por nuk di çka kishin ndërmjet. Një ditë dimri, Çika, që kishte djalin e sëmurë palë, shkoi te plaka e cila e këshillon të nisen për në qytezë te doktori që herët në mëngjes se nuk ishte rast munxhijash apo mësyshi.  Nëna e re e vetme, sepse burri i kishte shkuar në gurbet për kafshoren e bukës, të nesërmen pa lind dielli, në borë e ngricë u nis grykës përroit përpjetë, drejt anës tjetër të malit ku shtrihej qyteza me ambulancë. Në mot të mirë, këtu duheshin tri orë në këmbë kurse dimrit, rrallë i vetëm merrej ky shteg.

Nëna e re me vajzën e sëmurë në krah, me tjetrën dorë tërhiqte sajën e drurit punëdore me djalin dyvjeçar hipur dhe luftonte kundër borës, erës dhe përpjetës që merrte gati gjysmën e rrugës së përgjithshme. Nxora lopët për ujë por ishte e kotë. Përroi kishte ngrirë gjatë natës e tani më edhe bora kishte mbuluar trashë akullin e nxënë. Në këtë kohë vërejta Çikën duke lënë fshatin drejt grykës së rrezikshme edhe verës e jo më në këtë kohë tmerruese dhjetori. Një therje sikur me thikë më përshkoi trupin. I ktheva lopët në ahur. Mora kazmën dhe rrufeshëm theva akullin e me dy-tri herë, me kova, iu dhashë bagëtisë të pinë. Hëngra një gojë bukë, u vesha trashë dhe u nisa rrugës. Diçka e çuditshme më çonte të reagoj në këtë mënyrë. Një lëmsh m’ishte bë në bark ende pa parë Çikën me fëmijët të merrte rrugën! Pas afro dy orë ecje, disa hapa pa mbërri në majën e kodrinës nga fillonte rruga të zdirgjet, dallova siluetën e saj me djalin për dore me të cilën tërhiqte edhe sajën me siguri gjer në maje të kodrës. Vallë më bënë sytë apo humba mendjen, mu aty në këtë kulm, një ujk që nuk lëviz vendit. Gruaja u shtang. U tërhoqa në pyll me qëllim që të krijoj një diagonalë dhe mbështeta pushkën pir lisi. Marramendëse!!! Ujku për një çast s’ishte më ujk! Njeri! Po njeri! Iu afrua Çikës, e kapi fuqishëm dhe e tërhoqi brenda në pyll ku kishte një kasolle e ditur nga të gjithë; e kishin ndërtuar druvarët për rast nevoje në kohë të vështira. I pa hetuar, fillova të ngjitem pyllit me ngadalësi dhe me shumë kujdes ashtu që të mos tradhtohem nga shtrydhja e borës ndër këmbë e trup gjatë zhagitjes. Së pari dëgjova të qarat e gocit dy vjeçar dhe kërcënimet e burrit. Vogëlushi heshti. Tani dëgjohej edhe zëri i Çikës që lutej me vajë të ulët ta lëshojë.

-Galush mos të lutem. Jeni edhe kushëri të parë me burrin tim. Galush të lutem! Ndihmomë të arrimë te mjeku sa më parë se vajza po vdes! Ka ethe të rënda! Të lutem gjer në Zot!

Dëgjova një klithmë. Me siguri ai e qëlloi me grusht ose me ndonjë mjet të fortë në kokë. U afrova akoma. Ai si i tërbuar ia tërhoqi dimitë dhe filloi t’ia grise të veshurat e brendshme.

-Çohu në këmbë dreq! Ai u kthye nga unë dhe ashtu në pozitë ulur, i dhashë zjarr. U rrokullis si thi i egër dhe nuk lëvizi më. Me kujdes e morra Çikën për krahësh dhe e zbrita në rrugën plotë borë të re, pa asnjë shteg të hapur për ecje. U ktheva dhe morra edhe fëmijët. Nëna e re dëgjoi zërin e djalit dhe u këndell. I lash te doktori i cili u zotua se do të lajmëroj familjen e prindërve të saj që por pa ditur asgjë për ngjarjen në pyll. Unë vet, nisa rrugën për në fshat.

Në kasolle asgjë! As të vdekur as të gjallë. As gjurmë njeriu as gjurmë gjaku!

Ujku në vendin ku e pashë në mëngjes ishte përsëri aty. Më shikoi drejt në sy, me mllef sikur donte të më sulmoj, mandej ktheu bishtin dhe y zhyt anës së pyllit teposhtës drejt përroit”. Në fshat asgjë të re. Galushi ishte gjallë!!!

Konkluzion

Haxhuzja plakë kishte informuar shoqen e vet në punët e errëta, sihirbërësen nga fshati i afërm. Të dyja kishin marrë para të majme nga Galushi por ishte sihirbërësja që ia futi një xhinde në bark duke i mundësuar transformim të shpejt dhe mbrojtje të përkohshme nga vdekja. Atë mund t’ia shkurtonte jetën arma e ftohtë por jo plumbi.

Unë disa herë pas kallëzimit të plakut Ç. K, kam shkuar në fshatin në fjalë, Kam biseduar me Çikën e cila që nga kjo ngjarje nuk gëzoi shëndet të mirë nga traumat e rënda. Nuk arrita asnjëherë të takoj Talushin por më njoftuan se vdiq në moshën 50 vj. dhe se varri i tij për shkak tejet të rrallë, u bë me emër: Dheu ishte rrafshuar brenda natës sikur të mos kishte pasur kufomë e dërrasa të pjerrëta në brendi. Edhe sot njerëzit e kësaj ane e përdorin si shembull kur dikush bënë një punë të këqija i thonë: “Kujdes se do të rrafshohet varri si i Galushit!”

(Vazhdon)